Poezi, fotografi, opinione, satirë, humor, polemikë, letërsi, e prapë poezi e prapë fotografi!
sabato, febbraio 10, 2018
sabato, febbraio 03, 2018
Në Shqipëri ka një problem të madh!
Satirë nga E. Kaceli
Në Shqipëri ka një problem të madh! Një problem që po e gërryen
këtë vend të bekuar dita -ditës. Po e shkatërron nga brenda. Po e rrënon!
Ju mendoni se problemi më i madh është varfëria!
Jo! Shqiptarët, në varfërinë e tyre, janë njërëzit më të
pasur në botë!
Ju mendoni se problemi është kufiri detar me Greqinë apo
probleme të tilla të mëdha që shqetësojnë një nacion normal!
Jo! Shqiptarët janë në gjendje të jetojnë në fqinjësi të
mirë me gjithkënd. Janë aq dashamirë me të huajin sa kur të ftojnë për vizitë në
shtëpi të thonë (turqisht përzier me shqip): Hoshgjedën! Shtëpia është e mikut
dhe e Zotit! Për këtë arsye nuk e kanë pasë për gjë të shkatërrojnë të gjitha
shtëpitë e Zotit, për hatër të ideve që pruri një mik nga populli vëlla kinez!
Disa mendojnë se problemi më i madh i shqiptarëve është
opozita! E ky problem harrohet kur shqiptarët kuptojnë se opozita është thjeshtë
një pozitë e ardhshme! Që në rastin më të keq do të vijë në pushtet me një emër
të bukur, psh "rilindje"! Duke zëvendësuar, sipas një rrotullimi
perfekt, ciklin e zëvendësimit të komunistëve të kuq (rozë) me komunistët blu!
Të gjithë e dinë se shqiptarët e Shqipërisë kanë një
problem të madh! Por askush nuk është në gjendje të thotë me të parën, se kush është
problemi më i madh që shqetëson Shqipërnë dhe banorët e sajë!
Nuk është pozita! Nuk është opozita! Nuk është varfëria!Nuk
është pasuria! Nuk janë fqinjët!
Shqipëria ka një problem të madh! Një problem jashtëzakonisht
të madh! Shqetësues deri në ekstrem! Një problem të pazgjidhshëm! Një
problem...
Problemi më i madh i Shqipërisë është se në të jetojnë një
numër i konsiderueshëm shqiptarësh!
Dhe kjo nuk është gjë e vogël!
Etichette:
edmond kaceli,
kufiri detar me greqine,
marrveshja detare,
opozita,
pozita,
problemi i shqiptareve,
satire,
satire shqiptare,
satiriste shqiptare
domenica, gennaio 28, 2018
Sa turq ka vrarë Gjergj Kastrioti, Skënder Beu!
Satirë:
Qysh me fillimin e protestës së 27 janarit, plasi gara
marramendëse e shifrave të pjesëmarrjes!
Numërues të shumtë nga të dyja palët nisën, dhe vijonë,
një garë të shfrenuar që nuk do të ndalet deri në protestën tjetër të radhës!
Dikush numëron 5 mijë veta. Dikush mbërrin në shtatë -tetë
mijë! Kulmi i pjesëmarrjes mbërrrin në shifrën e bukur të 500 mijë protestuesve!
Ekspertë të matematikës llogaritëse, ekspertë të dronëve
dhe të numërimit me dron (pika dronit që shpikën shqiptarët!), ekspertë
statistikash, merren me llogaritjen e saktë duke na futur aq saktësisht në
qorrsokak sa harrohet, qëllimisht, thelbi i protestës, cilësia e pjesëmarrësve
në të, cilësia e folësve, lidervë, çka u tha e çka nuk u tha në protestë!
Askush nuk shpjegon përse gjithë ai presion policor
kontrollesh, krejt të pajustikuara e lajmesh të frikshme për rrëmuja. Kur dihet
dhe pranohet botërisht, se lidershipi aktual i PD-së, ka probleme të organizojë
protesta! Aq më shumë ti bëjë ato të dhunshme! Protesta që i ngjajnë shijes që
ka kafeja dekafeinato, birra analkolike, coca -cola zero, apo mishi pa yndyrë!
Askush nuk u mor me risinë e kësaj proteste! Për herë të
parë një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë udhëtuan drejt Tiranës
vetëm për të protestuar kundër një qeverie që iu premtoi shumë dhe iu dha asgjë!
Askush nuk merret me cilësinë e drejtuesve -pronarë të
partive të mëdha e të vogla (si Mediu, Ndoka e kompani) që në antarësinë reale
të tyre kanë maksimumi veten dhe ndonjë familjar të rangut të parë!
Por të gjithë merremi me garën e çmendur të numërimit të
njerëzve në protestë! Mirë që nuk na bie ndërmend të numërojmë edhe ata që iu
bashkuan protestës në FB! -se Twiter, Istagram e G+, nuk nuk kanë vlerë statistikore
në shifrat e protestuesve!
Numërime boshe në kohën e kolerës!
Këtyre matematicienëve të mbaruar dhe mjeshtërve të
statistikave do iu drejtohesha me një kërkesë serioze:
Meqënëse jemi në Vitin e Skënderbeut, të shpalluar me bujë
nga Kolera Aktuale Shqiptare, a mund të më thoni: Sa turq ka vrarë Gjergj
Kastrioti, Skënder Beu, gjatë luftës së tij 25 vjeçare?
Nuk po iu kërkoj të mi numëroni sipas betejave, por vetëm
totalin!
Dua një shifër të saktë! Kështu iu besojmë edhe aftësive
tuaja llogaritëse!
Hajt ma gjeni se iu kam xhan! Ju dua fort! Ju dua fort jo
vetëm unë, por edhe Skënderbeu!
Me respekt maksimal për të gjithë ata që protestojnë ashtu
edhe për ata që nuk protestojnë!
nga
Edmond Kaceli
Etichette:
edi rama,
edmond kaceli,
gjergj kastrioti skenderbeu,
lulezim basha,
opozita,
protesta,
qeveria,
satire,
satire shqiptare,
viti i skenderbeut,
vrasje
sabato, gennaio 13, 2018
Koha e marrinave! (Marrëzive)
Esse nga E. Kaceli
Hej dreq! -kohë e ligshtë paska ardhë lum miku
virtual!
Ka ardhë një kohë e vështirë. Koha e
marrinave!
Koha që në mënyrën ma paradoksale e quajmë:
Kohë moderne!
Kohë interneti! Kohë rrjetesh sociale! Kohë...
Kohë dreqi!
Kohë krizash mendore! –them unë.
Të gjithë hiqemi, edhe unë, (pra të gjithë),
sikur jemi mentarët ma të mëdhenj të momentit, e mentarët ma të mëdhenj të ditëve
që ikin. Parashikuesit ma të mëdhenj të ditëve që do të vijnë!
Shkruajmë...
Shkruajmë marrina për 24 orë rrjesht. Mundohna...
Stërmundohna! -me i shitë në Tregun e Fjalës si kryevepra të mençurisë botnore!
Në Tregun e Lirë të Fjalës së përçudshme, të
fjalës së përdhosun!
Inflacioni i Fjalës së Marrë është, ku e ku,
ma i madh se inflacioni i secilës pare (monedhë) që shpiku njeriu.
Njeriu! Njeriu! -ky shpikës i madh, që nxjerr
rregulla e ligje, për të kufizuar lirinë e vet! Njeriu, që shpik përditë mënyra
të reja për vetvrasjen duke kujtuar se po sfidon Kohën! Kohën që Zoti ia ka
dhanë për përdorim të përkohshëm. E njeriu –shpikës mendon si me ia falë Qoftë
Largut!
Njeriu që gjithçka ka shpikë e mundohet të
shpikë, vetëm ilaç për marrinat nuk i shkon ndërmend me studiua, me e zbulua,
me e nxjerre në treg!
Klasike historia e biznesmenit që hapi një
shitore ku shkruante: Shesim mend për njerëzit që kanë nevojë! Pas një kohe,
krejt të shkurtë, shpalli falimentin!
E duke marrë shembullin e mosuksesit të tij unë,
në blogun tim, ku pretendoj se jam krejt i lirë me shprehë marrinat e mija,
para do kohësh shkruajta:
Mendime të çmendura
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!
Në mënyrë të çuditshme shumë njerëz gjetën
veten dhe më banë aq shumë lajka (like), sa për një çast mendova mëdyshas: Na
kanë lindë me ba asgja?!
E thashë me vete: Ndoshta mosha ka mbërritë me
ba të veten... Ndoshta kam nisë me u çmendë... ndoshta ke nisë me u çmendë
ti... ndoshta ka nisë me u çmendë ai?.. ajo?...
A kemi nisë me u çmendë nga pak, krejt pak, e
ma vonë ma shumë, të gjithë... Një çmendi marrinash virtuale,
fjalësh aspak të mençura e lajkash, lajkash pa fund... Një gjuhë e vetme, e ndërtuar
prej një fjale të vetme! E mjaftueshme për të ndërtuar Kullën e Babilonit. Kullën
virtuale të Babilonit. Kullën e çmendun të marrëzisë njerëzore!
Itali -fillim viti 2018
Etichette:
biznes,
edmond kaceli,
esse,
faliment,
kha e marrinave,
kohe marrezish,
kulla e babilonit,
mik,
poete lezhjane,
poete shqiptare bashkekohore,
shitore,
shpikje
lunedì, gennaio 08, 2018
Shaj gjithkënd! - pa dallim feje, bindjejet politike, krahine dhe ideje!
Pamflet nga Edmond Kaceli
Një modë e re ka përfshirë nahinë shqiptare. Një modë e
re e ngritun gati në art! Të gjithë shajmë të gjithë!
Duket si një parullë politike e kohës së Qoftëlargut
"Të gjithë në luftë kundër mbeturinave mikroborgjeze!" për shëmbull!
Shajmë. Shajmë bukur. Shajmë e nuk ngopemi! Shajmë pa dallim bindjejet politike, pa dallime krahinore, pa dallime fetare!
Jemi mjeshtra të shamjes!
Shajnë fëmijët, shajnë të rinjtë, shajnë të rriturit,
shajnë pleqtë...
Shajmë pa ide!
Shajmë çdo gjë shqiptare! Shajmë çdo figurë politike,
fetare, krahinore, letrare...
E kqyrim njëri -tjetrin nëpër rrjetet sociale, duke thënë:
A e sheh sa bukur e shava! A e sheh sa bukur të shava!
Moda e re tipike e shqipeve. E duket se jena populli që në
gjithë europën di të shajë më mirë, më bukur, e më fort se të gjithë popujt
ballkanikë, europianë, euroatalantikë, e më gjërë!
Dikush shan pellazgët e lashtë e lëvdon ilirët! Tjetri
çohet prej gjumit në mëngjez e shan ilirët për hatër të arbëreshve! Ngrihet
shqiptari modern aty nga gjumi i pasdrekes e fillon të shajë pellazgët, ilirët,
arbëreshët, shqiptarët, e ngre në qiell të shtatë psh. grekët, turqit, italianët,
gjermanët...
Shatë miljon shqiptarë në të gjithë botën! E prej këtyre veç
nja katërmbëdhjetë miljon e quajnë veten analistë, vetëemërohen poetë, vetëthirren
historianë, vetëkujtohen ekspertë të çështjeve fetare, diplomatike, gjuhësore e
dreqi e merr vesh se çfarë atributit tjetër i japin vetes!
Çohet njëri e ia fut p.sh Ahmet Zogut për qef të Fan
Nolit!
Ngrihet tjetri kundër Ismail Qemalit për hatër të Isa
Boletinit!
Ia fut tjetri një të shame Naim Frashërit për hatër të
Gjergj Fishtës!
I bie tjetri, ditën për diell Rexhep Qoses, duke thënë se
ia futi për hatër të Ibrahim Rugovës! Shajnë Kadarenë për qef të Kasem
Trebeshinës! E anasjelltas.
Shpifin për Shote Galicën!
Iu del punë me gruan më të famshme shqiptare Nënë
Terezën!
Mbërrijnë në ekstrem kur mprehin shpatën kundër Gjergj Kastriotit(Skënderbeut),
për hatër të dreqi e e di se kujt!
Vazhdojnë ekstremin e shamjeve duke sha myslimanët,
gjoja, për hir të katolikëve, katolikët për hir të ortodoksëve, katolikët për
hatër të myslimanëve... duke u ngatërruar edhe në çështjet e Zotit aq fort sa
edhe Zoti vetë habitet!
Këta heronj të rrjeteve sociale, këta Askushë të dijes
minimale, turren prej mëngjezit deri në darkë, e vazhdojnë edhe në gjumë t'ua
fusin, në sensin figurativ, çdokujt burri, apo femre shqiptare, të famshëm(e) që
i dha sadopak zë Shqipërisë!
Turren aq fort sa në ekstazën e sharjeve, e në tymin e
famës së rrejshme, harrojnë me kqyrë të pasmet e tyne, ku pa dashtë, krejt pa
hiri, krejt pa ndigju, e krejt ngadalë ia paskan futë vetit!
Etichette:
ahmet zogu,
gjergj fishta,
gjergj kastrioti,
ibrahim rugova,
ismail kadare,
kasem trebeshina,
katoliket shqiptare,
myslimanet shqiptare,
naim frasheri,
nene tereza,
ortodokset shqiptare,
rexhep qosja
lunedì, dicembre 11, 2017
Sherr i madh në Shqipëri nga E. Kaceli
Pamflet
Sherr i madh në Shqipërinë e vogël!
Sherr i madh për zgjedhjen e Prokurorit të përgjithshëm.
Debat. Probleme! Shumë debat! Shumë probleme! -E më the,
e të thashë.
Duhet një prokuror që të mos jetë...!
Duhet një prokuror që të mos ketë...!
Duhet një prokuror që të jetë...!
Duhet një prokuror që të ketë!
Nuk arrij t'iu kuptoj o bashkëatdhetarët e mij të dashur!
Jam dakord se zgjedhja e Prokurorit të përgjithshëm është më e rëndësishme se
buka që hani. (ose që ju mungon) Po pse gjithë ky sherr!
Pse?
A nuk e keni Prokurorin e Përgjithshëm në mesin e gjirit tuaj?
Dhe jo vetëm prokurorin! Në mesin tuaj keni edhe gjykatësin
e përgjithshëm! Keni edhe autoritetin e përgjithshëm që ju fut në burg sa herë
të flasë!
Keni Liderin e Math! (nuk është gabim drejtshkrimor)
Lideri i Math ka vite që bën apo kërkon të bëjë: kushtetutën,
kryeministrin, presidentin, parlamentin, kryegjykatësin, kryeavokatin,
kryegardianin! Pse të mos bëjë edhe kryprokurorin! I ka të gjitha resurset (në
kinezçe të gjitha vetitë) që i duhen burrit të math të një palo shteti të vogël,
për një palo post!)
Jepjani Liderit të Math, dhe postin e Prokurorit të Math dhe kështu
hallet tuaja, o shqiptarë halleshumtë marrin fund një herë e të përmjerrë! (të
përmjerrë por krenarë!)
Se Lideri i Math, i shumëndritur, dhe i përndritur, është
në gjendje të dreqtojë me sukeses edhe organin e prokurorisë siç po dreqton të
gjitha punët e tjera, në mënyrën më të përdreqosur të mundshme!
Kështu me një gur vritni shumë zogj! Kënaqet Lideri,
lumturohet populli, është dakord edhe Luja, Vllahutini, bashkë me të gjithë
trupat e ambasadave të akorduara në Shqipëri, përfshirë ambasadorin rus,
izraelit e atë palestinez!
Emërojeni Liderin prokuror të Math, me vendim plebishitar
(në kinezçe vendim popullor) dhe kështu marrim rrugën e sigurtë drejt
zhvillimeve të reja e të paparashikuara demokratike...
Vetëm kujdes, mos më zgjoni Liderin e Vogël të opozitës. Mos
e çoni Liderin e Vocërr prej gjumit, se dreqi e di i shkon mendja për ndonjë
protestë të paparashikuar! Një protestë nga ato që vetëm ai është i aftë të
organizojë, na prishën shumë punë!
Na prish punë e na lë pa Prokuror të Math! (të përgjithshëm).
Zot na ruaj nga fatkeqësitë e papritura!
Etichette:
ambasadori rus,
edi rama,
edmond kaceli,
lideri,
lu,
lulezim basha,
luli i vocerr,
opozita,
pamflet,
prokurori i pergjithshem,
satire,
satiriste shqiptare bashkekohore,
vlahutin
Iscriviti a:
Post (Atom)
