Lexues

venerdì, maggio 11, 2018

Marrëzi e përsosun!


Mos më thoni: Je i marrë!
-jam më shumë: Jam i çmendur
jam i çmendur në çmendinë time
                                                    -jam
i lumtur gjithashtu.

Jam i çmendur.
-coptuar në qindra grimca marrëzie
 në mijëra grimca çmendurie
-shpirtçmendur, trupçmendur
trurin të ndarë në një mozaik pa nisje
                         në një mozaik pa fund
                         në një mozaik pa lidhje
(Krejt psikologët e botës nuk po munden me gjetë shpjegim)

Unë prapë jam i lumtur!
në marrëzinë dhe çmendinë time të pafajshme
në çmendinë time thellësisht të brendshme
                                         -të jashtme gjithaq!
Çmendia ime, gjendja ime sublime!
(Me kenë normal nuk përbën asgjë të re
nuk është lajm!)

Jam ndryshe! Krejt ndryshe nga ju te gjithë!
Jam i çmendur! -nuk dua asgjë nga ju!
Veç më leni në çmendurinë, në marrëzinë time!
Ju njerëz çuditërisht normalë
                                              aq shumë normalë!
-sa më vjen keq për normalitetin tuaj!

It, maj 2018
Edmond Kaceli
(Fotoja illustruese është interpretimi im fotografik i veprës së artistes bashkëkohore italiane Simona Muzzedu)

sabato, maggio 05, 2018

Kur hajdutët tanë besojnë se janë Mafie!


-pamflet nga Edmond Kaceli

Më vjen me qeshë kur në komentet, analizat, lajmet, pallavrat publike, konferencat e paguara të shtypit, rrëmujat parlamentare etj. dëgjoj të lakohet, në të gjitha gjinitë, rasat dhe format, fjala : Mafie!
Si për ta zbukuruar e bërë më tërheqëse, më ekzotike, e shoqërojnë me togëfjalëshat: Kodi i Mafies, Heshtja e Mafies, Mesazhe të Koduara, Marrëveshje Mafioze, Kërcënime Mafioze, Organizata Mafioze...
Mafia e kuqe, Mafia blu, Mafia rozë...
E lakojnë aq shumë, e zbukurojnë aq shumë, sa edhe mua që jam skeptik nga natyra, gati më mbushet mendja se Shqipëria është bërë me të vërtetë një shkëmb graniti Mafioz në brigjet e Adriatikut dhe Jonit!

Për ti shpëtuar psikozës së turmës mbylli sytë vetëm për disa sekonda! I hapi pasi numëroj deri në tridhjetë e një! Hedh sytë rreth e qark për të parë se ku dreqin shihen e ku dreqin fshihen gjithë këta mafiozë të mbaruar!
Zhgënjehem! Sinqerisht zhgënjehem! Zhgënjehem deri në skaj,  kur përreth shoh vetëm do hajdutë të rëndomtë të veshur firmato me petkun e pushetit, me rrashtën e kresë katër gisht të trashë, që iu duket vetja Mafiozë të thekur!
Mafiozë të thekur që nga Mafia nuk arrijnë të kuptojnë as emrin, e jo më filozofinë e metodat e veprimit të sajë!

Këta kokëtrashë, (në kuptimin e materies gri) që shiten si Mafiozë, e që kërkojnë të çojnë mesazhe mafioze, nuk janë tjetër vetëm ca banditë të rëndomtë katundi, ose ca çuna mamaje që në vizën e parë të drogës iu hyn vetja në hatër. E prej qoshes së kolltukut politik, grabitur banditit të mëparshëm, këndojnë nën hundë: Mafioz'i  lagjes jam!
Aq trima janë sa këta mafio -lapera sa kur dikush, rastësisht, për drejtësi, a për presion prej banditëve kundërshtarë, iu tund prangat përpara syve, fillojnë të dridhen ditën e parë, të qajnë në TV ditën e dytë! E ditën  e tretë të çudisë nisin të adresojnë mesazhe!
Kërcënojnë sikur të ishin me të vërtetë trima të çartun që nuk iu "han palla" për drejtësinë shqiptare, pasi ata janë e drejta, dhe e vërteta!

Nuk e lënë me kaq interpretimin e mafio -komicitetit! Por rreken të na mbushin mendjen se cili grup banditësh politikë plotëson më shumë kushtet e të qenit Mafioz! Duke u sforcur në poza fjalësh, batutash, zbardhje dhëmbësh, veshje shik, diplomash fallso, ideshë të shlyera e intelegjencë me miligram, për me na mbushë mendjen se nuk janë banditë të rëndomtë që rastësia, dhe mbështetja banditeske, i solli në krye të çorbës që gatuhet në politikën shqiptare!

Zotërinj banditë politikë pa dallim ngjyre politike (se ide dhe besim fetar nuk keni), qetësojuni dhe harrojini interpretimet, mesazhet qesharake dhe fiksimin budallor se jeni Mafiozë!
Jeni thjeshtë ca hajdutë -banditë të rëndomtë të veshur me rroba politikanësh,  që një ditë prej ditësh, kur t'iu vijë radha, do të përfundoni xhiron tuaj të banditizmit, ashtu siç e mbarojnë karrierën hajdutët dhe banditët e rangut tuaj, jo Mafiozë!

lunedì, aprile 02, 2018

Kombi, Kukësi i Kombit, rruga e Kombit, dhe Hajdutët e Kombit!


Opinion

Kombi, (nacion)i jam unë, je ti, jemi ne të gjithë. Kombi shqiptar është gjithkund ku flitet sadopak gjuhë shqipe. Shqipe e pastër, e papërzier, shqipe e ruajtur me shpirt nëpër dhëmbë nga koha që ka punuar aq shpesh kundër shqipes dhe shqiptarëve!
Nacioni shqiptar është i shtrirë në trojet e veta në Greqi (Çamëria); në Maqedoni (Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova); në Malin e Zi, si vetë fati i shqiptarëve (Ulqini, Tivari, Tuzi,); në Serbi (Presheva, Bujanoci, Metvegja); në Kosovë.
Shqiptarët janë të shpërndarë thuajse në të gjitha vendet e botës! Një nacion, historia e vuajtjeve dhe ndarjeve për shkak të luftrave dhe lakmive të fqinjëve mund të gjejë krahasim vetëm me historinë e hebrenjve! Ky është Nacioni Shqiptar!

Kukësi është ai qyteti i vogël në Veri të Shqipërise. I vogël si territor, i varfër, i harruar nga qeveritë e Tiranës! Askush nuk fliste për Kukësin deri në ditën kur mahniti botën me pritjen e një milion të dëbuarve nga Kosova! Në atë kohë u fol per Kukësin! Në atë kohë "zbuluam" historinë e tij të përgjakshme, Lumën, Hasin, Krumën... Kukësi i vogël u kthye ne Kukësi i Kombit! -Dhe pastaj u harrua!

Këtu nisi historia e rrugës së Kombit. Një ndër investimet më domethënëse në drejtim të afrimit të dy pjesëve të ndara të Shqipërisë! Lëvizja e lirë ndërmjet dy shteteve shqiptare, e ëndërruar edhe nga fëmijët, filloi të bëhej realitet. Kjo rrugë menjëherë u shëndrrua në urën e munguar të lidhjes mes dy pjesëve të Shqipërisë natyrale dhe historike!
Shqiptarët e Shqipërisë zyrtare dhe shqiptarët e  Shqipërisë kosovare u ndjenë më të bashkuar se asnjëherë tjetër! Këtë bashkim e bëri realitet të patjetërsueshëm Rruga e Kombit!

Por emri i madh i kësaj rruge u përlye! U përlye qysh me fillimin e hedhjes së zhavorrit të parë e deri me vendosjen e traut të pagesës! Rruga e Kombit, Ura e Kombit, u kthye në një simbol vjedhjesh të pafundme. Vjedhjeje dhe mosndëshkimeve!
Hajdutët e Kombit, njerëz të veshur me fuqinë e politikës në Shqipëri e panë ndërtimin e rrugës, jo si një investim gjeostrategjik dhe politik në të mirë të nacionit, por si mjetin më perfekt për të vjedhur pa ju hyrë gjembi i ndëshkimit në asnjë gisht të këmbës apo të dorës hajdute!

E filluar me vjedhjen nëpërmjet taksës Majko, e vijuar me shpërdorimin e milionave gjatë ndërtimit të rrugës, ku studimet dhe projektet bëheshin mbas ndërtimit duke iu përshtatë parave të harxhuara pa asnjë kriter, vijoi ndër vite me shpenzimet e pakontrollura për mirëmbajte.

Çetat e Hajdutëve të majtë, e të djathtë, ia rropën dhjetëra herë asfaltin kësaj rruge, derisa e kuptuan se nuk kishte mbetë asgjë për të vjedhur.
Kur e panë se kishte mbetë pak për të vjedhur, çeta e hajdutëve të radhës në qeveri shpiku traun e pagesës dhe vjedhjen nëpërmjet koncensionit!

Koncensioni, kjo shfaqje korruptive që është eksperimentuar me sukes në mjekësi, në energji, në kontrollin e automjeteve, në dogana, në aeroport... Në çdo gjë të mundshme që mund të prodhojë shumë lek, për firmat e lidhura me politikën, për hajdutët në pushtetin e radhës, e pak, krejt pak lek për buxhetin e varfër të shtetit.

Në sajë të politikës hajdute jemi klasifikuar me nder e lavdi, në top listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë!
Qeveritarët dhe politikanët shqiptarë, në vend që të flasin për perspektiva zhvillimi e mirëqenieje, bëjnë plane të errëta se çfarë, dhe si, mund të vidhet e stërvidhet, çka mund të ndahet e stërndahet.
Pa asnjë frikë se dikush mund ti ndëshkojë!
Në fakt edhe burgun, e forcën e ligjit, iu kanë dhënë me koncension policisë, gjykatësve, e prokurorëve, për ta përdorur vetëm ndaj njerëzve të varfër, ndaj njerëzve të thjeshtë.
Qofshin këta edhe protestuesit e thjeshtë, e të ndershëm të Kukësit, që guxojnë të protestojnë kundër një trau, e një pagese të pajustifikueshme, që kërkon t'iu ngrejë një mur simbolik, në kufirin simbolik Kosovë -Shqipëri!

Për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë, shpresoj që protesta, edhe e dhunshme, t'iu çojë pak mesazh hajdutëve të kombit (të majtë e të djathtë), një mesazh të llojit:
Në mos paçi frikë nga Ligji, filloni të keni frikë nga zemërimi i popullit!

Edmond Kaceli