Lexues

mercoledì, agosto 16, 2023

Varri i ushtarit Aldo poezi nga E. Kaceli

 
Varri i ushtarit       Foto E. Kaceli

Një kuadrat gurësh
një kryq i thjeshtë
një emër
një moshë (22)
një lule
Ky është varri i ushtarit Aldo!

Përkrah, qindra varre të tjerë
rrethojnë ushtarin Aldo
Dallojnë varret rrethuese!
(mermeri i rrallë, graniti
shkrimet,
               kryqet e bukura
E ndonjë statujë nxirë nga koha.)

Varri i ushtarit Aldo
i thjeshtë, ngulur në tokë
Heshtë pikëllimi 22 vjeçare
Shuar në mbrojtje të varreve të tjerë...

Dogliani, Itali, gusht 2023

domenica, agosto 06, 2023

TË JETOSH NËN SEKTIN E RILINDJES! -nga E. Kaceli Itali

 
-Për librin e dytë të shkrimtares Eralda Baze "Zambaku i Kanionit"
-Një tjetër zambak në letërsinë shqipe!


Letërsia shqiptare e 30 viteve të fundit ka vuajtur dhe vijon të vuajë për letërsinë e ashtuquajtur të rëndë: romanin. Mungesa e romancierëve të mirëfilltë në këto vite, me ndonjë botim të rrallë tek- tuk, dhe përhapja masive e poetëve të rrjeteve sociale, ka ndrydhur këtë zhanër të letërsisë shqipe në maksimum, duke e kaluar në plan të dytë ose të tretë.
Por me këtë nuk është aspak dakord romancierja e pazakontë Eralda Baze dhe shtëpia botuese "Schnell", që pas romanit të parë “Dielli më perëndon në Lindje” 2021, në top listën e shitjeve gjatë këtyre tre viteve, vjen me romanin e dytë "Zambaku i Kanionit".
Natyrisht në një vend ku korrupsioni, krimi, pafytyrësia e pushtetarëve, varfëria ekstreme dhe pasurimi ekstrem i një grupi të vogël njerëzish të lidhur ngushtë me politikën, të bësh letërsi të mirë është e vështirë, por jo e pamundur! Këtë na e vërteton në shkallën më të lartë romancierja Eralda Baze me romanin "Zambaku i Kanionit" dalë nga shtypi këto ditë prej shtëpisë botuese "Schnell" redaktuar nga doktori i shkencave Eris Rusi. Kopertina nga piktori Stefan Taçi, art design Xhoan Guga.
Romani i posadalë nga shtypi ka filluar të ngjallë interesin e lexuesve dhe kritikëve të etur për një letërsi të niveleve të larta!

“Ishte një vend që mbahej në këmbë nga paligjshmëria!”- thotë Italo Calvino
Kjo shprehje e shkrimtarit të madh italian është më aktuale se kurrë për Shqipërinë! Një vend ku paligjshmëria ka mbërritë në formën më të lartë të ligjshmërisë!
Kësaj teme i bie në mënyrë të drejtpërdrejtë, me shumë art e talent, shkrimtarja Baze!
Një paligjshmëri e ngritur në ligj nga e ashtuquajtura "Rilindje" që (cit) në fakt nuk është organizatë politike por "një sekt" rreth të cilit sillen politikanët e të gjitha ngjyrave! Gjithëherë sipas parimit: “Sot jam unë, sot vjedh unë! Prit të vijë radha jote!”
Strukturuar në mënyrë perfekte ku rrjedha e ngjarjeve nis në dukje e qetë, ashtu siç duket edhe shoqëria shqiptare nëse i hedh një sy kuturu nga jashtë! Por pasi fillon ta jetosh nga brenda, arrin të kuptosh ritmin negativ në të cilin noton krejt vendi!

Personazhet e romanit janë pjesa e dukshme e Atdheut që ndodhet i mbërthyer keq në grackën e Sektit të Rilindjes!
Në një vend ku Safija i detyron bashkëpunëtorët e afërt ti thërrasin Sofi, ku kapterrët e komunizmit janë kthyer në gjeni të kapitalizmit tipik të barkderrëve shqiptarë si Dine Daci! Personazhe groteske, që edhe fëmijët i edukojnë me armiqësinë ndaj dijes dhe librit! Kjo armiqësi ndaj dijes, ndaj mendjes së hapur, sjell si pasojë dhunën në familje, plaga e hapur thellë e kësaj shoqërie! (Rita me Nikun)
“Edhe një shkëmb është më i ndjeshëm ndaj klithmës së grave, sesa sistemi i drejtësisë në këtë vend” -gati sa nuk ulëret Baze!
Menjëherë babëzia ekstreme e pushtetit! Babëzi që të çon rëndom në dyert e gjykatave të korruptuara deri në palcë! Të korruptuar në atë masë sa kur gjykatësit provojnë të jenë ndryshe ndodh ajo që thotë autorja "Gjyqtare që nuk mbrojnë dot veten!”
Krejt si nën pushtetin e një sekti mafioz ku politikanë e majtë e të djathtë bashkohen në korrupsionin ideor, monetar e seksual që është ulur lakuriq në të gjitha nivelet e zyrave dhe zyrtarëve të sektit! (shtetit)
Jeta e njeriut, në një vend si Shqipëria: "Ndërsa në vlerë monetare, sipas ministres së Financave, jeta e një shqiptari nuk meriton më shumë se 130 Euro/muaj". 

Sekti i Rilindjes, dhe pjesa gjoja në opozitë e këtij sekti, kanë sjellë në parlament personazhe groteske të botës së krimit e padijes, armiq të kulturës, fjalës së lirë, tutorë prostitutash, narkotrafikantë, kriminelë si Rafet Dajaku!
"- Me lekë dhe me ligje, unë fshij bythën! – i hakërrehet deputet Rafeti. I hakërrehet që çke me të! Pse, kot kishte paguar një thes me pare për atë mut mandati? Në publik duhej gjithmonë të thoshte “fituar… kam fituar mandatin”. Kështu e kishin porositur shokët e Rilindjes."
Pra kriminelët me jaka të bardha nuk ndalen para asgjëje! As përpara fatkeqësive natyrore si tërmeti apo më pas Covid -19! Fatkeqësia e njerëzve shihet vetëm si burim pasurimi nga politika dhe politikanët! Asgjë më tepër!
"Pastaj vjen tërmeti si dorë e Zotit të zemëruar për të rrënuar më keq këtë popull dhe këtë vend që: Pikëllimi i ka zënë vendin e oksigjenit, lotët atë të dioksidit. Njerëzit thithin pikëllim dhe nxjerrin lotë. Kjo është frymëmarrja e re e këtij vendi të gjunjëzuar"
“Pas varfërimit të madh dhe shpopullimit të shpejtë, tërmeti duket gozhda e fundit mbi arkivolin e shqiptarëve…"
Këtu fillon të kulmojë romani (që ngjan me një pamflet të mirëfilltë kundër politikës shqiptare, por pa e ulur në asnjë moment anën artistike -strukturore të letërsisë së rëndë)  me një tjetër alternativë: të arratisjes nga Shqipëria!
Baze e shikon idealisht fshatin si shpëtim! Fshatin si alternativë e ikjes nga Shqipëria, në fakt si alternativë e arratisjes nga Tirana, nga "sekti i Rilindjes" që ka betonizuar kryeqytetin, por që po shëndrron në beton e hekur gjithë Shqipërinë!
Por edhe kjo alternativë e fundit e qëndrimit në Shqipëri po vdes nga rrëmbimi, shqyerja dhe shkërdhimi i virgjërisë së natyrës!
Personazhi i Seferit thotë, ndërsa sheh fshatarët që shqyejnë Tomorrin, malin e Shenjtë, "Ata trutharë që sheh përballë kanë vetëm gojë. Gojë për të ushqyer. Të mëdhenjtë sipër tyre kanë vetëm thasë, thasë për të mbushur me lekë. Kështu vazhdon zinxhiri i maskarallëkut në këtë vend."
Por e keqja të gjen edhe në vendet më të bukura e më të virgjëra të natyrës siç është Ujëvara e Sotirës!
"Ngaqë e keqja sot vjen me fytyrë njeriu, që flet në gjuhën tënde? Me një gjuhë shumë lajkatare madje, kur ka votime. Të vjen me buzëqeshje, të puth duart, të përqafon, të qan hallin, të premton zgjidhje. Të kërkon besën, pastaj të kafshon pak e nga pak. Në fillim, herë nuk e ndjen, herë nuk do ta kuptosh. Kur më në fund e ndjen dhe e kupton, është tepër vonë. Kuçedra veshur me kostum firmato t’i ka ngulur dhëmbët deri në kockë! Por nuk mbaron këtu! Të detyron edhe të kërcesh! Të kërcesh si Çeçua! Me një tallava të pështirë që refrenin e ka, gjeje pak … “Ta hëngsha zemrën!"

Edmond Kaçeli, Itali

domenica, luglio 02, 2023

Edmond Kaçeli: Kafshët nuk na kqyrin më!

 Ekspozitë fotografike "open air" Gorzegno, Cuneo, Itali
Nga data 15 korrik deri me 15 shtator 2023
 
-Shkruan Claudio Lorenzoni, kurator, dhe ideator i ekspozitës, drejtor i Muzeumit në Qiell të Hapur, Camo, Itali
 


Lexoj një shkrim në të cilin autori thotë "kafshët nuk na kqyrin më" por jemi ne që i vështrojmë e fotografojmë ato, jashtë këndvështrimit të një ekzistence të pavaruar, ku shoqëria bashkëkohore kërkon pandërprerë, t'iu japë, formën e vet. Kjo duke iu hequr lidhjen e vjetër mes dimensionit njerëzor dhe jo njerëzor, të kafshëve të egra, këtyre bashkëudhëtareve tona historike!
Me pak fjalë nuk na befasojnë mrekullisht më kafshët si pjesë kryesore e spoteve publicitare duke na drejtuar në prodhimet e konsumit të thjeshtëzuar, ose që marrin poza në selfi ironike të gatshme për ti shpërndarë nëpër rrjetet e shumta sociale!

Në këndëvështrimin e sotshëm të kafshëve, ato po përcaktohen thjeshtë si ikonat foshnjarake të maceve, apo këlyshve të vegjël të qenve, që mbushin rrjetet me pamje të kafshëve të hedhura në hapësirë e kohë krejt tjera nga të qenit reale!
Na paraqitet kështu një botë e kafshëve në të cilën mbretëron ligji i absurdit, një natyrë e zhytur në një hiç vend, në një hapësirë të kufizuar, të papërcaktuar, të panjohur! Ndërsa ne, spektatorët, kemi gjithmonë e më shumë idenë e një bote kafshësh të përqëndruar në një përmasë të çuditshme, në mes realitetit dhe përçartjes!

Ndërmjet këtyre pikëvështrimeve ndërhyn Edmond Kaçeli. Ai, me shkrepjet e aparatit fotografik, na rivendos krejt thjeshtë në natyrën e egër tërheqëse pa dorashka e paragjykime, që përkthehet dukshëm tek nevoja për të prezantuar anën tjetër tonën: Kafshën e egër!
Në ndryshim të asaj çka shohim në imazhet e reklamave të modës, kafshët e Kacelit nuk janë metafora të veseve apo virtyteve njerëzore por një gjarpër është një gjarpër, një derr i egër është thjeshtë një derr i egër; e kështu me radhë, sekush me domethënien e tyre të kjartë simbolike; në rastin konkret "origjina e jetës -gjarpri" dhe "forca e jetës -derri i egër"!

Fotografitë e Edmondit braktisin klishetë tradicionale të skemave e egra/objekt i rregullave të një reportazhi thjeshtë përshkrues e ilustrues të një fotografie të jetës së egër militantiste.
Edmondi thjeshtë i fotografon, i sjell të gjalla në habitatin e vet, pa i shqetësuar, me mjeshtërinë tipike që e dallon! Thënë ndryshe i prezanton duke iu kushtuar respekt gjallesave të egra si "tjetri që ekziston si gjithkush prej nesh"

Së mbrami, siç shkruante poeti Fernando Pessoa, "Njeriu nuk din më shumë se kafshët e tjera; por din më pak! Ato (gjallesat) dinë atë që duhet të dinë! Njerëzit, jo!"
 
Claudio Lorenzoni
Kurator i ekspozitës
Drejtor i Muzeut në Qiell të Hapur, Camo, Itali

giovedì, giugno 22, 2023

Herojntë e Gopit! -satirë nga E. Kaceli



Ju erdhët si trima:
Përpara! Fitore!
brekët nëpër këmbë
zutë dhe dashnore!
 
Brekët nëpër këmbë
në zyra hotele
Ju ishit heronj!
Brekët bërë zhele!
 
Lule more trima
mor Burra të Shtetit
kryet iu ha vrima
në zyrat e Dovletit
 
Një Pango i math'
një Shukri horror,
Safeti në gojë
Sokoli me dorë!
 
Tigër ndezur zjarr
Ahmetaj burrnori
kur si ngrihej bishti
Ndizej vibratori!
 
Me brekët e shqyera
mbërtheckat firmato
djegë për dashuri
me gjithë mandate
 
Ju kish' rritë Partia
për një jetë të re
Lule more meshkuj
ju ratë për Atdhe!
 
Pshurrët e shkërdhyet
mandatet e popullit
trimat e Partisë
Ju Heronjtë e Gopit!
 
Por ju jeni burra
këngë iu thur' populli
"Trimat i merr topi
meshkujt i ha Gopi!"

domenica, giugno 18, 2023

Wildlife: Zogu i Shenjtë dhe i legjendave! Nga E. Kaceli

Upupa (Upupa epops)

Për kush është i dhënë, me "mish e shpirt" pas fotografimit të jetës së egër, fotografimi i një specieje për herë të parë, dhe se në mungesën cilësisë së lartë, merr një rëndësi të veçantë! Është si një lloj sfide me veten: Ja dhe këtë e futa në arkiv!
Në këto fotot e mëposhtme, jo me shumë cilësi për shkak të largësisë,(më ndante një lum mjaft i gjerë e i thellë nga vendi i fotografimit) unë shikoj jo vetëm pasionin tim por edhe pasionin e dhjetëra miqve të mij fotografë të botës së egër, që gëzohen, si edhe unë, në këtë rast, kur realizojnë ëndrrën.
 
Por a e dini pse koleksionimi këtij zogu ka një rëndësi të vetme për fotografin e botës së egër?
 
Ky zog me kreshtën tepër të veçantë mbi krye, ka frymëzuar, në shekuj, artistë, poetë, e banorë të të gjithë botës që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët tona!
E përmendur në veçanti në Librat e Shenjtë (Bibla dhe Kurani), në tekstet Sufi (nga dijetarë myslimanë), ky zog zë vend nderi gjithashtu në letërsinë greke, Aristofani, apo në veprat e poetëve të shquar italianë Ugo Foscolo e Eugenio Montale!
Në Egjiptin e lashtë ky zog mbahet si i shenjtë, e në këtë cilësim ishte super i mbrojtur. Ndalohej në mënyrë të veçantë vrasja e tij për çfarëdo lloj destinimi!
Në Kuranin e Shenjtë të besimit mysliman, upupa pati detyrën e ndërlidhësit mes mbretit Salomon dhe mbretëreshës Saba (Bilqis). Nëpërmjet upupës Salomoni i dërgoi një mesazh Sabas (adhuruese e diellit) për kthimin në besimin në Zotin e Vetëm!
Grekët e Romanët e cilësonin si zog mbretëror, për nga elganca dhe kreshta, duke e krahasuar  me fisnikërinë e shpirtit!
Komediani grek Aristofani në komedinë e tij "Zogjtë" e cilëson si mbretin e krijesave me krahë! (krijesat mitologjike me krahë)




martedì, giugno 13, 2023

Kryengritja e kungujve nga E. Kaceli

 
Kryengritësit  Foto E. Kaceli


Hoqën dorë nga lozet.
Çanë ferrat e gardhit.
Dolën në rrugë të madhe.
 
(Kunguj shumëngjyrësh,
kunguj të kuq, kunguj blu,
kunguj rozë, kunguj jeshilë, të verdhë
kunguj gjithëfarë formash,
kunguj të bukur, hijerëndë
kunguj të shëmtuar
Natyrisht në krye kungujt më të zgjuar)
 
Në unitet kungullor morën rrugën e madhe...
 
Habituni!
-fjala është për Kryengritjen e Kungujve
në Vitin Bujqësor.
 
Kunguj të Jashtëzakonshëm
Kunguj Kryengritës.
 
Rrugës së madhe drejt e në treg
Aty i priste kopshtari!

venerdì, maggio 05, 2023

Orët mija dhe Orët e detit nga E. Kaceli


Unë dhe deti              Photo E. Kaceli


Kurdisa orën xhamkrisur.
Ndeza tranzistorin.
Dola. Larg daljes, zhurma e kripur e detit
shpirtin e vrarë vazhdon të kripë.
Këpucët lënë gjurmë në rërën e lagur
zvarriten grimca rëre rreth shojeve
grimca shpirti të keq marrë hua
nuk e di në ç'vend të Botës!
Këpuca i ngjan një gjirizi gjigand
për një qiell liliputësh
Këpucë shkretane
me lëkurën e një derri të vdekur derrërisht
në sallamerinë e modës

...Erë e kripur dhe dallgët e detit
kurdisin orën time mbetur kohe.
Nën peshën e shkumëve mbytet deti
dhe ora ime e krisur.
Përgjatë bregut të shpërlarë anijet e mbytura
nga braktisja...

Ernest Telman... Mbytur.
Kep'i Rodonit... Mbytur
28 Nëntori... Mbytur.

...
Data e mbytje nuk prish punë. E rëndësishmja
ka ndodhur: Mbytur.
Këto anije kurrë nuk kanë qenë anije.
Emeton tranzistori vargjet e një poeti.
Poeti pa vargje poetike. Që nuk do të jetë
ndonjëherë poet. Mbytur.
Fëmijë që nuk do të provojnë kurrë të qenit
fëmijë.
Burra të pa burrëruar ndonjë çast.
Vajza të lindura gra;
gra që nuk do të provojnë kurrë ç'është
gruaja. Mbytur.

Ora e mbytur u çua. Bëri tre katër hapa.
U shkurdis.
Copa të gazetës "Eros" u shpërndanë
si një marrëdhënie seksuale e prerë në mes
nga tërmeti, p.sh.
a fatkeqësi tjetër natyrore.
Gjimnazistja mendje flutur nuk ka ç'të lexojë
në orën e fizikës
Nesër. Deti shpërndan gjurmët e lëna instik-
tivisht nga njeriu -këpucë- boks -derri.
Në të çarat e shpirtit kripa mbjell ndryshk,
truri merr të krisura të reja
Mbylleni gojën!
Përndryshe do t'iu quajnë Njeri Normal.
Krejt normale jeta ime,
jetë krijuesi refugjat, sapo kaloj pragun e derës,
sapo lë pas të lehurën e Zagarit Rojtës
dhe marr prej tij shpirtin e Zagarit Shëtitës.

28 Nëntori... Mbytur më 28 Nëntor 1912
Ernest Telman... Mbytur qysh pa lindur.
Kep'i Rodonit... Mbytur në filogjenezë
Edmond Kaçeli... 9 mars 1966. Mbytur.
o Zot! -përse nuk ekziston një anije e mbytur
me një emër të tillë?! Për nder të mbytjes
time të sapolindur.

* * *

Fantazma ndalon në tregëtoren e ushqimeve
të konservuara
Paguan dy konserva peshku, një turshi, një
kokërr qepë
Instiktivisht del për dere të konservohet
                                              vullnetarisht
Duke realizuar, kësisoj, detyrën sublime
                                                        te krisjes
së xhamit të Orëve...

Shëngjin, Lezhë, 1991 - Itali 2023


venerdì, marzo 17, 2023

Hymn' Idealistëve nga E. Kaceli


Ne erdhëm nga hiçi
i hiç-kohës pa diell
direkt nga burg -jeta
e vendit pa qiell!
 
Dhe jetuam fort
mos -jetën e trazuar
ushqyer marksizëm
gjithëherë t'mashtruar
 
Marksizmin në gjak
në vena, droguar,
e vidhnim nga fyti
në fundjetë mbijetuar!
 
Kur erdhi çasti
i ndryshimit të madh
ne prapë në baltë
mashtruesit në mal!
 
Mashtruesit  e djeshëm
në malin më të lartë
të mashtruarit e mjerë
prapë zhytur në baltë!
 
Ne ishim, ata
që nuk do të jenë kurrë
një grusht idealistësh
që na vranë me gurë...

domenica, marzo 05, 2023

Orët e botës... poezi nga E. Kaceli


Orët  botës, orët e vjetra të botës
kanë mbetë vendnumëro
akrepat nuk ecin
mbërthyer në kurthin magjik të kohës
në atë magjinë e zezë
ku zakonisht shtrigat digjen në zjarr
(pa dallim shtrigat shpirtmira dhe shtrigat shpirtzeza)
 
Tiktaku i zvarritun i orëve të botës
dhe zilja e telefonave të zinj
ngjajnë me orgazmat bërthamore
të njerëzimit të çmendur!
Telefonat e zinj, zilja e fundit,
ku të gjithë do të mbesim të ngrirë
në kurthin e çmendur të dashurisë për luftën!
 
Në hirin e dhimbjes
fill mas orgazmës bërthamore,
do të ringjallen vetëm shtrigat
(shtrigat shpirtmira e shpirtzeza)
në vallëzimin e lumturisë pa njerëz!
 
Orët e vjetra krejt ndryshk të zi
telefonat e zinj të botës, si orët,
unë që shëtis në 800 shkretinat e shpirtit tem
apo në tetë miliard shkretinat e shpirtit të botës?
Njerëzimi,  nuk e meriton jetën! Ndoshta.
 
Itali, pranverë, 2023

domenica, febbraio 26, 2023

Një derr interesant -tregim nga E. Kaceli




Në mes të ditës, përmes sheshit të madh të qytetit (se qyteti i vogël ka edhe një shesh të vogël) i pashqetësuar nga njerëzit e shumtë që vijnë e shkojnë; i pashqetësuar nga makinat e shumta e të markave e viteve nga më të larmishmet; i pashqetësuar nga zyrtarët dhe zyrtaret e shumta që iu bie rruga dy herë në ditë (kur ikin në punë dhe kur kthehen nga zyra) qëndronte një derr.

Po. Po. Një derr. Një derr me praninë e të cilit tash jemi mësuar të gjithë. Me përjashtim të vizitorëve që vijnë herë pas here në sheshin e madh të qytetit të vogël.
Sipas të gjitha gjasave, derri për të cilin po flasim, është një nga derrat më interesantë të botës derrnore të qytetit tim të vogël me dy sheshe.
Një shesh të madh. E një shesh të vogël.
Nëpër sheshin e madh kryqëzohet rruga e zyrtarëve të vegjël me poste të vegjël,  dhe rruga e zyrtarëve të vegjël me poste të mëdhenj.
Ndërsa në sheshin e vogël një herë në vit, çohet flamuri kombëtar me praninë e të gjithë zyrtarëve.

Është një derr i bardhë me pulla të zeza. Qimet e tij shkëlqejnë nga pastërtia dhe nga ushqimi i mirë. Me ç'duket është një derr që ushehet shumë mirë me vitamina e proteina të cilësisë së lartë. Një derr vita -protaminoz sipas veterinerit më të vjetër të qytetit!
Qimja i shkëlqen njëlloj si fytyra e ndonjë zyrtari që lyhet me lloj –lloj kremrash e spërkatet me lloj –lloj parfumrash për ti pëlqyer sekretares së tij leshverdhë. (Sipas statistikave zyrtare 95% e sekretareve i kanë, ose i bëjnë, leshrat e verdhë)
Mbase dhe derri ynë ka ndonjë mikeshë leshverdhë? Ku i dihet? Punë derrash!

Megjithëse duket që është një derr në majmëri, derri ynë nuk harron të ngrejë kryet kur kalon ndonjë lesh... pavarësisht nga soji i leshit që disponon zyrtarja –kalimtare. Thundrat e tij duket sikur nuk kanë rënë asnjëherë në baltën e gropave të qytetit. Madje edhe kur bie shi këmbët e këtij derri nuk janë të zhytura me pak baltë. Mund të themi se derrit të asfaltit i mungon vetëm kollarja për tu quajtur Derr i Rangut të Lartë...
E për këtë arsye po e thërrasim me emrin e përveçëm: Derr. Në shenjë respekti. Në shenjë mirënjohjeje për karakteristikat që ka, dhe nuk ka asgjë të përbashkët, me derrat e vërtetë dhe me derrat e rremë të qyetit tim.

Pra një Derr interesant! I pashqetësuar nga askush. Çdo ditë paraqitet krenar e mospërfillës në mes të rrugës. Njerëzit, që e shohin më shumë se një herë, kur kalojnë pranë tij ulin kryet e nuk bëzajnë. Ndonjëri, krejt instiktivisht, tund sapak kokën në shenjë përshëndetjet pa e pasë mendjen cilin përshëndeti.
Pasi kryet i kthehet në pozicion normal, njeriu i shkretë kujtohet. Kthen i shqetësuar dhe vëren se njeriu, që sa përshëndeti, na qenka një derr. Një Derr, i cili ia ktheu përshëndetjen me një hungërimë te mbytur, ashtu siç mund të hungërijnë vetëm derrat që shëtisin lirisht nëpër rrugët e qytetit, të patrazuar nga askush.

Jo rrallë, prej njerëzve që kalojnë rrugës, Derri dëgjon të zhvillohet ky dialog i përafërt:
-Shiko! Shiko! Prapë Ai...
-Kush?
-Ai pra, Derri i Përditshëm.
-Përse habitesh? Ai vjen prej kohësh këtu. Është shumë i veçantë.
-Çfarë?
-Ndoshta nuk të besohet por ky Derr vjen këtu vetëm në mëngjez nga ora 8 deri aty nga ora nëntë. E në drekë nga ora 14 -15.
-Përkoka me orarin zyrtar.
-Krejt saktë.
-Megjithëse mund të them se është me të vërtetë një Derr interesant..

Por Derri ynë nuk e vret mendjen. Ai hungëron nën hundën e tij –noçkë, të petëzuar e gjithë dhjamë. Indiferent, kreshpëron qimen, pa u hutuar nga anjë kalues nëpër ambjentin rrotull tij...

Lezhë, Shqipëri ’95 -Alba, Itali, '23