Lexues

mercoledì, febbraio 17, 2021

Wildife: Lejleku i Zi (Ciconia nigra) -një ndër mrekullitë e rralla!

shkrimi dhe fotografitë nga E. Kaceli, Itali


Për mua personalisht fotografia e natyrës është këmbëngulje, është shumë sakrificë, është pak mjeshtëri e në rastin më të mirë është fat!
Sa herë që realizoj ndonjë fotografi të një subjekti të pa fotografuar më parë unë e quaj fat!
Fat, sepse mund të ndodhë që ke pritë gjatë gjithë ditës në temperaturë të ulët, nën 10 gradë a më shumë! Ke ecur kilometra të tërë, apo je pozicionuar nga njëri vend në tjetrin, më kot, duke pritur rastin fatlum të një shkrepjeje të sukseshme.
Kështu më ka ndodhur në rastin e fotografimit të Lejlekut të Zi, specie që shihet krejt rrallë në Itali, por edhe në Kosovë apo Shqipëri.

Në Shqipëri, sipas guidës së specializuar në jetën e egër, Altin Hila, mund të ketë një ose dy çifte të Lejlekut të Zi. Por që nuk ka të dhëna të sakta se ka folenizuar apo thjeshtë ka kaluar nëpër rrugën e tij të emigrimit.
Ndërsa në Kosovë, sipas fotografit të natyrës së egër Arian Mavriqi, është vërtetuar vetëm një çift, (i dokumentuar për herë të parë me fotografi e filmim nga ai) në proces emigrimi gjatë vitit 2020!
Ndërkohë sipas AOS- Albanian Ornithological Society: Lejleku i Zi është ndeshur gjatë vrojtimeve te tyre në vite, në numra te rrallë,  në zonat e lumenjve Vjosë, Drinos, Drin i Zi, Bunë etj. Por nisur nga fakti qe ky lloj lejleku folenizon larg zonave të banuara është e vështirë të përcaktohet saktësisht folenizimi i tij.
Për të kuptuar se sa i rrallë është ky shpend me një bukuri të pazakontë, vlen të theksohet se në Itali llogariten rreth 20 çifte që kanë folenizuar rregullisht vitet e fundit në Itali. Folenizimi i parë është shënuar në vitin 1994!


Pikërisht për këtë e quaj fat fotografimin e një specieje të tillë të rrallë e të bukur, në Racconigi, Piemonte, Itali.
Lejleku i Zi (Ciconia Nigra, ose Black Stork) bën pjesë në familjen e lejlekëve. Është pak më i vogël se lejleku i bardhë. Pesha mesatare rreth 3 kg, e gjatësi 95 cm, me një hapje krahësh rreth 2 metër! Ngjyra e puplave, kryesisht e zezë, por që në varësi të ndriçimit merr nuanca nga jeshilja në manushaqe metalike.
Ushqimi i preferuar janë peshqit, amfibët dhe reptilët. Depoziton nga 3 deri në 6 vezë.


Gjatë historisë vende të ndryshme e kultura të ndryshme, e kanë mbrojtur lejlekun e bardhë, dhe lejlekun e zi me ligje të veçanta dhe tepër të ashpra!
Në botën e simbologjisë dhe spjegimit të ëndërrave: E zeza presupozon në thellësi të nën ndërgjegjes, të vërteta të fshehura që kur shoqërohet me figurën e lejlekut kthehet në një pozitivitet dhe kontraste shumë interesante që flasin në vijim për ndryshime të rëndësishme e të mira në jetën tuaj!


mercoledì, febbraio 03, 2021

I paprekshëm në qiellin tim -sonet nga E. Kaceli


 
















Në fluturofsha një ditë me krahët e fluturës
në ngjyra të rreme të një qielli të rremë
lëshoni pak erë më tepër, krahët do t'më lodhen
Lehtas do të zbres në tokë, ose do të tretem diku...
 
Në u ngritsha përsëri fluturim, pas kësaj
me krahët e zogut këtë herë
rreth jush do të sillem ogurndjellës
(i bardhë, a i zi? -ogur i rremë)
 
Më tepër ju fryni erë, pendët do më shkunden
Krejt lakuriq do të dergjem në këmbët tuaja
Përpara se t'më vini këmbën dhe një herë
 
përpara se t'më fryni si një zhele pa vlerë
Krahët e mij do të shpalosi fluturim
I gjallë. I lirë. I paprekshëm! -në Qiellin tim!
 
mars 1990

martedì, gennaio 19, 2021

Lutje e sinqertë Zotit! nga E. Kaceli

Një kujtim, një poezi, një kushtim...


Kjo poezi prej katër rreshtash, ndoshta nuk ia vlen me e quajtë as edhe poezi!
Diku e paskam shkrujtë në letër të pastër, aty nga viti 1991. E nuk më kujtohej a e kam publiku në shtypin e kohës!
Vetëm kur miku im i kahershëm Arben Ndoi e shkroi (fjalë për fjalë) në profilin social të poetit dhe mikut tonë të përbashkët, poetit dhe gazetarit,  Marash Mirashi, (miqtë si Arbeni ishin lexuesit dhe redaktorët e parë të poezive tona) u kujtova e iu vuna kërkimit në fletoret e mija të dikurshme!
E gjeta me mundim.
E thashë me vete: Hajt se ndoshta e kam publiku edhe në ndonjërin nga tre librat e mij poetikë!
I pari "Simbiozë" Lezhë 1994, ma shumë asht si fletore se sa libër! Bile i mungon edhe ISBN-ja, për faktin se në atë kohë iu mungonte të gjitha botimeve që dilnin nga shtypi i kohës.
Habia ma e madhe : Në faqen e fundit të librit kisha publiku edhe këto katër vargjet me titull:
 
Lutje e sinqertë Zotit!
O Zot!
-ndihmomë të çmendem
ndonëse jam i shkalluar
në këtë botë të marrë.

janar 1991
 
Gjithsesi duke falenderuar edhe një herë mikun tim Arben Ndoi për kujtesën e mrekullueshme, (30 vjet nuk janë pak) po e lë në gjykimin tuaj se a mundet me u quejtë poezi apo jo! (Sinqerisht mua më duket poezi, e vetja, nganjëherë,  më duket edhe pak si poet!)