Lexues

mercoledì, dicembre 15, 2021

Atmosferë festash 2021! nga E. Kaceli




Zvarritje e përvitshme
Lodhur, gjymtuar ma fort
Krejt zvarrë po ikën... Fundviti!
 
Maska që kalojnë fantazitë
Fantazitë njerëzore zënë frymën
                                          me maska
Zvarriten ditët e fundvitit
njerëzit zvarriten pas tyre
Ekzistencë çalamane...
Maskuar deri në sy
në sytë e tretun rrugësh pa drejtim!
 
Plastikë lulesh...
plastikë dritash...
plastikë fjalësh...
plastikë urimesh...
Plastikë njerëzish gjithashtu...
 
Akull plastik, i ftohtë, gjithkah
Diellit i kemi vënë maskë!
Hënës gjithashtu!
 
Trishtime sysh pa shikim
Makabritet urimesh pa kuptim
Kujtime të largëta dashurie, pa dashuri
Lulet kanë ngrirë
Kohë krejt pa ngjyrë
Mos harro maskën!
Ndryshe je pa f 'tyrë!
 
Gëzuar!
-Gëzime paç!
Shëndet!
-Ma mirë m'thuaj: Plaç!
 
Itali fundviti 2021

domenica, dicembre 05, 2021

I vrarë dashurie -sonet nga E. Kaceli


























Me shpirt të grimcuar në mijëra grimcëza
rri në një skaj të harruar të dashurisë magjike
i vrarë, i mohuar, i pakallur në dheun e mosqenies,
i lagur fund e krye me brilante lotësh tragjike.

Me zemër të goditur deri në tejskaj
flas me veten, si i çmendur prej Dreqit, a Zotit
e çmendem, e çmendem i kapur në faj
e hidhem i pashpresë në humnerën e Kotit.

Me bishta cigaresh, bëj piramida në tavllën e mosfatit
si kafkat e Timur Lengut, në shenjtërim të fitores
përreth qarkohen ndjenja të pakuptimta.

Kryqëzohem si Krishti përballë Ponc Pilatit
brilante lotësh shkëputen brerores
tek’ fjalët treten, humbin të pîmta... 

sabato, novembre 20, 2021

Një fotografi dhe disa parulla për Kongreset e Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike! -nga E. Kaceli, Itali

Kjo nuk është Yuri Kim! -foto E. Kaceli

Një ngjarje e madhështore e ndarë në dysh, secila më madhështore se tjetra pritet, të ndodhë më 11 dhjetor dhe me 18 dhjetor!
Kongreset e jashtëzakonshme të Partisë Demokratike Shqiptare!
Kongresi i Saliut dhe Kongresi i Lulit!
Kongresi i Saliut me 5 mijë e kusur petrita do të largojë Lulin!
Kongresi i Lulit me disa Salinj e disa Grida do të largojë Saliun dhe 5 mijë petrita!
Ironia e Fatit apo Fati i Ironisë! -Pellazgët pyesin se si do të vejë Fati i Vulës së Partisë! Vulën që Luli e trashëgoi bujarisht nga Saliu!

Në këtë pikë kyçe të historisë ndërhyn dhe Ambasada e Shtetit më të Fuqishëm nëpër Botë! E kudondodhura Shkëlqesia e sajë Yuri! Them e kudondodhura se kam parasysh jo vetëm politikën, bujqësinë, artin, kulturën, shëndetësinë... por edhe në zbukurimin e rasteve familjare si fejesa, datëlindje, pagëzime, synetlliqe etjerë!
Gjithë kjo sipas parimit enverist: Imperializmit amerikan edhe një dhëmb po ti mbetet është agresor!
 -Merre me mend tani që fusha e stomatologjisë ti rregullon të gjithë dhëmbët edhe po të jenë thyer!

Përkrahësit e Saliut do të nisen sipas parimit: Diktatura a proletariatit bën të dridhen armiqtë e jashtëm e të brendshëm!
Salinistët dhe Gridistët e Lulit sipas parimit: Uji fle! Luli nuk fle! Vula është e jona! Topin e gjuajmë ne!
Se si do të shkojë falli i PD-së kjo nuk dihet mirë! Por një gjë është e sigurtë, Drejtësia e Re nën drejtimin e kryeministrit Rama 3, dhe nën udhëheqjen e Ambasdores dritëdhënëse Kim do të vijojë të shqyejë peshqit e vegjël e të mëdhenj pa dallim bindjejet politike!
Kjo falë edhe mbështetjes të avokatit të shquar, të gjithëfamshëm e multidimensional fëbëistit Ngjela!
Gjithmonë sipas parimit: Peshku çan bllokadën!

Kështu pra: Në kongreset e PD-së të shkojmë me ballin lart e duart plot! Rroftë Sali Berisha me 11 dhjetor!
Rroftë Lulzim Basha me 18 dhjetor! (Rroftë edhe Grida me Salinajn!)
Rroftë Kryeministri jetëgjatë Edi Rama!
Marrtë nga ditët tuaja Yuri Kim!
Të na rrojë fort edhe Spartak Ngjela!

sabato, ottobre 30, 2021

Kënga e pellazgut modern! nga #kadare në versionin #zekthi

 

Nje presh gjigand, foto dal web











Përse mendohen këto male të larta,
Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?
Një pellazg ecën buzë mbrëmjes,
Preshi i gjatë, gjigand
Me qindra kilometra hije lëshon mbi dhé.

Vrapon hija e preshit,
Pret male, fusha, fshatra;
Hija e preshit lëviz shpejt në muzg.
Fluturon pellazgu në një qiell kuq e blu
Pa asnjë mendim në kokë
Kuku!

mercoledì, ottobre 06, 2021

Pamflet: Të gjithë ia fusin njëri tjetrit! -nga E. Kaceli


Shumë e çuditshme është!
Ja për shembull: Ia futën Ardi Veliut, kryepolicit! Si me thënë ia futi vetes me dorëheqje. Por dorëheqja ishte e detyruar! E detyruar nga Kryeministri Rama! Pra ia futi Edi Rama! (Blendi Çuçi vetëm i mbajti kandilin Ramës)
 
Pa ditë më parë ishte protagonist Lulëzim Basha. Luli sa herë çohet nga gjumi e gjuan ndonjë budallëk politik!
Atë botë, në vend të këndonte Hymnin Kombëtar, çohet nga gjumi dhe hop ia fut Sali Berishës. Ia fut me ndihmën e amerikanëve! Natyrisht, se pa amerikanët Luli nuk arrin t'ia fusë as Salinajt, për shembull!
 
Nga ana tjetër ngrihet uragani Berisha (sipas pipëllit pellazg) e kërkon t'ia fusë, me çdo kusht Lulit duke tundur e shkundur statute e rregullore partie! Natyrisht besnikëria e Berishës ndaj statuteve dhe rregulloreve të partisë është epike! Si krejt historia politike e tij për këto 30 vjet! Në ndihmë i vjen zonja Kokalari! Nga Amerika erdhi! Dhe iku pa e kuptuar mirë se kujt ia futi tamam zonja e nderuar!
 
Nga ana tjetër është një farë presidenti, alias burri i Monikës, që po mundohet një parlament i tërë t'ia fusë por iu ka ngecur e futura në dyert e Venecias, e sipas gjasave do kalojë vetëm me disa të puthura të Kushtetutës! Kushtetutës që ia kanë futur të gjithë me radhë!
 
Kjo histori me të puthura, , me kushtetutë, me dorëheqje, me statute partie, me kokëlarë e kokëpalarë, me avionë që gjuajnë mushkonja në Kelmend, me futje ose në gjuhën e malësorëve të Veriut "me të rrasun" në fakt është krejt e pavend!
Se në të gjithë këtë histori futjesh atij që i hyn thellë e më thellë, që i rraset përditë (i rraset thika në palcë) përditë e më fort, përditë e më shumë, është populli!

venerdì, ottobre 01, 2021

Pellazgu dhe rritja ekonomike e Shqipërisë nga E. Kaceli

Rritja ekonomike e Shqipërisë pellazgjike sipas Qeveriut të pipëdhit pellazg është mbi 18%. Fat i jashtëzakonshëm! Kur gjithë botës i ulet ne na ngrihet! Ekonomikisht na ngrihet mirëqenia me 18 %. Kjo falë qeveritarëve e qeveritareve tona. Na e rruaçi sa malet!
Po te krahasohemi me periudhën e satrapit Zogu i parë rritja është qin për qin! Falë qeverisë. 
Lezhë 2021 Foto E. KAÇELI. 

mercoledì, settembre 22, 2021

Pamflet: Zoti e Bekoftë Shqipërinë! -e më pas SHBA-në! nga E. Kaceli

 


-Lexojeni, shpërndajeni, por mos ia dërgoni zonjës KIM!
 
E nderuar shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim!
Marr guximin t'iu them... (po e nisi me këtë frazë të më t'madhit ushtar të të gjitha kohrave, Ushtarit të mirë Shvejk) marr guximin t'iu them nja dy tre gjëra, në formë edhe kërkese, edhe lutjeje, për Ju, e nëpërmjet jush, simbolit të drejtësisë dhe demokracisë në Tokë, SHBA-ës!
 
Shkëlqesia Juaj, ne pellazgët e Shqipërisë, ju falenderojmë fort që po na ndihmoni e po na ndriçoni në rrugën e vështirë të demokracisë që prej 30 viteve po rropatemi ta ndërtojmë si krejt bota demokratike.
Natyrisht ndihma juaj, e paraardhësve tuaj, e pasardhësve tuaj dhe shtetit që përfaqësoni, është e pakufishme! Megjithëse deri tani nuk e di a kemi ndërtuar ndonjë metër të kësaj rruge! Faji natyrisht është i yni!
Në vijim, për të hyrë drejt e në temën e mesazheve të koduara dhe mesazheve të forta, aq të pëlqyera nga politika e media shqipshkruese -shqipfolëse, marr guximin të parashtroj kërkesat e mëposhtme:
 
E para: Fol me Departementin e Shteti, me Presidentin Biden, me Kongresin, me Senatin e US, me SPAK-un tonë të lavdishëm, apo dhe me Dreqin vetë,  të na jepini një të drejtë që të shkojmë e vijmë lirisht në Amerikë! (Të paktën të shkojmë!)
Kur them lirisht, kam parasysh krejt lirisht! Pa viza, me pashaportë ose edhe thjeshtë me kartë identiteti elektronike, shqiptare!
Për turizëm për shembull! Se kështu provohet sa e duam ne shqiptarët Amerikën!
Nuk është një gjë e madhe! Të lëvizim e shkojmë lirisht në SHBA, është ëndërra jonë! Pse të mos bëhet realitet psh, siç lëvizim lirisht nëpër rrugët e Europës, por që nuk na tregon se çfarë duhet të bëjmë nga mëngjezi deri në darkë! Në këmbim shpallim non -grata jo vetëm Berishën por edhe Ramën e Gjatë, Lulin e Vogël, Ilir Floririn! Edhe Spartak Ngjelën po të duash!
 
Kërkesa tjetër: Meqë e ke grurë më Kryeministrin tonë të gjatë, na e këshillo, sipas metodës tënde të koduar, të na japë të drejtën e votimit të gjithë ne emigrantëve shqiptarë nga Europa deri në USA! Nuk është ndonjë gjë e madhe, ju amerikanët e keni prej vitesh këtë të drejtë! Kështu me votën tonë mund t'iu ndihmojmë dhe lehtësojmë edhe punën tuaj titanike në shërbim të demokratizimit të politikës shqiptare!
Fol me kryeministrin tonë të nderuar të na e realizojë këtë ëndërr!
 
Së mbrami: Sipas parimit të qeverisë shqiptare dhe Kryeplakut të Urtë Edi Rama: Shtëpia e Zotit dhe e mikut, pra e Zotit dhe e Amerikës që është miku ynë!
E nderuar zonjë! Marr guximin t'iu them: Mos harro se dikush nga shqiptarët, dikush prej këtyre dikushëve edhe i afërm i imi, është dënuar vetëm pse dëgjonin Zërin e Amerikës, ose ndryshe Zërin e të Vetmes Shpresë, gjatë kohës kur babai i kryeministrit dhe babai apo gjyshi i dikujt nga ministrat që ju bekoni çdo ditë,  ishte në instancat më të larta të diktaturës dhe gjykatës diktatoriale! (Mos t'iu duket pa lidhje ky paragraf!) Se këtë paragraf e kam si kushtim për të gjithë paradhësit tuaj në atë detyrë që nga Ulysses Grant-Smith në vitin 1922! Madje edhe për ata që do të vijnë për t'iu zëvendësuar,  pasi ju të liroheni nga kjo detyrë e vështirë e demokratizimit të pipëllit pellazg dhe kryepellazgëve të politikës shqiptare!
 
Sa i takon fjalës së urtë për mikun ku shtëpia është e Zotit dhe e mikut, marr guximin t'iu them se  ne kemi dhe nja dy -treqind të tjera në këtë linjë (shqiptarët pellazgë janë burim i pashterrshëm fjalësh të urta):
E para: Miku i mirë në shtëpi të vet!
E dyta (që ka të bëjë edhe me mikun edhe me peshkun) që filloi të arrestohet qysh në kohën e ambasadorit tuaj paraadhës zotit Lu: Miku është si peshku, ditën e tretë fillon të marrë erë! E fundit: Peshku qelbet nga koka!- si psh qelbja e kokave të politikës shqiptare!
 
Duke iu kërkuar ndjesë thellësisht për shqetësimin, po e mbylli për të mos ju bërë të humbisni kohën tuaj të çmuar në shërbim të shqiptarëve dhe të amerikanëve!
Zoti e Bekoftë në fillim Shqipërinë  e pastaj edhe SHBA-në!

domenica, settembre 05, 2021

Mallkimi i diamanteve! poezi nga E. Kaceli

















Kur të pyesin: Çka asht trishtimi?
Mos mendo dy herë!
-janë lotët që rrjedhin prej syve
si një mallkim diamantesh
                        të papreme
një mallkim i shtrenjtë, i bukur
 
Duke ra kërcasin për tokë në nji
zhurmë të trishtueme
pa ditë shkëlqimin e nesërm
në shkëlqeshin nji ditë!
Pa ditë e âsht gjithçka rrenë!
-a âsht gjithçka mallkim!
Se diamantet janë rrenë edhe kur janë të vërtetë!
Lotët, vetëm lotët, janë e vërteta sublime!
 
Në t'pyetshin: Ç'ka asht trishtimi?
Në t'dvetshin : Ç'ka âsht malli?
Në t'lypshin: Ç'ka âsht diamanti?
Mos bzâj! Në vend të përgjigjes
bane nji kunorë florinit me lotë
Bane i kunorë florinit zbukuruem me lotë malli
E m'thuj kush ka ma vlerë!

 
Itali, shtator 2021

giovedì, luglio 29, 2021

Kosova nuk është barcoletë! -Kosova është gjak! -nga E. Kaceli, Itali

 




Shkruanin disa media këto ditë të fundkorrikut 2021, me përulësi e servilizëm tipik të mediave të shitura lirë, për batutat dhe barcoletat aspak diplomatike, ndërmjet kryeministrit shqiptar dhe kryeministrit serb!

Shkruanin për kollomoqat e pjekura që shkëlqesitë kryministra të Ballkanit, që kanë tru e gjak kollomoqi, shijonin rrugëve të Shkupit! Shkupi, sa për kujtesë, është pjesë Shqipërie e shkyer nga fqinjët e mirë!
Ka aq shumë pjesë Shqipërie të shkyer nga fqinjët e mirë grekë, serbë, maqedonas, malazez, sa vetëm një grimë Shqipëri ka mbetur brenda territorit zyrtar!

Koha dhe përvoja e jetës më ka mësuar të jem tolerant! Nuk jam as shovinist! Nuk jam as nacionalist ekstremist, edhe pse nga gjaku i trashëguar prej të parëve kam të gjitha të drejtat të jem!
Nuk jam shqiptaromadh! - Një term i shpikur për të justifikuar copat e shkyera të Shqipërisë!
Por vendi dhe liria që më ka dhënë vendi ku jetoj, Italia, më jep të drejtën ti kujtoj gjithkujt që harron, qoftë edhe kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë! Sidomos Serbisë! Kam të drejtën ti kujtoj gjithkujt se Kosova është histori gjaku dhe jo histori barcoletash politike me shije të keqe dhe erë të rëndë!

Kosova nuk është barcoletë diplomatike kryministrash aksidentalë, që aksidentalisht sundojnë në vendet e Ballkanit!
Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet aty si shtet i pavarur shqiptar, edhe kur kryeministrat aksidentalë ballkanikë, kryeministrat e barcoletave, kryeministrat e kollomoqave të pjekur,  nuk do të jenë më në krye të shteteve që pretendojnë që kanë tagrin e përfaqësimit apo sundimit të Kosovës!

Kush ka shkuar të paktën një herë në Kosovë, dhe ka prekë realitetin atje, e kupton se me Kosovën nuk mund të luhet! Krejt ashtu siç nuk mund të luhet me gjakun.
Kosova nuk është batutë barcoletash! Kosova është gjak! Është gjak zemret!
Kosova është zemër!

mercoledì, luglio 21, 2021

Edmond Kaçeli vlerësohet në vendlindjen e Çezare Paveze-s!



-Shkruan Klaudio Lorenconi, drejtor i Museumit në Qiell të Hapur, Shën Stefani i Belbo-s, Cuneo, Itali


Gjithmonë kam besuar se historia  e vërtetë e njerëzve lexohet ndërmjet rrjeshtave të biografisë zyrtare! Gjithherë më kanë tërhequr njerëzit që nuk e marrin jetën tepër seriozisht dhe që arrijnë të shijonë me klas, e vetëironi edhe gjërat më të thjeshta!
Këta njerëz, pres ti paraqes përpara publikut me padurim, dhe me shumë entuziazëm.

Njëri prej tyre është edhe Edmond Kaceli, miku -fotograf, i njohur fort në zonën e Langheve, Cuneo, Piemonte, e mbi të gjitha një super mik i Museumit në Qiell të hapur Camo, komuna Santo Stefano Belbo, vendlindja e shkrimtari të madh italian Çezare Paveze!

Për pjesmarrjen e vazhdueshme në projektet tona, për pasionin që ka ndaj fotografisë, për shpirtin e ndjerë poetik, dhe për magjinë e gishtit të shkrepjes, e sinqeritetin e fotografive, jemi të gëzuar të prezantojmë, seleksionimin e dy fotografive të tij, në fondin e përhershëm të Muzeumit.

Vepra "Pandemia", 50x50 cm, do të instalohet përgjithmonë në pjesën e jashtme të muzeut.
Ndërsa e dyta, titulluar "I Feel Like a Child", 50x70 cm, do të qëndrojë në Pallatin e Muzeut, dhe do të prezantohet gjatë ekspozitave dhe aktiviteteve që muzeu organizon në vazhdimësi.

Pandemia 50 x 50 cm

Të dyja fotografitë, të shkrepura në kohë pak të largëta me njëra -tjetrën (para dhe gjatë pandemisë) nxjerrin në pah, si në një pasqyrë, aftësinë e tregimit të historive intime, e të panjohura, prej ku del nga njëra anë ndjenja e vetëburgimit, e dëshiruara (fëmija në mes të borës) dhe burgimi i detyruar nga të tjerët (paralelizmi me hardhucat që kërkojnë diellin)!

Të dyja veprat, në një farë mënyre, risjellin kushtëzimin ekzistencial të artistit, në një mënyrë të re jetese e perceptimi të kohës (së shkuar) e kërkimi i hapësirës së munguar të jetuar gjatë kohë së karantinës!
Hapësira e fotografuar, me borë apo mur i thjeshtë qoftë, shfaqet si një lloj përditshmërie e zmadhuar, njësh me hapësirën (reale, virtuale o të brendshme) pandemike, që na ndjek në vazhdimësi.
Kaceli, me fotografitë e tij "nxjerr para botës, botën e tij" pa lejuar ndërhyrjen e askujt në rrjedhën e ndërgjegjes së brendshme inviduale e krijuese, krejt personale e gjithaq subjektive!
I Feel Like a Child