Lexues

Visualizzazione post con etichetta amerika. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta amerika. Mostra tutti i post

martedì, gennaio 24, 2017

Pamflet: Mesha mbaroi! Shkoni në Paqe!

Nuk arrij të kuptoj shumë nga Amerika, çka ndodh në Amerikën e lirive të pakufizuara dhe në kufinjtë e Lirisë është jashtë perceptimit të një njeriu që, shumëkush, ashtu si unë, e ka vizitur USA-n vetëm nëpërmjet TV dhe internetit!
Nuk e kuptoj pse jam larg. Nuk e kuptoj pse nuk jam shumë i përgatitur në çështjet e politikës së jashtme në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë në politikën e USA-ve.
(Do të dëshiroja të isha edhe unë i përgatitur në këtë çështje ashtu si pjesa më e madhe e politikës dhe e popullit tim amerikano -europiano -russo- kinezo, e turk dashës!)
Por nuk jam! Ky është problemi im dhe jo i amerikanëve që zgjodhën një President që trumbetohet si më i kundërshtuari në historinë e 45 presidentëve amerikanë! Kur është kështu pse e zgjodhën!

Në këtë vijim logjik nuk marr përsipër të kuptoj as kundërvënien e madhe që pati nga mediat tradicionale, edhe ato me famë botërorë, të cilat shpesh e ngatërruan, edhe qëllimisht, çdo gjë që kishte të bënte me Trump. Pati media që në kundërshtimin e tyre të çmendur, e alogjik arritën deri aty sa të ngatërronin edhe emrat e grave të Trump.
E populli i thjeshte nuk arrin të kuptojë dallimin e gruas së parë Ivana Trump, me vajzën e sajë Ivanka Trump; gruaja e dytë Marla Maples, u harrua krejt; dhe gruaja e aktuale Melania Trump, që edhe këtë mediat idiote apo njerëz idiotë e thirrën Ivanka!

Kulmi arriti me njoftimin fallso te vdekjes se tij, ndërkohë që i thoshte : "Mos lejoni askënd t'ju thotë se nuk mund t'ia dalim. Asnjë sfidë nuk mund të mposhtë zemrën, forcën dhe shpirtin e Amerikës."

Absurditeti vijoi me protesta (të stisura keq) në disa vende, ku nuk mund të mos përfshihej edhe Shqipëria me reagime idioteske e fëminorë, si nga turma ashtu edhe nga njerëzit e politikës.
Këta të fundit kujtojnë se me kundërshtimin ose mbështetjen që ata i bëjnë presidentit Trump, dhe jo vetëm atij por presidentëve amerikanë, e kandidatëve për presidentë amerikanë, kërkojnë të ndryshojnë dhe kujtojnë se mund të ndryshojnë ligjin universal që thotë: Megjithatë Bota sillet rreth Shteteve të Bashkuara të Amerikës! E Shqipëria nuk është kurrkund në listën e botës!

E atyrë që protestojnë në këtë qoshk të humbur të Botës, apo që do të protestojnë me mënyra të ndryshme, qoftë edhe me një status të thjeshtë kundër Trump, (që nuk e di as nga bie Shqipëria), nëse politkanët tanë, qeveritarët tanë, opozitarët tanë dhe mendjet e ndritura të tyre iu duken diç më lart, e më të ndershëm, e më të hapur mendërisht, se presidenti Trump, protestoni! Protestoni fort!

Ndërkohë, ai si çdo president tjetër amerikan do të bëj gjithçka, duke mos bërë asgjë! Do të rregulloj gjithçka, duke mos rregulluar asgjë! E këtë do ta realizojë deri në fund të mandatit të tij të dytë, se i pari iku! (Të paktën këtë e kuptoj se ndodh në USA sa herë ndërrohet Komandanti!)

Të gjithë atyre qe vazhdojnë të kundërshtojnë Trump si president, (sidomos shqiptarëve të mij) më vjen dëshira ti përshëndes me fjalët e priftit kur përfundon Mesha: Mesha u krye! Shkoni në Paqe!

Edmond Kaceli

Itali

sabato, aprile 23, 2011

Botë virtuale nga Daniel Gàzulli

- Ese -

Marr përditë mesazhe nga vende të ndryshme të Europës, nga Amerika e deri nga
Australia. Mesazhe plot, fjalë, fjalë, fjalë, po kur nuk u shoh sytë, edhe fjalët më vinë të
shurdhëta.

Dal në shëtitje rrugëve të Lezhës, po veshtirë të gjej dike me pi një kafe e me
shkëmbye dy fjalë. Shumica e miqëve të vjetër janë përnda nëpër botë. Dikush ka pothuej
njëzet vjet që asht largue: ka shkue burrë i fortë e i bukur e tash asht mplakë. Shumë prej
tyne, mbasi kanë punue për vite në mërgim, më shkruejnë se janë në pension: dikush ka
pësue infarkt, dikush një sëmundje tjetër. Nuk besoj se u ka ardhë e keqja nga puna e
randë, po nga shpirti i plasun.

Disa të tjerë ikën ma vonë tek fëmijtë, shpirtplasun këtu, në Atdhe, shpirtplasun
atje, në dhé të huej. Mesazhet e tyne janë ma të ngrysuna. Pa punë, pa pension, barrë
për fëmijtë mundqarë, prindë të heshtun e të piklluem, si gjithë prindtë që u randën
fëmijëve.

Këta shkruejnë ma rrallë, shumë rrallë. Këtyne po, ma mirë që nuk ua shoh sytë:
kushedi ç’perde e randë do t’ua ketë zanë vështrimin.
Komunikojmë. Asht koha e internetit, një botë virtuale.

Po sytë më mungojnë. Vështrimet. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë …

Shkruejnë. Ndonjeni ban edhe pyetje. Kur më bajnë pyetje, gjendem ngusht. Unë
e di ç’përgjigje presin ata. Po nuk kam si t’ua ushqej më kot iluzionet. Ata andërrojnë
Atdheun të lulëzuem. E unë, si t’u them? Edhe pse nuk ua shoh sytë, jo, nuk mundem me
i rrejtë.

Ma mirë ata që nuk pyesin. Tashti besoj e morët vesht edhe ju të tjerët: Ju lutem,
mos pyesni, më bani të ndjehem ngusht.

Nga Norvegjia më thonë se asht ftohtë. E di. Kam ba pak gjeografi. Më thonë se
asht ftohtë, sepse nuk duen të më thonë shumëçka tjetër. As pse ka pësue infarkt. As pse
ka dit që nuk e shikon të vetmin bashkatdhetar që e ka në të njejtin qytet. Asht ftohtë, më
shkruen. Si t’mos e besoj?

Nga Australia më shkruejnë se edhe atje shqiptarët zihen mes veti, nuk kanë punë
me vendasit. Mes vetit: sherr i madh.

Nga Italia, një mik i vjetër, që ka qenë disa vjet në Burgun e Burrelit, më jap
këshilla se si mund të ndërtohet shteti i së drejtës dhe ankohet se nuk ban dot operacion
prostatet: kushton shumë shtrejt. E pyes diçka për Berluskonin. Nuk më kthen përgjigje.
Tri herë e kam pyetë, po nuk më asht përgjegjë, më shkruen vetëm se çfarë duhet të
bajmë që të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Ç’hyn Berluskoni këtu?!

Një mik tjetër, prej shumë kohe në Amerikë, më këshillon t’i bind shqiptarët se asht
ma mirë të mesojsh tjetrin si zihet peshk, se sa t’i falish një peshk. E ka ba kaq për vete
kjo thanje e urtë, sa më kanë folë edhe shumë të tjerë se kambëngulë edhe me ata t’i
bindin shqiptarët të veprojnë në këte mënyrë: kështu ban Amerikani.
E pyeta një herë për luftën në Irak. A do të ketë fund një ditë. Nuk më ktheu
përgjigje.

Një mjeke në Francë asht e zemrueme me ata që shkruejnë keq për Shqipninë në
frëngjisht. E pyes: Shkruejnë ma keq se sa na për vete? Jo jo, më thotë, deri aty jo.

Komunikojmë.
Po fjala vjen e shurdhë pa vështrim.
Më ka marrë malli t’i shoh miqtë në sy.