Lexues

domenica, novembre 06, 2016

Trungu i vjetër

nga E. Kaceli

Ra një gjethe
ranë dy gjethe
ranë tri, katër, shumë
ranë dhe vazhdojnë të bien shumë gjethe
rrëzohen në ritin e stërvjetër sa bota...

Flutura të vdekura ranë gjethet e e mbrame
Të lodhuna prej qëndrimit në pemë...
Ngjyrat e krahëve mbushën rrugët, dhe rruginat e shpirtit
Degët lakuriq, mblodhën krahët, krejt si femrat pasi bëjnë dashuri
Vjeshta mori shkallët dhe u nis nëpër rrugën e kahershme
Dyert u mbyllën në heshtje, siç mbyllen kujtimet e një moshe të bukur
























Ra një gjethe
ranë dy gjethe
ranë tri, katër, shumë
ranë dhe vazhdojnë të bien shumë gjethe
rrëzohen në ritin e stërvjetër sa bota

Ranë gjethe një nga një
në mijëra ngjyra
në heshtje
pa zë...

Dhe unë, trungu i zhveshur,
mbytem -deri në palcë i tharë
në vetminë që vjeshta më lë...


Itali, nëntor 2016

sabato, ottobre 29, 2016

Në dashuri duhet guxim! -Shukri -Ylli -Guximtar!

Pamflet nga E. Kaceli

Gjithëherë është thënë se në dashuri duhet të guxosh!
Gjithëherë është thënë se në politikë duhet të guxosh.
Dashuro -Guxo! Qeveris -Guxo! Shkëlqe -Guxo!

Por kur hyn në politikë ndodh që për arsye psikologjike të ngatërrosh portofolin ministror nëpër mbërtheckat e një vajze të re dhe nëse je Yll vezullues të gjitha shkëlqimet dhe gradat të shkojnë për ... lesh themi nga Lezha!



Guximtarët provojnë përsëri! - Derisa iu del vrima në brekët e shqyera, marrin ajër nga poshtë, e nuk arrijnë të kuptojne ku hyn sundimi politik me shkërdhimin moralo -politik, e rrëzohen prej fikut ndërsa kërkojnë të mbulohen me gjethet e fikut...

Kulmi kur sheh brekët e Shukriut, plus mbërtheckat e Yllit, që tunden e shkunden si flamuj e dekorata të dala boje, e thua: Jam Guximtar! Përse të mos e provoj edhe unë! Kush do të marrë guximin të gjykojë Guximtarin e etshëm për dashuri!

Kështu, në një çmenduri tipike shqiptare ngatërron seksin me dashurinë, ngatërron guximin me gjykimin, ngatërron qeverisjen me përdhunimin, ngatërron shkëlqimin me shkërdhimin!

Një zinxhir çmendurie tipike shqiptarësh të veshur me pushtet e para abuzive, e të zhveshur mendërisht!

Një zinxhir që do të këputet kur të vijë dita e populli i lodhur mga përdhunia e politikës dhe e pushtetit, t'iu rikëndojë këngën: N'ato maja rripa -rripa\ një herë ma hipe\ një herë ta hipa!


sabato, settembre 10, 2016

Ujku i natës nga E. Kaceli




Ujku i Zi, credit Arian Mavriqi
Eshtë natë. Natë e errët.
Natë më e errët se nata.
Shpirti më i errët se nata!
Një ujk i vjetër, i vetmuar, ulërin,
copëton, thyen natën
Një i vetmuar Ujk-Njeri ecën në pyll
në pyllin e heshtjes sublime
në pyllin e mbushun frikë

Pyll' i heshtjes
mbjellë me pemët mister
                                        dhe hëna
                                        e vetmja ndriçuese
në natën e errët pa fund
nuk mund të ndriçojë
vetëm shton frikën
vetëm shton misterin...



Frikë e mister!
Ujku -Njeri i Vetmuar
ngul sytë zhbirues në terr
në terrin pa fund të vetmisë
                                           trishtimit
                                                          shpresës
në terrin e shpirtit
a nuk dihet qysh!
Vetë nata, vetë misteri
vetë hëna, vetë frika,
                                 vetë njeriu
ndahen më dysh...

Pa zhurmë, -zhurma tremb misterin
pa zhurmë, -zhurma largon frikën
pa zhurmë, -në heshtje,
-si Heshtja i ulërin natës
Njeriu -Ujk i Vetmuar
i vetmuar deri në thellësinë më të errët të shpirtit

Eshtë natë, natë e errët, e zezë
një i Vetmuar Ujk -Njeri ecën në pyll
në pyllin e heshtjes sublime
në pyllin e mbushun frikë
Një njeri i vetmuar ecën
e më duket, më duket jam unë!
që eci, eci, eci, si një ujk i vjetër
që bërtas, që thërras, që çirrrem
si një ujk tmerrësisht i pagjumë...


Itali 2016