Mendime te çmendura

Mendime të çmendura

Mendoj: Asgjë.

Bëj: Asgjë.

Them: Asgjë.

Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!

E. Kaceli

Lexues

Sunday, January 23, 2011

ARMIKU IM –Thirrje e panevojshme për luftë

Pamflet nga E. Kaceli

Kjo thirrje është dhe nuk është një ironi.
Ironi se ndër tiparet më madhështore tonat, si shqiptarë, është lufta.
Jo lufta ndaj armikut (armiqve). Armiqtë kohët e fundit kanë harruar se nà ekzistojmë si nacion.  Por lufta ndaj njëri –tjetrit. Lufta ndaj vetvetes. Një luftë e dhunshme që nuk kursen asgjë.

Nuk është ironi. Nuk është as lojë luftash që luajnë fëmijët e fisit a lagjes.
Është një luftë ku jemi përfshi të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Mblidhemi në salla e shajmë, shtyhemi, pështyjmë, godasim, fëlliqim, vrasim njëri –tjetrin. Armiq të denjë të vetvetes!

Ulemi të hamë bukë, e bëjmë të njëjtën gjë.
Shkojmë të flejmë, e bëjmë të njëjtën gjë.
Dalim në rrugë të madhe e bëjmë të njëjtën gjë në përmasa më madhore!

Le të dalim të gjithë në shesh pasnesër! Është shumë larg!
Le të dalim të gjithë në shesh nesër. Është shumë larg!
Le të dalim në shesh sot. Prapë është shumë, shumë larg!

Mos vazhdoni më tej leximin e këtij shkrimi. Le të dalim në këtë minutë në shesh.
Me të gjitha llojet a armëve që disponojmë. Se ka dashtë perëndia ( a dreqi vetë) boll të armatosur jemi, si popull trim luftarak.  Pse jo me difekte të theksuara mendore!
Kush nuk ka armë në dorë, mjafton të ketë të armatosun trurin! Se me thonj ia marrim shpirtin njëri –tjetrit, po të jetë nevoja!

E nëse nuk ju mjafton arsenali i armëve përdorni gjuhën! Gjuhën e bukur shqipe. Veçanërisht të bukur në koleksionin e pazëvendësueshëm të sharjeve, mallkimeve, fyerjeve. Jeni të lutun të mos harroni asnjërin nga dialektet, e sidomos gjuhën letrare të Kongresit të Dreqt Shkrimit!

Le të dalim në shesh! Le të dalim në Luftë. Le të fillojmë Luftën!

Ti je armiku im sepse je unë!
Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, ne duhet të dalim në duel, me të gjitha armët e mundëshme,  ti biem njëri -tjetrin. (Në daç në kuptimin figurativ, në daç në kuptimin fiziko –moral)
Kështu, sepse unë jam armiku yt, se jam ti! Unë jam më i mirë se ti. Unë jam ti.
Keshtu, sepse ti je armiku im, se je unë. Ti je më i keq se unë. Ti je unë!
(Rrotulloje dhe sille nga të duash)

Të dalim e të bëjmë luftë!
Vetëm me luftë, dhe vetëm me luftë, vendin ku jetojmë do ta bëjmë përditë e më të mjerë... ku... ku...lleshëm!

Monday, January 17, 2011

Nderim poetit Ndoc Gjetja

Qysh se u nisa drejt Shqipërisë i kisha vënë vetes një detyrë: Të shkoja në varrezat e qytetit tim, Lezhës, për të parë vendin ku prehet poeti Ndoc Gjetja, për të nderuar kujtimin e një miku të vjetër të ndarë nga jeta disa kohë më parë.


Bashkë me Pashk Vathin, të pasionuarin e përjetshëm pas letërsisë dhe pas vargjeve të pavdekshme të Ndoc Gjetës, thamë një “Ati ynë” lutjen themel të besimit katolik.
Qëndruam në heshtje. Prekëm varrin. Prekëm vargjet e poetit, në poezinë e mëposhtme:

Epitaf për veten
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompiuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
...Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: "Nënë"
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

Ndoc Gjetja vëllimi poetik "Dhjata ime"