Videot me te shikuara

Loading...

e shtunë, mars 14, 2009

"DËGJOMË MUA ...PRIT!!! DËGJOMË MUA..."

-Zakoni i vjetër i kryeministrit Berisha të frikëson-

SHEFQET MEKO
Minneapolis, SHBA


Përmes Albdreams.net ndoqa pjesë të intervistës së kryeministrit dhe ish-presidentit shqiptar Sali Berisha. Natyrisht ishin shumë tema për tu ndalur, diskutuar dhe përballur me kryeministrin. Pashë se si gazetarët "përpëliteshin" për ta ndërprerë me kujdes kryeminsitrin dhe për ta "mbërthyer" me pyetje që në të vërtetë janë pyetje të publikut, qytatarëve dhe vetë votuesve. Kjo ishtë gjëja më e vështirë dhe më e mundimshja e kësja interviste. Natyrisht e ndoqa deri në fund, me dëshirën për të parë evoluimin e kryeminsitrit prej kohës së që ishte presidenti ynë. Kam ndjerë keqardhje dhe dhimbje. Më ka ardhur keq për kreun e ekzekutivit që ka një mënyrë kaq diktuese në dialog me median, saqë zor se mund të durohet. Duke u përpjekur të kuptosh se si përgjigjet kryeminsitri dhe çfarë pyet media, vërtet shokohesh. Madje këtu është difekti më i madh i demokracisë dhe lirisë në Shqipëri: nuk dësgjohesh! Kryeminsitri është njeriu që shërben, jo njeriu që dikton. Kryeminsitri bën dialog, nuk dikton dhe konflikton veten nga një përgjigje tek tjetra...Madje pa kaluar minuta...

Së pari dua të respektoj gjithë ata mbështetës dhe pasionantë të ish-presidentit shqiptar. Unë e respektoj këtë njeri për paisionin e çeliktë për t'u përballur me diktaturën komuniste dhe dëshirën dhe idealizmin për ta bërë Shqipërinë vend europian. Por, duke bërë një gjykim të ftohtë, pa "dashni" politike, ndihesh vërtet ngushtë të japësh gjykim pozitiv nga mënyra se si i "thith" the interpreton pyetjet ish-presidenti i dikurshëm i Shqipërisë. Kujtoj këtë "ish" sepse ne atë kohë kur Berisha mbante konferencat e shtypit në presidencë një pyetje pasohej nga "një leksion", ndërkohë që kjo "sëmundje profesionalë" ka ende simptoma të rënduara tek kreu i qeverisë edhe pse një dekadë tashmë ka shkuar...Kryeminsitri Berisha duket se flet vetëm me "pasion" dhe nuk të ofron asnjë vizion apo nuk të ofron shpresë nesë jeton nën juridsionin e qeverisjes së tij. Kryeminsitri duket se është i hutuar në betejën politike, sepse ndërsa tregon "shpatën" e vet dhe shkarkon një anëtar kabineti duke injoruar çdo procedurë normale, fill pas kësaj u thotë qytetarëve të vet se "shtëpia është kështjellë"..."Kështjella nuk preket..." Nëse jeni kundër këtij "pushtimi" të kësaj kështjelle zoti kryeministër, pse ja hoqe "përkrenoren" kryekështjellarit Pango, madje pa e dëgjuar fare se çdo të thoshte? Nëse jeta private është jetë private si shpjegoghet që ti si kryeminstër di kaq shumë për çdo njeri që është në adminstratën tuaj? Si ka mundësi që e di me dokumenta kur dhe si janë bërë nudot-Rama?


Nuk shkruaj sepse dua të debatoj me një shtetar shqiptar siç është Berisha. Jo. Thjesht dua të shpreh një opinion rreth asaj që shoh dhe dëgjoj dhe rreth asaj që jetoj përditë.Në jetën e përditshme në Tiranë, koha vritet aq shumë duke u marrë me njëri –tjetrin, madje duke pirë birrë dhe ky është një terror i vërtetë. Këtë terror e dallon lehtë nga mënyra se si i percepton pyetjet kryeministri dhe si si ai "din gjithshka" dhe prej andej "vjen ujë i kulluar" por turbollohet rruges...Kryeministri flet për një tragjedi që kushtoi dhjetra jetë dhe aty nuk gjen përgjegjësi, por akuzon direkt median për tragjedinë e një vajze në Vlorë. Kryeministrit i kërkohet të shpjegohet pse nuk mbajti të njëtin qëndrim ndaj ish-qeveritarit Mediu, por shpjegimi është "me kë të punoj"...Në fakt, është e njohur që njerëzit e dorëhequr akoma manaxhojnë deri sa vjen "pasardhësi", por e verteta është se në shoqërinë shqiptare ka pasur gjithmonë parime të dyfishta... Ka ligj, por ka edhe "Maliq" dhe kryeministri Maliq është aq i furishëm të mbrojë veten dhe ata përreth, saqë thua se pa këtë kryeminsitër dhe pa këtë qeveri zor se mund të kishte Shqipëri...(!!).Pa këtë qeveri nuk do të kishim hyrë në NATO...A mund të besohet kjo? Pa këtë qeveri nuk do të kishim vijuar procesin integrues në Europë...Po Kadare nuk ka meritë? Po ish-kryeministrat e mëparshmë nuk kanë vënë "një gur"? Është po ai gjykim dritëshkurtër allashaqiptar se "historia fillon me mua", apo siç e tha ashiqare Nano "Historia më vjen pas..." Këtë bëri edhe mentaliteti marksist i Enverit duke bërë çdo krahasim më "pasçlirimit" dhe duke harruar çdo shifër "para pushtimit". Më kujtohet komenti i një gazetari italian Francesko Lo Picolo që erdhi në Shqipëri para përmbysjes dhe duke vizituar Muzeun Historik Kombëtar më bëri një pyetje shokuese: "Po ju shqiptarët ku e keni historinë nga Skënderbeu deri tek pushtimi italian?" I shokuar i thashë diçka, por më shumë po mendoja me vete nga kjo pyetje, se sa sqaroja atë që pyeste...Kështu mu duk edhe kryeminsitri në këtë konferencë ai më shumë sqaronte vetveten dhe "pozicionin e vet" se sa të bëntë deklarime dhe deduktime që i kanë hije një kryeqeveritari.Asnjë kryeministër në botë nuk guxon të luajë më ligjin sikurse luajnë qeveritarët tanë. Madje edhe kur kapen "me presh" fillon bërtet rreth ligjit. Dhe vëreni një gjë: Ish-ministri Pango nuk guxoi të thoshte qoftë edhe një fjalë kundër Berishës psh të thoshte "të paktën të më kishte dëgjuar mua..." por në mënyrën më qesharake do të thoshte "është Berisha pa jam angazhuar në politikë.." Ndërkohë kryeministri ndonse shkarkoi një "qeveritar" duke shkelur çdo procedurë normale, përsëri thuri kurorën e lavdisë profesionale të Pangos. (Më lëvdove-Të lëvdova-Aman shkarkimin e meritoje) Natyrisht një skandal seksi (atë që e bëjnë burrat dhe gratë përnatë) nuk hedh poshtë atë kontributin profesional, por mënyra si perceptohet është e neveritshme. Unë prisja një Berishë më të prerë në këtë këndvështrim. Ai njihet (dhe kjo nuk i vihet në dyshim ende) si njeri me principe morale, por u mor si shumë me "mbërtheckat" që mbërthyen Pangon e tij. Nëse vërën kryeministri është tip inatcori i keq.Ai përpiqet të bindë publikun se gjysma e mediave zotërohet nga Rama, por nuk shpjegon se si Rama paska këtë fuqi "diktuese". Gazetarët u prononcuna qartë "Edhe pse u botuan nudot e Ramës Tirana votoi". Ndërkohë , duket se Berisha jeton në "kafaz" dhe nuk pranon faktin se bota e tregut të lirë ë shtë në krizën e radhës, dhe Shqipëria nuk mund të jetë një përjashtim. Kriza ë shtë ulur këmbëkryq edhe në Shqipëri, por kryeministri ka frikë të pranojë se ka hallin e zgjedhjeve. A nuk e kupton se duke pranuar të vertetat ke shanse të fitosh më shumë besim? Jo. "Degjomë mua...Dëgjomë mua" -ky është refreni i preferuar kryeministrit Berisha. Dhe unë përpiqem ta dëgjoj, por nuk marr vesh se ç'thotë ...

Intervista dhe debati në fjalë nxjerrin edhe njëherë në pah se politika e Tiranës është në një "rreth vicioz" që nuk ka shanse të afërta të dalë prej andej.Ajo është kapur peng nga gangësterë me emra të ndryshëm që i sulen njëri tjetrit si bisha, jo si Berisha, dhe në fund janë po ata: të "gjithëpërfshirë"...Ata kontrollojnë politikën, ligjet, financat bizneset...Njerëzit duhet vetëm njëherë në 4 vjet të votojnë...Ata si "luanë" i sulen njëri tjetrit përdirsa i kërcënojnë karrierat e secilit, por në fund bëjnë paqe dhe ujdi sikurse Berisha dhe Nano dikur... Ku shkoi ajo retorikë e pashembullt kundër Nanos? Ku është Nano tani? Kë ka dashnore Nano, apo cila është "banda kriminale" që drejton? E kujt i hyn ne punë kjo? "Dosjet" hapen kur del në shesh.

"Dëgjomë mua...Prit..."- Duke parë këtë "diktature mediatike" të kryeministrit, si mund ta imagjinonit veten nëse do të punonit në "Shtëpinë e bardhë" të Berishës? Jo më kot një miku im gjatë vitit të kaluar në Tiranë do të më shoshte: "Berisha u bën "zbor" të gjithëve... Ua di të gjitha dhe s'guxon kush të flasë...".Ndërsa një zyrtar i lartë në intimitet më tha: "Ai merr në telefon dhe turfullon...Nuk të le të flasësh...Unë ja di...E le te flasë dhe i them: Mbarove? Më dëgjo mua tani se për këtë punë paguhem...Në fund me thotë: Po unë nuk e dija këtë...Dhe unë i them: po unë pse jam këtu?... Më degjo mua".

Është koha për dialog jo monolog. Berisha ka një shans të mbajë pushtetin, por kjo do të jetë e pa mundur nëse ai bën vetëm "monolog" si ai që i publikoi gati dy dekada më parë "Koha Jonë". Është koha e ndryshimit. Unë kam 10 vjet që nuk jetoj në Tiranë. Shkoj e vij te Tirana e ëndrrave të bukura dhe shëtitoreve të humbura. Kam mall dhe shoh shumë shokë e miq që kam mall dhe fjalë për të thënë, por ndërkohë gjej po atë "sallatë politike" dhe po ata aktorë të pështirë. Ndërkohë brenda po të njëtjës kohë këtu në SHBA, kam jetuar adminisitratën e Klintonit, Bushit dhe tani Obamën. Nuk dua të them se në Minnesota ku jetoj janë ndryshuar po aq administrata dhe politikanë...

Është koha për ndryshim. Amerikanët treguan dhe demonstruan dëshirën për ndryshim. Duket se këtë nuk e kupton i pari i qeverisë që vetëm flet dhe nuk dëgjon se "përse bie kjo daulle"?!

Ndryshimi nuk është magji, por proces, ndaj në këtë proces duhet pjesëmarrje dhe gjithëmarrje, që në fund të mos themi: "Ku ishim?!...Hiç gjekundi.."


SHEFQET MEKO

Minneapolis SHBA

e hënë, mars 09, 2009

Pamflet: Politika e Psiko -Porno -Kultures

Drejt Europës dhe Nato-s me b...rekë në dorë! (Më falni! Duke zbërthyer mbërtheckat!)
Kjo është parulla me të cilën qeveria shqiptare dhe politika shqiptare, ka vendosur në rend të ditës për të hyrë në Nato e më pas dhe në Europë. Pa doganë.
Në mbështetje të kësaj, politika shqiptare, opozita dhe pozita bashkë, kanë vendosur që të nxjerrin një memorandum të përbashkët, gjithëpërfshirës e gjithëkombëtar, në lidhje me politikën më të e re të rënë dakord.
Politika do të emërtohet: Politika e Psiko –Porno –Kulturës.

Si një rast historik, për herë të parë, arrihet një marrëveshje serioze mes të gjithë krahëve të shumtë të politikës shqiptare (që janë më të shumtë se krahët e oktapodit)
Sipas këtij memorandumi kush dëshiron të marrë një punë në administratën publiko –shtetërore duhet më përpara të paraklojë nudo, por edhe gjysëm nudo, përpara kompententit apo përpara një komisioni kompetentësh. Kjo si për punëkërkuesit e seksit femër, ashtu dhe për punëkërkuesit e seksit mashkull.
Memorandumi thotë se nuk mund të ketë dallime seksuale se ndryshe shoqatat Gay protestojnë në organizmat ndërkombëtare dhe Shqipërisë ja fusin. (Duke mos e futë as në Nato e as në Europë). Pastaj shijet e punëdhënësve shtetërorë kanë filluar të jenë properëndimore, në vitet e fundit.
Psikologjikisht kjo do të çojë në ngritjen e nivelit të adminstratës publike dhe në uljen e asaj çka administrata publike mban të ngritur në drejtim të popullit... Gjithëherë flitet për Futjen në... Nato dhe Europë.

Piskoza e popullit i koncepton këto gjëra ndryshe, por psikoza e politikës shqiptare duhet të ndikojë që populli të ndryshojë mendim. Për ndryshe ai popull që nuk ka respekt për politikën dhe vendimet e sajë, është më mirë që të largohet në një vend tjetër ku politika bëhet ndryshe.
Për këtë arsye politika më e re do të quhet dhe politika e Psiko –Porno –Kulturës. Madje është rënë dakord, në takime të fshehta, gjysëm të fshehta, të zhveshura dhe gjysëm të zhveshura, mes politikanëve shqiptarë, që si fillim të ndërtohet një komison parlamentar me të njëjtin emër. E disa ditë më vonë një ministri e veçantë. Ministria do të ketë për detyrë marrjen në punë të adminstratës publiko –shtetërorë. Për arsye të kompetencave të sajë, konform kushtetutës (kushtetua mund të ndryshohet sa herë ti çohet politikës) do të quhet: Ministria e Psiko –Porno -Kulturës.

Sipas gjasave ministri i parë i Psiko –Porno –Kulturës do të emërtohet, pa paradë nudo, ish ministri i kulturës Ylli Pango, përndryshe i pedagog i shquar i kësaj fushe.
Pritet vetëm vendimi i Kryeministrit, i cili megjithëse profesor i shquar në fushën e mjekësisë, nga çështjet e pisko –pornos, nuk merr shumë vesh. Përndryshe nuk kuptohet pse në zyrat e tij asnjëherë nuk është parë ndonjë burrë apo grua me minifund, siç shihej kur mbretëronin kryeministrat e majtë, apo ndonjë kryeministër i djathtë!
Nëse nuk merr vesh Kryeministri nga kjo politikë e re gjithëpërfshirëse, atëherë memorandumi parashikon shkarkimin e kryeministrit.
Kështu rruga për në Nato dhe Europë hapet më kollaj...

Edmond Kaceli

e premte, mars 06, 2009

Dy fjale per mesuesit e mij


-Thellësisht personale dhe thellësisht e përgjithshme.

Vjen në Shqipëri Dita e Mësuesit.
Qysh i vogël kjo ditë ka pasë, në mua, kuptimin e një feste nderuese të veçantë. Larg politizimit të kohës së shkuar, larg materializmit të tejskajshëm të kohës që jetojmë, kjo ditë mbetet një nga ditët më të veçanta , më kuptimplote në marrëdhëniet me ata që në një mënyrë apo në një tjetër na përgatitën dhe vijonë të na përgatisin për të përballuar jetën.
Për çdo vit, që nga klasa e parë e deri sa mbarova shkollën e lartë, mësuesit kanë qenë dhe mbeten figura më e respektuar për mua. Një lloj i veçantë prindi adoptiv.

Për çdo vit, Shën Mësuesi, (Shën Mësuesit) i kujtoj me respektin më të thellë, me përuljen më të madhe ndaj figurës së tyre. Sepse janë pikërisht ata, që duke sfiduar kohën, në qetësi, dhe me dashurinë e pasionin e përhershëm ndaj nxënësve të tyre, na udhëhoqën në rrugën e vështirë e pasionante të dijes.

Unë kujtoj sot mësuesen time të parë, të klasës së parë Nazife Isufin. Fytyrën edhe ja kam harruar. Por emrin dhe zërin e sajë kur na mësonte alfabetin e shqipes, kësaj gjuhe mrekullisht të gjallë, e kujtoj dhe në ëndërr. Çfarë nuk do të jepja për te takuar sot kur kam kaluar të 40-at! E sa dëshirë do të kisha t’ia puthja duart me të cilat na përkëdhelte ndërsa zemra na dridhej nga emocionet e klasës së parë dhe nga të ftohtit e kohës!
Kujtoj mësuesit e mëvonshëm dhe ndiej emocion kur emrat e tyre, më vinë në kujtesë si një listë e gjallë, e viteve që shkuan. Kolec Marku, Mri Hoti, File Kaçaj, Hajrie Cani, Naunka Shala, Gjyste e Mark Preka, Nesti Çeço, Keti Liçaj (Sokoli), Pjetër Mili, Marie e Gjeto Kaçeli.
E si mund të harroj, të paharrueshmin, Burhan Ulqinaku, biblioteka private e të cilit kishte më shumë tituj se vetë biblioteka e shtetit në Lezhë. E sa e sa mësues të mrekullueshëm që pata. Për të ardhë tek mësuesja ime e gjuhë –letërsisë shqipe, e veçantja Bukurie Cauli (Mazzola).
Kur para do kohësh më erdhi një e-mail, nga mësuesja ime e dikurshme e gjuhë -letërsisë, ndjeva emocionin më të madh që mund të ndihet në raste të tilla, e pse jo u ndjeva sërisht ai nxënësi i dikurshëm, i drojtur, me shallin e detyrueshëm të pionierit rreth qafës në buzëqeshjen e moshës më të pafaj.
E nëse arrita të bëhem dikush në gazetari apo letërsi, kjo në sajë të mësues sime të mrekullushmes Bukurie Cauli (Mazzola), që e para kuptoi dhe zhvilloi tek unë pasionin e të shkruajturit bukur, siç ishte dhe si siç ka mbetur dhe vetë ajo: e dashur, e bukur, e mrekullueshme, në shpirtin e sajë të gjërë.

Kështu respektin më të madh dhe për mësuesit e shkollës së mesmë, ndonjë më vonë e pata dhe koleg. Respektin më të madh dhe kujtimet më të mira për Agim Xhafkën, Gjon Palokën, Pjetër Alinë, Eduard e Dhora Sokolin, Sami Ymerin, Dedë Vatën, Pashko Smaçin, Gjelosh Tomën ( që mbrojti me forcë të drejtën time për të marrë shkollën e lartë, në kohën kur të drejtat për tu shkolluar ishin e drejta e posaçme e partisë), e dhjetëra të tjerë që me pasion, këmbëngulje dhe dashuri të pa shpërblyer asnjëherë, na bënë të gjejmë veten në rrugët e vështira të jetës shqiptare.

Si mund të harroj mësuesit e shkollës së lartë. Pedagogët e nderuar, shkencëtarë të drojtur të bujqësisë shqiptare. Simbolin e tyre Misto Shumelin, gjithmonë të qeshur. Ai dha jetën përkrah studentëve, si për të treguar deri në çfarë shkalle ishin dhe mbeten të lidhur nxënësit dhe mësuesit shqiptarë.
E njeriu ka dhe të tjerë mësues, që në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk i dhanë mësim. Por tërthorazi a direkt, ndikuan në formimin e tij. Kështu dua të përmend ish –kryeredaktorin e gazetës “Studenti i Bujqësisë”, Shefqet Meko, që më mësoi me durimin e një mjeshtri dhe pasionin e një mësuesi, bazat e gazetarisë.
Si mund të harroj mikun tim –mësues të zellshëm të jetës, Daniel Gazullin, që me vullnetin dhe ironinë dashamirëse, më mësoi dhe vijon të më mësojë respektin për gramatikën e gjuhës shqipe.

Në këtë shtatë mars simbolik, do të doja ti kujtoja të gjithë, do të dëshiroja ti takoja të gjithë bashkë, e një për një, ish-mësuesit dhe mësuesit e mij. Do të dëshiroja ti uroja të gjithë. Të më falin ata që për arsye të viteve që kaluan apo të mungesës së hapësirës në një shkrim si ky, nuk jua kujtova emrin. Do të dëshiroja ti uroja me sinqeritetin më të thellë dhe me ndjenjën më të madhe njerëzore: Gëzuar! Gëzuar mësuesit e mij. Dhe faleminderit!
Falminderit për gjithçka që më mësuat!
Faleminderit në mënyrën më të përzemërt
Prej nxënësit tuaj të përjetshëm
Edmond Kaceli