Lexues

domenica, maggio 11, 2008

EMIGRANTËT NË ITALI SKLLEVËR TË KOHËVE MODERNE

Nga Edmond Kaceli

Koha e skllavërisë nuk ka ikur ende. Skllevërit ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të gjatë kohe. Nëse nuk më besoni mjafton të hidhni një sy të shpejtë në shtetin italian. Lexoni shtypin. Shikoni përrallat e treguara nga mass media italiane e shkruar dhe elektronike. Nëse nuk më besoni mua personalisht hidhni një sy sondazheve të shtetasve italianë. (Sondazhi i kryer nga qeveria rumene është fakti më tragjik i shtrembërimit të imazhit njerëzor të emigranit klandestin dhe joklandestin. Sipas këtij sondazhi 57% e italianëve kanë një opinion negativ ndaj emigrantëve. 61% ky opinion është i drejtuar ndaj romëve, e 33% ndaj rumenëve. 75% e italianëve mendojnë se në Itali ka shumë emigrantë. Një italian në gjashtë deklaron se ka pasë agresion, fizik ose verbal, nga një i huaj emigrant. Ndërkohë intoleranca është e ndarë në opinion në masën 61% ndaj romëve, të ndjekur nga shqiptarët 35% dhe ndaj rumenëve në masën 33%

E nëse nuk i besoni sondazhit të Institutit Focus Marketing për llogari të Agjencisë për strategjitë qeveritare të Rumanisë, i hidhni një sy politikës italiane. Ju mjaft mirë mund ti besoni Umberto Bosit dhe partisë së tij, që për shkak të luftës ndaj emigracionit pati fatin e madh të arrijë një numër të konsiderueshëm votash të mjaftueshme për të kërcënuar qeverinë e sa krijuar Berluskoni nr… (për dreq numri nuk më kujtohet)

Kjo fobi moderne, në fakt, është pjellë e politikës dhe pjellë e kulturës së mangët dhe e injorancës (69% e të intervistuarve nuk janë në gjendje të tregojnë një personazh të njohur të Rumanisë. E njohja e tyre kufizohet në njohjen e familjes diktatoriale apo të Kontit Drakula.)
Madje unë besoj se shumë prej tyre nuk njohin as edhe vetë historinë e Italisë (Mjafton ti pyesësh se çfarë kujton në Fori Imperiali a Roma, Colonna Traiana, realizuar mbi projektin e arkitektit Apollodoro di Damasco. Jo më ti pyesësh për marrëdhëniet e kahershme, (partneritetit apo okupacionit), shekullore ndërmjet Italisë, Ilirisë -Shqipërisë, Rumanisë apo popujve të tjerë që e kanë furnizuar Romën, nga jugu në veri me skllevër pune. Dhe që vijojnë ta furnizojnë edhe sot e kësaj dite me skllevër të kohëve moderne.

Dikujt mund ti duket i rëndë termi “skllevër pune”. Mua personalisht jo!
Duke ju renditur më poshtë disa argumenta nga jeta e emigrantëve jo klandestinë në Itali ju mund të më thoni nëse kam apo nuk kam të drejtë në padrejtësitë që i bëhen emigrantit jo klandestin ekstraitalian. Them ekstraitalian se në fakt rumenët janë komunitarë me të drejtat e plota të çdo komunitari europian.

1. Fitimi i të drejtës që qëndrimit
Një odise e vërtetë e shoqëron emigrantin derisa të arrijë të marrë të drejtën e qëndrimit në territorin italian. Një grumbull i pafund dokumentash që duhet të rinovohen një herë në vit, apo një herë në dy vjet. Radhët e pafundme përpara kuesturave të zëvendësuara me porcedurën e pafund të dokumentave nëpër xhiron e postës –Romë- kuesturë e anasjelltas. Të paktën një vit për të rinovuar permesson. E kur të vjen e rinovuar duhet të ripërgatitësh edhe njëherë të njëjtat dokumenta pasi e drejta e qëndrimit ka skaduar e duhet ta rinovosh!
E gjithë kjo për emigrantin do të thotë humbje kohe, dhunë psikologjike,(sa herë jemi bërë nervozë në dyert e kuesturës) e mbi të gjitha humbje financiare. Një familjeje normale prej katër personash, i kushton mbi pesëqind euro rinovimi i dokumentave. (Përfshirë fotografi, bashkimi i dokumentave, fotokopje, lënia e ditëve të punës, xhiroja në postë, taksa e postës, xhiroja në kuesturë, taksë shtetërore)

2. Marrja e shenjave të gishtave
Personalisht nuk kam qenë kundër marrjes së shenjave të gishtave. Por kur më janë marrë një herë me bojë, ashtu siç i merrnin qëmoti, dhe vazhdojni t’iua marrin kriminelëve në Shqipëri, sa herë e kujtoj më vjen keq nga vetja. E kjo keqardhje u shtua kur mu morën herën e dytë, pa kaluar dy vjet, kësaj here në mënyrë elektronike.
Mendova, shumë kush mund të ketë menduar: Në Romën e lashtë, skllevërit, kriminielët dhe kafshët, matrikuloheshin (shënoheshin) me djegie, me prerje të veshit, apo me bojë e sot, kohët moderne kanë sjellë në pushtet kompiuterin që e ka qendrën në rrethinat e Romës.
Mirë se i morën por a ka pyetur kush se ç’rezultat kanë sjellë në luftën ndaj kriminalitetit joitalian? A kanë ndonjë statistikë, në përqindje se sa është ulur kriminaliteti, për efekt të marrjes së shenjave të gishtave?
Me ç’jam në dije edhe ndonjë krimnel i kthyer rastësisht, është reabilituar më pas me ndërhyrjen e avokatëve që këtu në Itali nxjerrin nga burgu e reabilitojnë dhe terroristët e Brigatave të Kuqe!

3- E drejta e qëndrimit të përhershëm
Karta e qëndrimit është tjetër Kalvar i mundimit për emigrantin. Si të mos mjaftonte kjo, qeveria Prodi, që na la shëndenë në një ditë të bukur me shi, e pati ulur afatin nga dhjetë në pesë vjet. E hajde pyet po deshe se përse quhet Kartë qëndrimi e përhershme?

4- E drejta për të protestuar
De facto kjo e drejtë nuk na është mohuar asnjëherë. Por nga ana tjetër asnjëherë nuk na janë krijuar kushtet për të realizuar këtë të drejtë. Nëse provon të ngresh zërin për një padrejtësi sado të vogël ndaj punëdhënësit (padronit) të nesërmen, a të pasnesërmën, më mirë ik e kërko një tjetër padron. Se ndryshe rrezikon qëndrimin në Itali pasi ke humbur punën!
Në të njëtën kohë mungon, sensi i protestës së organizuar tek emigrantët. Mungonte dhe tek skllevërit e Romës së Lashtë (!)
Nëse emigrantët do të ishin në gjendje të organizonin vetëm një ditë grevë në të gjithë vendin, ajo përqindje lartë e mosbesimi në rolin e emigrantëve të ndershëm në rritjen e ekonomisë italiane, do të binte ndjeshëm. Madje dhe në krahun e atyre politikanëve që çirren nëpër tribunat e politikës italiane për rrezikun e përhershëm të emigrantëve.

5- E drejta e votës dhe shtetësia
Janë një argument i gjatë e në këtë shkrim jam pak i kufizuar. Por mjafton të vë në dukje se në të gjitha sistemet ekonomike të dominuara nga skllavëria legale apo e fshehtë ( e papranuar publikisht) e drejta e votës dhe e shtetësisë historikisht ju është mohuar vetëm skllevërve.
Gratë nuk kanë pasë të drejtë vote por kanë pasë të drejtë nënshtetësie. Kriminelët e kanë fituar në kohë të drejtën për të votuar. Emigrantët për shembull, emigrantët italianë, kanë të drejtë prej vitesh të votojnë në Amerikë.
E në këtë kontekst nuk mund të bëhet fjalë për të drejtën për tu zgjedhur, larg qoftë në ndonjë këshill komune, ku për arsye të lëvizjes emigratore këtu në Itali, emigrantët, përbëjnë mbi 40% të banorëve!
Mirë kush ka ardhur nga një shtet joitalian, apo ka lindur në një shtet joitalian. Po fëmijët tanë që kanë lindur në tokën italiane, studiojnë në shkollat italiane, qysh prej foshnjores e deri në universitet? Mos duhet një ditë të bukur, ta shohin veten në një avion të linjës, të shoqëruar me policë dhe një letër që i nxjerr jashtë nga shteti ku lindën dhe u rritën vetëm se nuk kanë një kontratë pune të përhershme dhe një pagë minimale?

Cila është përgjigjia e politikës antiemigrant?
A ka politika ndonjë zgjidhje tjetër në perspektivë, apo do të vijojë të njohë emigrantin si një skllav modern që duhet të ulë kryet e të punojë, shpesh, edhe jashtë kushteve minimale të punës e sigurisë?
Apo gjithë kjo është vetëm një lojë politike për të marrë vota e për të zgjatur jetën në politikë, duke përdorur kartën e sukesshme të luftës kundër emigrantëve për të ardhur në pushtet?
Pse jo?
Politikanët italianë nuk janë në masë, aq të pandërgjegjshëm, e të papërgjegjshëm, sa të mos kuptojnë nevojën e emigrantëve dhe rolin e tyre pozitiv në ekonominë italiane.
Ne emigrantët, pa dallim race, kombësie, shteti prej nga vijmë, jokriminelë apo kriminelë nuk duam dhe nuk duam të jemi trajtuar si skllevër të kohëve moderne!

lunedì, aprile 21, 2008

Qyteti i mjergulles

IL CITTA DELLA NEBBIA

Ra mjergulla mbi Alba
Mjergulla që fsheh gjithçka
Strukur në mjergull një shpirt
Një shpirt i përhumbur
Një shpirt rebel strukur në qytetin e mjergullt

I brishtë. I brishtë dhe i trishtuar, shpirti rebel u rebelua më shumë. Në shenjë sfide kundër mjergullës që fshihte çdo gjë, zuri vend në mes të trotuarit. U shtri në mes të rrugës. Vajzat e bukura, bukuria e tyre shëndrruar në siluetë, kalonin përdhunshëm mbi të. Përdhunisht e shkelnin me takat e holla të këpucëve. Shpirti gjakoste buzët prej dhimbjes. Nuk bërtiste. Nuk klithte prej dhimbjes. Rrinte shtrirë në trotuar. I mbytur në dhimbje, i mbytur në mjergull, i mbytur në harresë…

Alba, CN, It. Bar Roma, vjeshtë e dytë 2...

domenica, marzo 30, 2008

Pamflet :ZOTI NA RUAJTË POLITIKANËT SHQIPTARË! ZOTI NA RUAJTË QEVERINË SHQIPTARE!

-Për gjithçkaqë ka ndodhur, që ndodh, a që do të ndodhë në të ardhmen, në Shqipëri nuk është faji i qeverisë. Nuk është faji i pozitës. Nuk është faji i opozitës. Nuk është faji i politikës dhe i politikanëve. Faji është, dhe mbetet kopil, edhe atëherë kur autori i fajit është me prejardhje të kjartë kopilore. Faji është dhe mbetet kopil edhe kur faji bëhet nga vetë kopili.

Zoti na e ruajtë Shqipërinë!
Jo bre! Zoti na ruajtë qeverinë dhe politikanët shqiptarë! Se Shqipërinë e ruajnë këta të fundit. E ruajnë, e mbrojnë, e përparojnë me shumë dëshirë, pasion e vullnet. Ruajnë Shqipërinë dhe ruajnë banorët e mbetur në Shqipëri. Aq shumë i ruajnë sa prej dashurisë së madhe që kanë për ta ndonjëherë edhe i vrasin.
Edhe më budallenjtë e dinë se dashuria e tepërt vret ndonjëherë. Ndërsa dashuria e madhe që kanë politikanët dhe qeveritarët tanë të përndritshëm, që u ndrittë shpirti në atë botë sa më shpejt, aq e madhe është sa vret tash e parë. Vret më shpesh se duhet. Por gjithmonë në emër të dashurisë sublime!

Zoti na ruajtë politikanët shqiptarë! Këtu kam parasysh që Zoti, nëse ka kohë, duhet të na ruajë pesëdhjetë e kusur partitë, që i kanë hipur në kurriz Shqipërisë, e po ja lërojnë tokat mëmës Shqipëri (Në labërishten e vjetër fjala lërim nuk është për tokën).

Zoti i mbroftë, zoti na i ruajtë! –nëse i tepron koha! Se këta kryetarë partishë ditë natë mendojë për popullin, e duan popullin i tregojnë popullit ëndërrën sy hapur, për një jetë më të mirë, një herë në tre katër vjet. Shahen si zagarët me njëri -tjetrin e më pas shkojnë të gjithë, si zagarët mbas buçës, në të njëtin grazhd të prostitucionit politik. Në të njëjtin grazhd të korrupsionit material e moral.
Marrin në dorë frenat e korrupsionit të madh, frenat e korrupsionit të vogël, frenat e vjedhjeve të mëdha, frenat e vjedhjeve të vogla, e më pas vjedhin dhe vetë frenat ndërsa i thërrasin sho –shoqit, me jargët e yndyrës dhe alkooleve kontrabandë “Ti je hajdut!”

Zoti na i ruajtë politikanët tanë të pozitës, opozitës dhe politikanët që nuk i përkasin as pozitës, as opozitës, por ashtu si transeksualët shkojnë herë me njërën palë, e hërë me tjetrën, në emër të deklaratës universale të të drejtave të njeriut. Paçka se vetëm njerëz nuk janë politikanët dhe qeveritarët tanë. Janë diçka tjetër, –që Zoti i ruajtë!

Zoti e ruajtë Qeverinë Shqiptare. Sa herë që ndërrohet. Se kur nuk ndërrohet për një kohë të gjatë fillon e bie erë të ngjashme me parfumin që vjen nga shpërgënjët (panolinët) e fëmijëve kur nëna harron ti ndërrojë për një kohë të gjatë. Hundët e Nënës Shqipëri janë mësuar aq shumë me erën e politikanëve dhe të qeveritarëve tanë sa nuk e ndërron me asnjë nga parfumet e shtrenjta dhe jo të shtrenjta që qeveritarët dhe politikanët i hedhin fytyrës. Që nuk është fytyrë por diçka tjetër që i ngjan fytyrës.

Zoti na ruajtë Qeverinë! Zoti na ruajtë prokurorin e përgjithshëm! Zoti na ruajtë gjykatat! Zoti na ruajtë parlamentin dhe çka brenda ndërtesa e parlamentit! Zoti na ruajtë kryetaren e parlamentit! Zoti na ruajtë dhe Presidentin. Natyrisht zoti na ruajtë dhe Kryeministrin shqiptar!
Ky (këta) që është(janë) sot e zoti na ruajtë dhe ata që vijnë nesër!

Zoti na i ruajtë të gjithë bashkë, e të gjithë veç e veç! Se çdo herë që biem ngushtë a prej dashurisë politike, vritet (vriten) ndonjë (ndoca) shtetas të Shqipërisë këta udhëheqës materialë e shpirtërorë bëhen pjesëtarë të Urdhërit të Kalorësve të Fytyrave të Vrerosura, e na nderojnë, me gëzim të madh në varrimin tonë, duke na e lehtësuar hidhërimin!

Zoti na ruajtë politikanët shqiptarë! Zoti na ruajtë qeveritarët shqiptarë! Zoti na i mbroftë!
Zoti na i ruajtë nëse i ka tepruar koha dhe nuk ka punë tjetër!

Edmond Kaceli

domenica, febbraio 17, 2008

Me shpatë në dorë kundër korrupsionit!

Pamflet

Nga Edmond Kaceli

Shpikja e sprapsme e Balës (Berishës) dhe e pozitës shqiptare: Lufta kundër korrupsionit. Qeveria ka marrë shpatën në dorë dhe ashtu si Gjin Bue Shpata në filmin “Skënderbeu” që lufton turqit, i është turrur “yrysh” korrupsionit. (Gjini përpara se të merrte dhuratë shpatën nga kryetrimi shqiptar, kishte në dorë një kotruve e vriste nga dy turq njëherësh, -në filmin mitik)

Ndërsa Qeverrrrrria shqiptare në vend të koturves ka mbrehur shpatën. (Zot na ruajtë nga kënga: … mbrehu shpatën!).

Kryetrimat shqiptarë të udhëdreqtuar nga Kryetrimi i Kryetrimave Berisha po bëjnë namin kundër korrupsionit dhe të korruptuarve.

Në betejën kundër korrupsionit një rol të rëndësishëm po luan dhe opozita që në fakt është në pozitë në bashkitë apo komunat më të rëndësishme shqiptare. Kryetrimi socialist Rama me dy shpata në dorë udhëheq betejën socialiste. Njërën shpatë kundër zyrtarëve pozitarë dhe tjetrën kundër zyrtarëve opozitarëv socialistë që në fakt janë pozitarë. Pra beteja e socialistëve është më e lodhshme. Lodhja nuk merret parasysh, ngase Kryetrimi Rama është marrë dikur me sportin e hedhjes së… topit.

Gjëra të ngatërruara më shumë se leshi i arapit.

Meqënëse jemi tek leshi i arapit, lesh arapi janë dhe shifrat që i bëjnë të zezën korrupsionit.

Sipas shifrave zyrtare të dhëna, nga zyrtarë të lartë shqiptarë, indeksi (në zyrtarçe) treguesi (në shqip) i korrupsionit ( mbushja e xhepave me para të vjedhura- në shqip) ndër zyrtarët e lartë dhe të ulët, është 1.2 pikë më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian ku Shqipëria ka dëshirë të shkojë.

Për këtë arritje Shqipëria (qeveria) ka marrë si donacion (dhuratë) 14 mijë USD (dollarë) e pritet të marrë të tjera, që dreqi e di ku do të përfundojnë ashtu si dhe miliona të tjerë.

Me shpatë në dorë qeveria ka marrë në hetim 300 punonjës administrate. Ka kallëzuar për ndjekje penale (Zoti e di se kur do të ndiqen) 200 punonjës të rangjeve të dryshme.

Shpatës qeveritare nuk i kanë shpëtuar dhe punonjësit e armatosur të qeverisë. 100 policë të thjeshtë e jo të thjeshtë, me kobure në dorë, nuk kanë arritë me i bâ ballë shpatës që iu ka prerë ko… kën e korruptuar.

Llogaritë janë të ndërlikuara dhe të thjeshta. Nëse marrim 300 punonjës. I korruptojmë. 200 mbesin të kallëzuar penalisht. Njëqin dalin të pafajshëm. Mbesin 100 të korruptuar. Shtoju dhe 100 policë të korruptuar. Mbesin 200 të korruptuar përfundimisht. Pjestoje 14 milion dollarë për 200 të korruptuar. Kostoja e luftimi të korrupsionit është 70 mijë dollarë (USD) për një krye të korruptuar.

Shpatë më efektive është vështirë të gjesh në çdo vend të Europës që po na ndihmon me të gjitha forcat për të luftuar armikun Korrupsion!

Deri këtu kemi luftuar korrupsionin jashtë dyerve të qeverisë, jashtë dyerve të parlamentit. Edhe një dreq ministri –deputet, që e akuzuam me zhurmë të madhe, që dorëzoi dhe imunitetin (paprekshmërinë) e deputetit, më duket se ka dalë i pafajshëm.

Sherri është i Europës që nuk llogariti në paratë për luftën e korrupsionit, të na jepte dhe do para më shumë për të luftuar korrupsionin e qeveritarëve, a deputetëve. Historikisht ia kemi parë sherrin Europës.

Natyrisht për të luftuar një deputet apo ministër të korruptuar nuk dalin 70 mijë dollarë për krye.Të paktën kryet e tyre vlen dhjetë fish kryet e një polici të thjeshtë me kobure të ndryshkur nga mospërdorimi.

Problem tjetër mbetet edhe shpata në duart e qeverisë. Të presë 200 krena të korruptuara për 70 mijë dollarë njëra, shpat lodhet. I thyhet tehu. Bëhet e pamprehur. Europa nuk ka planifikuar asnjë fond për mprehjen e shpatës dhe ky është gabimi i sajë.

Në traditën e Gjin Bue Shpatës, mund të ripërdorim kotruven…

martedì, gennaio 22, 2008

Pamflet: PRODI FLET SHQIP: NJË PËR TË GJITHË TË GJITHË PËR NJË

Nga Edmond Kaceli
edmond.kaceli@gmail.com

FORLI' - "Chiedo al Paese uno scatto di orgoglio, di coraggio, di solidarietà"
-Këto fjalë të thëna nga kryeministri italian Romano Prodi tingëllojnë shumë mirë të shqipëruara në shprehjen: “Një për të gjithë, të gjithë për një!”
Në shqip tëngëllojnë më mirë dhe pas dorëheqjes së ministrit Mastella, që për hir të interesave familjare (personale) mbylli kapitullin e solidaritetit me qeverinë e majtë të qendrës së majtë, që anon më shumë nga e majta.

Orgoglio -Krenari, Coraggio -Kurajë, Solidarieta –Solidaritet.
Për studiuesit e shqipes, si një gjuhë me prejardhje indeuropiane, kjo nuk është një çudi. Gjuha italiane ka kopjuar shumë nga shqipja e vjetër për shkak të kushteve historike që kanë kaluar dy vendet tona të dashura, nëpër të cilat hyhet më shumë në mënyrë ilegale se sa me vizë të rregullt.
Ilegalisht, pa pyetur për të drejtën e autorit, Kryeministri italian kopjon një seri parullash nga ato të vjetrat dhe të rejat e krijuara me mund, djersë e sakrificë, nga populli shqiptar, nga ish –krijuesit apo pasardhësit e diktaturës së proletariatit, sot në shkallët më të larta të pushtetit qeveritar në vendin e Shqiponjave.

Është Vendi i Shqiponjave shpesh herë i udhëhequr prej Bijve të Gomerëve, me një popull të madh në vogëlsinë e tij, dhe të vogël në madhësinë e tij, prej të cilit kohët e fundit, Qeveria italiane e udhëhequr nga profesor Mortadela, po kërkon të marrë jo vetëm energji elektrike bërthamore. Përvoja e përndritur e parullave, (sloganeve), të qeveritarëve shqiptarë, po fillon të gjejë vend edhe në Italinë fqinjë.

Por jo vetëm importimi i sloganeve. Një tjetër bisnes i leverdisshëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri –Itali, është importimi i sukseseve të mëdha në qeverisjen e vendit fqinj.
Sukseset e arritura nga Qeveria Berisha, po i shiten medias italiane si sukesese të qeverisë së udhëhequr nga Prodi. Por jo në mënyrë të anasjelltë. Qeveritarët shqiptarë janë në gjendje të shesin krenari (tipike shqiptare); të shesin kurajo (tipike në rrjepjen e popullit); të shesin solidaritet (me njëri –tjetrin kur ju cënohen interesat); të shesin mend, (edhe pse të prodhuara me pakicë); të shesin po…rdhë (të prodhuara me shumicë nga fabrikat e pozitës e opozitës); të shesin Nënën Shqipëri (madje dhe nënën që ju ka bërë kryet).

Nga ana tjetër qeveritarët e Shqipërisë nuk mundohen të blejnë asgjë që të ndikonte sado pak në përmirësimin e gjendjes në vend.
Nëse pala shqiptare shet, pala italiane blen. Kështu kalohet nga pabariza në barazi e më pas në një pabarazi tjetër. Momentet që po kalojnë politikat e dy vendeve, apo dhe jeta ekonomike (kriza natyrisht ndjehet më e fortë në Shqipëri, por shqiptarët i durojnë më shumë krizat e forta) flasin qartë për këtë.
Mungesa e debatit mes pozitës dhe opozitës, intoleranca ndaj ideve të tjetrit, niveli i varfërisë (90 % e shqiptarëve dhe 17 % e italianëve poshtë këtij niveli me standarte, për fatin e të varfërve italianë, të ndryshme), reformat në ligjet elektorale, emergjencat për refomat në drejtësi, marrëdhënit tipike pozitë –opozitë etjerë, ngjajnë si dy pika uji në madhësi të ndryshme por me të njëtin efekt.

Kjo ngjashmëri shpesh ngatërron dhe analistët e paguar për analizimin e situatave. Edhe pse të aftë në profesionin e tyre, analistët me pagesë ngatërrohen përditë e më tepër në interpretimin e situatës: Shesin politikanët shqiptarë dhe blejnë politikanët italianë? Apo shesin politikanët italianë dhe blejnë, larg qoftë, ata shqiptarë?
Apo “Të gjithë për një, e një për të gjithë!”

E popujve të këtyre dy vendeve, në fund të fundit, ju kërkohet vetëm pak: Orgoglio -Krenari, Coraggio -Kurajë, Solidarieta –Solidaritet.
Vetëm pak… Për kusurin mendojnë politikanët.
Këta të fundit nuk pyesin për krizat politike. Sot është njëri. Bëhet krizë. Ikën. Vjen tjetri. Bëhet krizë. E fillon riciklimi sipas parimit shqiptaro- kinez: Një për të gjithë, të gjithë për një.

domenica, gennaio 20, 2008

NJERËZIT NDYJNË GJITHÇKA

Edmond Kaceli

Tregim

Bora filloi të mbulonte ngadalë rrugët e asfaltuara, çatitë e shtëpive, makinat luksoze, pemët dhe plantacionet e pafundme të lajthive. I Vetmuari i Madh, kështu e quanin “albanezin” tridhjetë e shtatë vjeçar, banorët e lokalitetit Tre Cunei, në Langhe, Piemonte, filloi të ecte me hapa të ngadaltë në rrugën kryesore. Dëshira e tij për të shijuar vetminë…, bardhësinë e virgjër të borës, ishte një dëshirë e kahershme e mbetur qysh prej fëmijërisë në fshatin e tij të largët dhe të fohtë atje në veri të Shqipërisë.

Një dëshirë e marrë e kishte mbërthyer dhe atë mëngjez të ftohtë dhjetori në Piemonte. Bardhësia ishte e njëjtë. Gjithçka ngjante me fshatin e tij. Vetëm se në fshatin e lënë pas mungonin rrugët e asfaltuara mirë, shtëpitë luksoze dhe komode, makinat, energjia elektrike, njerëzit e përgjumur… të tjerat njëlloj dukeshin. Qeshi. “Jorgani i Borës fsheh të gjitha ndryshimet!”

Vijoi të ecte përmidis rrugës kryesore. Mbi bardhësinë e borës piemonteze vetëm gjurmët e shqiptarit që kishte lënë borën e vendlindjes së tij të largët… Krejt i qetë dhe i zhytur në melankolinë dhe mallin e kujtimeve që të jep bardhësia e borës. Heshtje. “Heshtje e bardhë!” –mendoi tek hapat e tij humbnin në qetësinë e mëngjezit…

…Në shtëpinë e ngrohtë u kthye rreth orës nëntë. I pangopur zuri vend afër dritares. Borë dhe bardhësi e pafundme. Mendimet kushedi ku ndodheshin kur nëpër rrugë u duk njeriu i parë të mbinte nga shtëpitë e përgjumura. Me një lopatë të gjërë plastike në dorë filloi të pastronte borën përpara hyrjes në shtëpinë e tij. Zhurma e lopatës kur takonte me shtresën e trotuarit filloi ti acaronte nervat.

Pak minuta më vonë dhe një tjetër me lopatë. Një tjetër … dhe një tjetër… Për gjysëm ore dukej se krejt lopatat e fshatit kishin marrë përsipër të largonin borën nga hyrjet e shtëpive, nga rrugicat, nga trotuaret. Bora e larguar, zhurma e lopatave, bisedat në dialektin piemontez për dimrin e ardhur përpara kohe, kërcitjet e hapave dhe gjurmët e lëna nëpër dëborë filluan të shpeshtoheshin. Prej së largu vuri re një dritë të verdhë që sa vinte dhe afrohej aq më shumë zhurmë bënte. Nëpër asfalt traktori i borës largonte me shpejtësi shtresën e bardhë. Pas tij dhe një traktor tjetër, një tjetër…

Bardhësia e borës filloi të zhytej. Pamja tashmë e tkurrur në grumbuj dëbore të përbaltur dukej krejt tjetër. Shqiptarit tridhjetë e shtatë vjeçar, nga Veriu i Shqipërisë së Largët, filloi ti dhimbej bora. I ngjitur pas xhamit të avulluar të dritares shihte i pafuqishëm. Shihte i pafuqishëm për të kundërshtuar, traktorët, lopatat, dhe njerëzit që lëviznin me shpejtësi. Njërzit të aftë për të shkatërruar çdo bukuri. Njerëzit që ndynin gjithçka.
Prej dhimbjes u shkreh në vaj…

domenica, novembre 25, 2007

Pamflet: Parade me flamur te shkyer

Kryekaragjozët shqiptarë të politikës janë përgatitur për shfaqjen tragjikomike të radhës. Të ndërgjegjshëm deri në palcë për efektin mediatik dhe të mbijetesës politike kësaj radhe shfrytëzojnë, siç e kanë shfrytëzuar që nga viti nëntëdhjetë, Festën Kombëtare të Flamurit.
Berisha ka urdhëruar shtetin që bashkë me Festën e Flamurit të festohet dhe e ashtuquajtura Ditë e çlirimit.
Kjo i ngjan ofertës: Prendi due, paghi uno! (Merr dy festa bashkë dhe paguaj një).
Rama si udhëheqësi i përndritshëm i opozitës shqiptare lë mënjanë historinë dhë bën politikën e elektoratit të majtë, duke e urdhëruar Festimin e çlirimit më 29 nëntor, siç është festuar qysh nga 29 nëntori i 1944 kur gjermanët e fundit u larguan vullnetarisht nga Shqipëria. Madje e quan paftyrësisht: Nata e Bardhë (Note Biancha). Po të marrim parasysh se çfarë ndodhi pas 29 nëntorit, është e qartë se pas Natës së Bardhë (të Kuqe në fakt) erdhën mijëra net të Zeza.
Rama i Gjatë dhe historianët komunistë thonë se gjermani i fundit u largua nga Shkodra më 29 nëntor, pasi partizanët bënë luftë kundër tij për disa orë.
Historianët nacionalistë, të mbështetur dhe prej Berishës, ish-komunist i ndershëm, edhe ky i gjatë gati në nivelin e Ramës, thonë se data u caktua vetëm për efekt të vëllazërisë komuniste shqiptare -jugosllave.
Kur i thonë historianët edhe mund të mos jenë të vërteta por kur historinë e bëjnë Koka të Mëdha (Kryemëdhenj) dhe Shtatgjatë si Berisha dhe Rama, e vërteta ndahet përgjysë pesëdhjetë për njërin e pesëdhjetë për tjetrin. (Kristoforidhi i madh do ti emërtonte Ramë Shalëgjati dhe Sali Shalëgjati, në ndryshim nga Nano që mund të quhej Fatos Shalëshkurti)
Pa dashtë të fyej flamurin tim me shqiponjën dykrenore, krejt kështu është ndarë dhe opinioni shqiptar. Vetëm se Shqiponja për fatin tonë të madh e ka kryet më të vogël. E kryet e madh nuk është tipar i shqiponjës. Tjetër qenie jonjerëzore dykrenëshe mund të përfaqësonte politikën aktuale.
Atëherë shtrohet pyetja e vjetër: Kur u largua gjermani i fundit? Iku vetë më 28 apo 29 nëntor? U dëbua nga partizanët me 28 apo më 29 nëntor?
Në fakt sipas gjasave edhe sot e kësaj dite në Shqipëri vazhdojnë të jenë gjermanë. Madje vazhdojnë të vijnë përditë. Krahas gjermanëve vijnë dhe italianë, amerikanë, indianë, kinezë, turq, arabë, e dreqi e di se çfarë racash të tjera.
Atëherë kush na pushtoi? Kush na çliroi? Nga kush u çliruam?
Pyetje të vështira që vazhdojnë të marrin përgjigje të vështira për tu kuptuar.
Në kuptimin dhe për leverdi të fjalës, thotë një i njohuri im, sa të jetë festë është mirë, se kështu largojmë kryet nga hallet e përditshme. (Miku nuk thotë se kryet është plot a bosh me mend)
Në festa zakoni shqiptar e don që të shkohet me duart plot. Do të thoja dhe ballin lart, por ballistët janë armiqtë e partizanëve e nuk mund të rrinë rehat në të njëjtën sofër të përbashkët. Natyrisht në festë shkohet dhe me flamur në dorë.
E si duhet të jetë flamuri kur njëra palë feston 28- 29 nëntorin e tjetra feston vetëm 28 nëntorin.
Sipas teorisë kineze aplikuar gjatë miqësisë së madhe shqiptaro –kineze, në festat shqiptare shkohet rreth flamurit të bashkuar nëpërmjet ndarjes. E nëse nuk mjafton një flamur me shqiponjën dykerenore në mes, atëherë të nxjerrim dy flamuj me nga një kokë shqiponje që sheh në të kundërtën e kokës tjetër. Njërën pjesë të flamurit ta përdorin kush feston 28 plus 29 nëntorin dhe tjetrën kush feston edhe 28-ën, edhe 29-ën më 28 nëntor.
Në kuadrin e natyrës vëlladashëse të shqiptarëve asnjëherë nuk ka ndarje të barabartë. Kështu flamurit të shkretë (respekt për flamurin) nga tërheqja dypalëshe i bie të shkyhet. Të shkyhet dhe jo të ndahet. (Shkyerja është një tjetër tipar vëlladashës shqiptar)
Flamuri ynë, i ngritur në Vlorë më 1912-ën, i fëlliqur me yllin e kuq në 1944-ën, i pastruar në Shkodër në demonstratën kundër bustit të Stalinit më 14 janar 1990- ës, rikthehet të valëvisë i shkyer nga politika shqiptare në vitin 2007.
E nacionit (kombit) nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të urojmë njëri -tjetrin: Gëzuar Festat me Flamur… të shkyer!
Edmond Kaceli

giovedì, ottobre 25, 2007

Pamflet: NJË GOMAR ARRIN TË FLUTUROJË

POZITA: Gomari fluturon.
OPOZITA: Do të protestojmë afër organizmave ndërkombëtare.

SHQIPËRI. Gomari arriti të fluturojë. Ky ishte konkluzioni i mbledhjes së përbashkët të partive, që në ditët e mbrame arritën, pas stërmundimeve të mëdhaja, të krijojnë frontin “Bashkimi nëpër karrige”.
Një një komunikatë për shtyp të Mbledhjes Historike shpjegohej si, pse dhe kush Gomar arriti të fluturojë. Madje jepej edhe ora, minuti, dhe sekondi deri në të dhjetat, e momentit fluturues të kafshës tradicionale shqiptare.
Gjithmonë sipas komunikatës, dëshmitarët e vetëm që asistuan në okazionin e madh ishin kabineti qeveritar, kryeministri, përfaqësuesit më të lartë të udhëheqjeve partiake dhe zëdhënësit e këtyre partive që mbajnë pushtetin me të gjitha forcat familjare…

Agjencitë e huaja dhe tv-të perëndimore njoftuan edhe për pjesëmarrjen e përfaqësuesit më të lartë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Për çudinë e të gjithëve i vetmi rrjet televiziv që nuk u lejua të ishte i pranishëm qe TVSH-ja, pse, një mendje të gjitha partitë, iu hoq e drejta e transmetimit me arsyetimin se mund të çorientonte opinionin publik në favor të partive që kërkojnë të hipin nëpër karrige.

Po me vendim të njëzëshëm të bashkëthemeluesve të formacionit politik “Bashkimi nëpër karrige” qenia fluturake katërkëmbëshe u shpall “Anëtar(e) nderi” e grupimit.
Fluturonjësi në fjalë, sipas zëdhënësave të “Bashkimit nëpër karrige” me miratim, pa votim, e me konsensus të plotë të të gjitha partive anëtare, kishte vendosur të fluturonte në shenjë proteste ndaj shkeljeve të të drejtave të formacionit anëtar nderi i të cilit ishte shpallur. Në mënyrë të veçantë protesta drejtohej edhe ndaj dhunës që ushtrohej mbi të si intelektuali më përfaqësues i sojit të tij.

Ndërkohë burime të shtypit të mosvarun thonë se gomari fluturoi ngase Partitë në pushtet të përfshira në frontin “Bashkimi nëpër karrige” kishin prekur rëndë të drejtat elementare të fluturuesit. Ato, duke përgënjeshtruar njoftimin e partive të opozitës të mbledhura në formacionin politik “Bashkimi për në karrige”, se në Shqipëri nuk kishte fluturuar ndonjëherë asnjë qenie katërkëmbëshe, mundoheshin gjithashtu të sqaronin edhe organizmat ndërkombëtare pranë të të cilave ishte bërë prezent rasti i paprecedent, se kurrkund nuk mund të ndodhnin gjëra të tilla të habitshme.

“Do, apo nuk do, pozita, në asnjë vend të botës nuk kishte ndodhur të fluturonin katërkëmbëshat, pavarësisht se cilës forcë politike i përkasin”- thuhej në deklaratën e opozitës.
Opozita thekson se : Edhe në rast se gomari fluturon, së pari duhet të jetë një Gomar shumë Special, dhe së dyti duhte të ketë konsensusin e opozitës. Përndryshe fluturimi nuk ka vlerë shkencore, politike, ekonomike, a lajmore.

Në vijim të kundërdeklaratave pozitare dhe reagimeve të ashpra të “Bashkimit nëpër karrige”, pozitarët njoftuan për një protestë energjitike afër organizmave ndërkombëtare, në Helsinki, Nju Jork, Bruksel, Hagë, etj. Kundër ndërhyrjeve të brendëshme të opozitës në çështjen e fluturimeve dhe rekordeve kombëtare.
Me pjesëmarrjen e shumë prej tyre dhe sidomos miqve që thuhej se po iu shtoheshin shumë nëpër botën e qytetëruar. Burime të brendëshme pëshpërisin me siguri të lartë, se po përgatitet edhe një poster me kafshën e ndritur. Në qafë të personazhit mitik është varur tabela “Bashkimi nëpër karrige” dhe diviza “Drejt Europës për një fluturim të vërtetë”.
Akoma nuk kemi arritur të marrim konfirmim zyrtar, por, ka të ngjarë se nga një kopje e posterit iu është nisur me postë elektronike apo me DHL, Helsinkit, Komunitetit Europian, Këshillit të Sigurimt, etj. etj… Posteri shëqërohet edhe nga një rezolutë e klasifikuar “top secret”.

Fluturimin e përshëndetën me radhë Kryministri, Kryetarja e parlamentit, ministrat me dhe pa portofol, kryetarët e bashkive të pozitës, kryetarët e komunave të pozitës, krypleqtë e pozitës, familjarët e tyre dhe mbarë populli shqiptar i rrekur në fluturimin e tij 17 vjeçar drejt Europës.
Ndërsa presidenti i vendit ku sipas gjasave fluturojnë gomerët (sipas Kongresit të unifikimit të Shqipes) ruajti pozicionin e tij mbi partiak e asnjanës në lidhje me Fluturimin e Pasosur të qenies tipike shqiptare.

Zhvillime të reja interesante priten të mbushin eterin me lajmet më sensacionale, pasi nuk dihet nëse fluturuesi ishte gomar apo gomaricë…

giovedì, ottobre 11, 2007

KUR THIRREN FEREXHETË…

Edmond Kaceli
KUR THIRREN FEREXHETË…
-Përpara se të dalë një ligj për ferexhetë e femrave, më mirë do të ishte të bëhej një ligj për ferexhetë e shumicës së politikanëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë. Kështu së paku nëpër ekranet e TV-ve, nëpër gazeta a në internet, do të lexonim vetëm emrin, se fytyrën e pafytyrë do t’ua mbulonte më së miri perçja turke.

Ndue Ukaj: Për këtë temë në botën perëndimore bëhen debate të shumta, të gjithanshme dhe në përmasa të thella janë të angazhuara institute, bota akademike, elitat shoqërore, mediat. Ndërsa në Kosovë elitat, ato që duhet të reflektojnë ndjenjën e naltë të përgjegjësisë kundruall këtij fenomeni, rrinë duarkryq nëpër çatitë e qytetit të Prishtinës dhe vetëkënaqën me titujt e shumë që i mbajnë mbi supe. Ata nuk e thonë fjalën e tyre dhe ja lënë këtë problem serioz stihisë. Duke mos kuptuar se të qenit elitë nënkupton pikësëpari përgjegjësi të naltë, përgjegjësi para kombit dhe zhvillimeve shoqërore, çfarëdoqofshin ato. Ferexheja është një goditje kundër kulturës shqiptare, kundër identitetit shqiptar. Prandaj ajo duhet të ndalet nga shkollat dhe jeta publike shqiptare

Avni Dervishi:Pajtohem plotësisht me ty.
Ata që me të vërtetë ia duan të mirën Kosovës dmth ata që me të vërtetë dëshirojnë që procesi të përfundojë më shpejt me pavarësine e Kosovës duhet ta heshtin këtë debat.
Kur të bëhemi shtet, atëherë mund ta rifillojme debatin prapë.
Ne shqiptarët kemi shumë armiq. Nuk bën ta harrojmë këtë fakt.

I shkëputa në citim këto dy paragrafe nga shkëmbimi i ideve në mes dy intelektualëve shqiptarë të Kosovës, më së kjarti të shqetësuar për të ardhmen e kombit se cilido politikan i nivelit ligjëpërgatitës apo ligjëbërës në trojet ku flitet shqip.
Problemi nuk është vetëm për Kosovën. Ky do të ishte një e treta e së keqes shqiptare nga vetë shqiptarët. Problemi i mbajtjes së ferexhesë (asnjë fjalë nuk më duket më përfaqësuese se fjala turke), në ambjentet publike, është i lidhur ngushtë me trekëndëshin shqiptar: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni.

Çështja diku më hapët e diku më mbyllët, diku më egër e diku më butë, është hapur prej ditësh. Sa hapet në Shqipëri, (rasti i shkollares së përjashtuar në Durrës nga shkolla vetëm se paraqitej e veshur me simbolin fetar) fillon në Kosovë, e më pas do të shtrihet dhe në Maqedoni, ku edhe aty jetojnë në trojet e tyre shqiptarë që si kudo, kushtet historike a zgjedhja për besim, i detyruan të kthehen në besimin mysliman.
Çështja është e hapur dhe është e kotë të përpiqesh ta heshtësh. Sa më shumë ti lihet ky problem rastësisë aq më negativisht do të ndikojë në drejtim të mirëkuptim dhe bashkëjetesës fetare, model, të shqiptarëve. Kjo bashkëjetesë, model, fetare, nuk është aspak meritë e politikanëve shqiptarë por është dhe mbetet meritë e posaçme e të qenit shqiptar.

E keqja vjen, si gjithmonë nga politika: Përça e sundo. Këtë shprehje të vjetër latine, më së miri e kanë mësuar politikanët tanë të cilët nga njëra anë përziejnë shqipen me shprehje të cunguara, e të keqpërdorura, në gjuhët anglisht, frëngjisht, a italisht e nga ana tjetër fryjnë barkun e trurit me idetë e gjoja mbrojtjes së të drejtave fetare të marra, nëpërkëmbë, nga Askushi.
Pakkush më pak se politikanët tanë të përndritur është i shqetësuar për problemet e mbrojtjes së fesë. Feja e politikanëve shqip –anglisht –frënëngjisht –italisht –turqisht, folës është vetëm loja përfituese me ndjenjat fetare të myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve apo portestanëve shqiptarë.
Nëse vërejmë çastin kur rihidhet në tregun e politikës çështja e mbulimit të femrave shqiptare të besimit mysliman kuptojmë se sa antishqiptarë janë pjesa më e madhe e politikanëve tanë.

Ne mund të themi, kujt i dhimbset çështja shqiptare, mund të thotë: Pasi i zgjidhën të gjitha problemet mbarëkombëtare në Kosovë, Shqipëri Maqedoni e Çamëri, një mendje e përdritur, në fakt, disa mendje të përndritura bashkë, u kujtuan, se femrat shqiptare të besimit mysliman në Shqipëri dhe Kosovë kanë nevojë të vendosin ferexhetë. Përndryshe: shamitë, mbulesat e kresë, e pse jo mbulesat e fytyrës. Diskutimi dhe kërkesa për të bërë ligj një zgjedhje krejt personale u hodh në tregjet shqiptare të debatit, si çështje themelore e të drejtave të njeriut, si një hap pozitiv në drejtimin e bashkëjetesës fetare, deri që dikush e quajti dhe si një hap drejt integrimit europian që ndihmon çështjen kombëtare!

Jemi në Europë, mbi 40% e shqiptarëve të të gjitha besimeve jetojnë e punojnë prej vitesh në Europë, e kërkojmë të kthehemi në Turqi! Kur vetë Truqia ka përgatitur dhe po përgatit në mënyrë të shpejtë hyrjen fizike në Europë edhe pse e shtrirë në Azi! Them hyrjen fizike, se moralisht politikanët e Turqisë dhe populli turk e kanë shtruar rrugën e Europës dhe janë në Europë që me Mustafa Qemal Ataturkun –themeluesin e shtetit modern laik turk. Ky burrë i madh shteti per fatin e historisë tonë, nga origjina mëmësore ishte shqiptar.

Ataturkut (atë i turqve) i dihet babai turk dhe nëna shqiptare. Ndërsa politikanëve tanë që duan të nxjerrin ligje për mbajtjen e ferexheve iu dihet vetëm nëna.
Për këtë shkak, jo fort të vogël, ligjëbërësit tanë përpara se të nxjerrin një ligj për ferexhetë e femrave shqiptare, më mirë do të ishte të bënin një ligj për ferexhetë e shumicës së fytyrave të politikanëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, e Shqipërisë. Kështu së paku nëpër ekranet e TV-ve, nëpër gazeta a në internet do të lexonim vetëm emrin, se fytyrën e pafytyrë do t’ua mbulonte më së miri perçja turke, ajo e vjetra e viteve të sundimit otoman.

mercoledì, settembre 12, 2007

- Një piskamë e kujt e do ende Atdheun -

Daniel Gàzulli

Çashtja kombëtare, Kongresi i Drejtshkrimit dhe përgjegjësia kombëtare

- Një piskamë e kujt e do ende Atdheun -

Perendi, a ndjeve
Tradhëtarët na lanë pa Atdhe
E ti rrin tue gjuejtë n’rrëfé
Lisat n’për male kot.

Gjergj Fishta

Ardhja e komunizmit në pushtet, nevoja me mbajtë sundimin e tij gjakatar, ka qenë (e fatkeqësisht asht sot e kësaj dite) në bazën e luftës për shplamjen e trunit të shqiptarëve nga kujtesa historike, për tjetërsimin e tij edhe genetik, nëse do të ishte e mundun, e në këte hulli ka çue ujë edhe i ashtuquejtunit Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që solli gjymtimin e shqipes.
Do të ishte mjerane sot me rrah shtjellimin toskë e gegë, toskënisht e gegënisht. Nuk asht ky synimi im, joqë, do të ishte kundër parimeve të mia. Kur them se me të ashtuquejtunin Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972 u krye një akt antikombëtar, asht e qartë në dritë të diellit se akti nuk ishte thjeshtë kundër gegënishtes, por kundër vetë shqipes, pse me atë Kongres iu hoq asaj një pasuni e pamatë morfologjike, fonetike, leksikore, idiomatike e frazologjike. Iu hoq asaj kujtesa historike që vinte nëpërmjet Buzukut, Budit, Bogdanit të madhe e Bardhit, në kangë të lahutës e në atë muzikalitet të pashoq të Mjedjes. Teoria dhe praktika e përjashtimit të gegënishtes, pra, damtoi liksht mbarë shqipen.
E të mendojsh se e gjithë kjo punë u përligj në emen të parullës “një komb, një gjuhë letrare”, sikur shqipja s’paskish qenë një gjuhë edhe para ardhjes së kolerës së kuqe në Shqipni, e se shqiptarët s’paskëshin qenë një komb, çka e kanë thanë vetëm anmiqtë ma t’egjër të popullit tonë! Atëherë, çfarë? Mbas këtij “njësimi” të dhunshëm qenka detyrue edhe pjesa tjetër “jo shqiptare” a “pak shqiptare” me folë “shqipen” e “Zeusit”?!
Po mirëfillit, pse gjithë ky shëmtim? Pse, si vëren me shumë vend z. M. Elezi, donin, ma së paku, të na shkëpusnin çdo lidhje me rranjët. “Ma shumë se çdo gja rranjët i dhambin diktatorit. Sepse për të rrëzue nën vete atë lis gjigand që quhet popull, e pengojnë rranjët e tij. Duhet t’ia presë ato. T’ia gjymtojë e t’ia thajë pjesë pjesë”. E rrajët ma të fyqishme e ma të thella të këtij populli, si e kanë provue historianë e gjuhëtarë shqiptarë e të huej, ato rrajë që e lidhin të sotmen me lashtësinë iliro-pellazgjike, janë në gjuhë. E diktatorit i mjaftonte aq shqipe sa t’i bante me dijtë këtij populli se kudh donte me pasë kujtesë historike, nuk do të ngurronte t’ia priste as kryet, jo ma rrajët.
Të tjerë para nesh kanë trajtue mjaft gjanë cilët qenë damet që solli “standardizimi”, ndër ta zhdukja e paskajores, përdorimi i një pjesoreje me ndikime greke – mbrapashtesat “os”, “ur”, që nuk janë të natyrës së shqipes – përparësia e skajshme në përdorimin e “ë”-së edhe atje ku fjala e parme apo e prejardhun del detyimisht me “a” (sjellim si shembull: ranishtë, por - rërë- ………..), rotacizmi ekstrem (e këtu: synim, synoj – por syri) që e largon fjalën nga trajta e saj historike, përjashtimi i një numuri tejet të madh leksemash gege nga fjalorët, që i mungojnë toskënishtes, ose cilësimi i tyne “të vjetruara”, e s’do të kishin të numruem gjymtimet që iu banë shqipes. Po nuk asht prap qellimi ynë ky. Thash, të tjerë ma të dijshëm se unë i kanë shtjellue ma së miri (Beci, Elezi).
Jam i mendjes se një nga djallzitë që edhe sot e kësaj dite vijon me sjellë një dam të pallogaritshem, e me kalimin e kohës edhe të pandreqshëm, asht ideja naive, e bame për vete edhe jashtë kufijëve shtetnorë, se, tue qenë një komb, duhet të pranojmë e të përshtasim të njëjtat norma standarde. Por nuk thuhet se për ç’standard asht fjala. Nuk analizohet pikërisht kjo: që ajo normë standarde e miratume më 1972 asht dhunim i shqipes.
Jo, zotnijë! Një përceptim kësisoj nuk asht në shërbim të çashtjes kombëtare, joqë, e thanë pa mëdyshje, asht antikombëtar! Kush vazhdon të mbrojë krimin e 1972-shit, asht ose i verbuem, ose keqdashës (ma së paku – pse të gjithë e dijmë se në atë Kongres u vendue me i thanë Atdheut – atdhe, me “a” të vogël, kurse partisë – Parti, me “P” të madhe).
A asht e nevojshme me sqarue se nuk jemi me hedhë poshtë gjithçka u vendos në atë Kongres? Se ne ato vendime kishin derdhë dituninë e dashuninë e tyne shumë gjuhtarë të shquem e atdhetarë? Se ajo ngrehinë nuk asht për t’u shembë, por doemos duhet ndreqë, pse pjesë të saj të randësishme janë prej qerpiçi e një ditë do të na zanë nën te, nesë nuk i ndreqim me kohë.
Shekujt na kanë mësue se ka qenë e nevojshme e shpesh e domosdoshme me përtri, e jo rrallë me riba së pari, edhe ligje të shkencës, që në kohë të para na janë dukë si të shejta, prej Aristotelit te Koperniku, prej Njutonit te Ajnshtajni. Le ma nuk paskemi të drejtë me rimarrë në shqyrtim vendimet e një kongresi të zhvilluem nën trysninë e diktaturës!
Ata që janë endë ndër shkrime të vjetra e dijnë mirë se shqipja ka qenë qysh në krye të herës e njësishme e se të tillë nuk e bani ate Kongresi i 1972-shit, joqë, për fat të keq të këtij populli, pikërisht prej atij viti e sot ajo nuk asht ma e njësishme, po një version i dhunshem i një toskënishteje që nuk përfaqëson as toskënishten ma të lavrueme.
Atëherë çashtja shtrohet thjeshtë: A do t’u rrimë vendimeve të dhunëshme të atij Kongresi, e të lamë shqipen të birret, apo do të ndreqim çka asht e ndreqshme, pa ndikimin e politikës e të politikanëve, pa anësi lokaliste e marrëzi dialektombizotnuese, pa keqardhjen komikotragjike. Pra, me pak fjalë, sa nuk asht me të vërtetë vonë, të shpëtojmë shqipen e vetëm shqipen, jo gegënishten, pse atëherë do të ishte ana tjetër e medaljes me të njejtin rezultat tragjik.
Se si erdh puna e u moren ato vendime, na duket humbje kohe e me sprovue durimin e lexuesve me u rimarrë me atë temë, joqë dhuna e atyne vendimeve asht në dritë të diellit si njëgjasend që nuk ka nevojë për vërtetim.
Sot asht çasti me i thirrë mendjes, përgjegjësisë kombëtare, e gjuhëtarë të vlefshëm t’i shtrohen menjëherë punës.
Do të ishte e udhës që Prishtina e Tirana të merreshin vesht e të bashkpunonin. Por gjasat janë se kjo do të jetë e vështirë. Brezi i gjuhëtarëve të Tiranës asht i formuem mbrapsht, pikërisht nën ndikimin e “shkollës marksiste të gjuhësisë”, dmth të asaj shkolle që i vuni kazmën shqipes. Për fat të keq vërejmë se edhe jo pak gjuhëtarë të Prishtinës e të viseve të tjara shqiptare janë po nën atë ndikim. Atëherë çka, s’ka shpresë? Zoti mos e thantë këte!
Puna asht të kemi mirësinë e të dëgjojmë njeni tjetrin. Të kemi mundësinë me i shtrue gjanat e me i rrah në mes nesh. Nëse do të krijohet kjo mundësi, vështirë se nuk do të gjendet edhe gjuha e përbashkët.
Piskamat e vetmueme vështirë se mund ta sjellin në vete këtë popull të lodhun e shpresëhumbun. (Që viktimë e politikës së mbrapsht në çdo lamë të jetës, edhe atë shqipe të gjymtueme që na la diktatura po e ban çorbë me inglezizma e italianizma, perzie me turqizma e sllavizma, që Zoti na ruej). Atëherë duhet të zgjohen institucionet e ta marrin këte punë në dorë, o ma e pakta, ta mbështesin këte ndërmarrje jetike për kombin tonë. Nëse edhe institucionet duen me ruejtë të paprekun “status quo”-n komuniste të diktatorit Hoxha edhe në një çashtje si kjo, atëherë po, shqipja do të birret përfundimisht.
E s’na mbetet tjetër veç ta ngrohim plancin me hallvë, por të flasim në gjuhë të huej, një gjuhë të huej që nuk flitet askundtjetër në botë, një biçim sallate ruse italo-anglo-greko-sllave, melmye me turqisht.