Lexues

domenica, luglio 27, 2025

Armiqtë

Imazh krijuar me IA nga ©Kaceli

Në mëngjez u zunë
Në mesditë u rrahën
Natën u vranë me njëri -tjetrin
Vdiqën...
 
Të nesërmen i varrosën
N'dy varre të ndryshme
N'të njëjtën parcelë                                                                                                                                         
N'të njëjtën varrezë publike
 
Legjenda thotë se të njëtët krimba
korrierë të pabindur, lëvrinin
nga njëri varr tek tjetri...

domenica, luglio 20, 2025

Nikollë Njeçi -Fisniku i vargut nga E. Kaceli, Itali

 Parajsë e ferr do i bëj bashkë
T’i kaloj dua, mespërmes
Sido që të jetë fundi, ndashtë
O të ringjallem, o të vdes!
 
-nga Libri "Lulet e Vona" botimi më i mbramë i N.Njeçit.
 

Të shkruash për miqtë poetë është e vështirë të mos biesh në provokacionin e fjalëve të mira, shpesh të pameritueme, por që detyrohesh me i thanë për hir të miqësisë dhe njohjes së kahershme me autorin!
Në momentin që kurthi i miqësisë duket se të ka mbërthyer në qerthullin e vet, atëherë i kthehesh e rilexon edhe një herë librin, e kupton se këtu miqësia nuk hyn aspak!
Kështu më ndodhi teksa rilexova librin e mikut tim të kahershëm, poetit nga Pllana e vogël, por historike, e fisnikut Nikollë Njeçi!
Niko është jo veç një mik i mirë, e fisnik deri në skaj të zemrës por mbetet një ndër poetët më të veçantë që Lezha ka nxjerrë, e vijon të nxjerrë prej poreve të saja artistike!
Poezia e Nikollës rrjedh krejt si uji i qetë! Delikate në figura, e shtruar, por që më kalimin e kohës len gjurmët e veta të përhershme!
Krejt si gjurmët e ujit në memorien e gurëve!
N'sa lexon librin, duket se je duke ba një bashkëbisedim të vyeshëm, në një tavolinë kafeneje me autorin, edhe pse ai ndodhet qindra kilometra larg tejet!
Bashkëbisedimi rrjedh, ndër vargjet e Nikos, duke zbulua prej vargut të parë e deri në të fundit, mirësinë e artistit, shpirtin e rrallë e fisnik të poetit!
Nikolla Njeçi është kroi i fshatit, është Pllana, është Burrnesha, është Heroi, është Puthja e Poetit është kënga e Nënave të braktisura, është fjala e urtë e një miku të rrallë!
Udhëtim të mbarë poeti im fisnik!
 
Edmond Kaceli, Itali

domenica, aprile 27, 2025

Kitarë e harruar poezi nga E. Kaceli

 



O kitarë e heshtun,
në prehrin e pluhurit mbetë,
të prek me gishta t'dridhun,
por tingujt e tu janë të tretë.
 
O kitarë e moçme
harruar në një qoshk të memories
mbuluar pluhur
me telat çakorduar
Më dukesh si ajo vajza
që pata dashtë fort, diku, dikur
e n'epshin rinor bërtitshim
pa zâ:
Ajo: Më ban të ndjehem grua!
Unë: Më ban të ndjehem burrë!

prill 2025


venerdì, aprile 25, 2025

Ti mund ti fitosh zgjedhjet! -pamflet nga E. Kaceli

 



Ti mund ti fitosh edhe këto zgjedhje, madje edhe ato që do të vijnë pas këtyre!
Por një gjë është e pashmangshme dhe krejt e sigurtë:
Mbetesh një Pleh!
S'ka rëndësi lloji dhe ngjyra e Plehut! Prapë Pleh mbetesh!
Nëse përkrahi alternativën tjetër, ndryshe nga e jotja dhe më thërret: Çyryk!
Unë kam të gjitha të drejtat të votoj kundër teje, e ndërsa të jap votën kundër, të thërras para kutisë së votimit: Pleh!
Nëse unë dhe familja ime, apo farë e fisi im, votojnë për alternativat e tjera e ti na quan: Kënetë dhe bij të Kënetës!
Ne prapë kemi të drejtën legjitime të shkojmë tek kutia e votimit, dhe në kor, ndërsa votojmë kundër teje, dhe kundër hajdutëve të kotillës tënde, të thërrasim, përpara kutisë së votimit: Pleh!
Nëse ne votojmë kundër teje, dhe ti me Nafijet e Partisë që të thurin këngë, ditirambe, e spiropal'llëqe, na quan Bufa!
Ne Bufat, përpara kutisë së votimit, ndërsa votojmë kundërshtarët e tu politikë, kemi të drejtë të themi: Pleh!
Nëse Ti, Plehu ynë i dashtur, që s'ka incenerator që të djegë plehllëkun dhe pisllëkun tënd të dhjerë nga pushteti i gjatë, na quan AUTIKE, secili prej nesh, ka të drejtë të shkojë përpara kutisë së votimit, (madje edhe besnikët e tu që ta japin votës për hir të dashurisë që kanë për Partinë),  e ndërsa votojnë kundër, apo pro, të bërtasin çlirueshëm: PLEH!
Pra ti mund të fitosh edhe këto zgjedhje, nuk habitem me çka ndodh në atë vend të marrë peng, por prapë do të mbetesh PLEH!
(Shënim: Çdo përpjekje për ta lidhur këtë pamflet, me persona të veçantë, dhe pozicione të veçanta politike, fetare, etjerë, etjerë,  është krejt e kotë, e rastësishme dhe e pakuptim, dhe joligjore, për arsyen e thjeshtë se unë zakonisht unë nuk merrem me Plehrat!)
 
P.s
Sipas intelegjencës artificiale të lidhur me SAT Albania 1, 2 sigla PLEH, ka disa kuptime:
PLEH 1: Partito per la Libertà, l'Eguaglianza e l'Harmonia!
PLEH 2: Platforma për Liri dhe Edukim Humanitar!
PLEH 3: Pashaporta e Lirisë Europiane dhe Humusore!

domenica, marzo 30, 2025

Perlat e lotit nga E. Kaceli

 
Foto E. Kaceli














Merri lotët e dhimbjes
sa herë të kullojnë pikë -pikë
n'truall të zemrës
venì me kujdes njàr'anë
ruaji fort, për kohë të giatë
der' kur të bahen perla
thur me to gjerdanin e dashnisë
E m'len me u lutë n'tâ
krejt si n'rruzaren e vjetër
                          të gjyshes
kur i lutej Zotit pa prâ
me i falë mëkatet
që kurrë si kishte bâ!

 
Itali, fundmarsi 2025
 

sabato, marzo 22, 2025

Qyteti im është Itaka ku s'do mbërrij kurrë!

Imazh krijuar me IA nga Kaceli E





Lëshoj hapat e lagun në qytetin tim
dikur më njihnin gjethet e pemëve, gropat e rrugës
qentë endacakë...
Njerëzit nuk më njohin më!
Pemët janë ndërruar
Shitësit e gazetave kanë heshtur
S'ka aromë shtypshkronje në Lis
As gazetat me lajme të reja!
Lajmet e fundit: Njoftime vdekjesh nëpër shtylla betoni!
Pallate betoni mbysin frymën e qytetit...

N’sa eci, harruar në harresë,
mbyllur në nostalgji pakuptim...
një qen rrugësh më afrohet me shpresën e një kafshate
Më sheh drejt në sy! Argo endacak
ndjen trishtimin, melankoninë, dhe vetminë e harresës time
ua shton halleve të veta! Largohet duke hungëruar lehtë
Më bëhet vetja Odise kthyer në Itakën e braktisur
Ku s'ka Penelopë që thur e shthur pëlhurën me motive zadrimore...
Mëtonjësit e fronit i vrau koha, ose hëngrën njëri -tjetrin!
Shpejtoj hapat...
Largohem drejt anijes -makinë
I huaj… Nuk jam Odiseu...Kush e di!
Qyteti im është Itaka ku s'do mbërrij kurrë!

Lezhë -Itali 2025


domenica, gennaio 26, 2025

Muzg në Lagunë poezi nga E. Kaceli


Perëndon dielli
atje larg në lagunë
pulëbardhat ngjyejnë krahët
                                   në qiell
varkat e krrusuna, kthehen në mol
Është muzg
Një peshkatar i lodhun
i buzëqesh diellit
që mbytet në ujë.
Lëshon rrjetin. Largohet.
Nesër në mëngjez, herët
rrjeta ka me nxjerrë diellin
prej lagunës...
E peshkatari ka me nisë ditën e lume


sabato, gennaio 11, 2025

Trupi im është një këmbanë... poezi nga E. Kaceli


Trupi im dikur ishte një këmbanë
me tingull të kjartë, të thektë
ngritë në hyrje të Kishës pa Ëngjëj, pa Zot
Unë isha Këmbana, unë isha Ëngjëlli, unë isha Zoti
Unë Kisha! -mure rrëzuar, mot mbas moti!
Unë isha Dreqi...


Kisha shkri eshtnat për me derdhë këmbanën
që sot asht krisë, braktisë, lënë mënjanë...
N'heshtje nxjerr zanin e fundit prej asht' bronxit
të zemrës së ngrime!

Trupi im është një këmbanë e krisun
Krisun dikund në anën e majtë
Tingulli i del i mbytun, fort i thartë!
Trupi im këmbanë e përmbysun
Rrëzuar, ngulun ndanë rrugës në baltë
makina të zhurmshme, këmbësorë të lodhun
kalojnë pa prà!
Gjithkush, i jep një të goditun
me gur, me shqelm, a mjete rrethanore gjithfarë
provojnë ç'tingull nxjerr këmbana e braktisun
e trupit tim, sot!

Këmbana, trupi im, shpirti im, zemra ime
E Zoti, që m'ikë rrugëve moderne
si t'isha Dreqi!
N'atë qoshk të rrugës i përmbysun
Trupi im këmbanë e heshtjes...
Zâ don me nxjerrë
E hiç s'po mundet!

Itali, janar 2025