Lexues

martedì, ottobre 01, 2024

Mëkatar poezi nga E. Kaceli


Kisha me dashtë, fort
kisha me mujtë me pasë dëshirë
me bâ të gjitha mëkatet që si bâna kurrë
qysh se leva, fmì, e der' sa u bana burrë
(O ç'fjalë e randë fjala burrë!)
Pra tash që mosha po ikë, si pa u ndì,
Kisha me dashtë me bâ mëkatet që s'bana
Falje mos me lypë për to
E me u bâ hì!

Edmond Kaceli, tetor, Itali 2024


sabato, settembre 28, 2024

Pamflet: Kryeministri nuk është budallë! Thjeshtë duhet t'i rregullojnë dorën dhe dozën e Hashures! nga E. Kaceli



Qef o qef, që bën dervishi

bukë, raki e thela mishi
(Kushtetuta e HashurRepublik neni nr.1)
-Krijimi i shtetit Bektashi, brenda Shqipërisë zyrtare, vërteton faktin se Toka është e sheshtë!
( Kushtetuta e HashurRepublik neni nr.2)

Italia, të vetmen luftë të vërtetë, pas humbjes së Luftës së II Botërore, e ka bërë kundër shtetit Ishulli i Trëndafilave, krijuar mbi një platformë detare, nga inxhinieri gjenial Giorgio Rosa, e shpallur shtet i pavarur nga Italia në maj të v.1968. Shteti italian ndërhyri me forca speciale dhe i vuri tritolin duke i dhënë fund kështu Republikës Esperantiste prej 400 m2!
Për dijeni të Spiropalit është edhe film "Isola delle Rose"!

Pra siç shihet krijimi i mikroshteteve, brenda shteteve, nuk është një gjë e re! Çdo budallë, ose budallë -gjeni, në secilin shtet të botës, mundet me u çua prej gjumit në mëngjez, e mundet me shpallë krijimin e një shteti në oborrin e shtëpisë së vet!

Në vijim mund të them se ideja për krijimin e një shteti Bektashi në kryqytetin shqiptar është shenjë hyjnore që Baba Tomorri ia shpalli në fillim Edi Ramës e më pas edhe Edmond Brahimaj, (ndryshe Baba Mondit) ndërsa konsumonin një tas me Hashure në Selinë e Kryegjyshatës!
Është hyjnore se iu shpall direkt Gjeniut të Politikës Shqiptare, Karburantit të Satelitëve, Mishëruesit të Skënderbeut, Ndezësit të Inceneratorëve, Krijuesit të Aeroporteve, Ndërtuesit të Urave të Çelikta, Liderit Botëror të Turzimit, Krijuesit të Ballkanit të Hapur... (Me krijimin e Bektashianit të Pavarur thjeshtë: Tash e tutje ndër heroizmat dhe tituj e shumtë onorifikues, i shtohet edhe: Krijues Shtetesh te Pavarura!)

Për të gjithë skeptikët dhe septikët, që kanë vjellë, e vijonë të vjellin, vrer kundër Gjeniut Global gjërat janë më të thjeshta se duken!

Kushtetuta: Kushtetuta nuk shkelet! I japim Baba Mondit, për territor, një nga kullat, psh atë buzë Xhamisë së Et'hem Beut në Tiranë! Ndërsa tokën e mbajmë për vete! Kushtetuta, mbi tërësinë territoriale, nuk shkelet! Republika është e sigurtë!
Çështja Kombëtare: Nuk ndikon negativisht, në Çështjen Kombëtare, fakti se shtojmë numrin e shtetve shqiptare në Ballkan! Ne, spjegon, Gjeniu Final, "rrisim prezencën tonë në OKB! Duke pasë kështu dy shtete brenda Shqipërisë! Në njërin shtet lëmë President kapterr Bajramin, në tjetrin automatikisht bëjmë President Kapterr Mondin!
Kryeministër të Përbashkët e të Përjetshëm lëmë Edi Ramën! Kryeparlamentare kemi Elizën, ministër financash ekstradojmë Ahmetajn, shëndetësinë ia lëmë Beqes...
A do të funksjonojë? Kështu iu mbyllet goja dhe të gjithë atyre që mendojnë se Republika e Hashures, ideuar nga Kryeministri Ynë i Lavdishëm, i Gjithëndritëshm, i Fortlumturueshëm, nuk do të funksionojë!
Po, do të funksionojë njëlloj si të gjitha mrekullitë gjeniale të firmosura prej Tij! Ura e Kukësit, Aeroporti i Kukësit, Aeroporti i Vlorës, Aeroporti i Divjakës, Aeroporti i Vermoshit, Akademia e Çobanëve, Satelitët, Inceneratorët, Anijet e Energjisë Detare, Ballkani i Hapur... e shumë e shumë mrekulli të tjera të realizuara në Epokën e Rilindjes!
Emri i Shetit: Ka pasë ide si Bektashistan, Bektashian, Mondian, Edramian etj. -E quajmë thjeshtë Republika e Hashures e mbyllet ky hesap!

Meqënëse jemi tek Hashurja, kam një lutje për Baba Mondin! Kur konsumoni Tasin me Hashure, bashkë me Gjeniun tonë të Gjithëndritshëm e të Përjetshëm, Mistikun e Math, thjeshtë rregullojani pak dorën dhe dozën hashures se latë nam!

Shënim: Kjo puna e mikroshtetve është, larg qoftë, sëmundje ndërkombëtare! Ja disa, më të spikaturat:
Sealand: Një mikronacion i ndërtuar në një platformë detare kundrejt brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar. Është shpallur i pavarur në 1967. Ka pashaportën dhe monedhën e vet!
Principata e Hutt River -it: Në Australi. Është deklaruar e pavarur nga Leonard Casley në v.1970 pas një sherri me qeverinë australiane!
Republika e Molossia-s: Një mikroshtet i shtrirë në Nevada, USA, themeluar nga Kevin Baugh. Ka ligjet e veta, flamurin dhe valutën e vet!
Principata e Seborga-s: Në Liguria, Itali. Kjo është shpallur e tillë duke u bazuar në dokumenta historikë të periudhës Mesjetare! 
Liberland: Deklaruar në v.2015 nga Vít Jedlička, ndodhet në mes Kroacisë e Serbisë, në një pjesë toket pa zot! (E ne ankohemi për Nua Rrokun!)
Meqë doli fjala tek Zoti Toks Nua Rroku, në këtë drejtim edhe shqiptarët janë shquar për krijime të tilla fantastike:
Gjatë periudhës 1912 -1944 janë ndërtuar, gati, një qeveri shqiptare për numër banorësh! Dhe secila e quante veten shtet! Shteti i Vlorës, Shteti i Durrësit, Shteti i Tiranës, Shteti i Shijakut, me në krye Haxhi Qamilin, Republika e Mirditës...
Apo së fundmi edhe Principata e Libofshës, Fier, ideuar dhe mishëruar në figurën e Jarl Alexandre de Basseville që veç Alfred Cako mund të na ndriçojë lidhjen e tij me Shqipërinë!

Baba Tomorr, Kisha e Laçit, Sar Salltik: na mblidhë mendtë të gjithëve pa dallim feje, krahine apo ideje!

giovedì, settembre 19, 2024

Helm... poezi nga E. Kaceli

Krijuar me IA nga Kaceli



Prej vitesh e pi nji kupë malli
Nji kupë -kristali mbushun idhnì
Nji kupë të idhët,
                             djegëse,
                                          helm
Kupë -mall -helmi
Fort larg vendit tim
Etshëm pi ditë e natë
langun vrastar
mshehun në kristalin e rrallë
në nji kohë pa fund, e krye
infinitivisht të gjatë
pi e nuk po din me u mbarua
aj mallkim -kupë -mallë
Mbytem n'helm!
N'helmin e mallit
Vdes ngadalë...

Itali, Shtator 2024

venerdì, settembre 06, 2024

Satirë: Petrit Kalakulla, Nikollë Lesi dhe Ministreshat e të Madhit Fare! nga E. Kaceli

Dal web



Petrit Kalakulla
, (ndjesë pastë) ishte ministër Bujqësie, aty nga viti '93, në qeverinë Meksi (të drejtuar nga Sali Berisha)! Ky burrë i nderuar u dorëhoq, pas pak kohësh, se nuk ishte dakord me ligjin 7501, e kërkonte modifikime në favor të pronarëve të vërtetë të tokës!

Gjatë kohës që ishte ministër mblidhte kryetarët e rretheve, të asaj kohe, në cilësinë e kryetarëve të komisionit të tokave, dhe iu kërkonte trajtimin me përparësi të pronarëve të vërtetë!
Një ish kryetar rrethi, më tregonte, se gjatë një mbledhjeje të tillë, ministri i nderuar, nxehet aq shumë sa i thotë njërit: Dëgjo ti kryetari i rrethit X! Sillu mirë me ish -pronarët se do ti var brekët në majë të xhamisë! -Në kuptimin se do të mbash përgjegjësi deri në shkarkim nga detyra!
-Në fakt fjala, (tregojnë gojët e liga) nëpërmjet SHIK-ut të Gazidedes,(gjë e rrallë),  ra në veshin e Saliut e Kalakulla u dorëhoq "me propozim nga poshtë, e me vendim nga lart". Kështu brekët e kryetarit të rrethit X nuk e panë veten në majë të xhamisë!


Historia e dytë ka ndodhur në redaksinë e gazetës "Koha jonë" dhe e kam përjetuar personalisht, kur punoja, aty!

Na mbledh Nikollë Lesi, të gjithë stafin, përfshirë edhe ne gazetarët e rretheve, për të na "tërhequr veshët", në një nga ato mbledhjet e forta,  ku Nikoja shpirtmadh, e i zemëruar,  na "bërtiste" e na "kërcënonte",  "me ndryshime në redaksi", "me ulje rrogash", "me largime nga puna"...
Në një moment kulminant, Lesi lëshon një nga ato shprehje tipike: "Dëgjoni këtu! Nëse nuk bëni të pamundurën për të qenë të parët në tregun e gazetave, do iua pres koqet!"
Të gjithë ramë në heshtje varri! Ulëm shikimet në mes të shalëve! ...
Papritë, aty nga fundi i sallës shpërthen e qeshura e fortë, e Fluturës (mbiemri s'më kujtohet!), një nga sekretaret më të jashtëzakonshme që kam njohur gjatë viteve të punës në Koha jonë!
Bërtet Nikoja: Pse qesh ti! Nuk të besohet!
Në qeshje e sipër Flutura arrin të shqiptojë: Shef, më vjen keq! Unë nuk kam koqe!
Mbledhja përfundoi në klubin e famshëm afër gazetës, ku si gjithmonë paguante Nikollë Lesi!


Gojët e liga thonë se këto ditë u mblodh në sekret të fortë zyrtar, udhëheqja e lartë e Rilindjes, e Qeverisë dhe e grupit të socialistëve në Parlamentin shqiptar! Për arsye pune! -mungonte vetëm presidenti Bajram Begaj!
Sipas traditës, të drejtën e fjalës së parë, të fjalimit, të pyetjeve, diskutimeve e të fjalës së fundit e ka vetëm Nr 1! I Madhi Fare!
I Madhi, me fytyrë të ngrysur nga hallet e shumta të qeverisjes së suksseshme, foli dhe për korrupsionin, në rradhët e Rilindjes!
Korrupsionin nuk ua solla unë! Korrupsionin e gjetëm në qeveri të trashëguar nga qeverisja e Saliut!..etj, etj. etj.
Gojët e liga thonë se në një moment, gati delirant (të pazakonshëm për të Madhin Fare!) Ai shtoi:
Ja ku po ua them këtu!!! (Dhe bam, bam, bam! -grushtat mbi tavolinë) kushdo që dyshohet, përflitet, apo (larg qoftë) kapet në afera korruptive, Unë, Unë bashkë me SPAK-un, do iu heqim brekët nga koka! E do iu varim në mes të sheshit!
-Në këtë moment solemn, shpërtheu një e qeshur masive nga ministrat dhe ministreshat e Qeverisë së të Madhit Fare!
Këtu mbledhja mbaroi!
E në mos e paçi kuptuar pse qeshën qeveritarët e qeveritaret, lexojeni edhe një herë nga fillimi!

E. Kaceli

venerdì, agosto 30, 2024

Sirenë... nga E. Kaceli


Krijuar me IA


Sirenë e Detit, puthmë fort!
-ndërsa të shoh drejt në sy
Më kthe në më të ashprin gur!
Më gjuaj larg! Më mbyt në det!
-t'mos më gjejnë kurrë!

Skiathos, Greqi, gusht 2024


giovedì, agosto 08, 2024

Gjarpnì poezi nga E. Kaceli




















Edhe sot prej trupit tem
u çua një gjarpën
për me e nisë gjarpnisht
ditën
 
Lypi me dalë prej kafkës
diku, nga gropat e syve
nxorri kryet n'qetsi
kqyri
 
Tanë ditën e lume
rrëshqet, del e hin
prej gropave t'syve t'mì
tinzisht...
 
Përditë nje gjarpën helmues
turret prej syve të mijë
e s'po di: Asht vdekje
a dashni!
 
Asht mbramje vonë
Gjarpni po kthehet n'kafkën teme
Nesër, prapë i duhet me dalë 
n'shetì
 
N'zgavrat e syve t'mi të mekun!
Pushon, bjen me fjetë
Flen n'shtratin e trupit tem
dekun!



mercoledì, luglio 31, 2024

Shqipëria digjet! Nga E. Kaceli

 
Krijuar me IA

Në Itali:
-Një palë doreza për zjarrfikësa kushtojnë rreth 100 euro.
-Një komplet për zjarrfikësa kushton rreth 1000 euro.
-Një makinë zjarrfikëse, sipas karakteristikave, 200 mijë deri në 600 mijë euro.
-Një helikopter kundër zjarrit, sipas karakteristikave e madhësive 80 mijë deri në 1 miljon euro.
-Më i miri Helikopter urgjencash, Erikson S-64 F,  rreth 30 miljon euro (Zjarrfikësat italianë disponojnë 2 copë, Italia rreth 6 të tillë)
-Një Canadair kushton rreth 25 miljon euro (Italia ka 19 copë ne flotën e sajë)
 
Në Shqipëri:
-Një kapele e thjeshtë polici ka kaluar shifrën 250 euro.
-Në vitin 2018 Qeveria ka shpenzuar rreth 400 miljon lekë të reja, për 12 makinat e prefektëve të 12 qarqeve
-Dy satelitët e lëshuar nga Edi Rama në hapësirë llogariten afërsisht 6.2 miljon euro për tre vjet!
-Ilir Beqaj i kushtoi Shqipërisë disa miljona euro.
- Francesco Becchetti kushtoi Shqipërisë 110 miljon euro.
-Djegësat e plehrave, që nuk janë vënë në funksionim asnjëherë rreth 430 miljon euro!

....etjere etjere etjere...
 
Shëngjini digjet. Vlora digjet. Shqipëria vazhdon të digjet.
Zjarrëfikësit dhe policët shqiptar fikin zjarret me duar, lopata e të veshur me bluza me mëngë të shkurtra!
 
Edmond Kaceli

mercoledì, luglio 24, 2024

Kam me u bâ pleh nji ditë


 
Jam ajo gjethja gati e thame
që rrxohet ngadalë mes përmes pyllit
e n'sa i afrohet dheut në t'rame
përkëdhelet fort prej rrezeve të diellit
 
Jam gjethja e hollë, e fort e thame
kur pushon përjetshëm n'gji t'ferrit
kur bjen lehtë n'tokën e vrame
n'tokën helmueme prej njierit
 
Po pra! Krejt njishtu kam me mbetë
E ì ditë kam me u bâ pleh, aty parit
n'rrugën e pyllit pa gjurmë, tretë
me i dhanë jetë fijes së barit.
 
Albaretto della Torre, IT, 2024


giovedì, giugno 27, 2024

Refleksion: Vampirët e Onkologjikut! nga E. Kaceli





Skandali më i madh ndoshta s'ka ndodhë ende në Shqipëri!
Por skandali i mjekëve të Spitalit Onkologjik, në këtë fund qershori 2024, ku mjekët i shohin pacientët terminalë si bankomat për të bërë pushime në Maldive, është unik! Unik por jo i fundit!
Unik në llojin e tij! Por kurrë nuk është skandali i vetëm në mjekësi!

Se ç'ndodh, të paktën me 80% të pacientëve, mjekëve, e personelit spitalor në atë vend të rrënuar moralisht, s'ka kronikë e zezë dhe e zezuar që ta tregojë!
Vampirët e Sistemit Spitalor Shqiptar të rrjepin shatëdhjetë herë për të shpallur të sëmurë, për të kuruar, për të gjysëm kuruar, apo për të siguruar një vdekje në kufijntë e normalitetit të vdekjes!

Në sjelljen e këtyre mjekëve njerëzorja ka marrë arratinë!
Vendin e kanë zënë monstrat, që sa të shohin në derë të spitalit harrojnë fjalën: Pacient!
Për këta vampirë me bluzë të bardhë, i sëmuri është vetëm burim i parave për të rritë babëzinë që ka shkuar deri në monstruozitet!
Asnjë lloj komenti, asnjë lloj fjalie, asnjë lloj mallkimi, asnjë lloj dënimi nga drejtësia shqiptare, nuk mjafton për të shëruar mjekësinë shqiptare nga kjo sëmundje e rëndë që është ngritur në Sistem!
Dhe kjo është  keqja!

(Shënim: Si gishtat e dorës nëpër spitalet shqiptare, mund të gjesh edhe mjekë -njerëz që janë si dhia e zezë, në mes të deleve të bardha shëndrruar në vampirë!)



Imazhet jane krijuar nga E. Kaceli, me ndihmen e IA

 

giovedì, giugno 06, 2024

Wildlife: Korçari i gjarpërinjve! nga E. Kaceli

Timber rattlesnake ( Crotalus horridus) lloj gjarper me zile 


Lindur në qytetin e Korçës, 49 vjeçari Edmond Themeli, emigrant që prej 2015-ës  në Usa. Djali i piktorit të shquar korçar Andrea Koço Themeli, mjeshtër i rrallë në gjininë e vështirë të grafikës!
Edmond Andrea Themeli, njihet në rrethin e fotografëve shqiptarë të natyrës së egër si Korçari i Gjarpërinjve. Një ndër ekspertët e paktë të herpologjisë (degë e zoologjisë që merret me studimin e reptilëve dhe amfibëve) në trojet shqipfolëse!
Mjafton të përmendet fakti se ka prekur, me duart e tij, mbi njëmijë gjarpërinj të llojeve nga më të padëmshmit, si bolla e shtëpisë, deri në gjarpërinjë më të rrezikshëm e më helmues si një lloj i gjarpërit me zile!

Mondi, (për miqtë), thotë se gjithçka ia kushton babait!
"Babai im, ishte shumë i dhënë pas peshkimit. Mbaj mend që më merrte me vete që në moshë shumë të vogël. Ndërsa ai peshkonte, unë, si fëmijë shumë kureshtar, kërkoja bretkosa të vogla, larva dhe qenije të tjera ujore. Mrekullohesha ti shihja si lëviznin, si ushqeheshin! Studioja sjelljen e tyre, dhe orët kalonin pa kuptuar, ndërsa kridhesha në vëzhgimet e mija."
Në këtë moshë ai pati edhe përvojën e parë me gjarpërinjtë, prej ku lindi dhe u zhvillua thuajse në profesion, admirimi i reptilëve dhe studimi jetës së tyre!
"Një ditë teksa babai ishte përqëndruar pas peshkimit vura re një gjarpër uji në bregun tjetër të lumit! Në pamundësi për ta parë më afër (nuk kishte ndonjë urë për tu hedhur në krahun tjetër) fillova të qaja nga inati.
Pas kësaj në ditët në vijim, ndërsa im atë peshkonte , unë "peshkoja"  gjarpërinj! Kryesisht te llojit Natrix, gjarpërinj uji, jo helmues.
Kështu me kalimin e kohës fillova të mësoj më tepër rreth natyrës së gjarpërinjve, të gjej specie te tjera, ti fotografoj, të luaj (në kuptimin figurativ) me to!
 
Ndërsa buzëqesh po ti kërkosh përvojat më të rrezikshme me gjarpërinjtë!
"Besoj ka qenë kur kapa nepërkën e parë ( Vipera ammodytes )!
Mbaj mend, me një shok fëminije. Pasi dolëm nga shkolla, e mbajtëm frymën diku në një përrua që ndodhej pak a shumë afër fabrikës së qelqit, në afërsi të fshatit Mborje. Duke kërkuar buzë përroit, me shpresë se do shihnim ndonjë gjallesë! Papritur më zuri syri një gjarpër duke notuar. Deri në atë moment kisha parë nepërkë vetëm në foto e libra.
Të them te drejtën nuk pata shume frikë, por si për çudi gjunjët filluan të më dridhen. Isha shumë nervoz. Sigurisht për një fëmijë nuk është e lehtë të ngacmosh gjarpërinj helmues. Madje është e rrezikshme ti ngacmosh! Mbaj mend përdora një shkop për ta kapur ashtu siç kisha parë në tv, dhe me sukses munda ta kapja.
Më vonë fitova një farë eksperience, dhe si të thuash nuk kisha më frikë! Përkundrazi më pëlqente, më emociononte, çdo sekondë e harxhuar në gjetjen dhe prekjen e këtyre zvarranikëve.

Mondi nuk ruan statistika të veçanta! E ka vështirë, thuajse të pamundur të thotë një numër të saktë të gjarpërinjve që ka kaluar nëpër duar! Por duke u nisur nga fakti që përvojën e ka nisur që në moshën 5 vjeçare thotë: "Kam kapur mbi një mijë ekzemplarë gjarpërinjsh të llojeve nga më të ndryshmet, e në vende të ndryshme, kryesisht në Shqipëri ashtu edhe në Usa!"
 
Përvoja dhe kurioziteti i pafund i ka sjellë dhe takimin me llojet më të rrezikshme të gjarpërinjve më helmues! Një e tillë ka qenë përvoja me një lloj të gjarpërinjve me zile Timber Rattlesnake ( Crotalus horridus ) që për habi u soll krejt paqësor, pavarësisht rrezikshmërisë dhe helmit vdekjeprurës!
 "Gjarpëri nuk demonstroi asnjë sjellje agresive, nuk u shqetësua kur e mbajta lart në ajër duke e kapur në pjesën e fundit të trupit, afër bishtit, a thua se kjo ishte dicka shume normale për të!
Që prej asaj dite mund të kem parë e prekur, rreth tetë individë të së njëjtës specie, e  në përgjithësi kishin një sjellje të qetë, me përjashtim të disa momenteve kur dukeshin disi të shqetësuar nga prania ime. Në këto raste bënin zhurmën kërcënuese, me zilet në fund të bishtit, si paralajmërim për të mos rrezikuar më shumë!
Ky besoj ka qene kontakti më i rrezikshem, mbase!"
Vlen të përmendet se shumë lloje të rrezikshme të gjarpërinjve me zile, sidomos disa specie qe jetojnë në Texas, California, Arizona …etj janë Diamondback Rattlesnake (Crotalus atrox ) si edhe llojet e gjarpërinjve koral, konsiderohen shume helmues.

Gjarpëri, kjo krijesë mistike, që e ka shoqëruar njeriun që prej Krijimit, të gjall frikë dhe instiktivisht të ngjall ndjenjën e vetmbrojtjes, duke e vrarë gjarpërin, edhe kur nuk të sulmon! Ndërsa Korçari ynë, Edmond Themeli e mendon ndryshe! Krejt ndryshe!
"Për mendimin tim gjarpërinjtë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në natyrë! Në Usa, këtu ku jetoj, shumica e specieve të gjarpërinjve janë jo helmues, dhe si të ngjashmit e tyre, e kam fjalën për speciet që gjenden në Shqipëri, gjarpërinjtë e ujit, bollat etj, ushqehen me brejtës, amfibë, peshq, zogj, apo insekte!
Kështu pra janë miqtë më të mirë të fermerëve, për faktin se shfarosin sasi të mëdha minjsh e brejtës te ngjashëm, që dëmtojnë të mbjellat!
Nga ana tjetër dihet botërisht se nga helmi i gjarpërinjve prodhohen ilaç të pazëvendësueshme për kurimin e njeriut!
Gjarpërinjtë janë kafshët më të keqkuptuara! Si shumica e kafshëve të egra i shmangen kontaktit me njeriun. Por aksidente ndodhin, fatkeqësisht, kur i shkelim pa dashur, dhe kur gjarpërit nuk i ngelet rrugë tjetër veçse të vetëmbrohet!"
Themeli mendon se baza është edukimi i njeriut që në moshë të vogël me mënyrën e sjelljes kur shohin ndonjë gjarpër në habitatin e vet.

Por Korçari i Gjarpërinjve,  Edmond Themeli, ka përveç pasionit për gjarpërinjtë në mënyrë të veçantë, edhe botën e egër në përgjithësi, i pëlqen të fotografojë, të lexojë në kohë të lirë, i kushtohet artit të pikturës, vizatimit, trashëguar nga babai, dëgjon muzikë,  këndon... Pra është i dhënë pas natyrës, dhe pas artit në të gjitha format e tij!