Lexues

domenica, ottobre 02, 2011

Lirikë pa ndjenjë - E. Kaçeli

-për vete

Në Bylis gjetën një statujë të ngrohtë
një statujë të ngrohtë të një djaloshi të ri.
Arkeologia e re e kundroi,
                                       e magjepsur,
statujën çudi!
Dridhshëm mermerin e lëmuar, lëmoi.
U drodh fort, mermer i ngrohtë.
Kërciti.
U shkërmoq nën rrezet e diellit.
Fryu fllad
-s’mbeti tjetër veç pak pluhur
i mermertë
nga statuja e ngrohtë e një djaloshi të ri.

Arkeologia atë natë linte vajzërinë.

Lindi kështu një legjendë.
Se thonë,
              statuja foli para pluhurosjes:
Nuk kisha kohë për dashurinë. –Mos qesh!
Nuk të thashë dot një fjalë…

Por vajza qeshi.

Dhe ndodhi ajo,
                        legjenda.
...Në gishtat e vajzës pak pluhur i mermertë

lunedì, agosto 08, 2011

Je e bukur

-baladë


Je e bukur, je një këngë
e trishtuar si një brengë
Mirësi rrethatuar
larg prej teje i mjeruar.

I mjeruar. E pafat.
Shpirti dhemb çdo sahat.
I pafat. E mjeruar.
I pashpresë, shpirtgjymtuar.

Not’harruar mes pikëllimit.
Mbytur dallgët e trishtimit
në liqen i lëshuar
përpëlitem shpresëshuar.

Shpresëshuar, shpresëpakë
afër meje të jesh prapë
veç një ditë, e një natë
’shkreti unë që t’kisha fat!

Je e bukur si një brengë
e trishtuar si një këngë.
Mirësi rrethatuar
larg prej meje e mjeruar.

E. Kaçeli

martedì, luglio 12, 2011

Urë e varun për kalimin e detit!

Kemi mbetë tek Ura e Varun e Nucit


Nuci i Manatisë është një nga personazhet ma tipikë të qytetit të Lezhës. Sa herë që shkoj në qytetin tim pyes per Nucin dhe parashikimet e tij fantastike. Parashikime apo thanie që kanë hyrë në thaniet historike të lezhjanëve. Këta të fundit shihnin në Nucin, dhe në marrinë e tij brilante, tiparin më të fortë të karakterit lezhjan: Satirën e ftohtë.

Unë po e risjell këtë fakt historik, të botuar në gazetën “Koha jonë” të datës 14 janar 2001.


Po e risjell, në origjinal, duke pasë parasysh se historia vazhdon me u përsëritë në të njëtën mënyrë groteske. Dhe me dyshimin e madh, personal, se kemi mbetë prapë, e prapë, tek Ura e Varun e Nucit. Tek ura me 13 korsi!

Për të qeshur dhe për të qarë nga Lezha
Urë e varur për kalimin e detit!

Lezhë- Ndërsa partia socialiste është e mbërthyer në krizën e brendëshme, dhe opozita me në krye partinë demokratike, është në krizë të jashtme, lezhjanët kanë filluar të mendojnë seriozisht për të nxjerrë popullin shqiptar nga kriza. Zgjidhja origjinale është dhënë nga i shumënjohuri Nuci i Manatisë. (Për informim: Nuci është themeluesi i partisë kombëtare "Gjendja ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri e Diasporë!". Partia e Nucit deri tani përbëhet nga fraksioni i Berberëve të qytetit, nga fraksioni i të Papunëve të prefekturës, nga fraksioni i Politikanëve dhe pijanecëve lokalë, nga fraksioni i Korrespondentëve lokalë të mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare, dhe nga disa fraksione të tjera që akoma nuk janë identifikuar mirë si të tilla.)

Sipas kryetarit Nuc, partia Gjendja Ekonomike është e angazhuar seriozisht për nxjerrjen e vendit nga kriza në këtë fillim viti. Partia po mbledh fonde dhe po kërkon burime finacimi nga të huajt që e quajnë veten shqiptarë, dhe nga shqiptarët që e quajnë veten të huaj, për ndërtimin e një ure të varur që do të lidhë Shqipërinë me bregdetin italian!

Sipas inxhinierëve projektues brenda dhe afër partisë, SuperUra do të ketë njërën këmbë në Shëngjin dhe tjetrën në Bari. Ndërkohë që hyrja do të bëhet nga Puka ku do të lidhen kavot siguruese.

Vetë kryetari Nuc ka deklaruar se "Ura e varur do të jetë me 13 korsi". Kur u pyet nga fraksionistët e korrespondetëve lokalë të mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare se për ç'arsye SuperUra do të jetë pikërisht me 13 korsi, kryetari Nuc sqaroi se “12 korsi do të shërbejnë për shqiptarët që dëshirojnë të ikin nga Shqipëria. Ndërkohë që korsia e 13-të do të jetë në dispozicion të atyre që dëshirojnë të kthehen, aksidentalisht, në Shqipëri!


Vetëm kështu mund të zgjidhet kriza, nëse problemi i SuperUrës së varur merret seriozisht!


E. Kaçeli

domenica, giugno 19, 2011

Atdheu në Askund! -nga E. Kaceli

             -Njeriu vuen atë që asht!

Rrugëve pafund të botës
me një biletë të ftohtë në dorë
Zogj të trembur, shtegtarë
                                       të tretun larg
Era e pashpirtë e kohës luan me shpirtrat
Në xhepa dhimbje, bagazhet mbushur mall

Kërrusun prej heshtjes
hyrje -daljeve të Botës presim
skllevër te ajrit,
                       skllevër te valëve të detit
fanarët e Kepit të Shpresës së Mirë nuk ndriçojnë

Atdheu edhe këtu, edhe atje
edhe në Askund...

Aeroporti “Nënë Tereza”, Tiranë, qershor 2011

venerdì, maggio 20, 2011

Pamflet: Kunguj, kungullesha dhe kryekunguj

Kam një kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... Sa herë i peshoj më dalin njëlloj.
Më besoni!- ka disa ditë që po mundohem ta ndaj atë dreq kungulleshe në dy pjesë jo të barabarta. Në çdo mundim timin, të shkuar kot, rezultati është i njëjtë.

Dy kunguj gjysma, dy gjysmakunguj, të barabartë. Të barabartë në mënyrën më perfekte.

Kanë vetëm nja dy tre ndryshime të vockëla e të parëndësishme.
Njëri është ngjyrë rozë, me nuanca që tentojnë nga boja e verdhë. (Rozë i zverdhëcitun)
Tjetri është ngjyrë blu, me tendenca që tentojnë nga ngjyra rozë. (Blu i dalë boje)
I pari, rri përherë Verdhacuk në fytyrë,- Kungull i Fytyrës së Vrerosur –sipas Servantes
I dyti, rri përherë i Qeshur në fytyrën e rrumbullt, – Kungull që Qesh- sipas Hygo
Ndryshimi i paktë. Thelbi po ai : Kunguj të baraz ndarë nga e njëjta kungulleshë!

Për hir të këtyre ndryshimeve të parëndësishme, në tregun e kungujve janë hedhur me të njëjtin çmim.
E duke pasë parasysh raportin kërkesë –ofertë, mijëra njerëz të ngjashëm me njëri -tjetrin, më shumë se ç’ngjajnë dy kungujt tanë, kanë dalë në tregun e perimeve për të blerë secili kungullin e vet. Thërrasin. Bërtasin. Çirren.
Thonë: Ky është imi! Me këtë fitohet! Ky fitoi! Tjetri vodhi! Hajdut! Vrasës! Kriminel! Kungulli im fiton! Fiton Kungulli im! Ngatërrova arkën! Ngatërrova kungullin! Numëro! Mos numëro se ta numëroj!

Aq shumë janë marrëzuar njerëzit –blerës, sa janë të gatshëm ta njësojnë veten me kungujt dhe të thërrasin e bërtasin, për dy kungujt e hedhur në treg duke i quajtur parakohe, Kryekunguj!
Në këtë tollovi, dreqi e merr vesh cili është më kungull se tjetri nga dy gjysmat e Kungulleshës. Cili është kryekungulli i vërtetë!
Dhe njerëzit –blerës –tifozë, janë gati të thërrasin për të ndarë Kungulleshën, kunguj a kryekunguj të tjerë.
Dikush nga Republika jonë e Kungujve bërtet që të vijnë disa ekspertë –kunguj (mos o Zot!) nga bota e qytetëruar. Këta ekspertë të thekur, prej mënyrës që përdorin, nuk janë as kunguj për mish, as kunguj për lesh.
Në këtë pikë hyjnë në lojë edhe disa Kryekunguj të tjerë, diç më të mëdhenj në peshë e në format!

Burime të mosvaruna thonë se njëri është Kryetari i Koalicionit të Kungujve, armik i përbetuar i koalicionit të dreqtuar nga Kungulli i Fytyrës së Vrerosur.
Në rangun e kungujve është edhe një tjetër Krykungull. Kryekungull i të gjithë kungujve dhe Kryekungujve, bij të Kungulleshës. Njëfarësoj Kryekungulli Suprem!
Burimet rreken të vërtetojnë se Kryekungullin Suprem nuk e pyet kush as’ sa për një kungull normal.
Ja pse kam mbetë dhe rikthehem prapë tek loja e Kungulleshës: Kam një Kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... sa herë e peshoj, më dalin njësoj.

Të gjitha ato që shkrova ishin thjeshtë sa për të mbushur rreshtat se unë e di mirë shprehjen: Me zjarrin dhe me bijtë e Kungulleshës (Kungujt –pavarësisht nga madhësia dhe ngjyra) nuk luhet!
Dhe unë nuk luaj: Kam një Kungulleshë...
nga E. Kaceli

sabato, aprile 23, 2011

Botë virtuale nga Daniel Gàzulli

- Ese -

Marr përditë mesazhe nga vende të ndryshme të Europës, nga Amerika e deri nga
Australia. Mesazhe plot, fjalë, fjalë, fjalë, po kur nuk u shoh sytë, edhe fjalët më vinë të
shurdhëta.

Dal në shëtitje rrugëve të Lezhës, po veshtirë të gjej dike me pi një kafe e me
shkëmbye dy fjalë. Shumica e miqëve të vjetër janë përnda nëpër botë. Dikush ka pothuej
njëzet vjet që asht largue: ka shkue burrë i fortë e i bukur e tash asht mplakë. Shumë prej
tyne, mbasi kanë punue për vite në mërgim, më shkruejnë se janë në pension: dikush ka
pësue infarkt, dikush një sëmundje tjetër. Nuk besoj se u ka ardhë e keqja nga puna e
randë, po nga shpirti i plasun.

Disa të tjerë ikën ma vonë tek fëmijtë, shpirtplasun këtu, në Atdhe, shpirtplasun
atje, në dhé të huej. Mesazhet e tyne janë ma të ngrysuna. Pa punë, pa pension, barrë
për fëmijtë mundqarë, prindë të heshtun e të piklluem, si gjithë prindtë që u randën
fëmijëve.

Këta shkruejnë ma rrallë, shumë rrallë. Këtyne po, ma mirë që nuk ua shoh sytë:
kushedi ç’perde e randë do t’ua ketë zanë vështrimin.
Komunikojmë. Asht koha e internetit, një botë virtuale.

Po sytë më mungojnë. Vështrimet. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë …

Shkruejnë. Ndonjeni ban edhe pyetje. Kur më bajnë pyetje, gjendem ngusht. Unë
e di ç’përgjigje presin ata. Po nuk kam si t’ua ushqej më kot iluzionet. Ata andërrojnë
Atdheun të lulëzuem. E unë, si t’u them? Edhe pse nuk ua shoh sytë, jo, nuk mundem me
i rrejtë.

Ma mirë ata që nuk pyesin. Tashti besoj e morët vesht edhe ju të tjerët: Ju lutem,
mos pyesni, më bani të ndjehem ngusht.

Nga Norvegjia më thonë se asht ftohtë. E di. Kam ba pak gjeografi. Më thonë se
asht ftohtë, sepse nuk duen të më thonë shumëçka tjetër. As pse ka pësue infarkt. As pse
ka dit që nuk e shikon të vetmin bashkatdhetar që e ka në të njejtin qytet. Asht ftohtë, më
shkruen. Si t’mos e besoj?

Nga Australia më shkruejnë se edhe atje shqiptarët zihen mes veti, nuk kanë punë
me vendasit. Mes vetit: sherr i madh.

Nga Italia, një mik i vjetër, që ka qenë disa vjet në Burgun e Burrelit, më jap
këshilla se si mund të ndërtohet shteti i së drejtës dhe ankohet se nuk ban dot operacion
prostatet: kushton shumë shtrejt. E pyes diçka për Berluskonin. Nuk më kthen përgjigje.
Tri herë e kam pyetë, po nuk më asht përgjegjë, më shkruen vetëm se çfarë duhet të
bajmë që të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Ç’hyn Berluskoni këtu?!

Një mik tjetër, prej shumë kohe në Amerikë, më këshillon t’i bind shqiptarët se asht
ma mirë të mesojsh tjetrin si zihet peshk, se sa t’i falish një peshk. E ka ba kaq për vete
kjo thanje e urtë, sa më kanë folë edhe shumë të tjerë se kambëngulë edhe me ata t’i
bindin shqiptarët të veprojnë në këte mënyrë: kështu ban Amerikani.
E pyeta një herë për luftën në Irak. A do të ketë fund një ditë. Nuk më ktheu
përgjigje.

Një mjeke në Francë asht e zemrueme me ata që shkruejnë keq për Shqipninë në
frëngjisht. E pyes: Shkruejnë ma keq se sa na për vete? Jo jo, më thotë, deri aty jo.

Komunikojmë.
Po fjala vjen e shurdhë pa vështrim.
Më ka marrë malli t’i shoh miqtë në sy.

lunedì, aprile 11, 2011

Zemra e çmendur

-Tregim nga E. Kaceli

Lajmi më interesant i vitit u dha. TV-ja lokale, Tv-të qendrore dhe të gjitha gazetat lokale e qendrore me korrespondentë në Qytetin e Ftohtë, e publikuan lajmin me shumë zhurmë e nota interesante. Interesante deri në tragjike. Një dukuri jo e zakontë. Një lajm –ngjarje që asnjë prej Qyteteve të Ftohta nuk e ka provuar ndonjëherë. Dukuria thuhej se, prej vitesh që nuk mbaheshin mend, ishte tipike për dy ose tre qytete të Brezit të Ngrohtë. Një zemër është çmendur.

Po. E vërtetë. Një zemër është çmendur.

Në fillim gazetarët dhe njerëzit e zakonshëm plasën në diskutimin mëdyshas se kujt seks i përkiste Zemra. Diskutimin e mbylli vetëm Fotografi i Pasionuar pas Fotove Artistike. Zemra e fotografuar fshehtas i përkiste një gruaje rreth dyzet vjeçe. Kuptohet të panjohur. Përballë faktit se zemra i përkiste një gruaje dhe jo një burri nuk iu nënshtrua kurrsesi gazetari i vetëm i të vetmes Gazetë të Pavarur Lokale. Ai nuk pranoi të merrte në shqyrtim fotot i bindur në idenë e tij. Më kot u mundua Piktori më i Madh i Qytetit të Ftohtë që në ato ditë  kishte arritur të hapte një ekspozitë personale në Kryeqytet. (Gazetat politike dhe të pavaruara të kryeqytetit e vlerësuan menjëherë si “magjistar të njohjes së ngjyrave). Më kot.

Për të mos tretur në harresën e rrëmujshme të fakteve dhe kundërshtive po tregojmë, shkurt, ngjarjen, me stërmundimin e përfshirjes së të gjitha versioneve. Për hir të së vërtetës!
Në mëngjezin e ditës së hënë të muajit dhjetor (muaji më i akullt i Qytetit të Ftohtë) një zemër femre ishte çmendur. Çmendur përfundimisht. Çmendur në mënyrë të pakthyeshme. Banorët e Ftohtësirës, të shquar për indiferencën ndaj ngjarjeve, dhe jo pse çmendja e Zemrës përkonte me festën e Krishtlindjeve, nuk i vunë aspak rëndësi ngjarjes.

Nëpërkëmbur prej indiferencës së njerëzve dhe të ftohtit, Zemra e Çmendur shëtiste pa ia varur askujt. Ndezur flakë, çante nëpër rrugë. Vetmuar. Shkonte e vinte sa në njërën rrugë në tjetrën; sa në njërin trotuar në tjetrin; sa nga rruga në trotuar, e prapë në rrugë; sa nga njëri lokal në tjetrin; duke lëvizur gjithashtu nëpër lulishten e vetmuar  dhe të vetme të Qytetit të Ftohtë, ku çifte njerëzish i bënin lajka njëri –tjetrit, si një dhuratëz simbolike apo kartolinë.

Diçka bërbëliste me vete Zemra e Çmendur. Diç të papërcaktuar mirë. Një gjësend të pakjartë. Veç bërbëliste. E pikëla të zbehta gjaku, në kontrast me ngjyrën e kuqe flakë, pikëzoheshin në intervale të shrregullta mbi vendin ku kalonte.
Për habi të ndonjë kalimtari, sapak kurioz, piklat e gjakut shëndrroheshin në një masë të vogël gërryese, që gërryenin si me tyrielë vendin mbi të cilin pikoheshin.
Papritur Zemra e Çmendur ndali. Ngriti kryet. Pikëlat e gjakut pushuan së pikuari. Para Zemrës një djalë rreth të tridhjetave. Aspak simpatik. Pa asnjë shprehje të veçantë në fytyrë. Ia nguli sytë Zemrës së Çmendur. Me një vështrim therës. Therës deri në dhimbje. Zemra u drodh, por nuk e dha veten. Qëndroi përballë Djaloshit më e ngrirë se të gjitha statujat greke të antikitetit. U kundruan në heshtje për rreth pesë minuta. Pesë minuta që filluan t’iu bënin njëfarësoj përshtypjeje të dyshimtë kalimtarëve të Ftohtë.
Djaloshi u drodh. Por nuk e dha veten. Përse duhej dhënë vetja? Djaloshi u drodh përsëri. Po tradhëtohej në brendësi. Po çahej nga brenda me një të krisur pa zhurmë. Po çahej. I detyruar prej rrethanave të mbrapshta, në heshtje, po çahej duke përjetuar dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një qenie njerëzore. Një qenie njerëzore e ndeshur befasisht në rrugën e një Qyteti të Ftohtë, me Njerëz të Ftohtë, me një Zemër të Çmendur, që deri në ato momente pikonte gjak.

Ndoshta (kush mund të thoshte) ndoshta edhe Zemra e Përgjakur po jetonte të njëjtin ankth. Ankthin e agonisë që sjell krisja. Se tashmë Zemra e çmendur e kishte ndalur gjakun dhe qe shëndrruar në një enë. Në një Enë të Kristaltë në formën e zemrës. Në një enë të mbushur me njësoj lëngu që i ngjante aq shumë gjakut të pastër të një femre të dashuruar. Të dashuruar deri në çmendje. Krisja fillonte heshtas, që në flluskat e vockëla të ajrit prej të cilave thonë se përbëhet gjaku i njeriut të dashuruar.

Të dy dashnorët, Djaloshi dhe Zemra e Çmendur, përballë njëri –tjetrit, përjetuan, për ato pesë minuta, krizën më të ankthshme të Qytetit të ftohtë. Të dy dashnorët u drodhën.
Zemra vuri re se Djaloshi po shëndrrohej në një enë të kristaltë në formën e një njeriu. Absurde. Djaloshi shihte se Zemra nuk qe gjë tjetër veçse një Enë e Kristaltë në formën e Zemrës!

… pas atyre pesë minutave fatale, secili vazhdonte rrugën në drejtim të kundërt. Të ftohtë, krejt të ftohtë ndaj asaj që do të shkruanin gazetat nesër…

Pa datë dhe pa adresë

domenica, marzo 27, 2011

Larg teje në plazhin e harruar

nga E. Kaceli

Fryn erë
në bregdetin e harruar.
Flutura krahëzbehta harrimi
thërrimet e rërës fluturojnë,
pështillen kabinave të braktisura
pa kujdes. Pështillen rreth meje
më futen në xhepa,
në veshë,
në sy
dhe në flokët e ngatërruar me fije ere.

…Rërat e heshtjes
në shpirt
kështjella të lagura harrimi
ngrejnë.

Larg teje
në plazhin e harruar
në plazhin e braktisur
Fryn erë harrimi
që më trand,
më trand
aq shumë.
Apo fryn erë malli
që më lë,
më lë
Pa gjumë.

lunedì, febbraio 28, 2011

Mendimet janë braktisur

nga E. Kaceli

Përtokë janë rrëzuar mendimet
Përtokë janë braktisur mendimet
Askush nuk merr mundimin ti ngrejë nga balta

Njerëzit indiferentë kalojnë pranë tyre. I shkelin me këmbë
I godasin duke i rrokullisur nëpër rrugën e përbaltur.
Mendimet heshtin të braktisur.

Njerëzit. –ah njerëzit, kjo racë tokësore pa ndonjë vlerë të veçantë
Harbojnë në lumturinë e pafund
Në lumturinë që sjell çlirimi prej mendimeve

Mendimet heshtin tek merren nëpërkëmbë…