Lexues

Visualizzazione post con etichetta covid-19. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta covid-19. Mostra tutti i post

sabato, gennaio 02, 2021

Covid-19: Largohet nga jeta zbuluesi dhe mbrojtësi i Tulipanit Shqiptar

Shkruan Edmond Kaceli


Sëmundja e shekullit, covid-19, i merr jetën zbuluesit dhe mbrojtësit të Tulipanit Shqiptar, biologut e botanistit Besnik Hallaci, Kukës. Lajmi i rëndë ka tronditur jo vetëm familjarët dhe të afërmit por edhe miqtë e tij kudo që ndodhen. Zoti Hallaci luftonte, i intubuar, prej disa ditësh, në betejën për jetën me virusin vrastar.

I veçantë dhe tronditës erdhi ky lajm dhe për familjen e madhe të Organizatës së Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër,  ku Hallaci kontribuoi vazhdimisht me profesionalizmin, pasionin, këshillat dhe njerëzillëkun e  tij të jashtëzakonshëm!


Kryetari i Organizatës gjithëshqiptare të WAPH, fotografi Arian Mavriqi shkruan: I pabesueshëm ky lajm për ikjen tënde të parakohshme Besnik! Në çdo iniciativë ishe aty me ne, për të na ndihmuar kur kërkohej ndihma jote. Mungesa do të thotë shume për Oganizatën tonë vëlla, do të na mungosh shumë i dashur Besnik! Zoti të mëshiroftë! Në emër të Organizatës  iu shprehim ngushëllime familjarëve, miqve dhe gjithë atyre që e njohën Besnikun!

Biologu dhe botanisti Besnik Hallaci do të kujtohet për shumë vepra të tij të mira dhe emrin e mirë që la në Kukësin e tij që e deshti deri në fund! Por ajo çka e bëri të pavdekshëm, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, mbetet zbulimi i species së rrallë të Tulipanit Shqiptar, Tulipa Albanica, emërtuar nga vetë ai.


Përndryshe Tulipani i Kukësit, u zbulua nga Besniku në zonën e Kolsh- Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, në vitin 2003. E më vonë grupi i ngritur ku merrnin pjesë edhe biologu Luan Vata, prof.Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, profesoresha Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë, do të vërtetonin me prova gjenetike dhe shkencore zbulimin e rrallë që bëri pasioni dhe aftësitë profesionale të Besnikut.

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit. Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike. Bima e çertifikuar është sot një nga 113 tulipanët që njeh bota.  

Besnik Hallaci me punën dhe përkushtimin e tij  të pazakontë kishte zbuluar gjithashtu edhe 7 bimë të reja për Kukësin, 3 prej tyre të panjohura më parë për florën shqiptare, Dianthus superbus (karafil), Silene lerchenfeldiana (klokëz), Aristolochia merxmuelleri (petrik).



sabato, marzo 14, 2020

Republika e Leshit

Tregim satirik nga Da-da (Da- da eshte emri letrar i nje shkrimtareje bashkekohore shqiptare)

Ajo e kishte mbërthyer nga mjekrra dhe sapo ia shkulte me forcë duke e tërhequr drejt vetes, neveritej menjëherë prej fytyrës së tij të flashkët, të enjtur nga kotësia, zbrazëtia, mosha, droga, dhe e flakte tutje. Pastaj mblidhte prapë fuqitë dhe e mbushte dorën me leshin e përhimë të mjekrrës elitare. Ahhh kjo shtëllungë leshi, simboli i përsosur i sundimit të tij prej leshi, i patriotizmit të tij prej leshi, i majtizmit të tij prej leshi.
Sa shterp, sa i leshtë duhet të ketë qenë homosapiensi i parë mashkull që e themeloi “burrërinë”, “mençurinë”, “karizmën” e tij mbi një tufë leshi? Mirë ai, po syleshët e tjerë pas tij xhanëm? Po evolucioni atëherë? Ku shkoi? Ahh po, edhe ai u koklavit rrugës me mjekrrën e Darvin-it e doli pak si lesh e li. I largonte sakaq hallakatjet nga mendja dhe i sulej akoma më e tërbuar. Përveç mjekrrës së tij, e tërhiqnin shumë sytë e tij. Sy tinëzarë, fshehur mes qeskash të rënda e të fryra mu si xhepat e tij. Sy të pagabueshëm për të piketuar se çfarë mund të shiste, të blinte, të plaçkiste, të shpërfillte, të tallte, të damkoste, të burgoste. I vinte t’ia shkulte ato lapsat tre-ngjyrësh nga xhepi i xhaketës dhe tia ngulte mu në sy.
E pastaj ta dëbonte ashtu të verbër si Edipi. Vetëm se Edipi para këtij ishte burrë zotni. Kur kuptoi se kishte palluar të jëmën, i gjori ia nxori vetë sytë vetes. Kurse ky zuzar, që nga dita kur hoqi zhelet shumëngjyrëshe dhe veshi kostumin zyrtar disa mijëra napolonash, e palloi me vetëdije, me plan e program, me kënaqësinë më të madhe një popull të tërë. Pastaj, sipas rastit herë fuste lapsa me ngjyra në xhep, herë mbathte opinga të bardha, e herë brekushe allasoj për tu skërmitur me buzëqeshjen arrogante të budallit nëpër takime të rëndësishme, me përfaqësues të qytetërimit.     
Ohhhh, urrejtja qenka një perpetum mobile i vërtetë. Sapo lodhej pak, i mjaftonte të kujtohej se si ky, një klloun i çuditshëm dikur, që nuk ngjallte as frikë as respekt, vetëm njëfarë kureshtje, premtonte nga mëngjesi në darkë se do i binte bretku për hallexhinjtë, në qoftë se hallexhinjtë do i zinin besë. Por hallexhinjtë e këtij vendi, të djegur e të përvëluar nga lloj-lloj qullrash nuk guxonin të ndërronin skllavërinë e vjetër me një të re. 
Vetëm kur ky malukat doli lakuriq siç e kishte bërë nëna me banim te mëhalla e tangërllikut, hallexhinjve sikur u lëvizi diçka në zemër. Është ende mister se çfarë ndodhi: u bindën që kllouni ishte i guximshëm? Se, në një vend ku çdo gjë e virtytshme nderohet duke e mbuluar, në mos me gjë tjetër, të paktën me lesh, duhet guxim i madh të dalësh lakuriq. Apo, u bindën se ishte i sinqertë? Sepse, për hir të së vërtetës, asnjë udhëheqës i mëparshëm nuk ua kishte bërë të qartë që në fillim sesa thellë do ua ngulte. Nuk u mor vesh asnjëherë. Sepse mendja e hallexhinjve nuk parashikohet lehtë. Ti pret nga ata që të vendosin për katër vitet e ardhshme, ndërsa ata të pagdhendur gëzohen po nxorën muajin. Sigurisht edhe të fortët e lagjeve kontribuan fuqishëm në iluminimin e varfanjakëve të dreqit. E gjithë bota e di që e majta është për fukaranë. Çfarë donin të kuptonin më shumë këta zhelanër? Duhet ta jepnin atë votë të qelbur në qoftë se donin të rilindnin. Ehhh, rilindja! Llaf i madh, jo shaka. Nuk mjaftonte më “Ndryshimi”. E djathta e kishte djallosur aq shumë saqë duhej një rilindje me themel. Ashtu siç mund ta dinte vetëm një klloun pa brekë. 
Kërkëllima e derës prej hekuri e zgjoi nga ëndrra që po shijonte me sy mbyllur dhe cepat e buzëve paksa hapur.
Polic Sytiu, me vetullat e ngrysura dhe gojën e kyçur e sheh vëngër. Ajo e largon tutje shikimin e saj me shpërfillje.
-          Na moj, gazetarkë. Kam lajme të mira. – bërtet ai me një zë çuditërisht të hareshëm. Edhe fytyrën ia mbuloi papritur një dritë gëzimi. – Nuk tallem. Kam tre lajme të mira.
Ajo e shikon me bisht të syrit. Ngurron ta kthejë plotësisht kokën drejt tij nga frika se mos është ndonjë rreng.
-          Bëhu gati ti dëgjosh. – vazhdon ai, pa u qederosur shumë për mosbesimin e tjetrës. – 1. Ai kolera virusi më në fund erdhi edhe këtu tek ne. Pra lajmi yt, ishte shpifje para katër ditësh, por sot është i vërtetë. Kështu që ti nuk quhesh më fajtore. Tani, udhëheqësi ynë, po ia hedh fajin Zotit.
      Asaj i shpëton menjëherë një ngërdheshje.
-          Për kokën time. Kur të dalësh që këtu shikoje vetë në të gjitha televizionet. “Janë punë të Zotit” – është duke thënë. Sapo u takua edhe me njerëzit e Zotit qëparë. Ata me mjekrrat naaa gjer në brez, i ke parasysh. 2. Edhe të huajt po vijnë. Yyyyyy, plot, tufa-tufa. Më shumë se ne madje.  Kështu që edhe për këtë kishe të drejtë. Domethënë nuk kishe të drejtë atëherë kur e shkruajte, por ke të drejtë sot që na kanë ardhur aty në kufi dhe ne po i presim me krahë hapur. Kështu që nuk je më fajtore as për këtë lajm. Për këtë çështje në fakt, gjetja e fajtorit është bërë lesh arapi. – kruan kokën ai duke thirrur në ndihmë gjithë zbrazëtinë brenda saj. -  Ca thonë Turqia, ca Rusia, Amerika, Irani, dreqi me të birin. Por pak rëndësi ka kush është fajtori. Rëndësi ka kush është shpëtimtari. E kush tjetër veç vendit tonë “fanar ndriçues” me në krye udhëheqësin tonë dy metra të gjatë, që e ngroh dielli dhe e puth shiu para gjithë ne të tjerëve. Kështu, kemi mbërritur te lajmi i tretë i mirë: je e lirë. Mund të dalësh!
-          Të dal? – pyet ajo e lemerisur. – Vendi përjashta gëlon nga kolera dhe dyndjet e huaja! Dhe ti e quan lajm të mirë se do dal?!
-          Të urdhëroj të dalësh! – bërtetë ai për të mbuluar budallallikun me autoritet.
-          S’du! – kthen kokën mënjanë ajo.
-          Dëgjo këtu ti kazanxhije! Qeveria jonë e pastër, e kulluar, e bardhë si ….  hmmmm – shkund kokën për të ardhur në vete nga dalldia ku hyri për pak, - nuk mban njerëz në burg padrejtësisht. Megjithëse shpifëse, megjithëse kazanxhije, sot rastësisht na dole e pafajshme. Kështu që dil! Dil edhe shijo jetën e bukur, të begatë, që të pret përjashta. Njerëz që punojnë të gëzuar për dy kacidhe, kolegët e mi policë sesi mbysin me gaz ca protestues halabakër që prishin qetësinë tuaj, fytyrat e lumtura të vogëlushëve që lodrojnë nëpër klasat e gjera, bëjnë qejf të madh kopilat e vegjël; nga pesë banka bosh i takojnë secilit. Ehhhh. – rënkon ai gati i përlotur nga kënaqësia. Soji i tij arrijnë një kënaqësi orgazmike në çastin kur i besojnë edhe vetë ato që thonë.
-          Qërohu! – e ndërpret me inat ajo.
-          Mos e fyej shtetin! Se për të gjithë zotat ku beson udhëheqësi ynë i dashur sa herë ia lyp puna, do të ta shtoj një ditë burg për këtë që sapo the.
-          Vetëm një ditë?
-          Pse, sa do zotrote?
-          Çfarë duhet të them që të rri brenda të paktën tre muaj?
-          Hmmmm. – kruan kokën mendueshëm Sytiu. – ndoshta, po të na shash borëbardhat e shëndetësisë.
-          Bluzat e bardha mo?  - e korrigjon ajo duke rrotulluar sytë me tallje.
-          Po, fiks. Sidomos atë borëbardhën në krye. Aty nuk duron hiç udhëheqësi ynë. Po i shave atë, i ha direkt 3 muaj.
-          Ajo ka vjedhur mijëra napolona! Hë pra, quhet?
-          Pfffff. Kjo është shumë e lodhur si shpifje. Kjo një javë burg të siguron. Diçka tjetër, më origjinale.
-          Shëndetësia e Gjermanisë është më e mirë se shëndetësia jonë pra!
-          Bravo! Ja kjo shpifje po që mund ta tërbojë si duhet udhëheqësin tonë. Edhe ka të drejtë tek e fundit. U ngeli goja ju kazanxhinjve të poshtër “Gjermania, Gjermania”. Po shëndetësia gjermane plot me doktorat dhe infermierat tanë është mbushur, si mund të jetë më e mirë se e jona?
-          Domethënë i sigurova tre muaj këtu brenda? Kështu.
-          Them se po. Të shoh se ç’mund të bëj për ty. – tani Sytiu ka marrë pozën e bamirësit.
Teksa ajo sheh papritur një re tymi që mbështjell një lukuni njerëzish të nxirosur e inatosur përjashta, i bërtet me sa ka fuqi, përpara se ai të mbylli derën e hekurt.
-          Priiiiit!
-          Hë moj?
-          Nuk kam paguar dritat një muaj.
-          Ahhh, tani po. Mund të rrish këtu brenda sa të duash, derisa të vrasësh veten!