Lexues

martedì, aprile 21, 2026

Nga Shënkolli në zemër të Legnanos: Rrugëtimi i Aleks Vulajt, kandidati që synon të përfaqësojë zërin e emigrantëve

Shkruan E. Kaceli, Itali


LEGNANO, Itali
– Historia e emigracionit shqiptar në Itali është e mbushur me sakrifica, integrim dhe, tashmë, me një dëshirë në rritje për të kontribuar aktivisht në jetën publike të vendit pritës. Një shembull konkret i këtij rrugëtimi është ai i Aleks Vulajt.
Aleksi, pas dy dekadash jetese në Legnano, ka vendosur të kandidojë për këshilltar komunal në listën "Fare Centro con Radice", në mbështetje të kryebashkiakut aktual Lorenzo Radice.
 
Një lidhje që nis në vitin 1992
Për Vulajn, dashuria për kulturën italiane, dhe Italinë,  nuk lindi në brigjet e Adriatikut gjatë eksodeve të mëdha, por në vendlindjen e tij, në Shënkoll të Lezhës. Ishte viti 1992, (vetëm 16 vjeç), kur misionarët e parë italianë u vendosën në zonën e Bregut të Matit, duke sjellë jo vetëm ndihma, por edhe një model të ri edukimi dhe humanizmi për një popull që sapo kishte dalë nga kthetrat e një komunizmi të egër.
Ky takim i hershëm hodhi themelet e formimit të tij njerëzor dhe profesional, duke krijuar një urë lidhëse që do të përcaktonte të ardhmen e tij.
 
Legnano: Shtëpia e zgjedhur
Prej gati 20 vitesh, Aleks Vulaj është pjesë organike e qytetit të Legnanos. Ky qytet lombard me rreth 61 mijë banorë, mbi 1.200 janë shtetas shqiptarë, është vendi ku ai zgjodhi të ndërtonte familjen e tij. Gjatë këtyre viteve, ai nuk ka qenë thjesht një vëzhgues, por një aktor aktiv në botën e vullnetarizmit dhe shoqatave, duke u bërë shpesh pikë referimi për bashkatdhetarët në nevojë.
"Legnano më ka dhënë shumë më tepër seç mendohet," shprehet Aleksi, duke nënvizuar se angazhimi i tij politik vjen si një rrjedhojë natyrale e viteve të tëra pune në terren.
 
Sfida politike dhe integrimi real
Kandidatura e Vulajt vjen në një moment kyç për qytetin, i cili nën administrimin e Lorenzo Radice -s është shndërruar në një "kantier të hapur" zhvillimi. Për Vulajn, politika nuk është propagandë, por shërbim. Ai kritikon ashpër sloganet boshe si "t'i ndihmojmë në shtëpitë e tyre", duke i cilësuar si retorikë boshe, që nuk ka sjellë kurrë ndihmë konkrete. Përkundrazi, beson te projektet e binjakëzimit dhe te bashkëpunimi i ndërsjellë midis Italisë dhe Shqipërisë, projekte të cilat tashmë kanë nisur të marrin formë.
 
Një urë lidhëse për komunitetin
Ajo që e dallon angazhimin e tij është njohja e thellë e problematikave të përditshme: nga vështirësitë me dokumentacionin dhe papunësinë, deri te sfidat shëndetësore. Përmes kontakteve të tij të vazhdueshme me famullinë e Shënkollit duke qenë mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale, Vulaj ka asistuar për shumë familje bashkëatdhetarësh, duke dëshmuar se integrimi kalon përmes solidaritetit njerëzor përpara se të kalojë te vota.
Sot, ai u bën thirrje bashkatdhetarëve të tij që të bëhen pjesë e procesit demokratik. Sipas tij, pasja e një përfaqësuesi shqiptar në komunën e Legnanos nuk është vetëm një çështje krenarie kombëtare, por një domosdoshmëri për të siguruar që askush të mos mbetet pas.
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, historia e Aleks Vulajt mbetet një nga qindra dëshmitë e fuqishme të transformimit të emigrantit në një qytetar aktiv, i gatshëm për të punuar për të mirën e përbashkët të komunitetit ku jeton.

Nessun commento:

Posta un commento