Lexues

mercoledì, gennaio 14, 2026

Telat e kitarës nga E. Kaceli




Gjashtë tela kitare
gjashtë shpirtna,
gjashtë varrë.
 
Një për dy sytë
lidhi, shpoi, përgjaki,
Bani me rrjedhë notat këngë gjaku
Krejt si plagët e syve të plasun
 
Tjetrin tel bane hark, shigjetë
lene të shpojë zemrën
zemrën që nuk rreh më!
Qysh prej njëmijë shekujsh
 
Telin e katërt bane kryq
kryqëzoje me telin e pestë
Ndërto î kryq dhimbjet, ngule fort,
n'trupin tand rrënuar kujtimesh
 
Të gjashtin tel, të mbramin,
shtrëngoje nëpër duar,
përgjaki der' sa t'mos mundesh
me i këndu prapë dhimbjes.
E kështu ka me plasë trupi i kitarës
Mbytun në gjakun e vet...
 
Itali, janar 2026

giovedì, gennaio 08, 2026

Hija e komunistit -Prozë poetike nga Erik E. Kaceli

 
Dialog... (Imazh gjeneruar me IA)

Pashë hijen e dikujt
ulur në metronë e linjës
Dukej fort i zemëruar me mua...
Më sheh, ashpër! Më pyet me zë të egër:
"Beson në Zot?"
Syzmadhuar nga frika përgjigjem:
"Jam më i pafajshëm se aq!
-nuk jam komunist!"
Plaku, lëshon shishen e vodkës në çemento
Me zë të fortë, bërtet fort:
"Isha komunist! Kam mbetë komunist!
Kurrë, kurrë më, nuk e lëshoj Partinë!"
Frika shëndrrohet në të qeshur,
përpara se të ngjitem në tren i thërras:
"Partia gjithmonë të ka ndaluar të bëhesh tapë!
Nuk je komunist!... Je thjeshtë i alkoolizuar!"
 
Itali, janar 2026

martedì, dicembre 23, 2025

Kullojmë komunizëm nga E. Kaceli



Merre shqiptarin e shtrydhe! Shtrydhe fort! Një herë, dy tri... Shtrydhe der' në pikën e fundit të gjakut! E a e din çka kullon?
Kullon komunizëm prej pikës së parë të gjakut e deri në pikën e fundit!
Dami ma i madh që i është bërë nacionit shqiptar nuk është 500 vjet robërim turk! As ndarja e padrejtë e trojeve, as pushtimi nazi -fashist! Dami ma i madh asht komunizmi i futun në gjak, në muskuj, në tru, në palcën e kurrizit...
Kanë me u dashtë të paktën 200 vjet me ndryshu mentalitetin komunist që u mboll me gjak, dhunë, përdhunë, me vrasje, burgosje internime, pushkatime, shkatërrimi i besimit në Zot!
Mentaliteti komunist që edukohej në krejt sistemin shkollor! Qysh në çerdhe fillonte indoktrinimi, e vijonte deri sa mbaroje Universitetin (kush e kishte fat biografik!). Me bark të thamë ùjet, por me trunin marksizëm -leninizëm, titizëm, stalinizëm, maocedunizëm, e enverizëm!
Kam pasë pak shpresë se qysh në 90-ën e këtëj kishim me pasë kohë, sadopak, me u shkëputë prej kësaj kolere! Të paktën ata që lindën pas 90-ës! E sot janë 35 vjeçarë!
Por jo! Aq fort e kena komunizmin në gjak, sa iua transmetuam (gjasme si komunizëm demokratik) brezave që erdhën në periudhën postdiktaturë! E keqja asht se iua transmetuam gjenetikisht! Iua transmetuam si formë mendimi, si mënyrë studimi, si metodë jetese! Përditë e nga pak!
Po shikoja para do ditësh, një të ashtuquajtur profesor, deputet, intelektual etj. Me pak fjalë po i thoshte liderit të partisë opozitare " Rrofsh sa malet që na solle, e na mbron demokracinë!" Dikund në sfond ishte një megaposter në stil Enverian!
Mu shfaq Mamica e pozitës në versioni mashkull!
(Shqyqyr Zotit, thashë me vetin, që nuk jam intelektual!)
Periudha prej 90 -ës e der sot, nuk asht demokraci, nuk ka asgja të përbashkët me demokracinë! Është një neokomunizëm post enverian i shkallës më të lartë!
Tiparet janë krej njëlloj, por në tjetër nivel!
Rrugaçëria e drejtuesve, mungesa e intelektit, vrasjet, servilizmi ekstrem ndaj Liderit, babëzia, vjedhja, grabitja e pronave, grabitja e arkës së shtetit, zbulimi i armiqve, shpallja e tradhëtarëve, dhunimi i popullit, propaganda e blerë... kullojnë komunizëm!
E kot lodhna me e shtrydhë popullin që të vetmen liri ka fituar të drejtën me ikë sa ma larg Shqipërisë!
E n'sa largohet, len mbrapa parullën neokomuniste: Shqipëria bëhet!
Po, po! Shqipëria bëhet një Mut! -përditë e ma i madh!

sabato, novembre 08, 2025

Nevojë për besim poezi nga E. Kaceli

Diskutim ne familje

Nëse punët nuk shkojnë mirë në vendin tim,
dhe Qeveria thotë se kjo nuk është e vërtetë!
Qeveria ka të drejtë.

Nëse vriten njerëz rrugëve të qytetit tim
dhe zëdhënësi qeveritar mohon ç’ka panë
30 mijë sytë e qytetit tim
Qeveria ka të drejtë.

Por…
Nëse në shtëpinë time ka ndodhur diçka e keqe
(Për shembull jam zënë me gruan, për shpenzimet e muajit)
dhe testimet zyrtare thonë se familjet shqiptare janë në lumturi
të plotë
Unë dhe gruaja duhet të shtrëngojmë dhëmbët, dhe
ti japim të drejtë Qeverisë. Pasi
Qeveria është ajo që ka të drejtë… 
 

mercoledì, novembre 05, 2025

Ligji universal i Qeverisjes Pellazgjike satirë nga E.Kaceli

 

Kjo është thjeshtë një kërpudhë

Kryeministër alias Palloshi i Gjatë

Zëvendës Kryeministrat alias Nën PALLOSHIN e Gjatë.
 
Ministri i Mbrojtjes: Palloshi i Armatosur.
Ministri i Përbrendëshëm: Palloshi Blu
Ministrija e Bujqësisë: Palloshja Jeshile
Ministrat (ministret) e ministrive të tjera thjeshtë Palloshë ose Palloshe
Zëvëndësministrat (et) Nën Palloshi (ja) e Palloshit (es) e Ministrisë përkatëse.
 
Presidenti: Palloshi i Fjetur
Kryetari i Parlamentit: Pallosh prej Leshi me nën palloshët përkatës
Deputetët sipas formës së trupit dhe çintelegjencës çnatyrale që zotërojnë thirren psh:
Taulant Balla -Palloshi Kuadrat.
Erion Braçaj -Palloshi i Vogël.
Klevis Balliu: Palloshi Bukurosh.
Në vijim nga opozita kemi Palloshin Plak dhe turmën e palloshëve e pallosheve të opozitës që ndryshe i quajnë Palloshë Kryevarur!
Kryetarët apo gjykatësit e nivele të ndryshme të gjykimit: Palloshët e Togave të Zeza, shtuar funksionin përkatës!
E njëjta vlen për prokurorinë, SPAK-un etj.
 
Ps
Nga pellazgjishtja: Pallë ndryshe shpatë. Pallosh mbajtës shpate! Ose shpatar! Pra Burrë i fortë, Burrë Pallosh. Ose Grua Palloshe, grua e fortë me pallë në dorë, diçka e ngjashme me gratë e Kurveleshit kur me palla luftonin sheshit!
Nga kjo rrjedh shprehja frazeologjike e shkruar me gërma të arta nga Palloshi Diktator: Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me Pallosh në dorë! Lavdi!

sabato, ottobre 11, 2025

Haluçinacionet e të veshurit me rrobën e ushtarit poemë nga E. Kaceli



Kushtim: Brezit tim, lindur, rritur dhe jetuar në një kohë fatkeqe

1.
Tela.
Tela.
Tela.
Tela me gjemba
Tela të akullt, të ngrirë
Përsëri, ngado, gjithkund
Vetëm Tela!

2.
Këpuca është tepër e fortë
Nën të shtrihet një konservë
e ndryshkur (si koha)
Mbuluar myshk
Një këmishë gjithë zhul:
Urdhëron këpucën
Shtypën konservën
Këmisha
Nëpër tokën e plasun
përplasen sporet

3.
Të gjithë kanë rënë të flejnë
Askush nuk sheh më, asnjë ëndërr.
Vetëm helmeta. Helmeta
Helmeta -koka të prera
Helmeta -në radhë për dy
me hap rreshtor lëvizin
Lëvzin,
           lëvizin....
Lëvrijnë...
Grubullohen një një pirg
të madh, sa nuk përshkruhet
Një pirg me koka të prera
O Zot! Ç'llahtarë!

4.
Pak ujë!
Pak ujë!
Pak ujë!
O njerëz të mirë! Ushtarit pak ujë!
Vetëm një pikë! Të njomë
buzën e çarë...
Ujë nuk gjendet
Njerëzit e mirë janë shterrë
buzët lëvizin nëpër mjegull
duke trembur ç'gjejnë përpara
Në ujë, ushtari, mbytet
E nuk ngopet.

5.
Çanga.
Ah! -çanga
Çanga prej pesë minutash kreu
detyrën e fijezimit të muskujve
gazrat e natës -rëndojnë
mbi supet e varuna
Dritaret!
Të hapën ato! -e pamundur!
Pa urdhër, asnjë veprim!
Ndëshkimi rrëzohet si Shkop i Damokleut
mbi kryet e urdhërthyesit
Koka çahet.
Trutë, krimba të përgjakun
përbaltin dyshemenë e larë
me ujë të ftohtë
me zhele të grisura

6.
Sallë gjashtë me pesë
njëzet e katër veta tymtojnë
Cigare thithin. Helm
Djegin vetëveten. Helm.
Helmojnë vetëveten. Helm.
Flejnë ditë e natë vetëveten
Një vetëvet'e  barabartë me
njëqind cigare e gjysëm
një mbi një
Pa filtër.

7.
Zeronjeriu shtrin hapin zerogradë
Zerograda shtrin hapin zeronjeri
Zeroshpirti merr frymë vështirshëm
Një, dy, tre... zeroherë
Në zeroditë
hapen zeroplagë
kullon zerogjak
vriten zeroshpirtë
Zerograda, Zeronjeriu, Zeroshpirti
marrshojnë krah për krah
Zeroherë.

8.
Mjegull jeshile
trupa të mjegulluar
mjegullime trush
Fytyra të mjegullta
mjegullnajë zërash
urdhëra mjegulle
Shpirtna të zhytur në mjegulli
9
.
Po kruhemi
Shpina kruhet
Jo nga morrat
morrëzimi i shtatit tash
nuk ngjall dëshirën minimale
                              për kruajtje
As krevati me tel gabian
as dyshekët e çimkëzuar
në menynë e kruajtjes
                     nuk hyjnë
Kruhemi.

10.
Prej orëve të hershme të mëngjezit
në të vontat orë të darkës
tre -katër radio ulërijnë
dy mangnetofonë i çirren TVSH-së
(Ekran ngushtuar prej mugësës së 220 voltëve
si një kafshë historike jashtëmode)
Tërë gjuhët e botës në kapanon përzihen
Një gjuhë e vdekur fle gjumë,
marrëzisht në komodinën time
Shqipja me varrë të zëna kore!

11.
Vajzat po kalojnë!
Vajzat?! -Ha, ha, ha!
Ç'janë vajzat?!
Prej ç'planeti ushtarak vijnë?!
Nervat nuk ndijojnë
poshtë blindazhit jeshil
flejnë të vyshkura
organet ndijore
Gjenitalet e thata, varen
në vendin që u përcaktoi, marrëzisht,
                                          evolucioni
-Ushtarë marshoni!

12.
Në djathin e darkës
Një tufë krimbash lozonjarë
paskan ngrehur çadrat e ushtrisë krimbërore
Të majmur, dyllë të verdhë,
lëvrijnë në rregullsi krimbike
pa u shqetësuar për ndërhyrjen kirurgjikale
të dhëmbëve tanë njerëzorë
për protestë
-a nuk di për ç'dreq!
mospërfillës
Krenarë 
Akuzave tona u përgjigjen
me brejtje...

13.
Këmbët kanë ftohtë
Duart mërdhijnë
lëngjet e stomakut dhe trurit
ulin aktivitetin
nën minimumin e lejueshëm
Barometri shoqeror: Zero gradë
                                     nën zero
Thellë
në mbytje
rropatet zemra
Përpiqet të vdesë...
Nuk mundet.

14.
Gjërë e gjatë shtrirë
në krevatin e përnatshëm
Sipër meje
telat e fortë të krevatit të shokut
paralele dhe meridiane
I shtrirë në një pjesë të Globit
Shpina dhemb prej thikash
I shtrirë
Prehje nuk gjej...

15.
Çohem i trembur
Mesnatë
Zëra të largët
Të qarat kumbojnë në veshë
Prej gjumit në  ç'gjumë
prej ç'ëndërrës në ç'ëndërr
Me ndonjë zgjim të rrallë,
të dobësuar të arsyes
44 djaj ëndërrvrarë
flejnë gjumin e shkretuar

16.
Një bollë zvarret në rrugë
në rrugën ngjyrosur me baltë
me njollat e baltës në trup
zvarret bolla
A ne të përbaltur
zvarremi para vetes
Se ku?
Se për ku?

17.
Në një top futbolli
kam hyrë. Jam kërrusur
Të gjithë qëllojnë gjashtëkëndëshat
                                            e topit
Gjymtyrët e mija godasin pa mëshirë
Përplasem nga një këmbë në tjetrën
Pa mëshirë
Pa ndjenjë
Hakmerren ndaj meje
Lodër e pafajshme futbolli

18.
Majë reve
Kaluar
Dridhem emocionesh
                                   të pakuptimta
Pluskojnë në qiellin e blutë
mrragla -njerëzit poshtë reve zvarriten
Unë dhe retë të gjithëpushtetshmit
Shpirti i qiellit
Pluskojmë
Ndjellim shi.

19.
...Viti 2500
Epoka e Pushtimeve Ndërgalaktikore
arkeologët e tokës studjojnë
në mes të tjerave
Banjot e Shkollës Ushtarake Pukë
Fosilet shpalosin historinë
Copa gazetash
letra të bardha dhe letra bixhozi
faqe rregulloresh ushtarake
në përbërjen kimike të mutit fosil
strukturën ushqimore përcaktojnë
kompiuterat

"Në këtë shekull mund të kenë jetuar
disa qenie, të cilat, sipas të gjitha
probabiliteteve, kanë pretenduar
të vetëquhen, në mënyrën më të paskrupullt
Njerëz!
Materiali fosil, datuar,
sipas metodës radiokative, i përket
viteve nëntëdhjetë, që përkojnë me fundin
e shekullit të 20-të."

Pukë, shtator 1990 -Lezhë, dhjetor 1992


sabato, settembre 06, 2025

I lumtun që nuk u shita! poezi nga E.Kaceli

Imazh krijuar me IA nga Kaceli

-Përgjigje për mikun tim poetin dhe shkrimtarin Marash Mirashi
 
I lumtun që nuk e fala vetin
Ma i lumtun që nuk u shita kurrë
Më ofruan shumë, fort m'dhanë
E prapë shtuan ofertën
Prapë s'mun u shita
 
Bana gabim thue?!
Nuk di! -dikush u shit lirë
dikush shtrenjtë
Banë pasuni,
                    frynë xhepat
frynë barkun
U trashën fort kah barku
Iu trash edhe kryet prej pasunisë
Më kqyrnin, si prej Olimpit
Ironikisht tu m'thanë: Budallë!
Budallë! -Na fituem! Ti humbe ritmin!
 
Unë, dobsuem ujêt rri,
                            jetoj,
                            nuk po shitem
Edhe pesëqind jetë me i pasë!
Thjeshtë se nuk du me dekë me kry të trashë!
Ma mirë thî i egër, i dobsuem ujêt
Se Sokrat i dhjamun ma fort se derri
i zhgrryem gjithmonë në baltë!

Shënim: Përpara do ditësh në qytetin e Lezhës u hap një konkurs me foto për Lezhën! Miku im i vyer, rebel, shkrimtari i mirënjohur Marash Mirashi, iu propozoi, publikisht, organizatorëve të isha "gjykues" i këtij konkursi, nisë prej përvojës e pasionit në fushën e fotografisë! -Asnjë reagim! I dashtun Marash duke të falenderuar publikisht po të kallxoj arsyen...

domenica, luglio 27, 2025

Armiqtë

Imazh krijuar me IA nga ©Kaceli

Në mëngjez u zunë
Në mesditë u rrahën
Natën u vranë me njëri -tjetrin
Vdiqën...
 
Të nesërmen i varrosën
N'dy varre të ndryshme
N'të njëjtën parcelë                                                                                                                                         
N'të njëjtën varrezë publike
 
Legjenda thotë se të njëtët krimba
korrierë të pabindur, lëvrinin
nga njëri varr tek tjetri...

domenica, luglio 20, 2025

Nikollë Njeçi -Fisniku i vargut nga E. Kaceli, Itali

 Parajsë e ferr do i bëj bashkë
T’i kaloj dua, mespërmes
Sido që të jetë fundi, ndashtë
O të ringjallem, o të vdes!
 
-nga Libri "Lulet e Vona" botimi më i mbramë i N.Njeçit.
 

Të shkruash për miqtë poetë është e vështirë të mos biesh në provokacionin e fjalëve të mira, shpesh të pameritueme, por që detyrohesh me i thanë për hir të miqësisë dhe njohjes së kahershme me autorin!
Në momentin që kurthi i miqësisë duket se të ka mbërthyer në qerthullin e vet, atëherë i kthehesh e rilexon edhe një herë librin, e kupton se këtu miqësia nuk hyn aspak!
Kështu më ndodhi teksa rilexova librin e mikut tim të kahershëm, poetit nga Pllana e vogël, por historike, e fisnikut Nikollë Njeçi!
Niko është jo veç një mik i mirë, e fisnik deri në skaj të zemrës por mbetet një ndër poetët më të veçantë që Lezha ka nxjerrë, e vijon të nxjerrë prej poreve të saja artistike!
Poezia e Nikollës rrjedh krejt si uji i qetë! Delikate në figura, e shtruar, por që më kalimin e kohës len gjurmët e veta të përhershme!
Krejt si gjurmët e ujit në memorien e gurëve!
N'sa lexon librin, duket se je duke ba një bashkëbisedim të vyeshëm, në një tavolinë kafeneje me autorin, edhe pse ai ndodhet qindra kilometra larg tejet!
Bashkëbisedimi rrjedh, ndër vargjet e Nikos, duke zbulua prej vargut të parë e deri në të fundit, mirësinë e artistit, shpirtin e rrallë e fisnik të poetit!
Nikolla Njeçi është kroi i fshatit, është Pllana, është Burrnesha, është Heroi, është Puthja e Poetit është kënga e Nënave të braktisura, është fjala e urtë e një miku të rrallë!
Udhëtim të mbarë poeti im fisnik!
 
Edmond Kaceli, Itali

domenica, aprile 27, 2025

Kitarë e harruar poezi nga E. Kaceli

 



O kitarë e heshtun,
në prehrin e pluhurit mbetë,
të prek me gishta t'dridhun,
por tingujt e tu janë të tretë.
 
O kitarë e moçme
harruar në një qoshk të memories
mbuluar pluhur
me telat çakorduar
Më dukesh si ajo vajza
që pata dashtë fort, diku, dikur
e n'epshin rinor bërtitshim
pa zâ:
Ajo: Më ban të ndjehem grua!
Unë: Më ban të ndjehem burrë!

prill 2025