Lexues

lunedì, novembre 22, 2010

Lypesi i rrugeve

Kam shtri dorën e thatë
Të thatë prej moskamjes
Moskamja –thikë në stomakun bosh.

Këmbët e njerëzve më shkelin
Trupin mbushur gjithë plagë
Shpirtin më të plagosun se trupin

Shpirti as trupi nuk më dhembin

Rrugëve të lypjes kërrusun
Prej mëngjezit deri në tjetrin mëngjez

E lypi.
E lypi.
E lypi.

Askush nuk më fal dashuri...

E. Kaceli
Venzia, Itali, 2010

domenica, ottobre 10, 2010

Sytë më të bukur në botë

I mbytur në sy
Rri në heshtje
Si një idiot gjenetik

Natyra është çmendur
Koha është çmendur
Ndërsa unë rrëzohem
Rrëzohem i çmendur
Rrëzohem i mbytur
I mbytur në trishtim
I mbytur në trishtimin e dy syve
të papërsëritshëm

Sytë…
I mbytur në sy
Rri. Vdes. Ringjallem.
Për të vdekur përsëri.

I mbytur në sytë e tu…
O Zot! –Po çmendem!
Sa e pabesë!
Sa të marrë natyra
dhe Zoti, që bashkë ndërtuan sytë e tu!

Lezhë, qershor 2001 -Itali, tetor 2010

domenica, settembre 26, 2010

Fisheket e gjakut

Tregim nga E.Kaceli

Gjaku i të vrarit derdhej në asfaltin e nxehtë dhe krisma e breshërisë së “kallashnikovit” ende nuk ishte shuar mirë, dhjetëra njerëz kureshtarë rrethuan vendin e ngjarjes. Askush nuk e njihte viktimën.

Në qytetin e vogël ishte periudhë plazhi dhe njerëz nga gjithë veriu dhe verilindja e vendit mbushnin përditë rrugët me pluhur. Makinat luksoze dhe karrocat, krijonin një pamje irreale.

Në pluhurin e rrugës, njeriu i mbërthyer befas në ngrohtësinë e plumbave që i përshkuan trupin, rropatej në grahmat e fundit. Trupi vazhdonte ti dridhej. Sytë ishin drejtuar, në tmerrin e vdekjes, drejt hapësirës së mjegullt dhe tejet të nxehtë të diellit të korrikut. Me një hap të shpejtë autori i ngjarjes, siç e quan policia vrasësin, sapo kishte filluar të largohej. Në dorë arma me karikatoren e sapozbrazur. Ecte krejt i qetë. Krejt i qetë dhe i pa shqetësuar nga askush…

Britmat e dy grave e bënë të kthente kryet dhe një herë në drejtim të grumbullit të njerëzve që kishin rrethuar viktimën njëzetvjeçare. Ndërroi në ecje e sipër karikatoren e zbrazur me një tjetër të mbushur. Lëvizi shulin duke i dhënë fishekun e radhës. Ngriti armën në pozicion gati për zjarr, dhe vrapoi. Vrapoi.

Në vrapim e sipër filloi të mos shihte asgjë. Nuk po shihte asgjë. Vetëm hije njerëzore që i largoheshin si kolerës. Ishin pushuesit, në mund të quheshin kështu, që shmangeshin pa guxuar ta shihnin në sy njeriun që ngrinte lart një tytë arme. Njeriun, fytyra e të cilit ishte çartur në një pamje që të shtinte frigën.

Filloi ta zinte gjaku! Nën aromën e barutit, të gjakut, përzier me temperaturën e korrikut, kishte harruar të bënte zakonin shqiptar të vrasjes për gjakmarrje. Sipas traditës duhej të shtinte dy herë në ajër. Vetëm dy herë. Të merrte dhe diçka nga i vrari. Të hidhte diçka në tokë. Një shenjë. Tradita e thoshte, se ndryshe të zë gjaku. Dhe kur të zë gjaku don me thënë se nuk je në gjendje të ikësh. T’iu ikësh njerëzve. Nuk mund të marrësh arratinë. Bile dhe mund të vrasësh dikë tjetër në tmerr e sipër. Mund të humbësh rrrugën. Pleqtë tregonin dikur, shumë vite më parë, kur i kishin vrarë gjyshin, pa lindur nipi gjakmarrës, se dikush kishte vrarë veten prej zënies së gjakut… U kthye!

U kthye! -bërtit dikush nga turma.

Turma e njerëzve u largua në më pak se dhjetë sekonda. Trupi i viktimës ndodhej aty. Ndërsa shpirti filloi ti merrte arratinë në qiellin e korrikut. Gjaku dhe pluhuri përziheshin nën këmbët e autorit të ngjarjes. Ngriti armën, një “AK” të prodhimit kinez. Shtiu dy plumba në drejtimin ku po largohej shpirti i viktimës. U përkul mbi trupin e të sapovrarit. Nduku diçka në rrobat e përziera me gjak. Futi dorën e lirë në xhep dhe hodhi në tokë një monedhë hekuri, prerje të fundit të Bankës Shqiptare. Mori të njëjtin drejtim, ndërkohë që sirena e makinës së policisë filloi të therte rrugën me klithmën e saj trishtuese.

Njerëzit rrethuan viktimën më kureshtarë se në momentin e pasvrasjes. Nuk kishte nevojë për asnjë koment. Vrasja ishte kryer tradicionalisht.
Motivi?
Thjeshtë: Për gjakmarrje.
Viktima e njihte autorin dhe autori e njihte viktimën.

Policia filloi të largonte njerëzit. Ekspertët bënë fotografitë e rastit. Mblodhën dhe një turrë gëzhojash. Plot tridhjetë e dy copë. Një karikatore tridhjetëshe, plus dy fishekët e gjakut. Mbështollën trupin e viktimës me një batanie të palarë që nga dhjetë vrasjet paraardhëse për motive gjakmarrjeje. U nisën.

U nisën me dritat dhe sirenën ndezur në drejtim të Komisariatit të policisë, ku i prisnin nja tre korrespondentë lokalë në ethe për të mësuar diç më tepër për krismat në plazh…

domenica, aprile 18, 2010

E DASHUR! VDEKJA VJEN PA LAJMËRUAR

E. Kaceli

Vjen vdekja.
Pa trokitur në derën e fatit.
Pa lajmëruar, vjen, ajo e rënda
haplehta,
tinzarja,
e pabesa
vdekja.

E dashur!
Vdekja vjen pa lajmëruar.
Me kthetrat e sajë na merr shpirtin.
Pa na dhënë kohë të pendohemi:
Pse?!
Pse dreqin kemi lindur?!

Kështu krejt papritur
vjen vdekja…

Romë '97 -Langhe 2010

domenica, marzo 21, 2010

Pamflet: Parlamenti kalon ne q... Lum nënat që i kanë!

Nga Edmond Kaceli
Sipas mediave, dhëntë Zoti që të mos jenë të vërteta, parlamentarët shqiptarë në luftën e pashoqe për hapjen dhe mbylljen e kutive të votimeve kanë kaluar në q...ashtu-në e nënave të njëri –tjetrit.

Pas një q... gati një vjeçare që iu bënë kutive të votimit, nervave të shqiptarëve, dhe vetë Nënës Shqipëri, të cilës vazhdojnë t’ia q...ashtuhin kurvën, demat e tërbuar blu, kuq dhe rozë (PS, PD, LSI), mbrehën pallat dhe filluan t’iu kthehen nënave të njëri –tjetrit.
(Shprehja “mbrehën pallat” rrjedh nga kënga popullore “More djemtë e Kurve –Leshit/ me palla lëftoni sheshit –shën. i autorit)

Këta burra potentë deri në tërbim, të fortë deri në thyrje hundësh, të ndershëm deri në kufinjtë e fundit të ndershmërisë, të veshur dhe të zhveshur shik (alla frënga), poliglotë të mbaruar në fushën e sharjeve në gjuhën e mëmës, të zgjuar deri në skajin më të errët të zgjuarësisë, idealistë të pamposhtun deri në marrëzinë e madhështisë, besnikë ndaj atdheut dhe familjes deri në shkallën më të lartë të vetmohimit, janë kthyer në krenaria më e madhe e Atdheut. Atdheu, ne, i kemi zgjedhur demokratikisht, me një votë të shkërdh... lirë, në të vetëemëruarin Foltorja më e lartë e demokracisë shqiptare, përndryshe Parlamenti Shqiptar.

Ne krenohemi, nënat e tyre të nderuara nderohen, Atdheu është gjithaq i nderuar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, me këta burra –kodoshë simbol i rrugaçërisë politike dhe i vetmohimit deri në q’ashtunë e nënave të sho –shoqit.

Dhe ata, deputetët tanë, pjella më keqe e Atdheut, janë të nderuar nga ky nderim i math që ju japim ne shqiptarët, pra Atdheu!

Janë të nderuar dhe krenohen me gjallërinë e koqeve të tyre pjellore. Në shkëmbim të këtij nderi janë gati t’i fusin (virtualisht) vend e pavend, vetëm e vetëm që Atdheu, shqiptarët kudo që janë, nënat e deputetëve, të marrin vesh se me çfarë lloj racë –demash (djemash) kanë të bëjnë!
Virtualisht se ndoshta (pse ndoshta?) këta dema të harbuar bëhen pula të pshurruna kur bëhet fjalë për të bërë atë punë në kohën dhe vendin e duhun pa praninë e mediave dhe gazetarëve.

Q’ashtu-ja që bëjnë deputetët shqiptarë të Shqipërisë, më ngjan shpesh me majmunëritë e deputetëve të parlamentit italian, që e mbysin sho –shojnë me sharje nga më të kulturuarat që përmban fjalori i gjuhës italiane të sharjeve. Këtë fjalor iua sugjeroj dhe burrave (pse jo dhe grave) të Kuvendit Shqiptar. Të paktën plotësojnë një ndër kushtet e pakërkuara për të hyrë në Europë: Koleksionin e sharjeve!

Shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës të fillojnë, edhe ata, (në mos paçin filluar) procesin gjithëpërfshirës së q’ashtuhjes! Kështu procesi i q’ashtuhjes bëhet më i fortë e rrjedhimisht hapet më kollaj rruga për në Europë.
A thua nuk e keni kuptuar se rruga për në Europë kalon vetëm nëpërmjet procesit të liberalizmit të q’ashtuhjes! Çudë! Çudë! Çudë!
Çudë e faqja e zezë!

Lum nënët apo mjerë nënat e shkreta që kanë djem të tillë kodoshë?!
Lum Nëna Shqipëri apo mjerë Nëna Shqipëri? Pjella të tilla, kodoshë, që me kodoshllëqet e tyre nuk e lënë të hyjë jo në Europë por as në Dreqistan!

domenica, febbraio 28, 2010

Besëtytnitë turke dhe poshtërimi i shqiptarëve

nga Ndue Ukaj

Mohimi është forma më e egër e poshtërimit. Madje, nëse e analizojmë drejt, pa ekuivokë e ambiguitete, mohimi është poshtërim më i skajshëm që shkon deri në përbuzje, rrënim, përjashtim, tendencë për zhdukje dhe çka jo tjetër. Politika turke karshi shqiptarëve, është kryekreje duke promovuar asilloj tezash, të cilat, esencialisht janë teza të mohimit, së këndejmi edhe të poshtërimit të skajshëm, të asaj që është ekzistencë fizike e shpirtërore, pra mohim i plotë i etnisë shqiptar dhe historisë reale të tij. Andaj si të tilla, duhet të merren si të rrezikshme.

Këtë kambanë alarmuese e patë sinjifikuar qysh para tre vjetësh Arbër Xhaferi, me artikullin Pasojat e akraballëkut, të botuar në disa të përditshme shqiptare, artikull ky i cili zgjoi interesim të madh dhe debate ndër shqiptar. Xhaferi me shumë argumente stigmatizoj këtë politikë turke të mohimit. Ajo çfarë është e vërtetë, poshtërimi turk ndaj shqiptarëve viteve të fundit, çdo ditë e më shumë po nxjerr krye dhe po bëhet më i vrazhdë, më imponues, sidomos përmes diskursit të politikës qeveritare turke, që nuk rresht së mohuari ekzistencën etnike të shqiptarëve dhe duke e kamufluar atë me gjoja “koekzistencën” historike, një gënjeshtër kjo e kulluar, që është një besëtytni e trilluar e shtetit turk, politikës turke dhe elitës intelektuale turke. Ndërkaq, e vërteta historike është krejtësisht tjetër, është e kundërt, sepse marrëdhëniet turko-shqiptare, asnjëherë nuk kanë qenë e as që do jenë vëllazërore, ndërkaq dihet botërisht se shqiptarët nuk kanë bërë koekzistencë me perandorinë turke, asnjëherë, mirëpo kanë qenë, për fat të keq, të shtypur, të persekutuar barbarisht, të shkatërruar fizikisht e psikologjikisht nga Turqia dhe politika e saj hegjemoniste ndaj shqiptarëve, që u përpoq të zhbëj çdo gjë shqiptare për shumë shekuj. Për këtë, ka aq shumë argumente, sa është e pakuptimtë të përmendën me këtë rast.

Në të vërtetë, për poshtërimin si fenomen politikë, kulturor e historik në Ballkan, ka shkruar edhe shkrimtari Ismal Kadare në një sprovë të shkëlqyer eseistike, në librin Poshtërimi në Ballkan (Onufri, 2004). Autori këto me mjeshtëri diskuton dukurinë e poshtërimit dhe vë në spikamë faktin se tendosjet dhe dramacitet në këtë pjesë të botës, kanë një rrjedhojë edhe nga poshtërimi, si instrument i përdorshëm, i drejtuar veçmas kundër shqiptarëve dhe ekzistencës së tyre etnike e historike. Shkrimtari Kadare shenjat e poshtërimin i koncepton në kontekstin e racizmit dhe sipas tij, poshtërimi bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmërojnë përgatitjen e një zezone. Pra, nuk ka gjë më të ulët se poshtërimi i një kombi. Ky poshtërim, në formë të përbuzjes, mohimit, shqiptarëve po ju bëhet nga Turqia, e cila duke i identifikuar me fenë dhe historinë, po pretendon shqiptarët t’i paraqes para botës si pjesë të një trungu. Kjo politikë për shqiptarët është tejet e dhimbshme.

Tendencat turke karshi shqiptarëve ngritën mbi dy elemente, shumë të paqëndrueshme, mirëpo psikologjikisht të rrezikshme, fenë dhe historinë. Duke i përdor këto dy kategori, shteti turk sajon argumente të marra, për gjoja bashkë-ekzistencën historike dhe ndarjen e fateve përgjatë historisë, duke harruar faktin se, siç shkruan filozofi Karl Poperi, “Besimi në fatin historik është një besëtytni e kulluar”. Këtë besëtytni të kulluar, po e sajojnë si tezë politike politikaj nga Turqia, të cilët, kund përmes ministrit të tyre të jashtëm Ahmet Davutoglu, apo zyrtarëve tjerë, predikojnë një vëllazëri me shqiptarët, për marrëdhënie vëllazërore, që realisht nënkuptojnë mohimin, poshtërimin, sepse etnitë nuk kanë marrëdhënie vëllazërore. Ja vlen të përmendim si shembull popujt skandinav, të cilët janë pjesë e një trungu gjenetik, mirëpo nuk i thonë njëri- tjetrit vëllezër. E jo më shqiptarët dhe turqit? Shteti, i ashtuquajtur modern turk, në vend se të ndjehet fajtor për një politikë shfarosëse që ka ndjekur karshi shqiptarëve nëpër shekuj, të kërkoj falje, ai nuk rresht së hapuri teza të marra, që në fund të fundit, s’janë gjë tjetër përpos sajesa të një politikë që ka perënduar tash e një shekull. Mirëpo, këto tendenca dhe teza janë aq të rrezikshme sa vetë politika hegjemoniste turke, që rikthimin politik në skenën ndërkombëtare, do ta bëjë, ndër tjera, duke mohuar ekzistencën e kombit shqiptar, pra duke e përbuzur atë tmerrësisht keq, për interesat e saj gjeostrategjike. Ndërsa, para kësaj sfide dhe hegjemonie, politika shqiptare është shumë inerte, inferiore dhe, ndoshta djallëzisht tolerante.

Para një kohe, një ministër i kulturës nga Danimarka, kur bëri një vizitë në Irlandë, kërkoj falje për shkatërrimit barbare që kishin bërë Vikingët para qindra vitesh në Irlandë dhe kulturën fizike irlandeze, gjatë rrugëve të tyre të plaçkitjes nëpër botë. Ky gjest kaq madhështor tregon se çfarë domethënë një shoqëri e emancipuar, një politikë që të kaluarën negative e pranon si të tillë dhe ndjehet, madje edhe pas qindra vitesh, fajtore. Turqia në vend se të ndjek shembuj të tillë, bëhet antipod dhe promuvuese e politikave jo emancipuese, të vjetra, sterotipepeve primitive.

Në fakt, ashtu sikur shteti danez, do të duhej të vepronte edhe Turqia, të kërkoj falje për shkatërrimin që i bëri Shqipërisë, për shkatërrimin e qindra kishave, bibliotekave, për tjetërsimin e historisë, fesë, për vrasjet barbare, për pengimin e gjuhës, fesë, shkollimit, për internime, etj. Po të krahasojmë gjestin kaq fisnik, të kombit fisnik danez, me gjestet e politikës turke dhe diskursin e saj karshi shqiptarëve, do të shohim se shteti turk sot është një kosh mbeturinash të së kaluarës, të një politike që ushqehet nga pasione të sëmura të drejtuara ndaj qenies dhe qenësisë shqiptare. Kjo është një politike aspak emancipuese dhe krejtësisht kundër trendëve moderne europiane, ku, gjoja po na synoka të hyjë Turqia jodemokratike.

Prandaj, politika e fëlliqtë turke karshi shqiptarëve, nuk mund të quhet ndryshe përpos politikë e poshtërimit, e përbuzjes, sepse kjo bëhet përmes mohimit dhe atëherë kur mohimi është pjesë e diskursit politikë, është kësisoj shenjë e racizmit, siç do të thoshte Kadare. Këtë shqiptarët nuk duhet ta gëlltisinNë këtë kontekst, duhet tumiren si shumë të drejta shqetësimet e Pirro Mishos, të para disa ditshme në shtypin shqiptar, për rrezikun nga neo-otomanizmi, sepse ky rrezik është real, ndërsa ndaj tij duhet reflektuar me shumë kujdes dhe pa ekoivoke, sidomos duke kuptuar dialektikën e zhvillimeve civilizuese, se nuk mund të jesh në dy vende, në të njëjtën kohë. Duke i trajtuar shqiptarët si vëllezër, duke ju mohuar shpeshherë kombin, duke predikuar një bashkëjetesë historike që është ireale dhe që nuk përkon as me të vërtetat historike e as politike, Turqia bënë gabimin më të madh politikë, duke vënë, në të njëjtën kohë, para një sfide të madhe, gjithë të ardhmen e këtij rajoni të trazuar nga reminishenca negative historike. Kjo bëhet më e ndjeshme sepse kjo politikë po instomentalizon fenë dhe historinë për këto synime.

Mirëpo, shqiptarët assesi s’duhet të harrojnë ato të vërtetat të dhimbshme që i shkaktoi pikërisht kjo Turqi, ato drama që i përjetoi me shekuj, shumë prej së cilave i vuan edhe sot, e të cilat u gatuan nga qeveritë turke në të kaluarën. Këto aspekte i analizon mjaft mirë Pirro Misha në shkrimin e tij, sikur ajo për shkëmbim të popullsisë, me të cilën politikë çnjerëzore e dehumane, u atakuan shqiptarët e besimit islam, të cilëve Turqia ju mohonte etnicitetin dhe në bazë të fesë i kategorizonte si turq.

Kështu ndodhi me politikat shfarosëse që i ndoqën me shqiptarët (çamët dhe dramën e tyre) në Greqi dhe pastaj me Kosovë, krejt vonë etj. Është bërë pothuaj e zakonshme, një klishe politikë shumë antipatik, sa herë të ketë shkëmbim vizitash mes vendeve shqiptare dhe Turqisë, te dëgjojmë a lexojmë deklarime të çoroditura dhe shumë tendencioze. Madje, deklarata të tilla vinë nga diskursi politik i kreut turk, sikur ajo e Abdullah Gulit në Tiranë, i cili pat thënë gjatë një përurim: “Me lejoni të them, të gjithë ne së bashku jemi pjesë e një kombi të madh.”-janë në esencë të papranueshme dhe përbëjnë precedent në politikën ndërkombëtare.

Ndërkaq, këtë politikë të mohimit e poshtërimit e gëlltit vetëm një politikë idioteske shqiptare, që nuk është e aftë të vë kufij real në marrëdhëniet me shtetin turk dhe të thotë qartësisht se ky diskurs politikë i shtetit turk është antikombëtar dhe si i tillë vë në rrezik etninë shqiptare. Më kujtohet një gjest shumë i pahijshëm i para disa vitesh, kur gjatë një vizitë në Shqipëri, një lider turk kishte kërkuar të hiqet nga zyret e krerëve të shtetit shqiptar portreti i Gjergj Kastriotit, që ishte një fyerje e cila tejkalon edhe përmasat e përbuzjes. Politika turke, e cila zaten çdo ditë e më tepër është ka identifikon fenë e kombin, po i bije kambanave të rrezikshme në këtë pjesë të Europës, duke suportuar, përmes segmenteve të caktuara, një politikë që është shenjë e një zezone të keqe, ndaj së cilës, inteligjencia shqiptare, politika shqiptare ka mundësi të reagoj, sepse vetëdija dhe dija shqiptare tani është e gatshme të kuptoj këto prapaskena që luhen mbi të. Ndaj nuk duhet lejoj të bëhet preh e një politike dehumane dhe çnjerëzore.

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-turke është për shqiptarët dhe botën, shumë tragjike, madje më tragjikja. Historia shqiptare, turqit i njeh si pushtues të pashembullt, që ndaluan gjuhë e kulturë, fe e identitet, që përdorën një dhunë sistematike, duke bërë krime të panumërta, rrënim të çdo gjëje që ka qenë shqipe. Pas pesë shekujve, turqit u shporrën nga Ballkani, mirëpo asnjëherë nuk ndalën së pretenduari për rikthim në Ballkan si një formë e fuqizimit dhe faktorizimit të tyre politikë në botë Është koha që marrëdhëniet politike mes shtetit turk dhe vendeve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) të jenë vetëm në suaza normale, pa asnjë nostalgji për otomanizmin, aspak të shkëlqyera, sepse kjo sjell në rrezik krejt të ardhmen e kombit dhe rrugën e tij drejt rikthimit fizik në perëndim, ngase ç’është e vërteta e pamohueshme, shqiptarët kanë qenë shpirtërisht me perëndimin, madje edhe kur kanë qenë të persekutuar barbarisht nga turqit.

Politika shqiptare, ajo në Kosovë dhe Shqipëri, duhet të reflektojnë më mençuri dhe ta ndal këtë avaz turk, i cili, për etninë tonë mund të sjell konsekuenca tejet negative, në rrugën e integrimit dhe rikthimit në qytetërimin fizik perëndimor, nga i cili, janë shkëputur pikërisht nga kjo Turqia historike. Ajo çka është më e rëndësishme lidhet me faktin se shqiptarët si shumicë, shpirtërisht, kanë jetuar dhe jetojnë me idealet perëndimore, me modelet e demokracisë perëndimore, me filozofinë dhe letërsinë perëndimore, me vlerat e përbashkëta të këtij qytetërimi, me vlerat e përbashkëta të etabluara nga kjo kulturë. Prandaj, pa asnjë hezitim, Europa është atdhe i vlerave tona të përbashkëta dhe në këtë rrugë nuk duhet të kemi alternativë.

Ndërkaq, nostalgjikët e otomanizmit, serbizimit, komunizmit, duhet të trajtohen vetëm ashtu siç e meritojnë, si nostalgjik të reminishencave destruktive.Nëse në ca mendje të llastuara shqiptare “akraballëku” që e përmend Arbër Xhaferi përbën ndonjë vlerë, në historinë shqiptare, në kulturën shqiptare, në identitetin shqiptar, marrëdhëniet turko-shqiptare do të cilësohen ashtu siç kanë qenë e janë: marrëdhënie mes një etnie dhe një shtet që ka poshtëruar dhe persekutuar me shekuj shqiptarët.
Tendencat për t’i përçarë shqiptarët tanimë kur po konsolidohen çdo ditë e më shumë, nuk mund të kenë sukses.

domenica, novembre 22, 2009

NJË QEN PO I LEHËN TRENIT

-Tregim nga Edmond Kaceli

Treni, ndryshe nga të gjithë trenat e vendeve lindore dhe perëndimore, shtyhej, me tepër zor, nëpër shinat e lidhura me traversa të dëmtuara; njerëzit rrinin strukur në krye të detyrës së tyre të bezdisshme si udhëtarë të trenave; fatorinot kontrollonin për të dhjetën herë biletat dhe “primin” sigurimit; polici i trenit gërmonte xhepat e hajdutit të vogël të xhepave që sapo i mori një burri xhepzbrazur një sasi të vogël parash të grisura dhe gjithë zhul; dy poetë të dështuar i mburrnin njëri –tjetrit poezitë, që asnjë redaksi apo shtëpi botuese nuk riskonte botimin; dy ashikë po i shfaqnin me epsh të madh, e përgjërim, dashurinë një kurve, që zanatin e kryente në VC-në erëqelbur e me xhama të thyera të vagonit ku jo rrallë gjente personazhet që nuk vononin ti shfaqnin ndjenjat e tyre sublime; dy pseudoafaristë po vendosnin për lojën e nesërme në treg; një baba i dhembshur i jepte këshilla të bijës së hutuar nga prania e gjithë atyre njerëzve; një zyrtar vendoste ndërkohë të lironte edhe pak kollaren ngjyrë dheu, teksa po konsultohej me një si biçim gruaje (sipas gjasave e shoqja) për probleme të punës; një çift pleqsh dhe një çift dashnorësh ndërhynin në zonat e ndaluara të njëri –tjetrit; ata që nuk kishin mundësi të gjenin vend ulur, shtyheshin sa andej këndej në varavingo përgjatë gjithë gjatësisë së vagonit, dhe pastaj të tërë trenit…

Pikërisht në këtë moment të rëndësishëm, kur po ndodhnin kaq e kaq gjëra të rëndësishme dhe të parëndësishme, në trenin që zvarrisej tepër i lodhur, një qen. Po, po. Një qen. Disa metra larg shinave. Në një kthesë të butë të udhës së hekurt. Lehte si i tërbuar. Me një të lehur të fuqishme. Ishte një qen leshatok. I murrëtyer. Me dhëmbët që i shkëlqenin fort. Me një të lehur aspak muzikale.

Një qen po i lehën trenit. Trenit ku udhëtojnë njerëz me veshje, mendime, role dhe dëshira të ndryshme për jetën. Ky lehës i madh (i kushedi çfarë zotërie) i lehën papushim trenit në të cilin udhëtojnë, përveç fatorinove, policit, kurvës abone, edhe udhëtarë të përmasave të ndryshme mendore…
Treni ecën. Për çdo të trokitur të trenit, në bashkimin e shinave, qeni lëshon disa të lehura të forta njëherësh. Disa të lehura çjerrëse, si për të protestuar ndaj trenit të udhëtarëve, që rëndon mbi tokën e rreshkur nga dielli; si për të treguar se ka përreth gjithë asaj mase mospërfillëse, gjigande, të quajtur tren, dhe nuk e di çfarë qeniesh më mospërfillëse.

… Treni vazhdimisht ecën. Njerëzit nuk nxjerrin kokën dhe nuk dëgjojnë të lehurën gërvishtëse të qenit. Dhe qeni, si për të sfiduar mosvështrimet e tyre jopyetëse dhe të pakuptimta, i lehën si i tërbuar, vazhdimisht, trenit që zvarriset, e zvarriset, e zvarriset, në rrugën e tij të pafundme. Qeni i lehën, i lehën, i lehën vazhdimisht…

Një tren. Një kthesë. Udhëtarët. Një qen që i lehën trenit. Unë. Prapë qeni… Prapë treni…
… Dhe ishte një qen me ç’dukej, i ndërgjegjshëm që po kryente më së miri detyrën e tij…

lunedì, agosto 24, 2009

KUJDES: RREZIK VDEKJE!

SHQIPËRI -Bëni kujdes! Bëni shumë -shumë kujdes! Rrugët e Shqipërisë janë shënddruar në rrezikun numër një për jetën e qytetarëve shqiptarë. Aksidenti i para disa ditëve ku u përfshi dhe një makinë që transportonte të vdekur, na thotë se ëpër rrugët e Shqipërisë nuk kursejnë as të vdekurit!

Sipas statistikave zyrtare numri i të vdekurve në rrugë është të paktën një person në 24 orë.
Ndërkohë që viktimat e plagosura janë të pallogaritura. Çdo ditë, në ditaret informuese të televizioneve shqiptare sheh vetëm të vdekur apo të plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore.
Gjaku në rrugë i ngjan një lufte të pakuptimtë ku luftëtarët shtrëngojnë timonin në vend të armëve të zjarrit. Dhe vrasin njëri -tjetrin. Vrasin të fajshëm e të pafajshëm. Vrasin gra e fëmijë. Shpesh edhe vetëvriten të vetmuar në shpejtësinë e pakontrolluar.
Shkaku? -Në komunikatat e policisë, ku ndërrohet vetëm emri i viktimave dhe data e aksidentit, thuhet “moszbatimi i rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e ... si dhe plagosjen e rëndë të ...”.

Në fakt shkaku (shkaqet) janë të shumta e të gjitha kanë si burim numër një: Mungesën e një kulture, edukate, përgjegjshmërie, apo çfarë emri të duash, që karakterizon drejtuesit e automjeteve në Shqipëri.
Sa hyn në rrugët tona kupton që përmbi rregulloren e qarkullimit ekziston Ligji i Xhunglës së Qarkullimit!
Nëse nuk zbaton këtë ligj, je i paaftë në drejtimin e automjetit. Të gjithë të parakalojnë majtas, djathtas, anash, përpara pa iu bërë vonë se kështu mund të rrezikojnë jetën e tyre, në radhë të parë, e më pas jetën tëndë.

Nëse i kërkon një shoferi shqiptar, me patentë shqiptare, të bëjë kujdes ai të tund përpara hundës, në mënyrën më arrogante dhe qesharake në botë, patentën shqiptare duke të thënë:
“Kjo patentë ka vlerë! Se është me grup gjaku! Kupton?”
Ç’të ndihmon shënimi i grupit të gjakut në karton, për ngarjen e makinës, këtë vetëm ekspertët shqiptarë të ligjëbërjes së transporteve e dinë. Mjafton të përmendim se që nga viti kur patentat me grup gjaku kanë hyrë në fuqi, statistikisht, gjaku në rrugë, përkthyer me numrin e viktimave, është rritur në përpjestim disa herë më të madh.

Në këtë katrahurë gjaku përgjegjësia bie mbi shtetin në radhë të parë. Nuk është e mjaftueshme të shtosh numrin e policëve nëpër rrugë. Se kështu shton vetëm rriskun që edhe policët me autovelox në dorë të shtypen, vriten, nga shpejtësia e çmendur. Rast që edhe ka ndodhur.
Shteti duhet të shtrëngojë seriozisht dhënien e provimeve të patentës dhe kontrollin e autoshkollave të cilat janë kthyer njëlloj si universitetet e shumta shqiptare me të cilat nuk mund të shkosh, jo nëpër rrugët e Europës por as nëpër rrugët e humbura të katundit më të humbur shqiptar!

Nëse thamë se mungon një kulturë e përgjegjshme në drejtimin e mjetit, njëkohësisht mungon dhe një kulturë në dënimin e atyre që vrasin në rrugë, dhe pasi ia hedhin vdekjes, ia hedhin edhe ligjit ku me para në dorë, ku nëpërmjet politikës mashtruese të pajtimit me familjen e viktimës.
Përse duhet të pajtohet vrasësi me makinë, (në rastin kur del gjallë nga përfshirja në aksident,) me viktimën e tij? Thjesht për hipokrizi, a për ti shpëtuar veprimit të ligjit.
Ku ësht serioziteti i shtetit dhe përgjegjësia e tij në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, që në rastin konkret janë përdorues të rrugës?
A mos ka ardhë koha që në vend të shënimit në patentën shqiptare të grupit të gjakut të rifuten seriozisht dënimet me heqje të patentës, të pezullimit të patentës, të sekuestrimit të makinës, të sistemit të pikëve në patentë. Kjo në të gjitha ato raste kur ke abuzuar me alkoolin, kur ecën me shpejtësi disa herë tej normave të lejuara, kur parakalon jashtë çdo lloj rregulli rrugor, kur nget një makinë që nuk plotëson kushtet më minimale për të hyrë në rrugë, kur nuk zbaton asnjë pikë të rregullores, të cilën shumë shoferë të patentuar në Shqipëri, vetëm mund ta dinë se ekziston teorikisht!

Të gjitha këto futen në atë që quajta kulturë në drejtimin e automjetit. Por që janë të mangëta pa kulturën e atyre që do ti kontrollojnë të gjitha këto.
Shpesh policët rrugorë shqiptarë, ndonjëri dhe pre aksidentesh, sillen me drejtuesit e automjeteve jo si kërkues të zbatimit të rregullave por si shokë dhe miq të vjetër me rregullthyesit e ligjit.
Kur thashë për mungesëne kulturës nga ana e shoferëve, nuk mund të lë pa përmendë dhe mungesën e kulturë së policëve. Vini re: Qysh nga mënyra si të drejtojnë shenjën e stopit, nga paraqitja e jashtme, ndonjehëë nga era e birrave që kanë hedhur në fytin e tharë nga të nxehtit e verës, nga mënyrë e trashë me të cilën komunikojnë me ju, të lënë të kuptosh se kulturës, kur kaloi nëpër komisariatet e policisë, nuk i ra rasti të prekë 90% të policëve rrugorë!
Ndoshta gabohem për të gjitha këto. Por numri i viktimave nëpër rrugët e Shqipërisë, numri i përditshëm i viktimave, flet në favorin tim. Sa do të doja të mos kisha të drejtë!

Edmond Kaceli