Lexues

venerdì, dicembre 23, 2016

Taksë për Dybekun! -Pamflet nga E. Kaceli


Ky është një nga ato mjetet e lashta që njeriu ka përdorë për të nxjerrë gjalpin nga qumështi. Por kjo teknologji e lashtë pellazgo- ilire- arbërore -shqiptare, nuk është objekti i këtij shkrimi mirëinformues.
Vegla, në pellazgjishto -ilirishto -arbërishto- shqiptarishto, quhej TUNDËS, TPI (i hundore) ose në turqishten e folur në Shqipëri quhet DYBEK.

(Sa për njoftim e ka tundur aq shumë Nafija në atë filmin e Koço Devoles sa ia nxorri yndyrën në shesh!)

Në vijim të traditës pellazge, kjo vegël përdoret edhe sot e kësaj dite nëpër fshatrat e Shqipërisë.
Sipas mediave tundja e Dybekut është intensifikuar fort në ditët tona nëpër zyrat e shtetit duke iua hequr yndyrën (kolesterolin e keq) pushtetarëve, që në shërbim të popullit sakrifikohen herë pas here në procese pune argëtuese.

Problemi qëndron diku tjetër.
Në vijim të taksave dhe kontrolleve taksore që shtetit i mirëdreqtuar nga Lideri suprem ka ndërmarrë gjatë këtyre viteve të mbrame, flitet se në janar dotë fillojë të taksojë edhe tundësin, që me marrëveshje gjuhësore po e quajmë thjeshtë Dybek.
Taksimi  i Dybekut vjen menjëherë pas kontrolleve mbi duhanin e bërë në fshat, mbi qumështin e prodhuar në fshat, mbi rakinë e prodhuar në fshat, mbi mishin dhe leshin e prodhuar në fshat, mbi fiqtë, mollat, dardhat, arrat e mbi çdo lloj kokrre tjetër të prodhuar në fshat...

Vetë Lideri, do të mbajë një fjalim përpara qytetarëve dhe fshatarëve, mbi rëndësinë e tundjes së qumështit, në fshat dhe në zyra, mbi ndikimet që do të ketë taksa e Dybekut në prodhimin e përgjithshëm bruto e neto të vendit, dhe sidomos mbi efektin psikologjiko -terapeutik që merr tundja dhe shkundja e Dybekut nëpër zyrat e shtetit!

Lideri do të mbyllë fjalimin me një të rrahur të brrylit dhe me ngritjen e shkopit të Dybekut në ajër, në shenjë Rilindjeje të traditave.
Të pranishmit do të ngrejnë lart parullën "Me dybek në dorë çajmë bllokadën gjermane drejt familjes europiane!"

Të nesërmen analistët e kazanëve pranë qeverisë, dhe ata pranë opozitës do të shkruajnë artikullin analitiko -informues: Rëndësia e Dybekut, taksës mbi Dybekun dhe Vettingu alla shqiptar!
Lider Akbar (Rroftë Lideri) dhe Kazani Xhevap (Media e Lirë)!


Post scriptum: Gezuar festat! nga Zekthi

Nessun commento:

Posta un commento