Lexues

domenica, gennaio 21, 2024

Satirë: Zgjedhimi i foljes që nuk ekziston nga E. Kaceli


Kirurgu i famshem shqiptar sipas AI dhe @Kacelit

Kardilogoj
, koha e tashme, numri njëjës e pastaj shumës!
 
Unë kardiologoj
Ti kardiologon
Ai (ajo) kardiologojnë!
Ne kardiologojmë.
Ju kardiologoni
Ata (ato) kardiologohen!
 
(Në Shqipëri arrestohet një kardiokirug pasi jetonte me tri gra dhe abuzonte me një të mitur me pretendimin se donte të martohej dhe ta bënte gruan e katërt!
Nga ana tjetër ngrihet pyetja legjitime: Ku i merrte paratë për të mbajtur gjithë ato gra! SPAK-u duhet të hetojë urgjentisht!
Shqipëria -vendi i njëmijë e një çudirave!)
 
Janar 2024

domenica, dicembre 24, 2023

Origjina e Bakllavasë nga akademiku E. Kaceli

 


Bakllavaja është me origjinë të theksuar pellazge!
Pasi vdiq Skënderbeu (Gjergj Kastrioti për ne të kshtenët) Bakllavanë na e morën turqit! Madje nuk denjuan të na e dorëzojnë as në 1912 kur Ismail Qemali, shpalli mëvetsinë!

Me rrëzimin e sistemit komunist ua rimorëm përsëri! Dhe e kthyem në origjinë!
Ka qaq shumë bakllavë të akumuluar për Krishtlindje, Vit të Ri e festa të tjera, në gjakun e shqiptarëve sa të gjithë kanë probleme me sheqerin në gjak!

Për faj te Saliut (Berishës) nuk po na e njeh UNESKO si ambëlsinë tipike pellazge!
Qeveria e Skënderbeut të Spiropalit, me SPAK-un në krye po mundohet me çdo kusht të na e kthejë Bakllavanë, duke arrestuar Berishën e lobuar në UNESKO!

Inshallah këto Krishtlindje na japin ndihmën e duhur për këtë çështje kombëtare të origjinës pellazge të ambëlsinës simbol kombëtar! Kështu bashkohemi edhe me Kosovën nëpërmjet Bakllavasë!
Ju paça të gjithëve!
Gëzuar Krishtlindjen, Vitin e Ri, 17 shkurtin e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët katolike e ortodokes, Fitër Bajramin, Kurban Bajramin, Ditën e Sulltan Novruzit, 28 -29 Nëntorin, e të gjitha Festat që iu don e Bardha Zemër!

Festoni fort!
Por mos harroni origjinën pellazge të Bakllavasë e luftoni për njohjen nga UNESKO!
Ju paça!

(Ja dhe fotografite festive gjeneruar nga IA, sipas Kacelit -te gjitha te drejtat autorit)







venerdì, dicembre 08, 2023

Fija e Dritës




















Ti je ajo Fija e Dritës
që mban gjallë e ndez shpirtin tem
të plakun moshet
 
Ti je ajo Grimca e Dashtun e Dritës
që mban n'jetë shpirtin tem
trazuem gati n'shumje
 
Ti je Rrezja e Hollë e Dritës
E unë s'jam tjetër gjâ pa ty
vetëm Terri der'n'infinit të Jetës
 
N'fillim të Herës ishte Fjala
Fjala Dritë u bâ
Po të lutem fort:
Ndritma shpirtin pa prâ!

Itali, Dhjetor 2023

domenica, novembre 19, 2023

Foto pamflet: Toka i takon atij që e lëron! -Lezhë 2050 nga E. Kaceli

 Satirë mix: Në vend të një artikulli!

Toka i takon atij që e punon!- Reforma Agrare 1946

"Toka e atij që e punon" dhe "atij që jeton aty" Ligji 7501

(Falenderojmë shokun Enver Hoxha!
Falenderojmë profesor dr. Sali Berisha dhe parlamentin e parë pluralist!
Falenderojmë kryeministrat Edi Rama e Giorgia Meloni!)

Lezhë 2050, zona rurale.






















Imazhe te krijuara me intelegjence artificiale. nga E. Kaceli

sabato, ottobre 21, 2023

Thirrje për miqtë e mij fotografë të botës së egër nga E. Kaceli

-


Në mos paça të drejtë ju kërkoj falje!
 

Prej kohësh, fotografët shqiptarë të natyrës së egër, pjesa më e madhe e tyre jashtëzakonisht të talentuar, e me plot ëndrra, vullnet e pasion të përbashkët për natyrën e trojeve shqiptare, dhe për natyrën e egër në përgjithësi, po kalojnë sëmundjen e ndarjes, që rëndom prek shqiptarët!
Gjithësecili kërkon të lavdërojë veten dhe miqtë e afërt, duke harruar qëllimin e përbashkët të fotografëve të botës së egër që është e mbetet evidentimi i specieve të egra, mbrojtja e tyre dhe habitatit të tyre, shkëmbimi i përvojave, ekspot e përbashkëta promovuese të realizuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjërë!

Por kjo dashuri dhe vrull i fillimit është lënë në plan të dytë, apo të tretë!
Po të ndjekësh grupet, nëngrupe, e stërgrupet e krijuara pas suksesit të madh që pati grupi i Albanian Wildlife Photographer, dhe organizata me të njëjtin emër, kupton se përçamja, ka mbërthyer fotografët që mendojnë se gjithësecili është në të drejtën e vet! Por pa qenë të aftë me u ulë me njëri -tjetrin e me shoshitë mosmarrëveshjet!
Secilit në grupin e vet i duket vetja më i miri!

Sa i takon më të mirit kisha me dashtë me thanë se "Unë jam fotografi më i mirë i natyrës së egër këtu ku jetoj! Komuna, një si punë fshati, sipërfaqja 4 km katror, Albaretto della Torre, Itali, numëron 214 banorë! Mos t'iu duket pak se këta 213 banorët e tjerë, i përdorin iphone-t e smartphone-t në mënyrë të përsosun kur bajnë foto! Pra ka konkurrencë të madhe!
Kisha me thanë se jam edhe poeti ma i mirë i këtij fshati të bukur, por ka dalë një djalë i ri, vendali, që shkruan vargje fort ma bukur se unë!
Dhe jam shumë i lumtun, se me më çua rreziku me ra në qytetin më të afërt, Alba, që numëron mbi 31 mijë banorë, nuk e di a më pjerdh kush!

Nuk po diskutoj për vendlindjen time, një tjetër fshat, disi më i madh, (Shënkoll, Lezhë, Shqipëri,) zor se më lënë edhe në vendin e fundit!
Si fotograf, se poet apo gazetar, i kam edhe të paktën nja dhjetë -njëzet të tjerë që rreshtohen para mejet! Gjithmonë në rrethin katror: Pllanë -Zejmen -Shënkoll- Rrilë!

Jena ba ma keq se partitë politike! 30 fotografë, (afërsisht) shqipfolsa, te pasionuar mbas botës së egër ndahna në 50 grupe!
Kujtojme se bota sillet përreth nesh! Bota ka fotografë të mëdhenj të natyrës, sa me mbushë trenat, e na, të gjithë bashkë, as një autobus njëkatësh, nuk e bajmë!
E nuk jena aq të mëdhenj sa na ka hy vetja në hesapë!

Respekt për të gjithë ata që respektojnë pasionin tonë, e respekt për kush ka vullnetin e mirë me kenë të gjithë bashkë edhe kur kemi mendime të kundërta!
Lërini egoizmat se kush ka të drejtë e kush jo; se kush është i pari e kush është i fundit; se kush ka më shumë ndjekës e kush më pak! Kjo na len vetëm në vendnumëro e nuk shkojmë askund!
Jetoni bre, (Për hatër të Zotit dhe Natyrës!) në paqe me natyrën, me vetin, me miqtë, dhe me njerëzit që ju rrethojnë! Se edhe shpendët e një llojit kur fluturojnë në grup ndihen më të mbrojtur, më të bukur, më të fortë!
Ju paça!

Edmond Kaceli
Itali

sabato, ottobre 14, 2023

Tragjedi moderne poezi nga E. Kaceli

Realizuar me intelegjence artificiale @E. Kaceli

Në Vendin tim, në tokën e ikjes, në truallin e dhimbjes
Ikën të gjithë, bashkë me dhimbjen ngarkuar në shpinë
ngadalë, si një pendim gjigand gjatë një meshe kolektive!
në Kishën e Shpresës së Mbytur në heshtjen sublime!

Të parët u larguan njerëzit e zakonshëm, të pabujshmit,
të heshturit e përjetshëm nuk bënë lajm në edicionet pa lajme
Mëmëdheu s'kishte nevojë për shërbimin e tyre pa vlerë!
Statistikat zyrtare heshtën për numrat e panevojshëm.

Në Dheun tënd, të dytët ikën mjekët, përditë nga pak!
I fundit mori rrugën dje me një çantë mjeku në shpinë
të vetmen pasuri ngarkuar në avionin e parë të linjës
në shtetin pa pacientë, nuk kishin nevojë për mjekë!

Në Atdheun tonë, në vendin e heronjve, nuk ka më heronj!
I Mbrami Hero ngarkoi heroizmin në shpinën gjithë plagë
(plagët rridhnin diçka si punë gjaku, pa ngjyrë heroizmi)
ikën në kërkim të atyre që duhej t'iu shëronin dhimbjen!

Në Viset e atyre nuk ka më poetë që ti këndojnë gjithë kësaj!
I fundmi poet, mbetur aksidentalisht, ngarkoi poezinë në shpinë
Në shënjë proteste hodhi përtokë një grusht shpirt përzier gjak
mori ikën drejt Boshit Universal! Me avionin e linjës, u tret në qiell!

Në qiellin gri avioni hante bijtë e një vendi t'çuditshëm!
(pa njerëz të zakonshëm, pa mjekë, pa heronj, pa poetë)
Rrugëtonte avioni si një kanibal i plagosun teksa ushqehej
me bijtë (pasagjerë -viktima) të një hiç-vendi pa qiell...

Lajmet zyrtare thonë se avioni nuk është ulë ende!

Itali, tetor 2023
 

giovedì, settembre 07, 2023

Eshtrat poezi nga E. Kaceli


Une mbas 250 vitesh! Photo E. Kaceli

Koha ka mbjellë prej mijëra vjetësh
                                                         eshtra
në zemrën e Globit
vazhdon të mbjellë...

Eshtra vërtebrorësh gjigandë, përbindëshash
Eshtra fëmijësh njomëzakë, bij nënash
Eshtra varfanjakësh të zbehtë, laviresh
Eshtra manjatësh,
                            kriminelësh,
                                               princash
Eshtra heronjsh.

Eshtra luftërash të pafundme, prè
gurësh,
           shpatash,
                         plumbash
Eshtra katastrofash, vdekjesh natyrale
Eshtra tmerresh, vuajtjesh, skandalesh
Eshtra poetësh
                       politikanësh,
                                           shkencëtarësh.

Eshtra përrallash, legjendash, të vërtetash...

Eshtrat tanë
-mbjellë skaj më skaj të Globit
nga polet e akullta
në shkretinën e Gobit!

Eshtrat tanë
Rruga jonë e së shkuarës
Rruga jonë e së ardhmes...

Shqipëri, tetor 1989 - Itali, mars 2023

mercoledì, agosto 16, 2023

Varri i ushtarit Aldo poezi nga E. Kaceli

 
Varri i ushtarit       Foto E. Kaceli

Një kuadrat gurësh
një kryq i thjeshtë
një emër
një moshë (22)
një lule
Ky është varri i ushtarit Aldo!

Përkrah, qindra varre të tjerë
rrethojnë ushtarin Aldo
Dallojnë varret rrethuese!
(mermeri i rrallë, graniti
shkrimet,
               kryqet e bukura
E ndonjë statujë nxirë nga koha.)

Varri i ushtarit Aldo
i thjeshtë, ngulur në tokë
Heshtë pikëllimi 22 vjeçare
Shuar në mbrojtje të varreve të tjerë...

Dogliani, Itali, gusht 2023

domenica, agosto 06, 2023

TË JETOSH NËN SEKTIN E RILINDJES! -nga E. Kaceli Itali

 
-Për librin e dytë të shkrimtares Eralda Baze "Zambaku i Kanionit"
-Një tjetër zambak në letërsinë shqipe!


Letërsia shqiptare e 30 viteve të fundit ka vuajtur dhe vijon të vuajë për letërsinë e ashtuquajtur të rëndë: romanin. Mungesa e romancierëve të mirëfilltë në këto vite, me ndonjë botim të rrallë tek- tuk, dhe përhapja masive e poetëve të rrjeteve sociale, ka ndrydhur këtë zhanër të letërsisë shqipe në maksimum, duke e kaluar në plan të dytë ose të tretë.
Por me këtë nuk është aspak dakord romancierja e pazakontë Eralda Baze dhe shtëpia botuese "Schnell", që pas romanit të parë “Dielli më perëndon në Lindje” 2021, në top listën e shitjeve gjatë këtyre tre viteve, vjen me romanin e dytë "Zambaku i Kanionit".
Natyrisht në një vend ku korrupsioni, krimi, pafytyrësia e pushtetarëve, varfëria ekstreme dhe pasurimi ekstrem i një grupi të vogël njerëzish të lidhur ngushtë me politikën, të bësh letërsi të mirë është e vështirë, por jo e pamundur! Këtë na e vërteton në shkallën më të lartë romancierja Eralda Baze me romanin "Zambaku i Kanionit" dalë nga shtypi këto ditë prej shtëpisë botuese "Schnell" redaktuar nga doktori i shkencave Eris Rusi. Kopertina nga piktori Stefan Taçi, art design Xhoan Guga.
Romani i posadalë nga shtypi ka filluar të ngjallë interesin e lexuesve dhe kritikëve të etur për një letërsi të niveleve të larta!

“Ishte një vend që mbahej në këmbë nga paligjshmëria!”- thotë Italo Calvino
Kjo shprehje e shkrimtarit të madh italian është më aktuale se kurrë për Shqipërinë! Një vend ku paligjshmëria ka mbërritë në formën më të lartë të ligjshmërisë!
Kësaj teme i bie në mënyrë të drejtpërdrejtë, me shumë art e talent, shkrimtarja Baze!
Një paligjshmëri e ngritur në ligj nga e ashtuquajtura "Rilindje" që (cit) në fakt nuk është organizatë politike por "një sekt" rreth të cilit sillen politikanët e të gjitha ngjyrave! Gjithëherë sipas parimit: “Sot jam unë, sot vjedh unë! Prit të vijë radha jote!”
Strukturuar në mënyrë perfekte ku rrjedha e ngjarjeve nis në dukje e qetë, ashtu siç duket edhe shoqëria shqiptare nëse i hedh një sy kuturu nga jashtë! Por pasi fillon ta jetosh nga brenda, arrin të kuptosh ritmin negativ në të cilin noton krejt vendi!

Personazhet e romanit janë pjesa e dukshme e Atdheut që ndodhet i mbërthyer keq në grackën e Sektit të Rilindjes!
Në një vend ku Safija i detyron bashkëpunëtorët e afërt ti thërrasin Sofi, ku kapterrët e komunizmit janë kthyer në gjeni të kapitalizmit tipik të barkderrëve shqiptarë si Dine Daci! Personazhe groteske, që edhe fëmijët i edukojnë me armiqësinë ndaj dijes dhe librit! Kjo armiqësi ndaj dijes, ndaj mendjes së hapur, sjell si pasojë dhunën në familje, plaga e hapur thellë e kësaj shoqërie! (Rita me Nikun)
“Edhe një shkëmb është më i ndjeshëm ndaj klithmës së grave, sesa sistemi i drejtësisë në këtë vend” -gati sa nuk ulëret Baze!
Menjëherë babëzia ekstreme e pushtetit! Babëzi që të çon rëndom në dyert e gjykatave të korruptuara deri në palcë! Të korruptuar në atë masë sa kur gjykatësit provojnë të jenë ndryshe ndodh ajo që thotë autorja "Gjyqtare që nuk mbrojnë dot veten!”
Krejt si nën pushtetin e një sekti mafioz ku politikanë e majtë e të djathtë bashkohen në korrupsionin ideor, monetar e seksual që është ulur lakuriq në të gjitha nivelet e zyrave dhe zyrtarëve të sektit! (shtetit)
Jeta e njeriut, në një vend si Shqipëria: "Ndërsa në vlerë monetare, sipas ministres së Financave, jeta e një shqiptari nuk meriton më shumë se 130 Euro/muaj". 

Sekti i Rilindjes, dhe pjesa gjoja në opozitë e këtij sekti, kanë sjellë në parlament personazhe groteske të botës së krimit e padijes, armiq të kulturës, fjalës së lirë, tutorë prostitutash, narkotrafikantë, kriminelë si Rafet Dajaku!
"- Me lekë dhe me ligje, unë fshij bythën! – i hakërrehet deputet Rafeti. I hakërrehet që çke me të! Pse, kot kishte paguar një thes me pare për atë mut mandati? Në publik duhej gjithmonë të thoshte “fituar… kam fituar mandatin”. Kështu e kishin porositur shokët e Rilindjes."
Pra kriminelët me jaka të bardha nuk ndalen para asgjëje! As përpara fatkeqësive natyrore si tërmeti apo më pas Covid -19! Fatkeqësia e njerëzve shihet vetëm si burim pasurimi nga politika dhe politikanët! Asgjë më tepër!
"Pastaj vjen tërmeti si dorë e Zotit të zemëruar për të rrënuar më keq këtë popull dhe këtë vend që: Pikëllimi i ka zënë vendin e oksigjenit, lotët atë të dioksidit. Njerëzit thithin pikëllim dhe nxjerrin lotë. Kjo është frymëmarrja e re e këtij vendi të gjunjëzuar"
“Pas varfërimit të madh dhe shpopullimit të shpejtë, tërmeti duket gozhda e fundit mbi arkivolin e shqiptarëve…"
Këtu fillon të kulmojë romani (që ngjan me një pamflet të mirëfilltë kundër politikës shqiptare, por pa e ulur në asnjë moment anën artistike -strukturore të letërsisë së rëndë)  me një tjetër alternativë: të arratisjes nga Shqipëria!
Baze e shikon idealisht fshatin si shpëtim! Fshatin si alternativë e ikjes nga Shqipëria, në fakt si alternativë e arratisjes nga Tirana, nga "sekti i Rilindjes" që ka betonizuar kryeqytetin, por që po shëndrron në beton e hekur gjithë Shqipërinë!
Por edhe kjo alternativë e fundit e qëndrimit në Shqipëri po vdes nga rrëmbimi, shqyerja dhe shkërdhimi i virgjërisë së natyrës!
Personazhi i Seferit thotë, ndërsa sheh fshatarët që shqyejnë Tomorrin, malin e Shenjtë, "Ata trutharë që sheh përballë kanë vetëm gojë. Gojë për të ushqyer. Të mëdhenjtë sipër tyre kanë vetëm thasë, thasë për të mbushur me lekë. Kështu vazhdon zinxhiri i maskarallëkut në këtë vend."
Por e keqja të gjen edhe në vendet më të bukura e më të virgjëra të natyrës siç është Ujëvara e Sotirës!
"Ngaqë e keqja sot vjen me fytyrë njeriu, që flet në gjuhën tënde? Me një gjuhë shumë lajkatare madje, kur ka votime. Të vjen me buzëqeshje, të puth duart, të përqafon, të qan hallin, të premton zgjidhje. Të kërkon besën, pastaj të kafshon pak e nga pak. Në fillim, herë nuk e ndjen, herë nuk do ta kuptosh. Kur më në fund e ndjen dhe e kupton, është tepër vonë. Kuçedra veshur me kostum firmato t’i ka ngulur dhëmbët deri në kockë! Por nuk mbaron këtu! Të detyron edhe të kërcesh! Të kërcesh si Çeçua! Me një tallava të pështirë që refrenin e ka, gjeje pak … “Ta hëngsha zemrën!"

Edmond Kaçeli, Itali