Lexues

sabato, gennaio 13, 2018

Koha e marrinave! (Marrëzive)

Esse nga E. Kaceli

Hej dreq! -kohë e ligshtë paska ardhë lum miku virtual!
Ka ardhë një kohë e vështirë. Koha e marrinave!
Koha që në mënyrën ma paradoksale e quajmë: Kohë moderne!
Kohë interneti! Kohë rrjetesh sociale! Kohë... Kohë dreqi!
Kohë krizash mendore! –them unë.

Të gjithë hiqemi, edhe unë, (pra të gjithë), sikur jemi mentarët ma të mëdhenj të momentit, e mentarët ma të mëdhenj të ditëve që ikin. Parashikuesit ma të mëdhenj të ditëve që do të vijnë!
Shkruajmë...
Shkruajmë marrina për 24 orë rrjesht. Mundohna... Stërmundohna! -me i shitë në Tregun e Fjalës si kryevepra të mençurisë botnore!
Në Tregun e Lirë të Fjalës së përçudshme, të fjalës së përdhosun!
Inflacioni i Fjalës së Marrë është, ku e ku, ma i madh se inflacioni i secilës pare (monedhë) që shpiku njeriu.

Njeriu! Njeriu! -ky shpikës i madh, që nxjerr rregulla e ligje, për të kufizuar lirinë e vet! Njeriu, që shpik përditë mënyra të reja për vetvrasjen duke kujtuar se po sfidon Kohën! Kohën që Zoti ia ka dhanë për përdorim të përkohshëm. E njeriu –shpikës mendon si me ia falë Qoftë Largut!
Njeriu që gjithçka ka shpikë e mundohet të shpikë, vetëm ilaç për marrinat nuk i shkon ndërmend me studiua, me e zbulua, me e nxjerre në treg!

Klasike historia e biznesmenit që hapi një shitore ku shkruante: Shesim mend për njerëzit që kanë nevojë! Pas një kohe, krejt të shkurtë, shpalli falimentin!
E duke marrë shembullin e mosuksesit të tij unë, në blogun tim, ku pretendoj se jam krejt i lirë me shprehë marrinat e mija, para do kohësh shkruajta:

Mendime të çmendura
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!

Në mënyrë të çuditshme shumë njerëz gjetën veten dhe më banë aq shumë lajka (like), sa për një çast mendova mëdyshas: Na kanë lindë me ba asgja?!
E thashë me vete: Ndoshta mosha ka mbërritë me ba të veten... Ndoshta kam nisë me u çmendë... ndoshta ke nisë me u çmendë ti... ndoshta ka nisë me u çmendë ai?.. ajo?...
A kemi nisë me u çmendë nga pak, krejt pak, e ma vonë ma shumë, të gjithë... Një çmendi marrinash virtuale, fjalësh aspak të mençura e lajkash, lajkash pa fund... Një gjuhë e vetme, e ndërtuar prej një fjale të vetme! E mjaftueshme për të ndërtuar Kullën e Babilonit. Kullën virtuale të Babilonit. Kullën e çmendun të marrëzisë njerëzore!
Itali -fillim viti 2018

lunedì, gennaio 08, 2018

Shaj gjithkënd! - pa dallim feje, bindjejet politike, krahine dhe ideje!


Pamflet nga Edmond Kaceli

Një modë e re ka përfshirë nahinë shqiptare. Një modë e re e ngritun gati në art! Të gjithë shajmë të gjithë!
Duket si një parullë politike e kohës së Qoftëlargut "Të gjithë në luftë kundër mbeturinave mikroborgjeze!" për shëmbull!
Shajmë. Shajmë bukur. Shajmë e nuk ngopemi! Shajmë pa dallim bindjejet politike, pa dallime krahinore, pa dallime fetare!

Jemi mjeshtra të shamjes!
Shajnë fëmijët, shajnë të rinjtë, shajnë të rriturit, shajnë pleqtë...
Shajmë pa ide!
Shajmë çdo gjë shqiptare! Shajmë çdo figurë politike, fetare, krahinore, letrare...
E kqyrim njëri -tjetrin nëpër rrjetet sociale, duke thënë: A e sheh sa bukur e shava! A e sheh sa bukur të shava!
Moda e re tipike e shqipeve. E duket se jena populli që në gjithë europën di të shajë më mirë, më bukur, e më fort se të gjithë popujt ballkanikë, europianë, euroatalantikë, e më gjërë!
Dikush shan pellazgët e lashtë e lëvdon ilirët! Tjetri çohet prej gjumit në mëngjez e shan ilirët për hatër të arbëreshve! Ngrihet shqiptari modern aty nga gjumi i pasdrekes e fillon të shajë pellazgët, ilirët, arbëreshët, shqiptarët, e ngre në qiell të shtatë psh. grekët, turqit, italianët, gjermanët...

Shatë miljon shqiptarë në të gjithë botën! E prej këtyre veç nja katërmbëdhjetë miljon e quajnë veten analistë, vetëemërohen poetë, vetëthirren historianë, vetëkujtohen ekspertë të çështjeve fetare, diplomatike, gjuhësore e dreqi e merr vesh se çfarë atributit tjetër i japin vetes!

Çohet njëri e ia fut p.sh Ahmet Zogut për qef të Fan Nolit!
Ngrihet tjetri kundër Ismail Qemalit për hatër të Isa Boletinit!
Ia fut tjetri një të shame Naim Frashërit për hatër të Gjergj Fishtës!
I bie tjetri, ditën për diell Rexhep Qoses, duke thënë se ia futi për hatër të Ibrahim Rugovës! Shajnë Kadarenë për qef të Kasem Trebeshinës! E anasjelltas.
Shpifin për Shote Galicën!
Iu del punë me gruan më të famshme shqiptare Nënë Terezën!
Mbërrijnë në ekstrem kur mprehin shpatën kundër Gjergj Kastriotit(Skënderbeut), për hatër të dreqi e e di se kujt!

Vazhdojnë ekstremin e shamjeve duke sha myslimanët, gjoja, për hir të katolikëve, katolikët për hir të ortodoksëve, katolikët për hatër të myslimanëve... duke u ngatërruar edhe në çështjet e Zotit aq fort sa edhe Zoti vetë habitet!

Këta heronj të rrjeteve sociale, këta Askushë të dijes minimale, turren prej mëngjezit deri në darkë, e vazhdojnë edhe në gjumë t'ua fusin, në sensin figurativ, çdokujt burri, apo femre shqiptare, të famshëm(e) që i dha sadopak zë Shqipërisë!

Turren aq fort sa në ekstazën e sharjeve, e në tymin e famës së rrejshme, harrojnë me kqyrë të pasmet e tyne, ku pa dashtë, krejt pa hiri, krejt pa ndigju, e krejt ngadalë ia paskan futë vetit!

lunedì, dicembre 11, 2017

Sherr i madh në Shqipëri nga E. Kaceli

Pamflet

Sherr i madh në Shqipërinë e vogël!
Sherr i madh për zgjedhjen e Prokurorit të përgjithshëm.
Debat. Probleme! Shumë debat! Shumë probleme! -E më the, e të thashë.
Duhet një prokuror që të mos jetë...!
Duhet një prokuror që të mos ketë...!
Duhet një prokuror që të jetë...!
Duhet një prokuror që të ketë!

Nuk arrij t'iu kuptoj o bashkëatdhetarët e mij të dashur! Jam dakord se zgjedhja e Prokurorit të përgjithshëm është më e rëndësishme se buka që hani. (ose që ju mungon) Po pse gjithë ky sherr!
Pse?

A nuk e keni Prokurorin e Përgjithshëm në mesin e gjirit tuaj?
Dhe jo vetëm prokurorin! Në mesin tuaj keni edhe gjykatësin e përgjithshëm! Keni edhe autoritetin e përgjithshëm që ju fut në burg sa herë të flasë!
Keni Liderin e Math! (nuk është gabim drejtshkrimor)
Lideri i Math ka vite që bën apo kërkon të bëjë: kushtetutën, kryeministrin, presidentin, parlamentin, kryegjykatësin, kryeavokatin, kryegardianin! Pse të mos bëjë edhe kryprokurorin! I ka të gjitha resurset (në kinezçe të gjitha vetitë) që i duhen burrit të math të një palo shteti të vogël, për një palo post!)
Jepjani Liderit të Math, dhe postin e Prokurorit të Math dhe kështu hallet tuaja, o shqiptarë halleshumtë marrin fund një herë e të përmjerrë! (të përmjerrë por krenarë!)

Se Lideri i Math, i shumëndritur, dhe i përndritur, është në gjendje të dreqtojë me sukeses edhe organin e prokurorisë siç po dreqton të gjitha punët e tjera, në mënyrën më të përdreqosur të mundshme!

Kështu me një gur vritni shumë zogj! Kënaqet Lideri, lumturohet populli, është dakord edhe Luja, Vllahutini, bashkë me të gjithë trupat e ambasadave të akorduara në Shqipëri, përfshirë ambasadorin rus, izraelit e atë palestinez!
Emërojeni Liderin prokuror të Math, me vendim plebishitar (në kinezçe vendim popullor) dhe kështu marrim rrugën e sigurtë drejt zhvillimeve të reja e të paparashikuara demokratike...

Vetëm kujdes, mos më zgjoni Liderin e Vogël të opozitës. Mos e çoni Liderin e Vocërr prej gjumit, se dreqi e di i shkon mendja për ndonjë protestë të paparashikuar! Një protestë nga ato që vetëm ai është i aftë të organizojë, na prishën shumë punë!
Na prish punë e na lë pa Prokuror të Math! (të përgjithshëm).
Zot na ruaj nga fatkeqësitë e papritura!