shkrimi dhe fotografitë nga E. Kaceli, Itali
Për mua personalisht fotografia e natyrës është këmbëngulje, është shumë sakrificë, është pak mjeshtëri e në rastin më të mirë është fat!
Sa herë që realizoj ndonjë fotografi të një subjekti të pa fotografuar më parë unë e quaj fat!
Fat, sepse mund të ndodhë që ke pritë gjatë gjithë ditës në temperaturë të ulët, nën 10 gradë a më shumë! Ke ecur kilometra të tërë, apo je pozicionuar nga njëri vend në tjetrin, më kot, duke pritur rastin fatlum të një shkrepjeje të sukseshme.
Kështu më ka ndodhur në rastin e fotografimit të Lejlekut të Zi, specie që shihet krejt rrallë në Itali, por edhe në Kosovë apo Shqipëri.
Ndërsa në Kosovë, sipas fotografit të natyrës së egër Arian Mavriqi, është vërtetuar vetëm një çift, (i dokumentuar për herë të parë me fotografi e filmim nga ai) në proces emigrimi gjatë vitit 2020!
![]() |
Lejleku i Zi (Ciconia Nigra, ose Black Stork) bën pjesë në familjen e lejlekëve. Është pak më i vogël se lejleku i bardhë. Pesha mesatare rreth 3 kg, e gjatësi 95 cm, me një hapje krahësh rreth 2 metër! Ngjyra e puplave, kryesisht e zezë, por që në varësi të ndriçimit merr nuanca nga jeshilja në manushaqe metalike.
Ushqimi i preferuar janë peshqit, amfibët dhe reptilët. Depoziton nga 3 deri në 6 vezë.
Në botën e simbologjisë dhe spjegimit të ëndërrave: E zeza presupozon në thellësi të nën ndërgjegjes, të vërteta të fshehura që kur shoqërohet me figurën e lejlekut kthehet në një pozitivitet dhe kontraste shumë interesante që flasin në vijim për ndryshime të rëndësishme e të mira në jetën tuaj!






















