Lexues

domenica, aprile 11, 2021

Altini -Guida e Divjakës i vetmi në llojin e vet! nga E. Kaceli, Itali


Provoi emigrimin në Greqi, Itali, Francë!
I la të gjitha këto shtete, që mund ti kishin siguruar një jetë më të mirë, e një të ardhme ndoshta më të sigurtë nga ana financiare për familjen, dhe u kthye në vendlindjen e tij në Divjakë, Shqipëri!
U kthye për t'iu përkushtuar pasionit të hershëm për natyrën e egër, pasion që e kishte nisë qysh në moshën 15 vjeçare, kur shkëputej nga lodrat e bashkëmoshatarëve për të folë me pemët, fluturat, molusqet dhe zogjtë shtegëtarë, që popullojnë pafundësisht, pasurinë me rëndësi botërore, të Divjakë -Karavastasë!
Ky është Guida e Specializuar në natyrën e egër (wildlife) Altin Hila.

Altin Hila, Divjakë, Shqipëri. I datëlindjes 1972. Guidë turistike prej 10 vitesh, i specializuar, dhe i licensuar vetëm në wildlife (guidë e natyrës së egër), i vetmi në llojin e vet në Shqipëri e në Kosovë!
Për Altinin të jesh guidë e specializuar do të thotë të njohësh natyrën deri në detajet më të imta, që syri i një njeriu normal nuk mundet ti kapë ose ti dallojë! Në përditshmërinë e tij natyra e egër  zë të paktën 70% të kohës!


Një guidë e mirë e natyrës, duhet të njohë në mënyrë të veçantë sjelljen e shpendëve e të kafshëve të egra deri në detajet më të thjeshta e më ta pazakonta të sjelljes së tyre! Të njohë habitatin, kushtet atmosferike, kushtet e jetesës dhe të mbijetesës së kafshëve, shpendëve, bimëve... Të njohë natyrën deri në rrënjë!
Pra duhet ta njohë dhe dashurojë natyrën! Të dëgjojë dhe të flasë me Natyrën!
Altini thotë se duke folë me Natyrën më duket se flas me Zotin!

Pjesa më e këndshme e punës së Altinit është guida e grupeve të fotografëve të natyrës së egër të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. E në mënyrë të veçantë grupi i Wildlife Albanian Photographers, i përbërë nga shqiptarë që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, e Shqipëri, apo edhe në vende të tjera të botës deri në USA!


Altini thotë se " Guida me Arian Mavriqin, Granit Hysenin, Lulzim Demajn, Gresa Berishën, Jetmir Troshanin, Besnik Jakupin etj. është guida më e këndëshme, ku nuk lodhem kurrë. Është guidë që çdo sekond ke emocione dhe lëvizje që të fusin në një botë e përjetim krejt ndryshe! Duhet të krijosh programe të momentit për të mos dështuar në rezultatin final të fotografimit. Me çunat e jashtëzakonshëm fotografë rezultati është i perkryer!"
Viti para pandemisë ishte vit i këndshëm, me pafundësi vizitorësh, shqiptarë e të huaj! Turistë të shumtë nga Italia, Polonia, Gjermania, Amerika, etj kanë kaluar nëpër bukuritë e pafundme të natyrës së Divjakës.

Altin Hila, ndryshe Guida e Divjakës, iu ofron turistëve jo vetëm mundësinë për vëzhgimin e florës dhe faunës,por edhe vizitat në vendet historike, arkeologjike, zejet tradicionale, fermat bujqësore, sportin e peshkimit etj.
-Gjithmonë kënaqesh kur në fund ndahesh nga vizitorët klinetë, duke marrë prej tyre mbresa, vlerësime pozitive, e jo vetëm monetare! S'ka gjë më të bukur kur ke njerëz, apo grupe të mërzitur, pa qef, pa humor, dhe ti i merr në shoqërim! Kënaqësia më e madhe profesionale kur në fund të guidës të thonë të relaksuar "Sot na dhe jetë!" -tregon Altini


Altinin, edhe në ditët kur nuk ka turistë, e sheh të ngrihet që në orët e para të mëngjezit  të bëjë xhirot e tij të zakonshme nëpër zonën e Divjakës për të kontrolluar ecurinë e natyrës, fenomenet e reja të sajë, lëvizjen e shpendëve, fluturave, zvarritëseve... pra gjithçka! Në xhirot e tij të përditshme, shpesh e shoqëron edhe djali Joel, pasioni për natyrën e egër dhe dokumentimin e sajë "po i hyn në gjak ashtu si edhe babait".

Gjatë kësaj kohe Altini po punon, si në hije, edhe për një projekt tjetër madhor, të nisur në një kënd të shtëpisë! Projekti-ëndërr që pret të dalë nga sirtarët e drunjtë, ka të bëjë me një koleksion të plotë të insekteve dhe molusqeve të zonës. Projekt për të cilin Altin Hila, nuk dëshiron të flasë shumë, duke na rezervuar të drejtën e parë, në rast se kjo ëndërr do të arrijë të dalë nga shtëpia për t'iu paraqitur publikut të dashuruar pas natyrës shqiptare dhe vlerave të saja të pazakonta që Divjakë-Karavastanë e kanë futur në pasuritë e njerëzimit me rëndësi botërore. Pasuri që nëpërmjet Konventës Ramsar (Konventa e zonave ujore) nënshkruar edhe nga Shqipëria, mbrohet nga UNESCO!

domenica, aprile 04, 2021

Mikut tim të ndjerë Eduard Grishaj poezi nga Eralda Baze

Dhimbja                Foto nga E. Kaceli
















Homazh poetik intelektualit shkodran Eduard Grishaj, që humbi jetën aksidentalisht para disa ditëve.

Të paskam dashur mik i mirë, 
Të paskam dashtë krejt pa e ditur, 
Sot e tromaksur dhe e mpirë
S’e pranoj dot që ti ke ikur. 

Të t’njihje ty dhe mos të t’doje
Ngjan në fakt krejt e pamundur
Se ti veç mjaltë nxirrje prej goje
Mirësia pa ty sot shumë ka humbur. 

Nuk më besohet që kur t’vij në Shkodër
Nuk do ta pijmë më bashkë një kafe
Nuk do shkëmbejmë si vëlla e motër
Fjalë urtie dhe jo llafe. 

Dhe pse të pashë me sytë e mi
Të bardhë, të bukur, në arkën e mortit, 
Prapë më duket si çudi 
Që na le, shkove pranë Zotit. 

Më duket si shaka 1 prilli, apo si lojë
a e di?
Vetëm që unë me lotë e bojë 
Të të ktheja ty në poezi… 

Eralda Baze

lunedì, marzo 22, 2021

Pamflet: Mirë se vjen Mandati i Tretë! -nga Edmond Kaceli

















Shënim skjarues: Që te mos keni probleme me politikën shqiptare, e kuptimin e sajë,  që e votoni me dëshirë e vullnet të madh, sa herë bëhen zgjedhje, fotografia e mësipërme është vetëm një pikë uji! Kush sheh diçka tjetër ka probleme shikimi, psikologjike e natyrisht edhe probleme të theksuara në drejtim të marrëdhënieve me politikën dhe politikanët shqiptarë!

Natyrisht! Pas mandatit të parë, vjen mandati i dytë! E pas mandatit të dytë vjen i treti!
Nuk ka rrugë tjetër! Ajo çka mbeti pa u realizuar gjatë tetë viteve duhet realizuar katër vitet e mandatit të tretë! E pse jo edhe të katërtit!

Populli mosmirënjohës dhe opozita destruktive e udhëhequr nga Lulëzim Basha nën dritën e mësimeve të pavdekshme të Saliut, kanë pasë paftyrësinë e madhe që të thonë se Qeveria e udhë drequr me largpamësi nga Lideri Suprem (mjekërgjatë, shalëgjatë e trushqiponjë) thonë paturpësisht se gjithça u bë në 3D!
Fakti është se dy mandate janë të shkurtra! I pari ishte i shkurtër! I dyti u zgjat pak dhe u trash një çikë, por prapë nuk të jepte shumë mundësi zgjedhjet!

Prandaj Trushqiponja Edi Rama (Alias Gjergj Kastrioti -Skënderbeu) na paraqet të tretin! Mandatin e tretë!
I treti i vërteti! Ëndrra e madhe bëhet realitet! Dhe jo realitet në 3D!

Pas të parit, e të dytit, erdhi radha të zgjidhim në tre! Pra në mandatin e tretë, është shpresa të na plotësohet ajo çka na la pa plotësuar i pari dhe i dyti!
Të votojmë njëzëri për të tretin! Të tretin mandat! Se kështu nuk kemi të drejtë të qahemi më!
Na mbetet vetë të shpresojmë, e ti lutemi Naltmadhnisë së Tij,  që ky mandat të jetë, më i gjati ndër tre mandatet! (Pse të mos jetë edhe më i gjëri!)

Zot na duaj nëse pas të tretit kërkon të katërtin! Se atëherë parashikohet të kemi probleme serioze me matematikën, gjeometrinë dhe stereometrinë!

mercoledì, marzo 17, 2021

Pamflet: Nevojtoret e Kryeministrisë, Mandati i Tretë dhe Ushtari i Mirë Shvjek

 nga E. Kaceli, Itali

Në faqen zyrtare në FB të Kryeministrit aktual Edi Rama, sot e kësaj dite, gjen imazhet e një WC-je në një nga labirintet e shumta të ndërtesës së Kryeministrisë.
Në atë kohë, yzyrhanja allaturka, e lënë tmerrësisht mbas dore, u paraqit si një ndër zbulimet më të mëdhaja të kohës, si modeli qeverisjes së shëmtuar nga paraardhësit e Fort Gjatësisë së Tij! Më qartë u paraqit qeverisja e Berishës në ikje, si dështimi më i madh historik në gjithë historinë e shtetit shqiptar!


Ato nevojtore ishin lënë në mëshirën e fatit qysh në kohën e Adil Çarçanit!
Kishin dhjerë në ato nevojtore bashkëpunëtorët, apo rojat, e Adilit, Fatosit, Ylli Bufit, Vilson Ahmetit, Aleksandër Meksit, Pandeli Majkos, Bashkim Finos, Ilir Metës, Sali Berishës!
Në ato nevojtore historike, dikush kishte dhjerë gjatë dy- tre mandateve, e dikush ia kishte bërë munë kryeministrisë dhe qeverisjes së popullit tonë liridashës e budallë, për një mandat të vetëm!

Për të treguar ndryshimin, e madh që priste shqiptarët,  Edi Rama e filloi Rilindjen, pikërisht me rikonstruksionin e nevojtoreve të ndërtesës së Kryeministrisë. Në fotografitë e nevojtoreve të publikuara me bujë nga Kryeministri i sapo hyrë në Zyrat e Qeverisjes, dukej qartë rrënimi dhe keqpërdorimi i pushtetit nga Sali Berisha!
Rikonstruksion që besoj të jetë mbyllur me sukses tani mbas tetë vitesh në pushtet!
Shpresoj që yzyrhanja allaturka të jetë shëndrruar në një toilette modern me ujë e drita 24 orë rresht, alla franceze!
Kohë kanë pas boll!

Nëse ky ndryshim ka ndodhur vetëm në 3D, si shumë ndryshime të tjera të mëdha qysh kur me 8 shtator 2013 në këto Zyra Historike, hyri Edi Rama me bashkëpunëtorët  rilindas, atëherë patjetër duhet një Mandat i Tretë!
Duhet një Mandat i Tretë që Qeveria e Rilindjes të përfundojë veprën e ndritur të rikonstruksionit të nevojtoreve zyrtare të filluara në mandatin e parë! (gojët e liga kundër Qeverisë, thonë se zoti Rama edhe atë gjënë që nuk thuhet e bën në 3D!)

Ky Mandat i Tretë është shumë i rëndësishëm, aq sa ç'ishte i rëndësishëm edhe institucioni i nevojtoreve për fitimin e Luftës së Parë Botërore nga Perandoria e Austro -Hungarisë!
Për rëndësinë e nevojtoreve në Kryeministri, dhe në fitimin e betejave elektorale, mjafton të lexoni këtë pasazh nga Vëllimi i dytë i "Ushtarit të Mirë Shvejk" i Hashek:

Gjenerali iu jepte shumë rëndësi nevojtoreve, thuajse nga ato varej fitorja e monarkisë Austro -Hungareze.
Në lidhje me gjendjen e re të krijuar nga hyrja e Italisë në luftë kundër Austro -Hungarisë, ai theksoi se tamam në nevojtoret qëndronte epërsia jonë e pamohueshme në betejat e Italisë.
Fitorja Austrisë kishte për t'i ardhur nga nevojtoret!

Votoni për Mandatin e Tretë! Votoni për Qeverinë e kryesuar nga Lideri i Math Edi Rama, që punët e bëra gjatë dy mandateve të para të mos mbesin përgjysëm! Atdheu është në nevojë! Nevoja ku bëhet?!



martedì, marzo 09, 2021

Koha asht ndalë sot... -poezi nga E. Kaceli




















Koha asht ndalë sot
Thot kalendar i marsit: 55 mot!
Me flokë krejt të rralluem
të thijun der' n'mërzi
E hapat rrugëve bosh
Lypin me mbâ shoq

Flas pak -harroj shumë
Gati paç harrue datlindjen
                                        e lume!
(Paskam le n'ditën e nantë t'marsit
të nji kohet të shtirë)
As Nanës plakë nuk i kujtohet mirë
A ishte ftoftë akull,  a kishte i fije dillë!

E Baba, plakë ma fort,
                                   çohet me zor
Tu mbështetë në shkop
mundueshëm der n'oborr
Me sy më lypë me mba urim
Po un jam 55 vjet dritë larg
prej oborr -dheut tim!

Asht prap' kohë e shtirë
Lum Baba e lum Nana
Kur leva, kohë e shtirë,
                                    mbytë hallit
E sot ma e shtirë mosha
55 vjet dritë larg djalit
Dishruem, e djegë mallit!

Hijnë mrenë prindja pleq
tu nemun fatin vetëm
Ma fort tu urue djalin
rrallu e thî flokt -bâ burrë!
N'sa munohet me iu buzqeshë
prej nji korrnizet n'mur!

mercoledì, febbraio 17, 2021

Wildife: Lejleku i Zi (Ciconia nigra) -një ndër mrekullitë e rralla!

shkrimi dhe fotografitë nga E. Kaceli, Itali


Për mua personalisht fotografia e natyrës është këmbëngulje, është shumë sakrificë, është pak mjeshtëri e në rastin më të mirë është fat!
Sa herë që realizoj ndonjë fotografi të një subjekti të pa fotografuar më parë unë e quaj fat!
Fat, sepse mund të ndodhë që ke pritë gjatë gjithë ditës në temperaturë të ulët, nën 10 gradë a më shumë! Ke ecur kilometra të tërë, apo je pozicionuar nga njëri vend në tjetrin, më kot, duke pritur rastin fatlum të një shkrepjeje të sukseshme.
Kështu më ka ndodhur në rastin e fotografimit të Lejlekut të Zi, specie që shihet krejt rrallë në Itali, por edhe në Kosovë apo Shqipëri.

Në Shqipëri, sipas guidës së specializuar në jetën e egër, Altin Hila, mund të ketë një ose dy çifte të Lejlekut të Zi. Por që nuk ka të dhëna të sakta se ka folenizuar apo thjeshtë ka kaluar nëpër rrugën e tij të emigrimit.
Ndërsa në Kosovë, sipas fotografit të natyrës së egër Arian Mavriqi, është vërtetuar vetëm një çift, (i dokumentuar për herë të parë me fotografi e filmim nga ai) në proces emigrimi gjatë vitit 2020!
Ndërkohë sipas AOS- Albanian Ornithological Society: Lejleku i Zi është ndeshur gjatë vrojtimeve te tyre në vite, në numra te rrallë,  në zonat e lumenjve Vjosë, Drinos, Drin i Zi, Bunë etj. Por nisur nga fakti qe ky lloj lejleku folenizon larg zonave të banuara është e vështirë të përcaktohet saktësisht folenizimi i tij.
Për të kuptuar se sa i rrallë është ky shpend me një bukuri të pazakontë, vlen të theksohet se në Itali llogariten rreth 20 çifte që kanë folenizuar rregullisht vitet e fundit në Itali. Folenizimi i parë është shënuar në vitin 1994!


Pikërisht për këtë e quaj fat fotografimin e një specieje të tillë të rrallë e të bukur, në Racconigi, Piemonte, Itali.
Lejleku i Zi (Ciconia Nigra, ose Black Stork) bën pjesë në familjen e lejlekëve. Është pak më i vogël se lejleku i bardhë. Pesha mesatare rreth 3 kg, e gjatësi 95 cm, me një hapje krahësh rreth 2 metër! Ngjyra e puplave, kryesisht e zezë, por që në varësi të ndriçimit merr nuanca nga jeshilja në manushaqe metalike.
Ushqimi i preferuar janë peshqit, amfibët dhe reptilët. Depoziton nga 3 deri në 6 vezë.


Gjatë historisë vende të ndryshme e kultura të ndryshme, e kanë mbrojtur lejlekun e bardhë, dhe lejlekun e zi me ligje të veçanta dhe tepër të ashpra!
Në botën e simbologjisë dhe spjegimit të ëndërrave: E zeza presupozon në thellësi të nën ndërgjegjes, të vërteta të fshehura që kur shoqërohet me figurën e lejlekut kthehet në një pozitivitet dhe kontraste shumë interesante që flasin në vijim për ndryshime të rëndësishme e të mira në jetën tuaj!


mercoledì, febbraio 03, 2021

I paprekshëm në qiellin tim -sonet nga E. Kaceli


 
















Në fluturofsha një ditë me krahët e fluturës
në ngjyra të rreme të një qielli të rremë
lëshoni pak erë më tepër, krahët do t'më lodhen
Lehtas do të zbres në tokë, ose do të tretem diku...
 
Në u ngritsha përsëri fluturim, pas kësaj
me krahët e zogut këtë herë
rreth jush do të sillem ogurndjellës
(i bardhë, a i zi? -ogur i rremë)
 
Më tepër ju fryni erë, pendët do më shkunden
Krejt lakuriq do të dergjem në këmbët tuaja
Përpara se t'më vini këmbën dhe një herë
 
përpara se t'më fryni si një zhele pa vlerë
Krahët e mij do të shpalosi fluturim
I gjallë. I lirë. I paprekshëm! -në Qiellin tim!
 
mars 1990

martedì, gennaio 19, 2021

Lutje e sinqertë Zotit! nga E. Kaceli

Një kujtim, një poezi, një kushtim...


Kjo poezi prej katër rreshtash, ndoshta nuk ia vlen me e quajtë as edhe poezi!
Diku e paskam shkrujtë në letër të pastër, aty nga viti 1991. E nuk më kujtohej a e kam publiku në shtypin e kohës!
Vetëm kur miku im i kahershëm Arben Ndoi e shkroi (fjalë për fjalë) në profilin social të poetit dhe mikut tonë të përbashkët, poetit dhe gazetarit,  Marash Mirashi, (miqtë si Arbeni ishin lexuesit dhe redaktorët e parë të poezive tona) u kujtova e iu vuna kërkimit në fletoret e mija të dikurshme!
E gjeta me mundim.
E thashë me vete: Hajt se ndoshta e kam publiku edhe në ndonjërin nga tre librat e mij poetikë!
I pari "Simbiozë" Lezhë 1994, ma shumë asht si fletore se sa libër! Bile i mungon edhe ISBN-ja, për faktin se në atë kohë iu mungonte të gjitha botimeve që dilnin nga shtypi i kohës.
Habia ma e madhe : Në faqen e fundit të librit kisha publiku edhe këto katër vargjet me titull:
 
Lutje e sinqertë Zotit!
O Zot!
-ndihmomë të çmendem
ndonëse jam i shkalluar
në këtë botë të marrë.

janar 1991
 
Gjithsesi duke falenderuar edhe një herë mikun tim Arben Ndoi për kujtesën e mrekullueshme, (30 vjet nuk janë pak) po e lë në gjykimin tuaj se a mundet me u quejtë poezi apo jo! (Sinqerisht mua më duket poezi, e vetja, nganjëherë,  më duket edhe pak si poet!)

sabato, gennaio 09, 2021

Në kështjellat e mbretërve... poezi nga E. Kaceli



Në kështjellat e mbretërve të dikurshëm
të presin vetëm mure hijerënda
e perde më të rënda se hijet!
Hije të mykura që marrin frymë prej shekujsh!
 
Nuk ka rëndësi hiç
nëse je në Stamboll, Torino, Romë,
a në Piramidën e Diktatorit në Tiranë!
(Diktatori urrente mbretërit! -thonë)
E njëjta hije rëndon mbi muret, njerëzit
që hyjnë e dalin si hije mes hijesh
objekte të vdekura që flasin
thika që kullojnë gjak!
 
Portrete mbretërish, mbretëreshash, princash,
statujash gjithaq, e krena të preme!
-pa dyshim, dashnoret që prenë koka kundërshtarësh
nuk mungojnë me bukurinë vrastare!
Intrigat zgjaten mureve nën pluhurin historik!
Hije historike ngatërrohen me sho-shoqen.
 
Në shtëpitë e mbretërve, pafundësisht, një heshtje varri!
Aq shumë hesht koha, sa dhe heshtja bie në çudi!
 
Në çatitë e kështjellave, pallateve luksozë, piramidave,
                                                           në kërkim të lirisë
thyejnë heshtjen vetëm zogjtë!
Zogjtë, tmerrësisht të lirë, që dhjesin 24 orë rrjesht
parvazet, çatitë, muret, statujat, oborret, e lavdive të rrejshme!
 
Në kështjellat e mbretërve të dikurshëm
të presin vetëm mure hijerënda
të presin muret më të rënda se hijet!
Dhe një ciceron pesë eurosh, që spjegon lavdinë e largët!
                                                                 Itali, janar 2021

mercoledì, gennaio 06, 2021

Pamflet: Boll u hapët b... me numrin e ambulancave! -nga E. Kaceli

 -Fshati ku rri unë ka 250 (dyqind e pesëdhjetë) banorë e 4 (katër) ambulanca!

 U shkye Qeveria e ndritur e shqiptarëve me reklamimin e 36 makinave -ambulancë për Urgjencën Kombëtare! Pikërisht për urgjencën kombëtare!

Ka disa ditë që mediat e qeverisë dhe qeveria e mediave nxjerrin në paradë suksesin më të madh të qeverisë: 36 ambulanca i shtohen flotës së ambulancave shqiptare!

Se në ç'gjendje është kjo flotë, shqiptarët e nevojshëm për këtë shërbim e dinë, e kanë provuar, dhe e provojnë në kurriz të të tyre!

Shqipëria llogarit rreth 2 miljon banorë të përhershëm në një territor 28 mijë km kator!

Sipas matematikës së thjeshtë: 2 miljon për 36 ambulanca i bie nje copë ambulancë për 56 mijë banorë!

Në komunën Albaretto della Torre, Cuneo, një komunë në zonën kodrinore, Organizata Lokale e Kryqit të Kuq, disponon katër makina ambulanca me të gjithë kushtet. Komuna regjistron rreth 250 (dyqind e pesëdhjetë) banorë!

Nëse Kryeministri dhe ministria e shëndetësisë shqiptare ka nevojë për llogari në interes të sajën, të thërrasë kryetarin  e demokratëve Lulëzim Basha! Sepse edhe kur partia e Lulit ishte në pozitë, me mbarëqeverisjen e sajë, sigurisht ka ndikuar në mbarëvajtjen e flotës tokësore të shërbimit të urgjencave!

Imagjinoni kryeministrin italian Conte të dalë në Piazza della Repubblica, ose perballë Colosseum -it e të thotë: Sot Qeveria Italiane siguroi 360 ambulanca të reja! (Po e rris numrin në raport me popullsinë)

Po ikni o të çmendur e fshihuni dikund se është turp!

Fotografia e mëposhtme, është marrë nga arkivi në Web i "Gazzeta d'Alba" gjatë festimeve të 20 vjetorit të të organizatës së kryqit të kuq në komunën që përdora për krahasim. Besoj dallohet qartë numri i ambulancave!