Lexues

domenica, giugno 18, 2023

Wildlife: Zogu i Shenjtë dhe i legjendave! Nga E. Kaceli

Upupa (Upupa epops)

Për kush është i dhënë, me "mish e shpirt" pas fotografimit të jetës së egër, fotografimi i një specieje për herë të parë, dhe se në mungesën cilësisë së lartë, merr një rëndësi të veçantë! Është si një lloj sfide me veten: Ja dhe këtë e futa në arkiv!
Në këto fotot e mëposhtme, jo me shumë cilësi për shkak të largësisë,(më ndante një lum mjaft i gjerë e i thellë nga vendi i fotografimit) unë shikoj jo vetëm pasionin tim por edhe pasionin e dhjetëra miqve të mij fotografë të botës së egër, që gëzohen, si edhe unë, në këtë rast, kur realizojnë ëndrrën.
 
Por a e dini pse koleksionimi këtij zogu ka një rëndësi të vetme për fotografin e botës së egër?
 
Ky zog me kreshtën tepër të veçantë mbi krye, ka frymëzuar, në shekuj, artistë, poetë, e banorë të të gjithë botës që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët tona!
E përmendur në veçanti në Librat e Shenjtë (Bibla dhe Kurani), në tekstet Sufi (nga dijetarë myslimanë), ky zog zë vend nderi gjithashtu në letërsinë greke, Aristofani, apo në veprat e poetëve të shquar italianë Ugo Foscolo e Eugenio Montale!
Në Egjiptin e lashtë ky zog mbahet si i shenjtë, e në këtë cilësim ishte super i mbrojtur. Ndalohej në mënyrë të veçantë vrasja e tij për çfarëdo lloj destinimi!
Në Kuranin e Shenjtë të besimit mysliman, upupa pati detyrën e ndërlidhësit mes mbretit Salomon dhe mbretëreshës Saba (Bilqis). Nëpërmjet upupës Salomoni i dërgoi një mesazh Sabas (adhuruese e diellit) për kthimin në besimin në Zotin e Vetëm!
Grekët e Romanët e cilësonin si zog mbretëror, për nga elganca dhe kreshta, duke e krahasuar  me fisnikërinë e shpirtit!
Komediani grek Aristofani në komedinë e tij "Zogjtë" e cilëson si mbretin e krijesave me krahë! (krijesat mitologjike me krahë)




martedì, giugno 13, 2023

Kryengritja e kungujve nga E. Kaceli

 
Kryengritësit  Foto E. Kaceli


Hoqën dorë nga lozet.
Çanë ferrat e gardhit.
Dolën në rrugë të madhe.
 
(Kunguj shumëngjyrësh,
kunguj të kuq, kunguj blu,
kunguj rozë, kunguj jeshilë, të verdhë
kunguj gjithëfarë formash,
kunguj të bukur, hijerëndë
kunguj të shëmtuar
Natyrisht në krye kungujt më të zgjuar)
 
Në unitet kungullor morën rrugën e madhe...
 
Habituni!
-fjala është për Kryengritjen e Kungujve
në Vitin Bujqësor.
 
Kunguj të Jashtëzakonshëm
Kunguj Kryengritës.
 
Rrugës së madhe drejt e në treg
Aty i priste kopshtari!

venerdì, maggio 05, 2023

Orët mija dhe Orët e detit nga E. Kaceli


Unë dhe deti              Photo E. Kaceli


Kurdisa orën xhamkrisur.
Ndeza tranzistorin.
Dola. Larg daljes, zhurma e kripur e detit
shpirtin e vrarë vazhdon të kripë.
Këpucët lënë gjurmë në rërën e lagur
zvarriten grimca rëre rreth shojeve
grimca shpirti të keq marrë hua
nuk e di në ç'vend të Botës!
Këpuca i ngjan një gjirizi gjigand
për një qiell liliputësh
Këpucë shkretane
me lëkurën e një derri të vdekur derrërisht
në sallamerinë e modës

...Erë e kripur dhe dallgët e detit
kurdisin orën time mbetur kohe.
Nën peshën e shkumëve mbytet deti
dhe ora ime e krisur.
Përgjatë bregut të shpërlarë anijet e mbytura
nga braktisja...

Ernest Telman... Mbytur.
Kep'i Rodonit... Mbytur
28 Nëntori... Mbytur.

...
Data e mbytje nuk prish punë. E rëndësishmja
ka ndodhur: Mbytur.
Këto anije kurrë nuk kanë qenë anije.
Emeton tranzistori vargjet e një poeti.
Poeti pa vargje poetike. Që nuk do të jetë
ndonjëherë poet. Mbytur.
Fëmijë që nuk do të provojnë kurrë të qenit
fëmijë.
Burra të pa burrëruar ndonjë çast.
Vajza të lindura gra;
gra që nuk do të provojnë kurrë ç'është
gruaja. Mbytur.

Ora e mbytur u çua. Bëri tre katër hapa.
U shkurdis.
Copa të gazetës "Eros" u shpërndanë
si një marrëdhënie seksuale e prerë në mes
nga tërmeti, p.sh.
a fatkeqësi tjetër natyrore.
Gjimnazistja mendje flutur nuk ka ç'të lexojë
në orën e fizikës
Nesër. Deti shpërndan gjurmët e lëna instik-
tivisht nga njeriu -këpucë- boks -derri.
Në të çarat e shpirtit kripa mbjell ndryshk,
truri merr të krisura të reja
Mbylleni gojën!
Përndryshe do t'iu quajnë Njeri Normal.
Krejt normale jeta ime,
jetë krijuesi refugjat, sapo kaloj pragun e derës,
sapo lë pas të lehurën e Zagarit Rojtës
dhe marr prej tij shpirtin e Zagarit Shëtitës.

28 Nëntori... Mbytur më 28 Nëntor 1912
Ernest Telman... Mbytur qysh pa lindur.
Kep'i Rodonit... Mbytur në filogjenezë
Edmond Kaçeli... 9 mars 1966. Mbytur.
o Zot! -përse nuk ekziston një anije e mbytur
me një emër të tillë?! Për nder të mbytjes
time të sapolindur.

* * *

Fantazma ndalon në tregëtoren e ushqimeve
të konservuara
Paguan dy konserva peshku, një turshi, një
kokërr qepë
Instiktivisht del për dere të konservohet
                                              vullnetarisht
Duke realizuar, kësisoj, detyrën sublime
                                                        te krisjes
së xhamit të Orëve...

Shëngjin, Lezhë, 1991 - Itali 2023