Lexues

sabato, gennaio 14, 2017

Pamflet: Milionerët (morracakët) e poshtërsisë


-Sepse vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që biesh të flesh me gruan si morracak e të gdhihesh milioner apo miliarder!

Në radhë të parë nuk kam asgjë kundër milionerëve dhe njerëzve të pasur! Bindja ime, thellësisht e djathtë nuk ma lejon këtë luks. Çështja është më e ngatërruar kur bëhet fjalë në mënyrë të veçantë për milionerët shqiptarë të 26 viteve të fundit.
Askush nuk është në gjende të thotë, si e qysh, e ka bërë milionin e parë me punë të ndershme! Nëse gaboj ju kërkoj ndjesë!
E nëse jeni në gjendje të më thoni si u bë milioni i dytë, jua dyfishoj ndjesën!
Madje kam kurajo t'iu kërkoj ndjesë në progresion gjeometrik, (atyre biznesmenëve që e kuptojnë rregullën e progresioneve) për çdo miljon që kanë mbledhur në progresion matematik, në mënyrë të drejtë dhe (zot na fal!) të ndershme!

Shumë prej këtyre milionerëve në valutë të huaj, e miliarderëve në lek shqiptar, a miliarderëve në valutë të huaj e supermiliarderëve në lek shqiptar, i mbaj mend si e filluan! Ishin të gjithë njerëz të thjeshtë si ne! Patën kurajo të hidheshin në rrugën e biznesit pa ditur as edhe kuptimin e kësaj fjale! Ndryshe nga ne, ata kuptuan A-në e të bërit biznes në Shqipëri: Pandershmërinë absolute në biznes dhe lidhje fort të ngushta me politikën!

Me pak fjalë përkthehet në: Kontrabandë (Cili profesor ekonomie mund të llogarisë me përafërsi shifrat e shtetit në hije të kontrabandës mbi 25 vjeçare), mospagesë taksash dhe detyrimesh fiskale, (inspektorët e taksave, drejtuesit e doganave, u enjtën nga xhepa dhe vijojnë të fryhen nga barku edhe sot e kësaj dite) lidhje me të fortin e politikës (korrupsion)! E duke ju ngjitur politikës zbuluan parajsën e investimeve shtetërore, mësuan fjalën tender, e zhvilluan përsosmërisht, alla shqiptarçe, derisa sa mbërritën përsosmërinë në kulmin e sajë: Koncesionin!

Zbulime tipike të bizneseve të pandershme: tenderat, koncesionet, ligjëbërjet tipike në shërbim të hajnave të pajisur me "Rolex", "Pierre Cardin", Prada", "Valentino", krijuan milionerët modernë tipikë shqiptarë: Xhepfryrë, barkmëdhenj, kokëtrashë, arrogantë, të fortë, lektorë (që japin leksione) të zgjuarsisë, seksitë të pamoralshëm, të parfumuar deri në brekët, ironikisht, me vrimë, por armiq historikë të sapunit!

Vitet që nga '90-ta e deri më sot prodhuan, në heshtje ose me bujë, milionerë (miliarderë) nga të gjitha fushat: fshatarë injorantë por të fortë, qytetarë turkoshakë por nuhatës të pushtetit dhe lidhjes me paranë, kryepleq që vodhën edhe gurët e fshatit, kryetarë komunash e bashkishë, që kur lanë punën u gjendën esnafë 24 karatësh, drejtues policie, gjykatës, prokurorë, deputetë, drejtorë shkollash, profesorë universitetesh, gazetarë... Të gjithë ngjyen kafshatën në gjellën e turlive të biznesit të pandershëm tipik shqiptar duke hyrë në kategorinë e të fortëve, dhe të zgjuarve, me para në xhep!

Në kategorinë e milionerëve të poshtërsisë.
Një poshtërsi e frikshme, kriminale, tmerrësisht e pafund! Që do ta vuajmë për vite, e vite, e vite... Dhe askush prej tyre nuk do të përgjigjet  kurrë! Kurrë!
Sepse vetëm në Shqipërinë e çudive dhe ndyrësive pa kufi, mund të ndodhë mrekullia. Mrekullia që një gjykatës, prokuror, politikan, pushtetar, deputet, drejtues policie, doganier, portier, gazetar, kriminel ordiner i lidhur me politikën, i djathtë, i majtë, a i qendrës, të bjerë të flejë me gruan si morracak dhe të nesërmen të gdhihet milioner! Apo miliarder, thoni si të doni!


Edmond Kaceli

Nessun commento:

Posta un commento