Mendime te çmendura

Mendime të çmendura

Mendoj: Asgjë.

Bëj: Asgjë.

Them: Asgjë.

Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!

E. Kaceli

Lexues

Sunday, March 18, 2012

Rruga ime nga E. Kaceli

-Asaj që duhet t’më dashurojë

Rruga ime
Rruga ime i ngjan rrezeve të diellit
ku drita të verbon, të qorron sytë
e bukur.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan zjarrit përvëlues
ku digjesh, digjesh si prej flakëve
të ferrit.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan natës pa yje, pa hënë
ku të sundon, të shtyp pesha
e territ.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan shkretëtirës paanë
ku çmendesh, çmendesh për një
pikë ujë.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan varrit të mjegullt
ku tretesh, tretesh, bëhesh
hiçgjë.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan pyllit të virgjër
ku hyn për të mos dalë
kurrë më.

Rruga ime
Rruga ime i ngjan…
Kujt i ngjan kaq shumë jeta ime?

Wednesday, March 07, 2012

Pamflet i ripunuar
Si mund të hyjmë në Europë? -nga E.Kaceli

Meqënëse Bota është pak a shumë sferike, unë, pas konsultash me politikanë dhe shqiptarologë të shquar kam arritë në një zgjidhje interesante dhe unike për nga shkalla e rëndësisë për kombin tonë!
Zgjidhja konsiston sa më poshtë:
Globi thuajse sferik, thënë ndryshe: thuajse i rrumbulltë.
Bota ecën gjithherë përpara.
Europa ecën gjithherë përpara.
Ne ecim gjithherë pas Botës.
Ne ecim gjithherë pas Europës. Shumë, shumë mbrapa sajë.
Nuk e kapim. E thënë ndryshe: Nuk arrijmë të hyjmë në Europë.
Ne kërkojmë t’ia hedhim Europës?
Ne ia hedhim Europës!
Ne bëjmë një: Prapakthehu!
 Pra ecim mbrapa. Ose më mirë, sipas të gjitha fakteve: Ne ecim mbrapsht. (Si mbrapshtanë që jemi.)
Por në fakt këtu, në ecjen tonë mbrapsht, qëndron ndryshimi. Sipas konceptit të Ecjes Relative, ecja jonë mbrapsht është ecje përpara.
Dy palët: Europa dhe Shqipëria, tashmë, në globin e rrumbullakët, ecin përpara me hapat e tyre.
Dhe takohen në një pikë.
Kështu i japim fund stërmundimit tonë për të mbërritë Europën. Për të hyrë në Europë.
Shënim:
Leksioni është i vlefshëm,  jashtëzakonisht, aktual edhe për në Kosovë.