Mendime te çmendura

Mendime të çmendura

Mendoj: Asgjë.

Bëj: Asgjë.

Them: Asgjë.

Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!

E. Kaceli

Lexues

Tuesday, January 31, 2012

Profesioni: Mos me bà asgjà!

Pamflet
nga Edmond Kaceli

Quando diventerò grande, vado in Albania a far’ niente. Perché cosi fanno tutti gli albanesi -mio figlio Erik, 7.
Kur te rritem do të shkoj në Shqipëri e të punoj asgjë. Sepse kështu bëjne të gjithë shqiptarët. - djali im Erik, 7 vjeç.

Dhe kur e pyesin: Në ç’vend i ke parë që shqiptarët nuk bëjnë asgjë?
Përgjigjet shpejt: Sa herë që shkojmë në Shqipëri i shoh të gjithë.

Ky gjykim i vogëlushit 7 vjeçar, më ka mahnitë jo vetëm mua, por gjithkënd prej miqve të mij që ia kam treguar.
Në fakt : Mos me bà asgja- ky është një profesion që ne Shqiptarët e dimë më së miri dhe e realizojmë në prefeksion.
Prej mëngjezit deri në darkë vonë në Shqipëri duken, në pamje të parë, sikur të gjithë janë të zënë me punë, dhe kushedi se sa shumë punojnë. Kështu duken në pamje të jashtme.

Por sa të hapësh derën e parë të një shtëpie shikon që është ditë pushimi.
Të gjithë familjarët, dhe ndonjë mik i familjes i zgjuar herët, janë mbledhë rreth filaxhanit të kafesë, shoqëruar gotën e rakisë. Të rrethuar flasin fjalë burrnie, histori (thashetheme) katundi që iu duket si qytet, e thashetheme qyteti që ju duket si katund.

Bëjnë politikën e kryeplakut, politikën e kryetarit të komunës, politikën e qeverisë, të presidentit shqiptar e më pas hidhen në arenën ndërkombëtare. Pikërisht aty të gjithë i ke kompetentë. Të gjithë bëhen analistë të mëdhenj. Të gjithë, pa përjashtim moshe, njohin me përgjegjësi të lartë çështjet ndërkombëtare, e udhëheqësit ndërkombëtarë që i përziejnë. I njohin me emra, mbiemra, gra, dashnore, fis e farë, më mirë se ç’njohin delet, dhitë lopët a derrin e vetëm që kanë në kasollen e tyre.
Bagëtitë e gjora, që ju ka ikë orari i mjeljes, apo iu është vonuar orari i tagjisë së mëngjezit, fillojnë të pëllasin, e burrat e familjes fillojnë të shtijnë tek a çift se kujt i takon ti ushqejë, aty nga ora 10.

Shqiptarin tipik “nuk bàj asgja” mos e gjetsh në divanin e shtëpisë, (në karrige nuk ulen kurrë se iu dhemb bytha) e gjen në kafenetë (baret) e shumta të fshatit a qytetit, duke ushtruar denjësisht profesionin.
Kafja shoqërohet me një klas tjetër pijesh. Qysh prej zbulimit të “Red Bull” “B52” e ndonjë pieje tjetër energjike, shqiptarët janë bërë me krahë dhe vetëm barku i zmadhuar tej maset nuk i lë të fluturojnë!
Baret e qytetit janë të mbushura aq shumë sa nuk gjen vend ku të ulesh.
Në lokale i gjen të gjithë. Njerëz të thjeshtë, hallexhinj profesionistë, pijanecë profesionistë, gra me burra, gra pa burra, burra pa gra, nxënës shkolle pa shkollë... Lista e gjatë mbyllet me zyrtarin tipik barkalec shqiptar. Zyrtarin që të gjitha çështjes e zyrës i zgjidh në kafene, e të gjitha çështjet e kafes i zgjidh më vonë në zyrë.
E njeriu normal kur shkon në Shqipëri pyet veten: Është ditë normale pune apo mbledhja e sindikatës së “asgjë bërësve”.

Por çështja është më e thellë. Nëse, larg qoftë e dashtë Qoftë Largu, ke nevojë për një asgjëbërës në Shqipëri, bëj kujdes! Bëj shumë kujdes! Asgjëbërësin e ke përgjithësisht të zënë me punën e tij të përhershme: Duke bërë asgjë.
Dhe duhet të jesh shumë i lumtur, e të mos guxosh ta pyesësh dy herë rresht, kur të thotë : Eh! Tash për tash jam i zënë. Hajde më vonë. Ose më mirë, më ço një zile telefoni se të marr vetë...

Dhe ti që vjen nga një botë tjetër ku njerëzit e shkretë rropaten në punë nga mëngjezi i parë deri në darkë vonë, gati të duket vetja i marrë e pyet veten: Përse? Përse të mos kthehem në Shqipëri dhe të filloj punë Asgjëbërës?
Është kohë krize ku i dihet...