Lexues

martedì, maggio 19, 2020

Gresa Berisha -fotografja e parë shqiptare kushtuar WILDLIFE nga Edmond Kaceli, Itali



-Kam vetëm një pasion: Fotografimin e natyrës së egër!


Të rralla janë femrat shqiptare që ndër vite i janë përkushtuar fotografisë! E besoj , të paktën nga informacionet që kam, se janë edhe më të pakta femrat shqiptare që i janë kushtuar fotografimit ekskluziv të fotografisë së jetës së egër.
Kjo për arsyen e thjeshtë të karakteristikave tepër të veçanta të kësaj fotografie.
Fotografimi i jetës së egër cilësohet i vështirësisë së lartë! Kërkon më shumë sakrificë e investim në mjetë e kohë, se zhanret e tjera të fotografisë!
Kur thua "wildlifephotographer" nënkupton: pajisje të kushtueshme, shumë kohë në dispozicion, mjete financiare për të lëvizur! Duhet të udhëtosh shumë, e shpesh në këmbë, e në kushte të vështira natyrore.
Pra ndër fotografitë me rreziqet dhe të papriturat e sajë në një shkallë vështirësie më të madhe se zhanret e tjera!
Duke veçuar edhe opinionin e njerëzve që jo rrallë e gjykon si jooportune, të paktën në opinionin e shqiptarit të mesëm, që një femër të merret me fotografinë e natyrës së egër!



Credit Gresa Berisha
Por asnjë nga këto vështirësi nuk e kanë penguar shqiptaren Gresa Berisha, nga Peja, Kosovë, e datëlindjes 1990! Një pasion që e ka zhvilluar, dhe vazhdon ta zhvillojë duke e ngritë nga shkrepja në shkrepje, në nivelet më të larta që kërkon konkurenca cilësorë në këtë fushë të dashur dhe të lëvruar shumë vitet e fundit! (Them vitet e fundit sepse njeriu, i ka kthyer sytë nga natyra pikërisht në kushtet kur ia ndjeu nevojën: Pandemia globale e vitit 2020!)

Hapa pas hapi, shkrepje pas shkrepjet, e përkrahur edhe nga familja e të afërmit e sajë, Gresa ka mbërritë të bëhet fotografja e parë shqiptare e përkushtuar në mënyrë të posaçme, zhanrit të fotografisë së jetës së egër!

Gresa Berisha u lind më 1990 në Pejë, Kosovë.
Ka përfunduar fakultetin e "Artit dhe Shkencave te Aplikuara" në "American University in Kosovo", me notë të lartë mesatare.
Pasioni për natyrën i ka filluar qysh në fëmijëri. Greta thotë se  " Gjatë fëmijërisë zhvilloi një magjepsje të fortë për natyrën dhe jetën e egër".

Në moshë 20 vjeçare, kur bleu aparatin e saj profesional të parë, vendosi ti kushtohet përfundimisht pasionit të fëmijërisë duke e bërë të vetmin pasion të vërtetë të jetës!
"Një ditë, pas një shëtitje në malet e bukura të Rugovës, fotografova zogun e parë 'Regulus Regulus' apo Mbretthi (në gjuhën shqipe), dhe aty vendosa ti kushtohem hulumtimit të  maleve, pyjeve dhe pasurisë së tyre në të gjithë botën. Atë ditë pashë se lindi një deshirë e re tek unë, pra më tërheqëse nga të gjitha -eksplorimi i jetës së egër".

Ajo thotë: -Ëndrra ime fillestare mbetet botimi i një libri mbi punën time dhe shpresoj që ky hobi intensiv i tanishëm, pse jo, edhe të zhvillohet gradualisht në një karrierë të lulëzuar si një fotografe e jetës së egër. Për mua, natyra është një ndër thesaret më të mëdha në tokë, Mendoj se është mahnitëse se si kemi filluar ta kuptojmë vlerën e saj të vërtetë."
Credit Gresa Berisha

Gresa Berisha, me fotografitë dhe talentin e veçantë, është shëndrruar në simbolin femëror të organizatës më të madhe të fotografëve wildlife shqiptarë të organizuar në shoqatën Wildlife Albanian Photographers, dhe në grupin me të njëjtin emër në rrjetin social Facebook, që mbledh fotografët e natyrës së egër dhe simpatizantët e kësaj fotografie kudo ku ndodhen shqiptarë!

Këtu -thotë Gresa, vlen te ceket ndikimi që organizata dhe grupi "Wildlife Albanian Photographers" ka pasur në mua, por besoj edhe në të gjithë pjesëtarët e tjerë, në ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së jetës së egër dhe habitateve natyrore dhe për të na kujtuar çdo ditë se planeti ku jetojmë është, asgjë tjetër, përveçse një mrekulli! Pra, faleminderit që jeni inspirim dhe që pasionit tim i keni dhënë edhe më shumë jetë!


sabato, maggio 16, 2020

Satirë: Kur gomari i Babatasit bëhet deputet! -nga Edmond Kaceli



Sa herë që një deputet i parlamentit shqiptar hap gojën në tre fjalë, pesë i ka budallëk! -po ç'dreqin lypni në parlament more budallë!
Siç thoshte Ismail Bej Qemali "Mësoni bre ta mbani gojën mbyllë kur nuk keni gjë për të thënë!"
Për Zotin e latë nam! Ngatërroni autorët e shquar me figurat e ç'quara të Kombit!
I keni thanë trunit "Hik Pirdhu!" -thoshte Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) teksa ishte shtrirë në Lezhë në shtratin e vdekjes!

Të gjithë e dinë se "O moj Shqypni/kush të ka rrasë me krye n'hì?"  e ka shkruar" Naim Bej Frashëri në librin e tij të famshëm "Hip këtu e shih Stambollin!" -Mësojeni bre!
Pa shumicë votash, po iu them se Hymnin Kombëtar e ka shkruar Sali Berisha edhe pse vijon ta këndojë Lul Basha!

Skënderbeu i Elizës ka shkruar Dhjetë Urdhërimet e Shejnta! -teksa meditonte i qetë e fliste me perënditë, duke u vërdallosur lakuriq, nëpër Kodrat e Surrelit!
Ndërsa Ilir Meta, pasi ka folë me Zotin në malin e Tomorit, nga Teqeja e Baba Mondit, ka shkruar poezinë "Flori e shkuar floririt or Tunxh!"
Monika, si doktoreshë që është, i ka kënduar Hudhrës me vargjet e sajuara aty për aty "More gratë e Kurveleshit me palla lëftoni sheshit!"

Nga ana e tij doktor Taulant of Balla ka shkrojtur të famshmen "Xhixhile, moj xhixhile!" Për këtë nuk ka dyshim plagjiature! Po ku dini ju çështë plagjiatura!
Bëftë hajr, in'shallah, Pandeli Majko, që na la të shkrojtur kryeveprën prej dy vëllimesh "Njeriu që qesh!"
Se përndryshe pa Tetarin Kombëtar, e Gramoz Ruçin, kush do i qëndiste librat e famshëm "Garda e Kuqe" dhe "Si u kalit çeliku"!
Pa harruar vargjet e Lali Erit "Shi bie në Tiranë!" ndërsa meditonte përkrah Budës për të shëndrruar Urën e Tabakëve në stacion Spacial! (Hapësinor për budallat)

Ka një problem me Kamasutrën dhe një mijë e një pozicionet e sajë!
Në këtë kryevepër kanë marrë pjesë shumë deputete e deputetë, ministra e ministresha, drejtorë e drejtoresha, kur rregullonin Kodin Penal e shurrosnin Kushtetutën!
Por për shkak të njohurive të mëdhaja në këtë fushë po ia lëmë autorësinë popullit si juristi më i madh i të gjitha kohrave!
Populli ynë trim, liridashës, e paksa budallë, ka meritën e vet të padiskutueshme! Shtatë miljon poetë, juristë,shkencëtarë, nallbanë, etjerë, kanë dërguar në Parlament 140 burrat e gratë më të kënduar e më të çquar që ka pasë raca e shqiptarit!
Mos u habitni se kjo punë kështu është, kur Gomari i Babatasit, shkruar me mjeshtëri nga Faik Konica, pëllet "O moj Shqypni!" prej mëngjezit deri në darkë në Parlament!
Hajt more budallë mëso diçka se zgjedhjet bit se erdhën prapë!

domenica, maggio 10, 2020

Ëndërr bashkëkohore! nga E. Kaceli

 

Këmbanat nuk bien, dyert nuk hapen më
as besimtarë, as prift, as murgeshë
Lutje nuk dëgjohen mureve të rrudhuna moshës
Një Krisht gjysëm i kryqëzuar!
Një shèjt gjysëm i veshur, dhe gjysëm i zhveshur
Gota e venës, shishet e vajit dhe ujit të bekuar
mbushur pluhun historik!
 
Buka e kungimit nuk është më -boshllëk shpirtnor
 
Në Kishën e vjetër nuset nuk martohen prej shekujsh
Në Kishën e braktisur foshnjat nuk pagëzohen më
Në Kishën e ç'kishëruar, mungojnë të vdekurit
Në Kishën e vjetër sa mosha vetëm era hyn e del
krejt lirisht! Në lirinë e sajë të paçlirë!
 
Diku në mes të Altarit shoh veten gjysë të zhveshur!
 
Shoh veten gjysë të kryqëzuar -më duket krejt si kjo Kishë
Krejt kështu më duket vetja! -një Kishë e braktisun!
Një kishë e ç'kishëruar, pa prift, pa murgeshë
në kishën me dyer e dritare të rrudhuna
në Kishën time krejt njashtu nuk hyn më njeri...
E rrudhem e tkurrem më shumë, më fort
Unë Kisha e braktisun! Ç'kishëruar me vetmi!
 
 
Itali, maj 2020