Lexues

147354

sabato, marzo 22, 2025

Qyteti im është Itaka ku s'do mbërrij kurrë!

Imazh krijuar me IA nga Kaceli E





Lëshoj hapat e lagun në qytetin tim
dikur më njihnin gjethet e pemëve, gropat e rrugës
qentë endacakë...
Njerëzit nuk më njohin më!
Pemët janë ndërruar
Shitësit e gazetave kanë heshtur
S'ka aromë shtypshkronje në Lis
As gazetat me lajme të reja!
Lajmet e fundit: Njoftime vdekjesh nëpër shtylla betoni!
Pallate betoni mbysin frymën e qytetit...

N’sa eci, harruar në harresë,
mbyllur në nostalgji pakuptim...
një qen rrugësh më afrohet me shpresën e një kafshate
Më sheh drejt në sy! Argo endacak
ndjen trishtimin, melankoninë, dhe vetminë e harresës time
ua shton halleve të veta! Largohet duke hungëruar lehtë
Më bëhet vetja Odise kthyer në Itakën e braktisur
Ku s'ka Penelopë që thur e shthur pëlhurën me motive zadrimore...
Mëtonjësit e fronit i vrau koha, ose hëngrën njëri -tjetrin!
Shpejtoj hapat...
Largohem drejt anijes -makinë
I huaj… Nuk jam Odiseu...Kush e di!
Qyteti im është Itaka ku s'do mbërrij kurrë!

Lezhë -Itali 2025


2 commenti: