Lexues

mercoledì, febbraio 16, 2022

Pumpkin -Kungulli -poezi satirike nga E. Kaceli

 


 














Çdo qajse, përqasje, ngjasje a përngjasje, me kungull real, është gati krejt e rastësishme dhe gati krejt e paqëllimshme!
 
E morën Kungullin e vunë në komandë
veç mori Kungulli një hije të randë!
E morën Kungullin e banë Mbret
e fjalë të urta prej gojet po qet!
 
Hijë të randë, kostum, kollarë
prej mendve të shumta pak kryet varë
varë kryet e randë e fjalët po i l'mon
mjeshtër i madh, majë karriges k'non
 
Këndon me zjerm, me pathos flet
asht ma i meçmi i nahisë së vet!
Prej nadjes der' n'darkë veç perla urtijet
asht fort i meçëm, Kungull Malsijet!
 
Kungull Malsijet, fort kryet e madh
me ba me dashtë ta zgjidh noj hall
i frymë në ftyrë e kryet sa i'kosh
përjashta i bukur, e mrenë krejt bosh!

Itali, shkurt 2022

sabato, gennaio 29, 2022

Kur maskat të bien... poezi nga E. Kaceli

 

 











Kur distancat të bien
të rrëzohen, krejt si Muri i Berlinit
me zhurmë kur ra,
pa zhurmë kur u ngrit
prej fantazive t'liga t'sundimtarëve t'botës
ku mbetëm t'prangosun,
                     t'mbyllun
                     t'izoluem
pa mujtë me ba nji hap afrimi
Kena me kuptu sa mirë ishim të distancuem!

Kur maskat të rrëzohen
prej fytyrave tona të lodhuna
kur maskat ti hedhim si zhele t'pavlera
                                                  përtokë
kena me pa të vërtetën
lakuriqësinë e fytyrave t'shoqi -shojt
kena me u kujtua, atëbotë
se t'mirë,
sa t'bukur,
sa realë,
ishim me maska...

 
Janar 2022, Itali

domenica, gennaio 23, 2022

O ç'kam me vdekë një ditë! nga E. Kaceli

 
















O, ç'kam me vdekë nji ditë
                                           nga kafshimet
nga kafshimet e pabesta të njeriut tinzar!

Kam me vdekë i helmuem
-pa derdhë grimën e gjakut
prej trupit tem të lodhun
pa ndi dhimbje
                       -askund
në asnji qelizë
vetëm kam me ra pabesisht
                                           përtokë
nën pabesinë tinzare të kafshimit
                                           gjarpuner
mbretni e frikshme,
-Kam me humbë patjetër!

O ç'kam me vdekë një ditë
prej kafshimit të pabesë, tinzar!
Kam me vdekë!
Kam me harru me marrë frymë!
 
E pranoj!-kam frikë...
 
Shqipëri, shtator 1989 -Itali, janar 2022

domenica, gennaio 16, 2022

Dashuri në kohë e terrorizmit! Nga E. Kaceli, Itali

 

Eralda Baze Foto E. Kaceli

Shënim për romanin bashkëkohor "Dielli më perëndon në Lindje" të romancieres Eralda Baze
 
Sipas Gabriel Garcia Marquez ka pasë "Dashuri në kohën e Kolerës"!
Romancierja shqiptare Eralda Baze thotë "Dielli më perëndon në Lindje!"
Sipas mejet, romani, i shkrimtares bashkëkohore shqiptare, që po rrin në listën e librave më të shitur në Shqipëri, duhej të kishte një titull tjetër të ngjashëm me të Markez-it, një titull më tregtar!
Për shembull:"Dashuri në kohën e terrorizmit"
E kur flasim për terrorizmin nuk kemi parasysh terrorizmin që ka thjeshtë një shpërthim eksplozivi apo bombe! Shpërthimi  është vetëm rezultati final! Vdekja fizike e njeriut!
Vdekja fizike nuk është asgjë në krahasim me vdekjen shpirtërore që i ndodh përditë e nga pak intelektualit shqiptar!

Nga faqja e parë, e deri në fundin tragjik të romanit, autorja ka sjellë, pa  e deklaruar asnjëherë (dhe kjo është arritja më kryesore e romancieres Baze) këtë formë të terrorizmit!
Terrorizmin ndaj intelektualëve, në Shqipëri, në Ballkanin tmerrësisht lindor, e në përgjithësi në Lindje.
Tirana është pasqyra më e spikatur, pasqyra më reale. Përpara se të marrë formën e një bombe shpërthyese në një vend të Lindjes, ku perëndon tragjikisht dielli, terrorizmi ndaj intelektualëve ka fillua qysh më herët! Na shoqëron kudo: Në shtëpi, në zyrë, në ambjentet e punës, në rrugë, para televizorit, në median e shitur, në kafe...

Me një gjuhë të zhdërvjelltë rrëfyese, njohëse perfekte e strukturës së romanit bashkëkohor, ku përzihen në mënyrë të përsosur humori, ironia dhe autoironia, limfa e jetës, autorja bën autopsinë e kohës dhe gjëndjes në të cilën ndodhet intelektuali shqiptar!
Ambjenti mbytës, paragjykimet, dhuna psikologjike dhe ajo fizike, dhuna e fjalës, mungesa e kushteve më normale të një shoqërie normale, janë fillesat dhe vijimësia e terrorizmit që do të finalizohet me një shpërthim vrasës!

E ndërsa ti, intelektuali i sotshëm (personazhet e romanit) lypën rrugëdaljen nga terrori psikologjik dhe psikopatia mërzitëse e Tiranës, përfundon rrugëve të botës, ku fati yt si intelektual shqiptar i ngjan, tmerrësisht, fatit të intelektualëve të mbarë Lindjes!

Eralda Baze, na bën të ndjekim, thuajse me një frymë, nga faqja e parë, deri në të fundit, pa e ndalë asnjë moment ritmin narrativ, dramën intelektualëve shqiptarë të rinj, që kërkojnë të bëjnë ndryshimin! Ndryshim që ndesh në rrugë dramën e intelektualëve të Lindjes!
Një dramë, në dramën e madhe, spikat drama e femrave intelektuale shqiptare tipike e femrave të Ballkanit, e femrave të Lindjes, dielli i të cilave, perëndon përditë nën trysninë e maskilizmit, në kërkim të një rrugëdaljeje të kotë! Një rrugëdaljeje krejt të pamundur!
Shpërthyese...

Një përgëzim edhe për botimet "SCHNELL" që ia kanë dal të zgjedhin me guxim e sukses, në mes prezantimit të një autoreje të panjohur deri tani për publikun dhe përfitimit nga tregu i rrëmujshëm i librit në Shqipëri, që si rregull publikon e promovon vetëm emra të njohur të prozatorëve të huaj!

Edmond Kaceli, Itali, janar 2022

domenica, gennaio 09, 2022

Kur u shembën statujat... nga E. Kaceli















Kur u shembën statujat
(nën rrëmujën dhe delirin e turmës)
turma u çmend prej gëzimit...
Në çmendje e sipër, turma e çmendur
filloi ndërtimin e statujave të reja
Themelet po ato!

Vetëm një, theksoj, vetëm një,
nga mijërat e turmës së çmendur
u afrua të shihte bronxin hijerëndë
derdhur sipas formave të atyre që
                                                   dikur,
në një kohë të afërt, sundonin turmën!
Forma të bukura, bronx i cilësisë së lartë!

Hodhi sytë brenda, ndërsa turma në delir
vallëzonte përreth themeleve
në pritje të statujave të reja
                                           sundimi

Kurioz i madh! Hodhi sytë!
-pa boshllëkun e madh brenda statujave
Ishte një njeri i vetëm!
Përballë mijërave turmave të çmendura...


Itali, janar 2022

mercoledì, dicembre 15, 2021

Atmosferë festash 2021! nga E. Kaceli




Zvarritje e përvitshme
Lodhur, gjymtuar ma fort
Krejt zvarrë po ikën... Fundviti!
 
Maska që kalojnë fantazitë
Fantazitë njerëzore zënë frymën
                                          me maska
Zvarriten ditët e fundvitit
njerëzit zvarriten pas tyre
Ekzistencë çalamane...
Maskuar deri në sy
në sytë e tretun rrugësh pa drejtim!
 
Plastikë lulesh...
plastikë dritash...
plastikë fjalësh...
plastikë urimesh...
Plastikë njerëzish gjithashtu...
 
Akull plastik, i ftohtë, gjithkah
Diellit i kemi vënë maskë!
Hënës gjithashtu!
 
Trishtime sysh pa shikim
Makabritet urimesh pa kuptim
Kujtime të largëta dashurie, pa dashuri
Lulet kanë ngrirë
Kohë krejt pa ngjyrë
Mos harro maskën!
Ndryshe je pa f 'tyrë!
 
Gëzuar!
-Gëzime paç!
Shëndet!
-Ma mirë m'thuaj: Plaç!
 
Itali fundviti 2021

domenica, dicembre 05, 2021

I vrarë dashurie -sonet nga E. Kaceli


























Me shpirt të grimcuar në mijëra grimcëza
rri në një skaj të harruar të dashurisë magjike
i vrarë, i mohuar, i pakallur në dheun e mosqenies,
i lagur fund e krye me brilante lotësh tragjike.

Me zemër të goditur deri në tejskaj
flas me veten, si i çmendur prej Dreqit, a Zotit
e çmendem, e çmendem i kapur në faj
e hidhem i pashpresë në humnerën e Kotit.

Me bishta cigaresh, bëj piramida në tavllën e mosfatit
si kafkat e Timur Lengut, në shenjtërim të fitores
përreth qarkohen ndjenja të pakuptimta.

Kryqëzohem si Krishti përballë Ponc Pilatit
brilante lotësh shkëputen brerores
tek’ fjalët treten, humbin të pîmta... 

sabato, novembre 20, 2021

Një fotografi dhe disa parulla për Kongreset e Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike! -nga E. Kaceli, Itali

Kjo nuk është Yuri Kim! -foto E. Kaceli

Një ngjarje e madhështore e ndarë në dysh, secila më madhështore se tjetra pritet, të ndodhë më 11 dhjetor dhe me 18 dhjetor!
Kongreset e jashtëzakonshme të Partisë Demokratike Shqiptare!
Kongresi i Saliut dhe Kongresi i Lulit!
Kongresi i Saliut me 5 mijë e kusur petrita do të largojë Lulin!
Kongresi i Lulit me disa Salinj e disa Grida do të largojë Saliun dhe 5 mijë petrita!
Ironia e Fatit apo Fati i Ironisë! -Pellazgët pyesin se si do të vejë Fati i Vulës së Partisë! Vulën që Luli e trashëgoi bujarisht nga Saliu!

Në këtë pikë kyçe të historisë ndërhyn dhe Ambasada e Shtetit më të Fuqishëm nëpër Botë! E kudondodhura Shkëlqesia e sajë Yuri! Them e kudondodhura se kam parasysh jo vetëm politikën, bujqësinë, artin, kulturën, shëndetësinë... por edhe në zbukurimin e rasteve familjare si fejesa, datëlindje, pagëzime, synetlliqe etjerë!
Gjithë kjo sipas parimit enverist: Imperializmit amerikan edhe një dhëmb po ti mbetet është agresor!
 -Merre me mend tani që fusha e stomatologjisë ti rregullon të gjithë dhëmbët edhe po të jenë thyer!

Përkrahësit e Saliut do të nisen sipas parimit: Diktatura a proletariatit bën të dridhen armiqtë e jashtëm e të brendshëm!
Salinistët dhe Gridistët e Lulit sipas parimit: Uji fle! Luli nuk fle! Vula është e jona! Topin e gjuajmë ne!
Se si do të shkojë falli i PD-së kjo nuk dihet mirë! Por një gjë është e sigurtë, Drejtësia e Re nën drejtimin e kryeministrit Rama 3, dhe nën udhëheqjen e Ambasdores dritëdhënëse Kim do të vijojë të shqyejë peshqit e vegjël e të mëdhenj pa dallim bindjejet politike!
Kjo falë edhe mbështetjes të avokatit të shquar, të gjithëfamshëm e multidimensional fëbëistit Ngjela!
Gjithmonë sipas parimit: Peshku çan bllokadën!

Kështu pra: Në kongreset e PD-së të shkojmë me ballin lart e duart plot! Rroftë Sali Berisha me 11 dhjetor!
Rroftë Lulzim Basha me 18 dhjetor! (Rroftë edhe Grida me Salinajn!)
Rroftë Kryeministri jetëgjatë Edi Rama!
Marrtë nga ditët tuaja Yuri Kim!
Të na rrojë fort edhe Spartak Ngjela!

sabato, ottobre 30, 2021

Kënga e pellazgut modern! nga #kadare në versionin #zekthi

 

Nje presh gjigand, foto dal web











Përse mendohen këto male të larta,
Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?
Një pellazg ecën buzë mbrëmjes,
Preshi i gjatë, gjigand
Me qindra kilometra hije lëshon mbi dhé.

Vrapon hija e preshit,
Pret male, fusha, fshatra;
Hija e preshit lëviz shpejt në muzg.
Fluturon pellazgu në një qiell kuq e blu
Pa asnjë mendim në kokë
Kuku!

mercoledì, ottobre 06, 2021

Pamflet: Të gjithë ia fusin njëri tjetrit! -nga E. Kaceli


Shumë e çuditshme është!
Ja për shembull: Ia futën Ardi Veliut, kryepolicit! Si me thënë ia futi vetes me dorëheqje. Por dorëheqja ishte e detyruar! E detyruar nga Kryeministri Rama! Pra ia futi Edi Rama! (Blendi Çuçi vetëm i mbajti kandilin Ramës)
 
Pa ditë më parë ishte protagonist Lulëzim Basha. Luli sa herë çohet nga gjumi e gjuan ndonjë budallëk politik!
Atë botë, në vend të këndonte Hymnin Kombëtar, çohet nga gjumi dhe hop ia fut Sali Berishës. Ia fut me ndihmën e amerikanëve! Natyrisht, se pa amerikanët Luli nuk arrin t'ia fusë as Salinajt, për shembull!
 
Nga ana tjetër ngrihet uragani Berisha (sipas pipëllit pellazg) e kërkon t'ia fusë, me çdo kusht Lulit duke tundur e shkundur statute e rregullore partie! Natyrisht besnikëria e Berishës ndaj statuteve dhe rregulloreve të partisë është epike! Si krejt historia politike e tij për këto 30 vjet! Në ndihmë i vjen zonja Kokalari! Nga Amerika erdhi! Dhe iku pa e kuptuar mirë se kujt ia futi tamam zonja e nderuar!
 
Nga ana tjetër është një farë presidenti, alias burri i Monikës, që po mundohet një parlament i tërë t'ia fusë por iu ka ngecur e futura në dyert e Venecias, e sipas gjasave do kalojë vetëm me disa të puthura të Kushtetutës! Kushtetutës që ia kanë futur të gjithë me radhë!
 
Kjo histori me të puthura, , me kushtetutë, me dorëheqje, me statute partie, me kokëlarë e kokëpalarë, me avionë që gjuajnë mushkonja në Kelmend, me futje ose në gjuhën e malësorëve të Veriut "me të rrasun" në fakt është krejt e pavend!
Se në të gjithë këtë histori futjesh atij që i hyn thellë e më thellë, që i rraset përditë (i rraset thika në palcë) përditë e më fort, përditë e më shumë, është populli!