Poezi, fotografi, opinione, satirë, humor, polemikë, letërsi, e prapë poezi e prapë fotografi!
domenica, giugno 12, 2022
domenica, giugno 05, 2022
Një president... shuumë presidenta! Satirë nga Edmond Kaceli
![]() |
| marre nga web |
Habemus presidentum! Vox Rama, Vox Deum!
Dakordësia e Edi Ramës me Edi Ramën, u bë me miratimin e doktorit të shkencave të ekonomisë politike, Fortlumturisë së Tij, Taulant Balla, pa të cilin partia socialiste dhe pushteti i rilindjes nuk do të kishte asnjë kuptim!
Të parët e tij ranë në metropolin e Rrogozhinës nga Malësia e Gjakovës! Emri dhe mbiemri i është lënë trashëgim nga Bajram Beg Curri, figurë e njohur në historinë e Shqipërisë!
Gjuhëtarët ekspertë të pellazgjisë, zbuluan se mbiemri Begaj rrjedh nga titulli Bej, që në pellazgjisht mund të lexohet edhe Beg! Ndërsa në shqipen moderne merr mbrapashtesën aj -Begaj!
Në botë shtohet numri i udhëheqësve shqiptarë, ose me origjinë të theksuar shqiptaro -pellazge!
Krahas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryeministrit australian Anthony Albanese, ky është drejtuesi tjetër i lartë me origjinë shqiptaro -pellazge me rrënjë në Malin e Tomorrit!
Natyrisht, siç e bëmë me dije në fillim, për zgjedhjen e tij ka kontribut të jashtëzakonshëm një tjetër politikan me origjinë shqiptare, Lideri Gjithëbotnor Edi Rama!
Ky titull onorifik, jepet nga pipëlli për figurat e shquara politike, meshkuj, e me origjinë të pastër shqiptare! (Për femrat politikane konvertohet në titullin: Grua e Mirë!)
I vetmi nga presidentët shqiptarë që e ka marrë titullin Burrë i Mirë pas Vdekjes, mbetet rahmetliu Bujar Nishani, ish ushtarak edhe ky!
Të gjithë të tjerët që nga Ahmet Zogu, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu, e Bamir Topi e kanë marrë titullin e lartë Burrë i Mirë në të gjallë të tyre!
Përjashtohet Ilir Meta që është titulluar: Burrë i Zoti! Dhe natyrisht Sali Berisha që shpreson ta marrë këtë titull (larg qoftë!) pas vdekjes!
O sa lezet me qenë shqiptar, Ooooo heeeeejjjj!
mercoledì, marzo 23, 2022
Rruga e hidhur e Partisë Demokratike
Qysh me humbjen në zgjedhjet e qershorit 2013, dhe dorëheqjen e Berishës, Partinë Demokratike e kanë shoqëruar vetëm humbjet e njëpasnjëshme të betejave politike me kundërshtarin numër një të sajë Partinë Socialiste, dhe liderin aktual të së majtës Edi Ramën!
Paaftësia e e Lulëzim Bashës, emëruar direkt nga Sali Berisha, e çoi me sukses të madh, PD-në nga humbja në humbje!
E hidhur, por e vërtetë, është të pranosh se sa herë forcohej Lulëzim Basha, në pozitat e veta drejtuese brenda PD-së, dhe sa herë dobësohej roli i Sali Berishës brenda kësaj Partie, PD shënonte humbjen e radhës, humbje edhe më e madhe se humbja pararendëse!
Basha, ky humbës i jashtëzakonshëm, bashkë me shpurën e servilëve dhe beniaminëve të mbledhur përreth tij, të zgjedhur vetëm nga vendimet personale, ishte dhe mbetet ideatori dhe udhëheqësi i kësaj force politike, nga humbja në humbje!
Nuk po përmendi listën e të larguarve nga Lulzim Basha, brenda radhëve dhe figurave të PD-së, pasi ajo listë ua kalon disa herë edhe të larguarve nga vetë Saliu, kur ishte në krye të PD-së!
Gabimi përfundimtar ishte, në përpjekjen për të realizuar fitoren, largimi i Berishës! Llogaritë, Basha nuk u shqua asnjëherë për matematikë dhe logjikë në fushën e llogarive të të thjeshta, apo politike, i dolën më të gabuara se asnjëherë!
Me përpjekjen për tu larguar nga Berisha, për tu dukur ndryshe nga Berisha, duke emëruar në postet partiake "besnikët" e vet, e duke promovuar kandidatë lokalë, kandidatë për deputetë e deputetë, figura pa asnjë kontribut në PD, ai bëri gabimin e shkëputjes jo veç nga baza e votuesve të thjeshtë, e të mesëm, por edhe nga votuesit e mëdhenj të kësaj partie. Këta të fundit nuk duhet harruar se gjithmonë kanë sadopak ndikim ndër votuesit e vegjël (realë) të bazës!
Ardhja në PD e figurave që nuk i voton as gruaja apo burri i vet, mbetet një ndër arsyet themelore që kjo forcë politike koleksionoi humbje seriale! Shumë prej këtyre ardhjeve u frynë qëllimisht si ajka e intelektualëve shqipfolës, që në përballjen e parë e të fundit me elektoratin dolën ca "kunguj" që notojnë mbi ujë dhe fundi iu dihet që në fillim!
Nga ana tjetër shpallja "non grata" e Berishës nga Partia e Lulëzim Bashës, dhe e grupit të të panjohurve që afroi pranë vetes, e largoi përfundimisht udhëheqjen e qendrës së partisë nga elektorati i kësaj partie.
Mes alternativës: Basha, apo Rama (Bashën e quajtën shpesh vegël të Ramës) elektorati zgjodhi të mos votojë për asnjërin, ose në rastin e minizgjedhjeve të fundit preferoi më shumë Berishën se sa Bashën!
Me dorëheqjen e Bashës, grupi i të zgjedhurve nga Basha mbeti i vetmuar përballë Berishës dhe përkrahësve të tij që janë shumicë në PD, pavarësisht se na pëlqen apo jo!
Ky grup, jashtëzakonisht në minorancë, që me Bashën dolën forcë e tretë, e shumë larg Berishës, tani që iku Basha, iu kanë mbetur në dorë vetëm "çelësat e kashtës" ku ushqehen si politikanë të SHQUPI-it!
Ana qesharake e tyre është se kërkojnë të shesin sa më shtrenjtë veten, me shpresën e largimit vullnetar të Berishës, në emër të bashkimit!
Rikthimi i hidhur i PD-së tek Berisha, pas nëntë vjetësh, aktualisht mbetet si e vetmja rrugë e logjikës së ftohtë, për të kthyer këtë forcë politike në garën elektorale të balancimit të politikës në Shqipëri, që për hir të së vërtetës është dominuar këto vite, vetëm nga leshi i mjekrës, dhe luku i veshjes së Edi Ramës!
mercoledì, febbraio 16, 2022
Pumpkin -Kungulli -poezi satirike nga E. Kaceli
veç mori Kungulli një hije të randë!
E morën Kungullin e banë Mbret
e fjalë të urta prej gojet po qet!
prej mendve të shumta pak kryet varë
varë kryet e randë e fjalët po i l'mon
mjeshtër i madh, majë karriges k'non
asht ma i meçmi i nahisë së vet!
Prej nadjes der' n'darkë veç perla urtijet
asht fort i meçëm, Kungull Malsijet!
me ba me dashtë ta zgjidh noj hall
i frymë në ftyrë e kryet sa i'kosh
përjashta i bukur, e mrenë krejt bosh!
sabato, gennaio 29, 2022
Kur maskat të bien... poezi nga E. Kaceli
me zhurmë kur ra,
pa zhurmë kur u ngrit
prej fantazive t'liga t'sundimtarëve t'botës
ku mbetëm t'prangosun,
t'mbyllun
t'izoluem
pa mujtë me ba nji hap afrimi
Kena me kuptu sa mirë ishim të distancuem!
prej fytyrave tona të lodhuna
kur maskat ti hedhim si zhele t'pavlera
përtokë
kena me pa të vërtetën
lakuriqësinë e fytyrave t'shoqi -shojt
kena me u kujtua, atëbotë
se t'mirë,
sa t'bukur,
sa realë,
ishim me maska...
domenica, gennaio 23, 2022
O ç'kam me vdekë një ditë! nga E. Kaceli
nga kafshimet
nga kafshimet e pabesta të njeriut tinzar!
-pa derdhë grimën e gjakut
prej trupit tem të lodhun
pa ndi dhimbje
-askund
në asnji qelizë
vetëm kam me ra pabesisht
përtokë
nën pabesinë tinzare të kafshimit
gjarpuner
mbretni e frikshme,
-Kam me humbë patjetër!
prej kafshimit të pabesë, tinzar!
Kam me vdekë!
Kam me harru me marrë frymë!
domenica, gennaio 16, 2022
Dashuri në kohë e terrorizmit! Nga E. Kaceli, Itali
| Eralda Baze Foto E. Kaceli |
Shënim për romanin bashkëkohor "Dielli më perëndon në Lindje" të romancieres Eralda Baze
Romancierja shqiptare Eralda Baze thotë "Dielli më perëndon në Lindje!"
Sipas mejet, romani, i shkrimtares bashkëkohore shqiptare, që po rrin në listën e librave më të shitur në Shqipëri, duhej të kishte një titull tjetër të ngjashëm me të Markez-it, një titull më tregtar!
Për shembull:"Dashuri në kohën e terrorizmit"
E kur flasim për terrorizmin nuk kemi parasysh terrorizmin që ka thjeshtë një shpërthim eksplozivi apo bombe! Shpërthimi është vetëm rezultati final! Vdekja fizike e njeriut!
Vdekja fizike nuk është asgjë në krahasim me vdekjen shpirtërore që i ndodh përditë e nga pak intelektualit shqiptar!
Terrorizmin ndaj intelektualëve, në Shqipëri, në Ballkanin tmerrësisht lindor, e në përgjithësi në Lindje.
Tirana është pasqyra më e spikatur, pasqyra më reale. Përpara se të marrë formën e një bombe shpërthyese në një vend të Lindjes, ku perëndon tragjikisht dielli, terrorizmi ndaj intelektualëve ka fillua qysh më herët! Na shoqëron kudo: Në shtëpi, në zyrë, në ambjentet e punës, në rrugë, para televizorit, në median e shitur, në kafe...
Ambjenti mbytës, paragjykimet, dhuna psikologjike dhe ajo fizike, dhuna e fjalës, mungesa e kushteve më normale të një shoqërie normale, janë fillesat dhe vijimësia e terrorizmit që do të finalizohet me një shpërthim vrasës!
E ndërsa ti, intelektuali i sotshëm (personazhet e romanit) lypën rrugëdaljen nga terrori psikologjik dhe psikopatia mërzitëse e Tiranës, përfundon rrugëve të botës, ku fati yt si intelektual shqiptar i ngjan, tmerrësisht, fatit të intelektualëve të mbarë Lindjes!
Një dramë, në dramën e madhe, spikat drama e femrave intelektuale shqiptare tipike e femrave të Ballkanit, e femrave të Lindjes, dielli i të cilave, perëndon përditë nën trysninë e maskilizmit, në kërkim të një rrugëdaljeje të kotë! Një rrugëdaljeje krejt të pamundur!
Një përgëzim edhe për botimet "SCHNELL" që ia kanë dal të zgjedhin me guxim e sukses, në mes prezantimit të një autoreje të panjohur deri tani për publikun dhe përfitimit nga tregu i rrëmujshëm i librit në Shqipëri, që si rregull publikon e promovon vetëm emra të njohur të prozatorëve të huaj!
Edmond Kaceli, Itali, janar 2022domenica, gennaio 09, 2022
Kur u shembën statujat... nga E. Kaceli
(nën rrëmujën dhe delirin e turmës)
turma u çmend prej gëzimit...
Në çmendje e sipër, turma e çmendur
filloi ndërtimin e statujave të reja
Themelet po ato!
nga mijërat e turmës së çmendur
u afrua të shihte bronxin hijerëndë
derdhur sipas formave të atyre që
dikur,
në një kohë të afërt, sundonin turmën!
Forma të bukura, bronx i cilësisë së lartë!
Hodhi sytë brenda, ndërsa turma në delir
vallëzonte përreth themeleve
në pritje të statujave të reja
sundimi
-pa boshllëkun e madh brenda statujave
Ishte një njeri i vetëm!
Përballë mijërave turmave të çmendura...
mercoledì, dicembre 15, 2021
Atmosferë festash 2021! nga E. Kaceli
Lodhur, gjymtuar ma fort
Krejt zvarrë po ikën... Fundviti!
Fantazitë njerëzore zënë frymën
me maska
Zvarriten ditët e fundvitit
njerëzit zvarriten pas tyre
Ekzistencë çalamane...
Maskuar deri në sy
në sytë e tretun rrugësh pa drejtim!
plastikë dritash...
plastikë fjalësh...
plastikë urimesh...
Plastikë njerëzish gjithashtu...
Diellit i kemi vënë maskë!
Hënës gjithashtu!
Makabritet urimesh pa kuptim
Kujtime të largëta dashurie, pa dashuri
Lulet kanë ngrirë
Kohë krejt pa ngjyrë
Mos harro maskën!
Ndryshe je pa f 'tyrë!
-Gëzime paç!
Shëndet!
-Ma mirë m'thuaj: Plaç!
domenica, dicembre 05, 2021
I vrarë dashurie -sonet nga E. Kaceli
rri në një skaj të harruar të dashurisë magjike
i vrarë, i mohuar, i pakallur në dheun e mosqenies,
i lagur fund e krye me brilante lotësh tragjike.
Me zemër të goditur deri në tejskaj
flas me veten, si i çmendur prej Dreqit, a Zotit
e çmendem, e çmendem i kapur në faj
e hidhem i pashpresë në humnerën e Kotit.
Me bishta cigaresh, bëj piramida në tavllën e mosfatit
si kafkat e Timur Lengut, në shenjtërim të fitores
përreth qarkohen ndjenja të pakuptimta.
brilante lotësh shkëputen brerores
tek’ fjalët treten, humbin të pîmta...

