-Lexojeni, shpërndajeni, por mos ia dërgoni
zonjës KIM!
E nderuar shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim!
Marr guximin t'iu them... (po e nisi me këtë frazë të më
t'madhit ushtar të të gjitha kohrave, Ushtarit të mirë Shvejk) marr guximin t'iu
them nja dy tre gjëra, në formë edhe kërkese, edhe lutjeje, për Ju, e nëpërmjet
jush, simbolit të drejtësisë dhe demokracisë në Tokë, SHBA-ës!
Shkëlqesia Juaj, ne pellazgët e Shqipërisë, ju
falenderojmë fort që po na ndihmoni e po na ndriçoni në rrugën e vështirë të
demokracisë që prej 30 viteve po rropatemi ta ndërtojmë si krejt bota
demokratike.
Natyrisht ndihma juaj, e paraardhësve tuaj, e pasardhësve
tuaj dhe shtetit që përfaqësoni, është e pakufishme! Megjithëse deri tani nuk e
di a kemi ndërtuar ndonjë metër të kësaj rruge! Faji natyrisht është i yni!
Në vijim, për të hyrë drejt e në temën e mesazheve të
koduara dhe mesazheve të forta, aq të pëlqyera nga politika e media
shqipshkruese -shqipfolëse, marr guximin të parashtroj kërkesat e mëposhtme:
E para: Fol me Departementin e Shteti, me Presidentin
Biden, me Kongresin, me Senatin e US, me SPAK-un tonë të lavdishëm, apo dhe me
Dreqin vetë,
të na jepini një të drejtë
që të shkojmë e vijmë lirisht në Amerikë! (Të paktën të shkojmë!)
Kur them lirisht, kam parasysh krejt lirisht! Pa viza, me
pashaportë ose edhe thjeshtë me kartë identiteti elektronike, shqiptare!
Për turizëm për shembull! Se kështu provohet sa e duam ne
shqiptarët Amerikën!
Nuk është një gjë e madhe! Të lëvizim e shkojmë lirisht në
SHBA, është ëndërra jonë! Pse të mos bëhet realitet psh, siç lëvizim lirisht nëpër
rrugët e Europës, por që nuk na tregon se çfarë duhet të bëjmë nga mëngjezi deri
në darkë! Në këmbim shpallim non -grata jo vetëm Berishën por edhe Ramën e Gjatë,
Lulin e Vogël, Ilir Floririn! Edhe Spartak Ngjelën po të duash!
Kërkesa tjetër: Meqë e ke grurë më Kryeministrin tonë të
gjatë, na e këshillo, sipas metodës tënde të koduar, të na japë të drejtën e
votimit të gjithë ne emigrantëve shqiptarë nga Europa deri në USA! Nuk është
ndonjë gjë e madhe, ju amerikanët e keni prej vitesh këtë të drejtë! Kështu me
votën tonë mund t'iu ndihmojmë dhe lehtësojmë edhe punën tuaj titanike në shërbim
të demokratizimit të politikës shqiptare!
Fol me kryeministrin tonë të nderuar të na e realizojë këtë
ëndërr!
Së mbrami: Sipas parimit të qeverisë shqiptare dhe Kryeplakut
të Urtë Edi Rama: Shtëpia e Zotit dhe e mikut, pra e Zotit dhe e Amerikës që është
miku ynë!
E nderuar zonjë! Marr guximin t'iu them: Mos harro se
dikush nga shqiptarët, dikush prej këtyre dikushëve edhe i afërm i imi, është dënuar
vetëm pse dëgjonin Zërin e Amerikës, ose ndryshe Zërin e të Vetmes Shpresë,
gjatë kohës kur babai i kryeministrit dhe babai apo gjyshi i dikujt nga
ministrat që ju bekoni çdo ditë,
ishte në
instancat më të larta të diktaturës dhe gjykatës diktatoriale! (Mos t'iu duket
pa lidhje ky paragraf!) Se këtë paragraf e kam si kushtim për të gjithë paradhësit
tuaj në atë detyrë që nga Ulysses Grant-Smith në vitin 1922! Madje edhe për ata
që do të vijnë për t'iu zëvendësuar,
pasi ju të liroheni nga kjo detyrë e vështirë e demokratizimit të
pipëllit pellazg dhe kryepellazgëve të politikës shqiptare!
Sa i takon fjalës së urtë për mikun ku shtëpia është e
Zotit dhe e mikut, marr guximin t'iu them se
ne kemi dhe nja dy -treqind të tjera në këtë linjë (shqiptarët pellazgë
janë burim i pashterrshëm fjalësh të urta):
E para: Miku i mirë në shtëpi të vet!
E dyta (që ka të bëjë edhe me mikun edhe me peshkun) që
filloi të arrestohet qysh në kohën e ambasadorit tuaj paraadhës zotit Lu: Miku është
si peshku, ditën e tretë fillon të marrë erë! E fundit: Peshku qelbet nga
koka!- si psh qelbja e kokave të politikës shqiptare!
Duke iu kërkuar ndjesë thellësisht për shqetësimin, po e
mbylli për të mos ju bërë të humbisni kohën tuaj të çmuar në shërbim të
shqiptarëve dhe të amerikanëve!
Zoti e Bekoftë në fillim Shqipërinë
e pastaj edhe SHBA-në!