Lexues

domenica, marzo 27, 2011

Larg teje në plazhin e harruar

nga E. Kaceli

Fryn erë
në bregdetin e harruar.
Flutura krahëzbehta harrimi
thërrimet e rërës fluturojnë,
pështillen kabinave të braktisura
pa kujdes. Pështillen rreth meje
më futen në xhepa,
në veshë,
në sy
dhe në flokët e ngatërruar me fije ere.

…Rërat e heshtjes
në shpirt
kështjella të lagura harrimi
ngrejnë.

Larg teje
në plazhin e harruar
në plazhin e braktisur
Fryn erë harrimi
që më trand,
më trand
aq shumë.
Apo fryn erë malli
që më lë,
më lë
Pa gjumë.

lunedì, febbraio 28, 2011

Mendimet janë braktisur

nga E. Kaceli

Përtokë janë rrëzuar mendimet
Përtokë janë braktisur mendimet
Askush nuk merr mundimin ti ngrejë nga balta

Njerëzit indiferentë kalojnë pranë tyre. I shkelin me këmbë
I godasin duke i rrokullisur nëpër rrugën e përbaltur.
Mendimet heshtin të braktisur.

Njerëzit. –ah njerëzit, kjo racë tokësore pa ndonjë vlerë të veçantë
Harbojnë në lumturinë e pafund
Në lumturinë që sjell çlirimi prej mendimeve

Mendimet heshtin tek merren nëpërkëmbë…

martedì, febbraio 01, 2011

Deshire -poezi nga Ndue Lazri

C'paskam deshire te dehem sonte,
t'i thyej shishet nje pas nje,
se bukuroshja qe e desha
ketu prane meje s'eshte me.

Kane ngrire germat mbi tastjere,
telefoni hesht si zog i vrare,
pertej dritares fryn nje ere,
sikur ve kujen ne te qare.

Ajo ish xhind e ish perri,
si vere e forte t'i ndizte venat,
sfidonte shpendet ne ajrì
ne det i linte pas sirenat.

Kur zbrazte kupat tok me mua,
i digjej kemisha permbi gji,
nuk kish burim,nuk kishte krua,
qe te ma shuante ate zjarmì.

Zjarrin e ferrit kish ne gjak,
e leng hardhie nder damare,
kur me pushtonte me ate vrull zemerak,
shtratit te shkrete i kallte zjarre.

Erdhi e iku si nje enderr,
se s'mund ta kisha e s'mund t'me kish,
ne gote me la shijen e embel
si nje nektar prej perendish.

I vetem i zbraz kupat sonte,
i thyej shishet nje pas nje
se bukuroshja qe me donte
ka ikur larg e s'kthehet me.

domenica, gennaio 23, 2011

ARMIKU IM –Thirrje e panevojshme për luftë

Pamflet nga E. Kaceli

Kjo thirrje është dhe nuk është një ironi.
Ironi se ndër tiparet më madhështore tonat, si shqiptarë, është lufta.
Jo lufta ndaj armikut (armiqve). Armiqtë kohët e fundit kanë harruar se nà ekzistojmë si nacion.  Por lufta ndaj njëri –tjetrit. Lufta ndaj vetvetes. Një luftë e dhunshme që nuk kursen asgjë.

Nuk është ironi. Nuk është as lojë luftash që luajnë fëmijët e fisit a lagjes.
Është një luftë ku jemi përfshi të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Mblidhemi në salla e shajmë, shtyhemi, pështyjmë, godasim, fëlliqim, vrasim njëri –tjetrin. Armiq të denjë të vetvetes!

Ulemi të hamë bukë, e bëjmë të njëjtën gjë.
Shkojmë të flejmë, e bëjmë të njëjtën gjë.
Dalim në rrugë të madhe e bëjmë të njëjtën gjë në përmasa më madhore!

Le të dalim të gjithë në shesh pasnesër! Është shumë larg!
Le të dalim të gjithë në shesh nesër. Është shumë larg!
Le të dalim në shesh sot. Prapë është shumë, shumë larg!

Mos vazhdoni më tej leximin e këtij shkrimi. Le të dalim në këtë minutë në shesh.
Me të gjitha llojet a armëve që disponojmë. Se ka dashtë perëndia ( a dreqi vetë) boll të armatosur jemi, si popull trim luftarak.  Pse jo me difekte të theksuara mendore!
Kush nuk ka armë në dorë, mjafton të ketë të armatosun trurin! Se me thonj ia marrim shpirtin njëri –tjetrit, po të jetë nevoja!

E nëse nuk ju mjafton arsenali i armëve përdorni gjuhën! Gjuhën e bukur shqipe. Veçanërisht të bukur në koleksionin e pazëvendësueshëm të sharjeve, mallkimeve, fyerjeve. Jeni të lutun të mos harroni asnjërin nga dialektet, e sidomos gjuhën letrare të Kongresit të Dreqt Shkrimit!

Le të dalim në shesh! Le të dalim në Luftë. Le të fillojmë Luftën!

Ti je armiku im sepse je unë!
Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, ne duhet të dalim në duel, me të gjitha armët e mundëshme,  ti biem njëri -tjetrin. (Në daç në kuptimin figurativ, në daç në kuptimin fiziko –moral)
Kështu, sepse unë jam armiku yt, se jam ti! Unë jam më i mirë se ti. Unë jam ti.
Keshtu, sepse ti je armiku im, se je unë. Ti je më i keq se unë. Ti je unë!
(Rrotulloje dhe sille nga të duash)

Të dalim e të bëjmë luftë!
Vetëm me luftë, dhe vetëm me luftë, vendin ku jetojmë do ta bëjmë përditë e më të mjerë... ku... ku...lleshëm!

lunedì, gennaio 17, 2011

Nderim poetit Ndoc Gjetja

Qysh se u nisa drejt Shqipërisë i kisha vënë vetes një detyrë: Të shkoja në varrezat e qytetit tim, Lezhës, për të parë vendin ku prehet poeti Ndoc Gjetja, për të nderuar kujtimin e një miku të vjetër të ndarë nga jeta disa kohë më parë.


Bashkë me Pashk Vathin, të pasionuarin e përjetshëm pas letërsisë dhe pas vargjeve të pavdekshme të Ndoc Gjetës, thamë një “Ati ynë” lutjen themel të besimit katolik.
Qëndruam në heshtje. Prekëm varrin. Prekëm vargjet e poetit, në poezinë e mëposhtme:

Epitaf për veten
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompiuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
...Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: "Nënë"
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

Ndoc Gjetja vëllimi poetik "Dhjata ime"

lunedì, novembre 22, 2010

Lypesi i rrugeve

Kam shtri dorën e thatë
Të thatë prej moskamjes
Moskamja –thikë në stomakun bosh.

Këmbët e njerëzve më shkelin
Trupin mbushur gjithë plagë
Shpirtin më të plagosun se trupin

Shpirti as trupi nuk më dhembin

Rrugëve të lypjes kërrusun
Prej mëngjezit deri në tjetrin mëngjez

E lypi.
E lypi.
E lypi.

Askush nuk më fal dashuri...

E. Kaceli
Venzia, Itali, 2010

domenica, ottobre 10, 2010

Sytë më të bukur në botë

I mbytur në sy
Rri në heshtje
Si një idiot gjenetik

Natyra është çmendur
Koha është çmendur
Ndërsa unë rrëzohem
Rrëzohem i çmendur
Rrëzohem i mbytur
I mbytur në trishtim
I mbytur në trishtimin e dy syve
të papërsëritshëm

Sytë…
I mbytur në sy
Rri. Vdes. Ringjallem.
Për të vdekur përsëri.

I mbytur në sytë e tu…
O Zot! –Po çmendem!
Sa e pabesë!
Sa të marrë natyra
dhe Zoti, që bashkë ndërtuan sytë e tu!

Lezhë, qershor 2001 -Itali, tetor 2010

domenica, settembre 26, 2010

Fisheket e gjakut

Tregim nga E.Kaceli

Gjaku i të vrarit derdhej në asfaltin e nxehtë dhe krisma e breshërisë së “kallashnikovit” ende nuk ishte shuar mirë, dhjetëra njerëz kureshtarë rrethuan vendin e ngjarjes. Askush nuk e njihte viktimën.

Në qytetin e vogël ishte periudhë plazhi dhe njerëz nga gjithë veriu dhe verilindja e vendit mbushnin përditë rrugët me pluhur. Makinat luksoze dhe karrocat, krijonin një pamje irreale.

Në pluhurin e rrugës, njeriu i mbërthyer befas në ngrohtësinë e plumbave që i përshkuan trupin, rropatej në grahmat e fundit. Trupi vazhdonte ti dridhej. Sytë ishin drejtuar, në tmerrin e vdekjes, drejt hapësirës së mjegullt dhe tejet të nxehtë të diellit të korrikut. Me një hap të shpejtë autori i ngjarjes, siç e quan policia vrasësin, sapo kishte filluar të largohej. Në dorë arma me karikatoren e sapozbrazur. Ecte krejt i qetë. Krejt i qetë dhe i pa shqetësuar nga askush…

Britmat e dy grave e bënë të kthente kryet dhe një herë në drejtim të grumbullit të njerëzve që kishin rrethuar viktimën njëzetvjeçare. Ndërroi në ecje e sipër karikatoren e zbrazur me një tjetër të mbushur. Lëvizi shulin duke i dhënë fishekun e radhës. Ngriti armën në pozicion gati për zjarr, dhe vrapoi. Vrapoi.

Në vrapim e sipër filloi të mos shihte asgjë. Nuk po shihte asgjë. Vetëm hije njerëzore që i largoheshin si kolerës. Ishin pushuesit, në mund të quheshin kështu, që shmangeshin pa guxuar ta shihnin në sy njeriun që ngrinte lart një tytë arme. Njeriun, fytyra e të cilit ishte çartur në një pamje që të shtinte frigën.

Filloi ta zinte gjaku! Nën aromën e barutit, të gjakut, përzier me temperaturën e korrikut, kishte harruar të bënte zakonin shqiptar të vrasjes për gjakmarrje. Sipas traditës duhej të shtinte dy herë në ajër. Vetëm dy herë. Të merrte dhe diçka nga i vrari. Të hidhte diçka në tokë. Një shenjë. Tradita e thoshte, se ndryshe të zë gjaku. Dhe kur të zë gjaku don me thënë se nuk je në gjendje të ikësh. T’iu ikësh njerëzve. Nuk mund të marrësh arratinë. Bile dhe mund të vrasësh dikë tjetër në tmerr e sipër. Mund të humbësh rrrugën. Pleqtë tregonin dikur, shumë vite më parë, kur i kishin vrarë gjyshin, pa lindur nipi gjakmarrës, se dikush kishte vrarë veten prej zënies së gjakut… U kthye!

U kthye! -bërtit dikush nga turma.

Turma e njerëzve u largua në më pak se dhjetë sekonda. Trupi i viktimës ndodhej aty. Ndërsa shpirti filloi ti merrte arratinë në qiellin e korrikut. Gjaku dhe pluhuri përziheshin nën këmbët e autorit të ngjarjes. Ngriti armën, një “AK” të prodhimit kinez. Shtiu dy plumba në drejtimin ku po largohej shpirti i viktimës. U përkul mbi trupin e të sapovrarit. Nduku diçka në rrobat e përziera me gjak. Futi dorën e lirë në xhep dhe hodhi në tokë një monedhë hekuri, prerje të fundit të Bankës Shqiptare. Mori të njëjtin drejtim, ndërkohë që sirena e makinës së policisë filloi të therte rrugën me klithmën e saj trishtuese.

Njerëzit rrethuan viktimën më kureshtarë se në momentin e pasvrasjes. Nuk kishte nevojë për asnjë koment. Vrasja ishte kryer tradicionalisht.
Motivi?
Thjeshtë: Për gjakmarrje.
Viktima e njihte autorin dhe autori e njihte viktimën.

Policia filloi të largonte njerëzit. Ekspertët bënë fotografitë e rastit. Mblodhën dhe një turrë gëzhojash. Plot tridhjetë e dy copë. Një karikatore tridhjetëshe, plus dy fishekët e gjakut. Mbështollën trupin e viktimës me një batanie të palarë që nga dhjetë vrasjet paraardhëse për motive gjakmarrjeje. U nisën.

U nisën me dritat dhe sirenën ndezur në drejtim të Komisariatit të policisë, ku i prisnin nja tre korrespondentë lokalë në ethe për të mësuar diç më tepër për krismat në plazh…

domenica, aprile 18, 2010

E DASHUR! VDEKJA VJEN PA LAJMËRUAR

E. Kaceli

Vjen vdekja.
Pa trokitur në derën e fatit.
Pa lajmëruar, vjen, ajo e rënda
haplehta,
tinzarja,
e pabesa
vdekja.

E dashur!
Vdekja vjen pa lajmëruar.
Me kthetrat e sajë na merr shpirtin.
Pa na dhënë kohë të pendohemi:
Pse?!
Pse dreqin kemi lindur?!

Kështu krejt papritur
vjen vdekja…

Romë '97 -Langhe 2010

domenica, marzo 21, 2010

Pamflet: Parlamenti kalon ne q... Lum nënat që i kanë!

Nga Edmond Kaceli
Sipas mediave, dhëntë Zoti që të mos jenë të vërteta, parlamentarët shqiptarë në luftën e pashoqe për hapjen dhe mbylljen e kutive të votimeve kanë kaluar në q...ashtu-në e nënave të njëri –tjetrit.

Pas një q... gati një vjeçare që iu bënë kutive të votimit, nervave të shqiptarëve, dhe vetë Nënës Shqipëri, të cilës vazhdojnë t’ia q...ashtuhin kurvën, demat e tërbuar blu, kuq dhe rozë (PS, PD, LSI), mbrehën pallat dhe filluan t’iu kthehen nënave të njëri –tjetrit.
(Shprehja “mbrehën pallat” rrjedh nga kënga popullore “More djemtë e Kurve –Leshit/ me palla lëftoni sheshit –shën. i autorit)

Këta burra potentë deri në tërbim, të fortë deri në thyrje hundësh, të ndershëm deri në kufinjtë e fundit të ndershmërisë, të veshur dhe të zhveshur shik (alla frënga), poliglotë të mbaruar në fushën e sharjeve në gjuhën e mëmës, të zgjuar deri në skajin më të errët të zgjuarësisë, idealistë të pamposhtun deri në marrëzinë e madhështisë, besnikë ndaj atdheut dhe familjes deri në shkallën më të lartë të vetmohimit, janë kthyer në krenaria më e madhe e Atdheut. Atdheu, ne, i kemi zgjedhur demokratikisht, me një votë të shkërdh... lirë, në të vetëemëruarin Foltorja më e lartë e demokracisë shqiptare, përndryshe Parlamenti Shqiptar.

Ne krenohemi, nënat e tyre të nderuara nderohen, Atdheu është gjithaq i nderuar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, me këta burra –kodoshë simbol i rrugaçërisë politike dhe i vetmohimit deri në q’ashtunë e nënave të sho –shoqit.

Dhe ata, deputetët tanë, pjella më keqe e Atdheut, janë të nderuar nga ky nderim i math që ju japim ne shqiptarët, pra Atdheu!

Janë të nderuar dhe krenohen me gjallërinë e koqeve të tyre pjellore. Në shkëmbim të këtij nderi janë gati t’i fusin (virtualisht) vend e pavend, vetëm e vetëm që Atdheu, shqiptarët kudo që janë, nënat e deputetëve, të marrin vesh se me çfarë lloj racë –demash (djemash) kanë të bëjnë!
Virtualisht se ndoshta (pse ndoshta?) këta dema të harbuar bëhen pula të pshurruna kur bëhet fjalë për të bërë atë punë në kohën dhe vendin e duhun pa praninë e mediave dhe gazetarëve.

Q’ashtu-ja që bëjnë deputetët shqiptarë të Shqipërisë, më ngjan shpesh me majmunëritë e deputetëve të parlamentit italian, që e mbysin sho –shojnë me sharje nga më të kulturuarat që përmban fjalori i gjuhës italiane të sharjeve. Këtë fjalor iua sugjeroj dhe burrave (pse jo dhe grave) të Kuvendit Shqiptar. Të paktën plotësojnë një ndër kushtet e pakërkuara për të hyrë në Europë: Koleksionin e sharjeve!

Shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës të fillojnë, edhe ata, (në mos paçin filluar) procesin gjithëpërfshirës së q’ashtuhjes! Kështu procesi i q’ashtuhjes bëhet më i fortë e rrjedhimisht hapet më kollaj rruga për në Europë.
A thua nuk e keni kuptuar se rruga për në Europë kalon vetëm nëpërmjet procesit të liberalizmit të q’ashtuhjes! Çudë! Çudë! Çudë!
Çudë e faqja e zezë!

Lum nënët apo mjerë nënat e shkreta që kanë djem të tillë kodoshë?!
Lum Nëna Shqipëri apo mjerë Nëna Shqipëri? Pjella të tilla, kodoshë, që me kodoshllëqet e tyre nuk e lënë të hyjë jo në Europë por as në Dreqistan!