Lexues

domenica, agosto 02, 2026

Shqipëria një hap larg prodhimit të Bombës Bërthamore! -Satirë nga E. Kaceli


Të dashur qytetarë, bëni mirë të kapeni fort pas karrigeve, të kontrolloni bunkerët e vjetër të Enver Hoxhës, në pastë mbetur ndonjë pa u prishur; të blini ndonjë pako jod shtesë në farmacinë më të afërt. Jo se ka ndodhur ndonjë krizë e re në Lindjen e Mesme apo se Kim Jong-un ka vendosur të hapë një degë të programit të tij bërthamor në Ballkan, por sepse në horizont lëviz gjithmonë një rrezik shumë më i madh: krijimtaria e pakufishme e Edi Ramës.
Mendonim se e kishim parë gjithçka. Kemi parë fasada me ngjyra pastel që fshijnë mjerimin, kemi parë korridore digjitale ku çdo gjë zgjidhet me një klikim në e-Albania, kemi parë shatërvanë që kërcejnë dhe stadiume që kushtojnë sa gjysma e Buxhetit të Shtetit. Kemi duruar koncesione, inceneratorë që punojnë vetëm në dimensionin paralel, dhe rilindje urbane që lulëzojnë më shpejt se lulet në pranverë.
Por, duke njohur ambicien e pakufishme të kryeministrit për të hyrë në histori jo thjesht si kryeministër, por si një lloj faraoni modern i Ballkanit Perëndimor, pyetja që duhet t'i bëjmë vetes me frikë është: Po sikur t'i teket?

Imagjinoni vetëm skenën. Një mëngjes, gjatë një prej llomotitjeve të tij artistike në Facebook apo në ndonjë podcast ku flet me veten, Rama shpall me atë tonin e përgjumur por filozofik: "Miq, Shqipëria nuk mund të mbetet peng e teknologjive konvencionale. Ne jemi vendi i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, dhe tani… i uraniumit të pasuruar në Surrel."
Dhe menjëherë nisin punimet. Angazhohet parlamenti, qeveria dhe patronazhistët!
Krijohet menjëherë "Ministria e Rilindjes Atomike dhe e Estetikës Bërthamore", e cila do të drejtohej nga ndonjë arkitekt italian me origjinë pellazge, që nuk ka lidhje me fizikën bërthamore, por që di të vizatojë reaktorë në formë lulesh.
Puna për ndërtimin e centralit bërthamor do t'i jepej një kompanie offshore me kapital zero euro, të regjistruar në ndonjë ishull ekzotik, por që fiton çdo tender sepse është e vetmja që kupton Vizionin e Madh.
Për të mbrojtur veten nga sulmet e Bashkimit Evropian, do të na thuhej se kjo armë bërthamore nuk është për të sulmuar askënd, por është thjesht një "instalim artistik ndërkombëtar" për të tërhequr turizmin e lartë të nivelit Turizëm Bërthamor! -dhe për t'i treguar botës se Shqipëria nuk fshihet më pas gishtit të mesit!

E vërteta është se ne shqiptarët jemi mësuar me gjithçka. Kemi mbijetuar kalimit nga komunizmi te kapitalizmi i egër, nga piramidat financiare te gropat e gropëzimet e përhershme rrugore. Nëse Edi Rama vendos të ndërtojë bombën atomike, jini të sigurt se ajo ose do të vonohet për 20 vjet, ose do të përfundojë vetëm si një maket kartoni në Parkun e Liqenit, ku fëmijët bëjnë foto, ndërkohë që fondet e saj kanë përfunduar diku në ndonjë kullë me pamje nga deti.

Prandaj, le të lutemi sot, nesër dhe çdo ditë: Dashtë Zoti e Edi Ramës nuk i shkon ndërmend të prodhojë armën bërthamore. Sepse, po i shkoi ndërmend, i vetmi shpëtim do të jetë që reaktori të bllokohet nga ndonjë burokraci e çmendur e kadastrës shqiptare! Ose nga Revolucioni i Flamingove!
E. Kaceli

sabato, agosto 01, 2026

Blindat e shpuara të propagandës qeveritare nga E. Kaceli

 

Kur qeveria përpiqet të shesë një operacion montimi si një mrekulli të industrisë së rëndë ushtarake, qytetarët nuk vonojnë t'i përgjigjen me armën më të fortë që kanë: ironinë dhe memet në rrjetet sociale.
Sapo u hodh në qarkullim narrativa zyrtare për mjetet e kompanisë TIMAK – të krijuara në bashkëpunim me kompaninë shtetërore të mbrojtjes (KAYO) – interneti u mbush me batuta që tallnin "Made in Albania"! Shasitë, karroceritë dhe motorrët, e Toyota-s apo MAN-ët e gjermanit, na kujtuan të gjithëve se nga "Made in Albania" shpesh e vetmja gjë vendase ka ngelur vetëm logoja "TIMAK"! Por edhe ajo bashkë me shiritat inagurimit i marrim nga kinezi kioskave!
Ndërsa rrjetet sociale qeshin me këtë flluskë mediatike, pas fasadës fshihet një debat shumë më serioz rreth ekonomisë, propagandës dhe keqpërdorimit të institucioneve.
Nëse shikojmë me kujdes natyrën e këtyre mjeteve taktike, zbulojmë një të vërtetë krejtësisht ndryshe nga ajo që transmetojnë kronikat zyrtare. Shasia dhe motorët janë të huaj – zakonisht marka të njohura si Toyota apo MAN. Lëndët e para bazë, çeliku balistik dhe bojërat speciale nuk prodhohen në Shqipëri, pasi vendi nuk disponon një industri metalurgjike apo kimike ushtarake, madje s'ka industri hiç!
(Vetëm nëse qeveria llogarit turizmin si industri e rëndë!)
Në thelb, ajo që ndodh në terren është një proces mbivendosjeje: mbi një platformë tashmë të gatshme dhe të testuar ndërkombëtarisht, vendoset një superstrukturë, kryhet një montim i pjesëve të blinduara dhe integrohen pajisje shtesë. Ky aktivitet zhvillohet pikërisht në bashkëpunim me kompaninë shtetërore të mbrojtjes (KAYO), një strukturë përmes së cilës qeveria bëhet palë në këtë sipërmarrje.
Në këtë bashkëpunim publiko-privat mund të shohim thjeshtë një nismë legjitime biznesi. Por ka një hendek të madh midis realitetit teknik dhe mënyrës sesi ai shitet si një revolucion industrial.
Revolucioni industrial i qeverisë së rilindjes na sjell paralelizmin e së kaluarës kur Uzina e Autotraktorëve në Tiranë prodhonte të ashtuquajturin traktor "shqiptar" DT-54. Traktor që u ndez dy vetëm dy minuta!
Dallimi sot qëndron te fakti se ekonomia është e hapur dhe askush nuk pretendon zyrtarisht se çdo gjë prodhohet nga zeroja. Megjithatë, përdorimi i një kompanie shtetërore si mburojë për të legjitimuar dhe amplifikuar këtë narrativë tregon se si strukturat publike, e private, vihen shpesh në shërbim të marketingut politik. Problemi nuk është tek importimi i pjesëve – që është praktikë standarde globale – por tek keqpërdorimi i këtij partneriteti nga pushtetarët për të shitur një montim privat si një mrekulli të industrisë shtetërore të armatimit.
Marketingu politik shfrytëzon dëshirën e qytetarëve për të parë vendin e tyre të zhvilluar, duke na ofruar një kompani private dhe bashkëpunimet e saj zyrtare si një super-fuqi industriale. Kjo lloj retorike shërben për të krijuar perceptime artificiale të rritjes ekonomike dhe për të prodhuar tituj lajmesh që të tërheqin vëmendjen, duke lënë në hije problemet reale strukturore të ekonomisë shqiptare.
Për sa kohë që politika përdor ndërmarrjet dhe prodhimin ushtarak si një mjet për spektakël mediatik, opinioni publik mbetet i ushqyer me iluzione – ndërkohë që rrjetet sociale vazhdojnë të prodhojnë meme. 
Një shoqëri normale ka nevojë për transparencë dhe për një vlerësim realist të aftësive tona industriale, duke ndarë suksesin real të një sipërmarrjeje nga mitologjia e rreme e pushtetarëve. Dhe jo përralla me mjete të blinduara për gjithë botën, me satelitë, me flota ajore civile, me fabrika dronësh, e të tjerë, e të tjerë...
E. Kaceli