Lexues

venerdì, marzo 17, 2023

Hymn' Idealistëve nga E. Kaceli


Ne erdhëm nga hiçi
i hiç-kohës pa diell
direkt nga burg -jeta
e vendit pa qiell!
 
Dhe jetuam fort
mos -jetën e trazuar
ushqyer marksizëm
gjithëherë t'mashtruar
 
Marksizmin në gjak
në vena, droguar,
e vidhnim nga fyti
në fundjetë mbijetuar!
 
Kur erdhi çasti
i ndryshimit të madh
ne prapë në baltë
mashtruesit në mal!
 
Mashtruesit  e djeshëm
në malin më të lartë
të mashtruarit e mjerë
prapë zhytur në baltë!
 
Ne ishim, ata
që nuk do të jenë kurrë
një grusht idealistësh
që na vranë me gurë...

domenica, marzo 05, 2023

Orët e botës... poezi nga E. Kaceli


Orët  botës, orët e vjetra të botës
kanë mbetë vendnumëro
akrepat nuk ecin
mbërthyer në kurthin magjik të kohës
në atë magjinë e zezë
ku zakonisht shtrigat digjen në zjarr
(pa dallim shtrigat shpirtmira dhe shtrigat shpirtzeza)
 
Tiktaku i zvarritun i orëve të botës
dhe zilja e telefonave të zinj
ngjajnë me orgazmat bërthamore
të njerëzimit të çmendur!
Telefonat e zinj, zilja e fundit,
ku të gjithë do të mbesim të ngrirë
në kurthin e çmendur të dashurisë për luftën!
 
Në hirin e dhimbjes
fill mas orgazmës bërthamore,
do të ringjallen vetëm shtrigat
(shtrigat shpirtmira e shpirtzeza)
në vallëzimin e lumturisë pa njerëz!
 
Orët e vjetra krejt ndryshk të zi
telefonat e zinj të botës, si orët,
unë që shëtis në 800 shkretinat e shpirtit tem
apo në tetë miliard shkretinat e shpirtit të botës?
Njerëzimi,  nuk e meriton jetën! Ndoshta.
 
Itali, pranverë, 2023

domenica, febbraio 26, 2023

Një derr interesant -tregim nga E. Kaceli




Në mes të ditës, përmes sheshit të madh të qytetit (se qyteti i vogël ka edhe një shesh të vogël) i pashqetësuar nga njerëzit e shumtë që vijnë e shkojnë; i pashqetësuar nga makinat e shumta e të markave e viteve nga më të larmishmet; i pashqetësuar nga zyrtarët dhe zyrtaret e shumta që iu bie rruga dy herë në ditë (kur ikin në punë dhe kur kthehen nga zyra) qëndronte një derr.

Po. Po. Një derr. Një derr me praninë e të cilit tash jemi mësuar të gjithë. Me përjashtim të vizitorëve që vijnë herë pas here në sheshin e madh të qytetit të vogël.
Sipas të gjitha gjasave, derri për të cilin po flasim, është një nga derrat më interesantë të botës derrnore të qytetit tim të vogël me dy sheshe.
Një shesh të madh. E një shesh të vogël.
Nëpër sheshin e madh kryqëzohet rruga e zyrtarëve të vegjël me poste të vegjël,  dhe rruga e zyrtarëve të vegjël me poste të mëdhenj.
Ndërsa në sheshin e vogël një herë në vit, çohet flamuri kombëtar me praninë e të gjithë zyrtarëve.

Është një derr i bardhë me pulla të zeza. Qimet e tij shkëlqejnë nga pastërtia dhe nga ushqimi i mirë. Me ç'duket është një derr që ushehet shumë mirë me vitamina e proteina të cilësisë së lartë. Një derr vita -protaminoz sipas veterinerit më të vjetër të qytetit!
Qimja i shkëlqen njëlloj si fytyra e ndonjë zyrtari që lyhet me lloj –lloj kremrash e spërkatet me lloj –lloj parfumrash për ti pëlqyer sekretares së tij leshverdhë. (Sipas statistikave zyrtare 95% e sekretareve i kanë, ose i bëjnë, leshrat e verdhë)
Mbase dhe derri ynë ka ndonjë mikeshë leshverdhë? Ku i dihet? Punë derrash!

Megjithëse duket që është një derr në majmëri, derri ynë nuk harron të ngrejë kryet kur kalon ndonjë lesh... pavarësisht nga soji i leshit që disponon zyrtarja –kalimtare. Thundrat e tij duket sikur nuk kanë rënë asnjëherë në baltën e gropave të qytetit. Madje edhe kur bie shi këmbët e këtij derri nuk janë të zhytura me pak baltë. Mund të themi se derrit të asfaltit i mungon vetëm kollarja për tu quajtur Derr i Rangut të Lartë...
E për këtë arsye po e thërrasim me emrin e përveçëm: Derr. Në shenjë respekti. Në shenjë mirënjohjeje për karakteristikat që ka, dhe nuk ka asgjë të përbashkët, me derrat e vërtetë dhe me derrat e rremë të qyetit tim.

Pra një Derr interesant! I pashqetësuar nga askush. Çdo ditë paraqitet krenar e mospërfillës në mes të rrugës. Njerëzit, që e shohin më shumë se një herë, kur kalojnë pranë tij ulin kryet e nuk bëzajnë. Ndonjëri, krejt instiktivisht, tund sapak kokën në shenjë përshëndetjet pa e pasë mendjen cilin përshëndeti.
Pasi kryet i kthehet në pozicion normal, njeriu i shkretë kujtohet. Kthen i shqetësuar dhe vëren se njeriu, që sa përshëndeti, na qenka një derr. Një Derr, i cili ia ktheu përshëndetjen me një hungërimë te mbytur, ashtu siç mund të hungërijnë vetëm derrat që shëtisin lirisht nëpër rrugët e qytetit, të patrazuar nga askush.

Jo rrallë, prej njerëzve që kalojnë rrugës, Derri dëgjon të zhvillohet ky dialog i përafërt:
-Shiko! Shiko! Prapë Ai...
-Kush?
-Ai pra, Derri i Përditshëm.
-Përse habitesh? Ai vjen prej kohësh këtu. Është shumë i veçantë.
-Çfarë?
-Ndoshta nuk të besohet por ky Derr vjen këtu vetëm në mëngjez nga ora 8 deri aty nga ora nëntë. E në drekë nga ora 14 -15.
-Përkoka me orarin zyrtar.
-Krejt saktë.
-Megjithëse mund të them se është me të vërtetë një Derr interesant..

Por Derri ynë nuk e vret mendjen. Ai hungëron nën hundën e tij –noçkë, të petëzuar e gjithë dhjamë. Indiferent, kreshpëron qimen, pa u hutuar nga anjë kalues nëpër ambjentin rrotull tij...

Lezhë, Shqipëri ’95 -Alba, Itali, '23