Lexues

mercoledì, ottobre 06, 2021

Pamflet: Të gjithë ia fusin njëri tjetrit! -nga E. Kaceli


Shumë e çuditshme është!
Ja për shembull: Ia futën Ardi Veliut, kryepolicit! Si me thënë ia futi vetes me dorëheqje. Por dorëheqja ishte e detyruar! E detyruar nga Kryeministri Rama! Pra ia futi Edi Rama! (Blendi Çuçi vetëm i mbajti kandilin Ramës)
 
Pa ditë më parë ishte protagonist Lulëzim Basha. Luli sa herë çohet nga gjumi e gjuan ndonjë budallëk politik!
Atë botë, në vend të këndonte Hymnin Kombëtar, çohet nga gjumi dhe hop ia fut Sali Berishës. Ia fut me ndihmën e amerikanëve! Natyrisht, se pa amerikanët Luli nuk arrin t'ia fusë as Salinajt, për shembull!
 
Nga ana tjetër ngrihet uragani Berisha (sipas pipëllit pellazg) e kërkon t'ia fusë, me çdo kusht Lulit duke tundur e shkundur statute e rregullore partie! Natyrisht besnikëria e Berishës ndaj statuteve dhe rregulloreve të partisë është epike! Si krejt historia politike e tij për këto 30 vjet! Në ndihmë i vjen zonja Kokalari! Nga Amerika erdhi! Dhe iku pa e kuptuar mirë se kujt ia futi tamam zonja e nderuar!
 
Nga ana tjetër është një farë presidenti, alias burri i Monikës, që po mundohet një parlament i tërë t'ia fusë por iu ka ngecur e futura në dyert e Venecias, e sipas gjasave do kalojë vetëm me disa të puthura të Kushtetutës! Kushtetutës që ia kanë futur të gjithë me radhë!
 
Kjo histori me të puthura, , me kushtetutë, me dorëheqje, me statute partie, me kokëlarë e kokëpalarë, me avionë që gjuajnë mushkonja në Kelmend, me futje ose në gjuhën e malësorëve të Veriut "me të rrasun" në fakt është krejt e pavend!
Se në të gjithë këtë histori futjesh atij që i hyn thellë e më thellë, që i rraset përditë (i rraset thika në palcë) përditë e më fort, përditë e më shumë, është populli!

venerdì, ottobre 01, 2021

Pellazgu dhe rritja ekonomike e Shqipërisë nga E. Kaceli

Rritja ekonomike e Shqipërisë pellazgjike sipas Qeveriut të pipëdhit pellazg është mbi 18%. Fat i jashtëzakonshëm! Kur gjithë botës i ulet ne na ngrihet! Ekonomikisht na ngrihet mirëqenia me 18 %. Kjo falë qeveritarëve e qeveritareve tona. Na e rruaçi sa malet!
Po te krahasohemi me periudhën e satrapit Zogu i parë rritja është qin për qin! Falë qeverisë. 
Lezhë 2021 Foto E. KAÇELI. 

mercoledì, settembre 22, 2021

Pamflet: Zoti e Bekoftë Shqipërinë! -e më pas SHBA-në! nga E. Kaceli

 


-Lexojeni, shpërndajeni, por mos ia dërgoni zonjës KIM!
 
E nderuar shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim!
Marr guximin t'iu them... (po e nisi me këtë frazë të më t'madhit ushtar të të gjitha kohrave, Ushtarit të mirë Shvejk) marr guximin t'iu them nja dy tre gjëra, në formë edhe kërkese, edhe lutjeje, për Ju, e nëpërmjet jush, simbolit të drejtësisë dhe demokracisë në Tokë, SHBA-ës!
 
Shkëlqesia Juaj, ne pellazgët e Shqipërisë, ju falenderojmë fort që po na ndihmoni e po na ndriçoni në rrugën e vështirë të demokracisë që prej 30 viteve po rropatemi ta ndërtojmë si krejt bota demokratike.
Natyrisht ndihma juaj, e paraardhësve tuaj, e pasardhësve tuaj dhe shtetit që përfaqësoni, është e pakufishme! Megjithëse deri tani nuk e di a kemi ndërtuar ndonjë metër të kësaj rruge! Faji natyrisht është i yni!
Në vijim, për të hyrë drejt e në temën e mesazheve të koduara dhe mesazheve të forta, aq të pëlqyera nga politika e media shqipshkruese -shqipfolëse, marr guximin të parashtroj kërkesat e mëposhtme:
 
E para: Fol me Departementin e Shteti, me Presidentin Biden, me Kongresin, me Senatin e US, me SPAK-un tonë të lavdishëm, apo dhe me Dreqin vetë,  të na jepini një të drejtë që të shkojmë e vijmë lirisht në Amerikë! (Të paktën të shkojmë!)
Kur them lirisht, kam parasysh krejt lirisht! Pa viza, me pashaportë ose edhe thjeshtë me kartë identiteti elektronike, shqiptare!
Për turizëm për shembull! Se kështu provohet sa e duam ne shqiptarët Amerikën!
Nuk është një gjë e madhe! Të lëvizim e shkojmë lirisht në SHBA, është ëndërra jonë! Pse të mos bëhet realitet psh, siç lëvizim lirisht nëpër rrugët e Europës, por që nuk na tregon se çfarë duhet të bëjmë nga mëngjezi deri në darkë! Në këmbim shpallim non -grata jo vetëm Berishën por edhe Ramën e Gjatë, Lulin e Vogël, Ilir Floririn! Edhe Spartak Ngjelën po të duash!
 
Kërkesa tjetër: Meqë e ke grurë më Kryeministrin tonë të gjatë, na e këshillo, sipas metodës tënde të koduar, të na japë të drejtën e votimit të gjithë ne emigrantëve shqiptarë nga Europa deri në USA! Nuk është ndonjë gjë e madhe, ju amerikanët e keni prej vitesh këtë të drejtë! Kështu me votën tonë mund t'iu ndihmojmë dhe lehtësojmë edhe punën tuaj titanike në shërbim të demokratizimit të politikës shqiptare!
Fol me kryeministrin tonë të nderuar të na e realizojë këtë ëndërr!
 
Së mbrami: Sipas parimit të qeverisë shqiptare dhe Kryeplakut të Urtë Edi Rama: Shtëpia e Zotit dhe e mikut, pra e Zotit dhe e Amerikës që është miku ynë!
E nderuar zonjë! Marr guximin t'iu them: Mos harro se dikush nga shqiptarët, dikush prej këtyre dikushëve edhe i afërm i imi, është dënuar vetëm pse dëgjonin Zërin e Amerikës, ose ndryshe Zërin e të Vetmes Shpresë, gjatë kohës kur babai i kryeministrit dhe babai apo gjyshi i dikujt nga ministrat që ju bekoni çdo ditë,  ishte në instancat më të larta të diktaturës dhe gjykatës diktatoriale! (Mos t'iu duket pa lidhje ky paragraf!) Se këtë paragraf e kam si kushtim për të gjithë paradhësit tuaj në atë detyrë që nga Ulysses Grant-Smith në vitin 1922! Madje edhe për ata që do të vijnë për t'iu zëvendësuar,  pasi ju të liroheni nga kjo detyrë e vështirë e demokratizimit të pipëllit pellazg dhe kryepellazgëve të politikës shqiptare!
 
Sa i takon fjalës së urtë për mikun ku shtëpia është e Zotit dhe e mikut, marr guximin t'iu them se  ne kemi dhe nja dy -treqind të tjera në këtë linjë (shqiptarët pellazgë janë burim i pashterrshëm fjalësh të urta):
E para: Miku i mirë në shtëpi të vet!
E dyta (që ka të bëjë edhe me mikun edhe me peshkun) që filloi të arrestohet qysh në kohën e ambasadorit tuaj paraadhës zotit Lu: Miku është si peshku, ditën e tretë fillon të marrë erë! E fundit: Peshku qelbet nga koka!- si psh qelbja e kokave të politikës shqiptare!
 
Duke iu kërkuar ndjesë thellësisht për shqetësimin, po e mbylli për të mos ju bërë të humbisni kohën tuaj të çmuar në shërbim të shqiptarëve dhe të amerikanëve!
Zoti e Bekoftë në fillim Shqipërinë  e pastaj edhe SHBA-në!

domenica, settembre 05, 2021

Mallkimi i diamanteve! poezi nga E. Kaceli

















Kur të pyesin: Çka asht trishtimi?
Mos mendo dy herë!
-janë lotët që rrjedhin prej syve
si një mallkim diamantesh
                        të papreme
një mallkim i shtrenjtë, i bukur
 
Duke ra kërcasin për tokë në nji
zhurmë të trishtueme
pa ditë shkëlqimin e nesërm
në shkëlqeshin nji ditë!
Pa ditë e âsht gjithçka rrenë!
-a âsht gjithçka mallkim!
Se diamantet janë rrenë edhe kur janë të vërtetë!
Lotët, vetëm lotët, janë e vërteta sublime!
 
Në t'pyetshin: Ç'ka asht trishtimi?
Në t'dvetshin : Ç'ka âsht malli?
Në t'lypshin: Ç'ka âsht diamanti?
Mos bzâj! Në vend të përgjigjes
bane nji kunorë florinit me lotë
Bane i kunorë florinit zbukuruem me lotë malli
E m'thuj kush ka ma vlerë!

 
Itali, shtator 2021

giovedì, luglio 29, 2021

Kosova nuk është barcoletë! -Kosova është gjak! -nga E. Kaceli, Itali

 




Shkruanin disa media këto ditë të fundkorrikut 2021, me përulësi e servilizëm tipik të mediave të shitura lirë, për batutat dhe barcoletat aspak diplomatike, ndërmjet kryeministrit shqiptar dhe kryeministrit serb!

Shkruanin për kollomoqat e pjekura që shkëlqesitë kryministra të Ballkanit, që kanë tru e gjak kollomoqi, shijonin rrugëve të Shkupit! Shkupi, sa për kujtesë, është pjesë Shqipërie e shkyer nga fqinjët e mirë!
Ka aq shumë pjesë Shqipërie të shkyer nga fqinjët e mirë grekë, serbë, maqedonas, malazez, sa vetëm një grimë Shqipëri ka mbetur brenda territorit zyrtar!

Koha dhe përvoja e jetës më ka mësuar të jem tolerant! Nuk jam as shovinist! Nuk jam as nacionalist ekstremist, edhe pse nga gjaku i trashëguar prej të parëve kam të gjitha të drejtat të jem!
Nuk jam shqiptaromadh! - Një term i shpikur për të justifikuar copat e shkyera të Shqipërisë!
Por vendi dhe liria që më ka dhënë vendi ku jetoj, Italia, më jep të drejtën ti kujtoj gjithkujt që harron, qoftë edhe kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë! Sidomos Serbisë! Kam të drejtën ti kujtoj gjithkujt se Kosova është histori gjaku dhe jo histori barcoletash politike me shije të keqe dhe erë të rëndë!

Kosova nuk është barcoletë diplomatike kryministrash aksidentalë, që aksidentalisht sundojnë në vendet e Ballkanit!
Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet aty si shtet i pavarur shqiptar, edhe kur kryeministrat aksidentalë ballkanikë, kryeministrat e barcoletave, kryeministrat e kollomoqave të pjekur,  nuk do të jenë më në krye të shteteve që pretendojnë që kanë tagrin e përfaqësimit apo sundimit të Kosovës!

Kush ka shkuar të paktën një herë në Kosovë, dhe ka prekë realitetin atje, e kupton se me Kosovën nuk mund të luhet! Krejt ashtu siç nuk mund të luhet me gjakun.
Kosova nuk është batutë barcoletash! Kosova është gjak! Është gjak zemret!
Kosova është zemër!

mercoledì, luglio 21, 2021

Edmond Kaçeli vlerësohet në vendlindjen e Çezare Paveze-s!



-Shkruan Klaudio Lorenconi, drejtor i Museumit në Qiell të Hapur, Shën Stefani i Belbo-s, Cuneo, Itali


Gjithmonë kam besuar se historia  e vërtetë e njerëzve lexohet ndërmjet rrjeshtave të biografisë zyrtare! Gjithherë më kanë tërhequr njerëzit që nuk e marrin jetën tepër seriozisht dhe që arrijnë të shijonë me klas, e vetëironi edhe gjërat më të thjeshta!
Këta njerëz, pres ti paraqes përpara publikut me padurim, dhe me shumë entuziazëm.

Njëri prej tyre është edhe Edmond Kaceli, miku -fotograf, i njohur fort në zonën e Langheve, Cuneo, Piemonte, e mbi të gjitha një super mik i Museumit në Qiell të hapur Camo, komuna Santo Stefano Belbo, vendlindja e shkrimtari të madh italian Çezare Paveze!

Për pjesmarrjen e vazhdueshme në projektet tona, për pasionin që ka ndaj fotografisë, për shpirtin e ndjerë poetik, dhe për magjinë e gishtit të shkrepjes, e sinqeritetin e fotografive, jemi të gëzuar të prezantojmë, seleksionimin e dy fotografive të tij, në fondin e përhershëm të Muzeumit.

Vepra "Pandemia", 50x50 cm, do të instalohet përgjithmonë në pjesën e jashtme të muzeut.
Ndërsa e dyta, titulluar "I Feel Like a Child", 50x70 cm, do të qëndrojë në Pallatin e Muzeut, dhe do të prezantohet gjatë ekspozitave dhe aktiviteteve që muzeu organizon në vazhdimësi.

Pandemia 50 x 50 cm

Të dyja fotografitë, të shkrepura në kohë pak të largëta me njëra -tjetrën (para dhe gjatë pandemisë) nxjerrin në pah, si në një pasqyrë, aftësinë e tregimit të historive intime, e të panjohura, prej ku del nga njëra anë ndjenja e vetëburgimit, e dëshiruara (fëmija në mes të borës) dhe burgimi i detyruar nga të tjerët (paralelizmi me hardhucat që kërkojnë diellin)!

Të dyja veprat, në një farë mënyre, risjellin kushtëzimin ekzistencial të artistit, në një mënyrë të re jetese e perceptimi të kohës (së shkuar) e kërkimi i hapësirës së munguar të jetuar gjatë kohë së karantinës!
Hapësira e fotografuar, me borë apo mur i thjeshtë qoftë, shfaqet si një lloj përditshmërie e zmadhuar, njësh me hapësirën (reale, virtuale o të brendshme) pandemike, që na ndjek në vazhdimësi.
Kaceli, me fotografitë e tij "nxjerr para botës, botën e tij" pa lejuar ndërhyrjen e askujt në rrjedhën e ndërgjegjes së brendshme inviduale e krijuese, krejt personale e gjithaq subjektive!
I Feel Like a Child


martedì, luglio 13, 2021

Armani vs Policia Shqiptare! nga E. Kaceli

E pabesueshme!
Duke marrë shkas nga haberret e Arnautistanit, të udhëhequr nga Veziri i Madh Edvin Bej Rama, ku një kapele xhandari kushton 350 €uro, hyra në siton zyrtare 
https://www.armani.com/it/armanicom dhe gjeta këtë kapele nga më të mirat e firmës Armani me çmimin 240 €uro.
Krahasimet me kapelen e policit shqiptar bëjini vetë!
Unë vetëm them: Çdo popull meriton kapelen e vet!
Më falni!
Çdo milet, arnaut ose pellazg,  meriton xhandarin e vet!






domenica, giugno 13, 2021

Kur ikën Shoku kriminel! opinion nga E. Kaceli

 

 


Dhe vjen një ditë që kriminelët largohen nga jeta jonë publike! Largohen për shumë arsye shpesh të thëna e më shumë të pathëna.

Mund të largohen për arsye vdekjet: Dikush më i fortë i futi nja dy -tre plumba bythëve, dhe e çon për lesh! Apo pasi ia mërzitën Zotit, e pa të arsyeshme dhe i largoi nga kjo botë, për t'i nisur në atë tjetrën  që askush nuk e di me saktësi se si funksionon!

Por këta janë kriminelët ordinerë e nuk na interesojnë! Shqiptarëve në përgjithësi nuk ju interesojnë!

Sepse shqiptarët vriten, priten, shqetsohen, qajnë, puthen, përputhën, hidhen, përdridhen duartrokasin, përqyrren, qeshin, bërtasin, thërrasin vetëm, e në mënyrë të posaçme, vetëm për kriminelët e politikës!

Kriminelë që në rastin më të mirë largohen nga jeta publike me votë të lirë, në një shtet të lirë apo gjysëm të lirë! Në ato raste shoku kriminel, apo shoqja kriminele, bëjnë me demek se dhanë dorëheqjen duke lënë pas një pasardhës që është më i keq, dhe më gjakftohtë në llogaritjet e tij ëndërrvrasëse!

Është më i keq, sepse përvojës së vet i bashkangjit përvojën e këshillat e parardhësit që e këshillon, në formë urdhri, edhe natën kur shkon të flejë!

Por kriminelët lënë edhe trashëgimtarë! Trashgimtarë në lidhje gjaku duke ua lënë vendin bosh fëmijës së rritur që përbetohet me zjarr për amanetet e babës që të ketë kujdes partinë në të cilën i jati aderonte qysh pa u krijuar akoma partia!

Më e bukura në këtë mishmash largimesh  e kthimesh, është kur jepet dorëheqja!

Lexohet një motiv! Dhe turma e indoktrinuar deri në palcë duartroket, emocionohet, përlotet, qurravitet deri në monstruozitet për largimin e monstrës që i kishte hipur në shpinë prej vitesh! (Jo më pak se 10 vite të paktën, se ndryshe nuk funksionon!)

Teksa turma masturbohet në vajtimin e sajë, njësoj si populli koreano -shqiptar, krimineli i fut një buzëqeshje që i ngjan therjeve të sforcuara të bagëtive gjatë regjimit komunist!

I fut një buzëqeshje, dhe largohet, për të mos u larguar!

(Në rastin më të mirë në favor e për të mirën e popullit një pjesë e këtyre shokëve kriminelë është dorëhequr, është larguar, është rikthyer, është rizgjedhur, është rilarguar e ridorëhequr për të mos u larguar deri në ditën e mbrame!)

E populli vijon të duartrokasë e të thërrasë: Rrofsh e qofsh sa malet shoku ynë i nderuar kriminel! Kriminel pa terma të ndërmjetme! Pushofsh në paqen dhe begatinë e përjetshme të dorëheqjes!

domenica, giugno 06, 2021

Kënga e emigrantit poezi nga E. Kaceli

Andrès Lasanta Jimeno -Nonato (2008)

Jam dhimbja!
-kënga e dhimbjes jam
Jam trishtimi- kënga e trishtimit
Trishtimi i mbyllur në një valixhe
Dhimbja e mbyllur në një dhomë të ndyrë trageti
Vargu i shkruar në nje biletë avioni...
Kënga e trishtimit jam!- kënduar në një makinë luksoze!

Atdheu! -ku është!
Atdheun e parë e humba! (ma vodhën)
Atdheun e dytë nuk e gjeta asnjëherë!
Të tretin e humba përpara të parit dhe të dytit!
Jeta ime -një këngë pafund në kërkim të Atdheut
që kurrë nuk ekzistoi! (përveç në fantazitë e mia!)

Kënga ime
-kujtimi i lënë në tokën e ëndërrave të vrame
të ëndërrave të mbytura nën peshën e valixhes
mbushur me boshllëkun e jetës së rrejshme
Peshon valixhja e rëndë -arkivol i trishtë
arkivol i trishtë i kryqëzimit tim të përditshëm!

Kënga ime -simfoni trishtimi
                                             malli, 
                                                      dhimbjesh pafund
Asnjë poet nuk mund ta shprehë!
As unë! -emigranti i këngës time
mbytur në peshën e mallit
Kryqëzuar më keq se Krishti!

Itali qershor 2021
 

giovedì, aprile 22, 2021

Lartëmadhëria e Mandatit të Tretë nga DaDa një shkrimtare bashkëkohore

 “Politikanët e këqinj nuk çojnë dëm asnjë krizë të madhe.”

I frymëzuar nga kësi formulash elitare, Lideri Tiran merr frymë i lehtësuar dhe mirënjohës ndaj zotave që i dërguan pa kursim tërmete e pandemi gjatë sundimit të tij të lavdishëm. “S’kanë parë gjë akoma. Tani do të më njohin mirë këta pabuksat!”
- Dëgjo, shoku Shtëllunga. Urgjent të nxjerrësh tanke, mitraloza dhe ushtarë nëpër rrugë! Që sot fillojmë luftën dhëmbë për dhëmbë me armikun e padukshëm.
- Q’ka po thoni Lartmadhëri?
- Merrja shpirtin të thashë!
- Kujt?
- Kujtdo që del në rrugë. Bjer e bjer se diçka do qëlloni.
- Shpif e shpif se diqka do mbetet. Kështu sikur është ajo fjala, shoku shef.
- Ore ti, alpin, mos më korrigjo mua.
- Ushtarak o shef. Unë jam ushtarak. Isa ma ka mbush mendjen që jam edhe shumë i kënduar. Po nejse, ju e dini më mirë.
“Matufi”- bërbëlit nëpër dhëmbë duke ia mbyllur telefonin në fytyrë.

Ehhh – psherëtin i lodhur dhe i revoltuar. – Ku gabova xhanëm? – por menjëherë sqima prej vizionari të ndritur e zë për gryke dhe, e ndërron aty për aty pyetjen retorike: “Si nuk më kuptuan një herë xhanëm?!” Mirë këta pabuksat e këtushëm, por as ata të huajt që çoç i dija. Ka rënë fare dhe BE-ja, më keq se parlamenti ynë është katandisur. Të paktën këta trutharët tanë vishen firmato, u vetëtijnë makinat dhe rrobat dy orë larg, kurse ata lloshat e Evropës as nga moda as nga tangërlliku s’kanë haber. Si ishin veshur ashtu herën e fundit, shumë vite më parë, krejt përzishëm me ato kostumet serioze dhe këpucët lustrafine të vjetra sa bota! Pfffff! Normal që nuk mund ta pranonin mes tyre një fllad të freskët, një atlet të lindur si unë. Më lanë jashtë fotografisë “familjare”. Xhelozët! Më marrshin pleshtat më marrshin. Pleshtat që kisha një herë e një kohë, kur gdhihesha poshtë urave elegante të Parisit. Se tani, vetëm leshtë e mjekrës kam, miqtë e vegjël që më gudulisnin i shoi sapuni. – psherëtin nostalgjik. - Ehhh, Paris, Paris! Të paskësha magjepsur me karizmën time dhe as që e dija. Shyqyr erdhi ajo biba dhe më hapi sytë.

- Shoku Tiran! – një zukamë mize e shkëput beftas nga meditimet e thella kokë më kokë me veten e tij.
- Shoqja Doganë!
- Më duket vetja si prej Anadolli me këtë llagap që më ke ngjitur, o krenaria e kombit, o Skënderbe, o Don Kishot, o figura më romantike e letërsisë shqiptare. – llastohet ajo me një ton anukes.
“Injoranca e saj është orgazmike”- mbyll sytë i kënaqur dhe mbushet thellë me frymë. -“Entuziazmi i saj eliksir i vërtetë, më drithëron, më përtërin. Një si kjo duhet në stafin e çdo burri shteti me halle të mëdha mbi supe, si Lartmadhëria ime.”
- E ngatërron o brunia ime me zgjuarsi bjondeje. Ai është vëllai Sulltan, ti je xixëllonja Doganë.
- Sot më kishin quajtur edhe Dyqan, Duqin, apo Dulqin…diçka të tillë. Ti e di që unë nuk i mbaj mend shumë këto gjëra, sepse unë nuk merrem me llafe boshe të cmiranjozëve. Unë merrem me Thënie e Rahm Emanuel: “Never let a good crisis go to waste.” me ide, me mënyra, me platforma, me tryeza pune. E thashë mirë? – përdredh një kaçurrel me gishtat e dorës duke pritur me ankth aprovimin e tij.
- Hmmmm. Tryezat nuk janë aq të rehatshme në fakt…- flet mendueshëm shoku Tiran duke parë me sy kritik mobiliet e tjera rreth e rrotull.
Xixëllonja Doganë lëshon e lehtësuar një buzëqeshje të pafajshme, dita e saj po fillonte mbarë… Por trokitja e derës ia ngriu optimizmin dhe ia shpuri gojën akoma më majtas.

- Ohhh, Edmond Dantesi i kabinës sonë!
- Kabinet moj shoqe, kabinet. – e korrigjon butësisht ai. Falë kësaj butësie kishte arritur deri aty, ndaj nuk e kuptonte pse e krahasonin me një hakmarrës të pashpirt si Konti i Montekristos. Ai fitoi menjeherë zemrat e popullit, por mbi të gjitha atë të të shokut Tiran, me replikën e tij të paharrueshme, aq të butë, aq të moderuar kundrejt kundërshtarëve:
“Ne nuk do vjedhim si ata, ne do vjedhim ndryshe.”

Lartmadhërisë po i bëhej zemra (edhe ca pjesë të tjera në fakt) mal tek shikonte zyrën e tij që po i mbushej me këta gjeni të vegjël të përzgjedhur me kujdes nga vetë ai. I donte pafund. Shikonte herë ata, herë veprat e tij njitur andej – këndej mbi mure si njolla boje dhe nuk vendoste dot cilët donte më shumë. Si për ta vilanosur përfundimisht ëmbëlsinë e kësaj tabloje, dera hapet pakëz fare.

Duken dy zgavra hunde të mëdha që nuhasin majtas djathtas me kujdes, pastaj dera hapet edhe më shumë dhe ja, hyn ai dora vetë, Tagrambledhësi, shkurt Tigri.
- Na thave sytë o legjendë.
- Na është tharë buxheti fare shef. – skërmitet Tigri duke çakërdisur sytë andej këndej. – Gjithë ato halle për të mbyllur: udhëtime, hotele, tendera, koncesione. Me lekët tona do i bëjmë këto
mo?
- Mos e dhëntë Zoti! – hidhet përpjetë Xixëllonjë Dogana. – Në gur’t e në drut’. – kap llapën e veshit me dorë, pastaj e troket mbi tavolinë.
- Ke ardhur fiks në kohë. Po mendoj që paralelisht me ushtrinë, popullin tonë barktharë ta
disiplinoj edhe me gjoba.
- Ohhhh! Ti je një shpëtimtar i vërtetë Lartmadhëri! – shtrëngon Tigri gjithë gëzim grushtet e tij delikatë. - Kjo është, pikërisht kjo është ajo që na duhet tani. Nuk e ke idenë si u janë ngjallur morrat këtyre tanëve. Dëgjojnë lajme se si qeveritë e tjera në Evropë po i japin ndihma popullit të tyre dhe, po mprefin dhëmbët edhe këta mosmirënjohësit tanë. Le të shkojnë andej pra, të thyejnë qafën në kurbet dhe të marrin ndihma. Ne nuk po i mbajmë me pahir këtu.

- Syplasur more, çfarë tu thuash. Nuk e shohin që ne po na luten nga ana e anës, deri nga
Bangladeshi, për të jetuar nën thundrën tonë. Pffff. Ky popull nuk më meriton. – ul kokën
sinqerisht i zhgënjyer.
- Do të vijë edhe ajo ditë e bekuar do të vijë, o Diell, o Skënderbe! Do e ndryshojmë me themel këtë vend, duke filluar nga populli. E keqja e këtij vendi historikisht ka qenë populli, kështu ka thënë edhe historiani i madh Eros Ramazoti.

Fuqia staminale e injorancës së saj e gjallëron sërish, ia ngre lart kokën e përkulur. Ohhh, a nuk është një asset kombëtar kjo vajzë?! Ngatërron Herodotin me Ramazotin, por pikërisht këtu e ka magjinë e saj.
- Pra, Tigër, ç’do bëjmë?
- Do tallim by, më fal, do mbushim buxhetin.
- Ah qerrata, qerrata! – shkrihet nga kënaqësia Lartmadhëria. – Ti më kupton me të parë mua. Po ti përballoje dot, do të ti kisha lënë ty të gjitha ministritë.
- Ohhhh, shef, të falënderoj nga xhepi, më fal, nga zemra. Por mua më mjaftojnë vetëm ministritë që kanë parè. – i shkel syrin gjithë mirënjohje.
Lymi që hyn turravrap në zyrë i shkel padashur skarpinat e shtrenjta xixëllonjë Doganës. Ajo shtrembëron krejt surratin dhe kësisoj goja i duket në rregull.

- Hap sytë more Lym, se na shtype përqindjen femërore.
- Po ku më kanë ngelur më sy në ballë dhe mend në kokë mua shoku Tiran. Gjithë populli i Tiranës ka plasur në zyrat e mia. Duan tapira, deftera për shtëpitë e tyre. Ku të mbytem?
- Po jepua more, ça të duan jepua, hall për tapi e për deftera.
- Po jo more shoku Tiran, se tua jap të gjithëve unë, duhet ti them burgut “Hapu!” pastaj.
- Hmmm, jo, në burg, jo, ai është për burra. – i qan hallin Lartmadhëria. – Po si është puna? Pse nuk ua tapos dot ato shtëpitë e tyre të flamosura?
- Se nuk lejohet o shef. Është kriminale. Sipas ligjit duhet tu vëmë rruspën gjysmës së tyre. Na hëngri goja m… mjalt atëherë kur ishim në opozitë dhe këputëm gjithë ato të trasha, u
premtuam që do t’ua legalizonim. Dhe ata skuthat nuk e kanë harruar. Mos t’u japësh një
premtim, ashtu nga nijeti i mirë këtyre pabuksave, se ta mbajnë këngë gjatë gjithë mandatit
pastaj.
- Edhe tani mo, në mandatin e dytë? Edhe tani nuk e kanë harruar akoma ata?
- Sidomos tani, shoku Tiran. Dynden përditë tufa-tufa para zyrës sime. Jam në hall. Kam ngecur keq, midis ligjit dhe votimeve që kemi tani afër.
- Sakën! Sakën! Asnjë thyerje zemre tani para votimeve, se të ngul me duart e mia si Rozafën brenda atyre shtëpive, more vesh, mora thuaj!
- Ç’të bëj pra?
- Mbaji varur.
- Varur?
- Varur?! – përplas duart xixëllonjë Dogana tepër e ngazëllyer.
- Është metaforë oj xixëllonjë.
- Ahhh, nuk është ide, mënyrë, platformë, tryezë pune? – sprapset në karrige e zhgënjyer.

- Ngrihuni tani dhe shpërndahuni. Por, më parë, që ta fillojmë punën mbarë sot, përsërisni me radhë shtyllat e sundimit tonë!
- Ne do vjedhim ndryshe, nuk do vjedhim si ata.
- Do tallim by…buxhetin.
- Do i mbajmë varur.
- S’keni parë gjë akoma!
- Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne s’ka.
– zukat xixëllonja shpejt e shpejt, para se në zyrë të mësynin rivalet e tjera, Bela, Gerta, Erjona …