Mendime te çmendura

Mendime të çmendura

Mendoj: Asgjë.

Bëj: Asgjë.

Them: Asgjë.

Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!

E. Kaceli

Lexues

Sunday, April 10, 2016

Duke pritë vdekjen... nga E. Kaceli


Prite të dielën
Nuk vjen. - të dielën është pushim
Vdekja të dielën nuk vjen.

Prite të hënën
E hëna është dita e parë e javës
e javës së mundimeve
                                  dhe stërmundimeve njerëzore
fillimi. -dhe Vdekja nuk vjen.
Vdekja nuk vjen të hënën
të hënë nis një shpresë
Dhe Vdekja prapë nuk vjen.

Prite të martën.
Prite. Ndoshta je me fat!
Fati ynë është Vdekja.
Vdekja -fati ynë i pralajmëruar!
As të martën nuk vjen
e marta është ditë, përgjithësisht e shenjtë.

Prite të mërkurën.
E mërkura është gri.
Vdekja ka ngjyrën e sajë. Vdekja nuk është gri!
Të mërkurën Vdekja të dërgon mesazh:
Rri i qetë! Të mërkurën nuk vij!

Të enjten. Do të vijë të enjten! Është ditë e zakonshme.
Vjen dhe të pret mundimin në mes. Dhe qeshjen!
Se ndodh qe njeriu qesh ne ditët e mundimeve!
Të enjten vjen Vdekja! Gëzohesh!
-Krejt kot. Krejt i marrë!
                                        -Harrove!
Vdekja as të enjten nuk mundet me ardhë!

Të premten. Vjen të premten. Ardhtë e bardhë!
E premtja është e zezë!
                                     -dhe vihemi në radhë...
Të presim Vdekjen
Të premten... E premtja është e zezë.
Vdekja është e zezë, (mashtruesja)
nuk vjen as të premten, në ditën që ka radhë!

Gdhihemi të shtunën. Të trembur. Erdhi fundi!
Kemi frigë. Vdekja do të vijë. Nuk ka shpëtim.
Nuk ka asnjë rrugëdalje. E presim.
E presim siç e pritëm të hënën, të martën, të mërkurën
të enjten, të premten... e presim të shtunën
Nuk vjen as të shtunën! E Pabesa!
Mortja e hëngërt Vdekjen!
E mallkojmë që nuk erdhi! E falim prapë:
Mbase të dielën... Përse të dielën...
Mbase të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten,
të premten, të shtunën...

Kur vjen Vdekja. Kur vjen?
Kur vjen kjo e e hidhur! Kur vjen kjo e çmendur?
Kur vjen kjo e marrë!
Harron gjithëherë të vijë kur e presim
dhe vjen pa na dërguar fjalë...

Edmond Kaceli

Itali, prill 2016