Lexues

sabato, giugno 20, 2009

Edmond Kaceli: E bëhemi njerëzorë


Në vend të një analize për zgjedhjet

Sheshi.
Turma.
Podiumi.
Në qendër të vëmendjes udhëheqësi flet.
(në fakt udhëheqësi çirret dhe turma
ulurin
n’ekstazë)

Sheshi.
Udhëheqësi. Dhe turma.
Turma që masturbohet.

Në hije të turmës
krejt afër këmbëve të sajë
(shikimi i turmës drejt qiellës
na fsheh më së miri)
qihemi unë dhe ti.
Indiferentë ndaj sheshit
ndaj turmës
ndaj podiumit presidencial
Të eksituar nga mishi dhe
shpirti ynë
në qirjen tonë hyjnore, harrojmë.
Harrojmë sheshin.
Harrojmë turmën.
Harrojmë dhe të çjerrat udhëheqësore.

E bëhemi njerëzorë.

Shqipëri , sa herë që ka zgjedhje

domenica, aprile 05, 2009

KRIZA E MOSKUPTIMIT


Kushtim: Njeriut

Në qerthullin e jetës kam mbetur i mbyllur
i lodhur, i shtypur, i vrarë, i shtrydhur
ngatërruar bërë lëmsh në fijet ashpra të jetës
në kufirin e hollë mes jetës dhe vdekjes

në fillin e hollë tragjik të moskuptimit
në pezullin e brishtë mes ikjes dhe qëndrimit
në ëndërrën dhe zhgjëndërrën e filozofisë jetike
në dilemën e jetës shpirtërore a fizike

Zoti më thërret fort në rrugën e drejtë
Djalli më prin për në rrugën e vet
E drejta mes të dyve qëndron gur pengu
I lodhur, i tundosur pyes: Ku është rrengu?

Përplasur, nëpërkëmbur, rrëmbyer, marrosur
në dyzimin e fjalëve që nuk paskan të sosur
Ngatërruar në krizën e moralit dhe hiçmoralit
në pezullin tragjik mes Zotit dhe Djallit

lunedì, marzo 09, 2009

Pamflet: Politika e Psiko -Porno -Kultures

Drejt Europës dhe Nato-s me b...rekë në dorë! (Më falni! Duke zbërthyer mbërtheckat!)
Kjo është parulla me të cilën qeveria shqiptare dhe politika shqiptare, ka vendosur në rend të ditës për të hyrë në Nato e më pas dhe në Europë. Pa doganë.
Në mbështetje të kësaj, politika shqiptare, opozita dhe pozita bashkë, kanë vendosur që të nxjerrin një memorandum të përbashkët, gjithëpërfshirës e gjithëkombëtar, në lidhje me politikën më të e re të rënë dakord.
Politika do të emërtohet: Politika e Psiko –Porno –Kulturës.

Si një rast historik, për herë të parë, arrihet një marrëveshje serioze mes të gjithë krahëve të shumtë të politikës shqiptare (që janë më të shumtë se krahët e oktapodit)
Sipas këtij memorandumi kush dëshiron të marrë një punë në administratën publiko –shtetërore duhet më përpara të paraklojë nudo, por edhe gjysëm nudo, përpara kompententit apo përpara një komisioni kompetentësh. Kjo si për punëkërkuesit e seksit femër, ashtu dhe për punëkërkuesit e seksit mashkull.
Memorandumi thotë se nuk mund të ketë dallime seksuale se ndryshe shoqatat Gay protestojnë në organizmat ndërkombëtare dhe Shqipërisë ja fusin. (Duke mos e futë as në Nato e as në Europë). Pastaj shijet e punëdhënësve shtetërorë kanë filluar të jenë properëndimore, në vitet e fundit.
Psikologjikisht kjo do të çojë në ngritjen e nivelit të adminstratës publike dhe në uljen e asaj çka administrata publike mban të ngritur në drejtim të popullit... Gjithëherë flitet për Futjen në... Nato dhe Europë.

Piskoza e popullit i koncepton këto gjëra ndryshe, por psikoza e politikës shqiptare duhet të ndikojë që populli të ndryshojë mendim. Për ndryshe ai popull që nuk ka respekt për politikën dhe vendimet e sajë, është më mirë që të largohet në një vend tjetër ku politika bëhet ndryshe.
Për këtë arsye politika më e re do të quhet dhe politika e Psiko –Porno –Kulturës. Madje është rënë dakord, në takime të fshehta, gjysëm të fshehta, të zhveshura dhe gjysëm të zhveshura, mes politikanëve shqiptarë, që si fillim të ndërtohet një komison parlamentar me të njëjtin emër. E disa ditë më vonë një ministri e veçantë. Ministria do të ketë për detyrë marrjen në punë të adminstratës publiko –shtetërorë. Për arsye të kompetencave të sajë, konform kushtetutës (kushtetua mund të ndryshohet sa herë ti çohet politikës) do të quhet: Ministria e Psiko –Porno -Kulturës.

Sipas gjasave ministri i parë i Psiko –Porno –Kulturës do të emërtohet, pa paradë nudo, ish ministri i kulturës Ylli Pango, përndryshe i pedagog i shquar i kësaj fushe.
Pritet vetëm vendimi i Kryeministrit, i cili megjithëse profesor i shquar në fushën e mjekësisë, nga çështjet e pisko –pornos, nuk merr shumë vesh. Përndryshe nuk kuptohet pse në zyrat e tij asnjëherë nuk është parë ndonjë burrë apo grua me minifund, siç shihej kur mbretëronin kryeministrat e majtë, apo ndonjë kryeministër i djathtë!
Nëse nuk merr vesh Kryeministri nga kjo politikë e re gjithëpërfshirëse, atëherë memorandumi parashikon shkarkimin e kryeministrit.
Kështu rruga për në Nato dhe Europë hapet më kollaj...

Edmond Kaceli

venerdì, marzo 06, 2009

Dy fjale per mesuesit e mij


-Thellësisht personale dhe thellësisht e përgjithshme.

Vjen në Shqipëri Dita e Mësuesit.
Qysh i vogël kjo ditë ka pasë, në mua, kuptimin e një feste nderuese të veçantë. Larg politizimit të kohës së shkuar, larg materializmit të tejskajshëm të kohës që jetojmë, kjo ditë mbetet një nga ditët më të veçanta , më kuptimplote në marrëdhëniet me ata që në një mënyrë apo në një tjetër na përgatitën dhe vijonë të na përgatisin për të përballuar jetën.
Për çdo vit, që nga klasa e parë e deri sa mbarova shkollën e lartë, mësuesit kanë qenë dhe mbeten figura më e respektuar për mua. Një lloj i veçantë prindi adoptiv.

Për çdo vit, Shën Mësuesi, (Shën Mësuesit) i kujtoj me respektin më të thellë, me përuljen më të madhe ndaj figurës së tyre. Sepse janë pikërisht ata, që duke sfiduar kohën, në qetësi, dhe me dashurinë e pasionin e përhershëm ndaj nxënësve të tyre, na udhëhoqën në rrugën e vështirë e pasionante të dijes.

Unë kujtoj sot mësuesen time të parë, të klasës së parë Nazife Isufin. Fytyrën edhe ja kam harruar. Por emrin dhe zërin e sajë kur na mësonte alfabetin e shqipes, kësaj gjuhe mrekullisht të gjallë, e kujtoj dhe në ëndërr. Çfarë nuk do të jepja për te takuar sot kur kam kaluar të 40-at! E sa dëshirë do të kisha t’ia puthja duart me të cilat na përkëdhelte ndërsa zemra na dridhej nga emocionet e klasës së parë dhe nga të ftohtit e kohës!
Kujtoj mësuesit e mëvonshëm dhe ndiej emocion kur emrat e tyre, më vinë në kujtesë si një listë e gjallë, e viteve që shkuan. Kolec Marku, Mri Hoti, File Kaçaj, Hajrie Cani, Naunka Shala, Gjyste e Mark Preka, Nesti Çeço, Keti Liçaj (Sokoli), Pjetër Mili, Marie e Gjeto Kaçeli.
E si mund të harroj, të paharrueshmin, Burhan Ulqinaku, biblioteka private e të cilit kishte më shumë tituj se vetë biblioteka e shtetit në Lezhë. E sa e sa mësues të mrekullueshëm që pata. Për të ardhë tek mësuesja ime e gjuhë –letërsisë shqipe, e veçantja Bukurie Cauli (Mazzola).
Kur para do kohësh më erdhi një e-mail, nga mësuesja ime e dikurshme e gjuhë -letërsisë, ndjeva emocionin më të madh që mund të ndihet në raste të tilla, e pse jo u ndjeva sërisht ai nxënësi i dikurshëm, i drojtur, me shallin e detyrueshëm të pionierit rreth qafës në buzëqeshjen e moshës më të pafaj.
E nëse arrita të bëhem dikush në gazetari apo letërsi, kjo në sajë të mësues sime të mrekullushmes Bukurie Cauli (Mazzola), që e para kuptoi dhe zhvilloi tek unë pasionin e të shkruajturit bukur, siç ishte dhe si siç ka mbetur dhe vetë ajo: e dashur, e bukur, e mrekullueshme, në shpirtin e sajë të gjërë.

Kështu respektin më të madh dhe për mësuesit e shkollës së mesmë, ndonjë më vonë e pata dhe koleg. Respektin më të madh dhe kujtimet më të mira për Agim Xhafkën, Gjon Palokën, Pjetër Alinë, Eduard e Dhora Sokolin, Sami Ymerin, Dedë Vatën, Pashko Smaçin, Gjelosh Tomën ( që mbrojti me forcë të drejtën time për të marrë shkollën e lartë, në kohën kur të drejtat për tu shkolluar ishin e drejta e posaçme e partisë), e dhjetëra të tjerë që me pasion, këmbëngulje dhe dashuri të pa shpërblyer asnjëherë, na bënë të gjejmë veten në rrugët e vështira të jetës shqiptare.

Si mund të harroj mësuesit e shkollës së lartë. Pedagogët e nderuar, shkencëtarë të drojtur të bujqësisë shqiptare. Simbolin e tyre Misto Shumelin, gjithmonë të qeshur. Ai dha jetën përkrah studentëve, si për të treguar deri në çfarë shkalle ishin dhe mbeten të lidhur nxënësit dhe mësuesit shqiptarë.
E njeriu ka dhe të tjerë mësues, që në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk i dhanë mësim. Por tërthorazi a direkt, ndikuan në formimin e tij. Kështu dua të përmend ish –kryeredaktorin e gazetës “Studenti i Bujqësisë”, Shefqet Meko, që më mësoi me durimin e një mjeshtri dhe pasionin e një mësuesi, bazat e gazetarisë.
Si mund të harroj mikun tim –mësues të zellshëm të jetës, Daniel Gazullin, që me vullnetin dhe ironinë dashamirëse, më mësoi dhe vijon të më mësojë respektin për gramatikën e gjuhës shqipe.

Në këtë shtatë mars simbolik, do të doja ti kujtoja të gjithë, do të dëshiroja ti takoja të gjithë bashkë, e një për një, ish-mësuesit dhe mësuesit e mij. Do të dëshiroja ti uroja të gjithë. Të më falin ata që për arsye të viteve që kaluan apo të mungesës së hapësirës në një shkrim si ky, nuk jua kujtova emrin. Do të dëshiroja ti uroja me sinqeritetin më të thellë dhe me ndjenjën më të madhe njerëzore: Gëzuar! Gëzuar mësuesit e mij. Dhe faleminderit!
Falminderit për gjithçka që më mësuat!
Faleminderit në mënyrën më të përzemërt
Prej nxënësit tuaj të përjetshëm
Edmond Kaceli

mercoledì, dicembre 10, 2008

Satirë: Gjuha jonë -Mëma e gjuhëve të Botës

Me gjuhën shqipe të sotshme dhe nëpërmjet ndjekjes historike të zhvillimit në kohë dhe në hapësi, mund të zbërthehen të gjitha gjuhët e botës.
Ky zbulim i radhë ka mbërthyer disa “gjuhëtarë”shqiptarë. Pa ndonjë përgatitje të veçantë gjuhësore, por të mbushur plot kryet me një budallaki tipike shqip, rreken të shqyrtojnë e të na mbushin mendjen se: Shqipja është gjuhë e perëndive.
Budallakia e pseudostudiuesve të shqipes mbërrin kulmin. Këta heronj të heshtur të shqiptarizmës me çdo kusht, duke shfrytëzuar tezat e studiuesve seriozë të rrënjëve të gjuhës shqipe, shpesh kthehen në qesharakë.
Prej shqipes pellazgjishte- etruskishte- ilirishte –arbërishte e shqipërishte, sipas këtyre shkencëtarëve të mbaruar, poliglotë të thekur nën avujt e alkoolit, rrjedhin të gjitha gjuhët europiane. Madje dhe shumë gjuhë të kontinenteve të tjera. Se bota, kur flitej shqipja e vjetër, në fillim nuk ishte e ndarë nga ujrat e oqeaneve.

Në mbështetje të kësaj teze, alkoolin e përdori në doza të lehta e me ndonjë rast, jam vënë kohët e fundit edhe unë.
Sa për dijeni: Kam mbaruar shkollën tetëvjeçare në fshatin Shënkoll, dhe shkollën e bujqësore në fshatin Zejmen të Lezhës. Që fëmijë kam pasë një pasion të veçantë për gjuhësinë dhe gramatikën historike të gjuhës shqipe. Për këtë arsye vazhdova studimet e larta në Universitetin Bujqësor të fshatit Kamëz, në Tiranë.
Ndër gjuhët e huaja bëra rusisht. Nga rusishtja mbaj mend vetëm mësueset e gjuhës ruse që zakonisht ishin bjonde e shumë simpatike.
Në vijim di dhjetë fjalë në rusisht, përfshirë katër nga ditët e javës, katër fjalë në anglisht, dy në gjermançe. Këtu në Itali kam shtuar bagazhin e njohurive të gjuhës italiane me fjalët murator, mur guri, llaç etjerë. Fëmijët kuptojnë edhe piemontezçe.)
Studimet, arrita ti mbaroj shëndoshë e mirë, si nga ana fizike ashtu edhe nga ana mendore. Në vijim të kultivimit të purrinit, kastravecit e mollatartes, zhvillova dhe vijoj të zhvilloj pasionin tim për gjuhën shqipe, e gjuhët e huaja në përgjithësi. Shënomëni dhe mua si një ndër përkrahësit e tezës “Gjuha shqipe është mëma e të gjitha Gjuhëve të Botës.”
Babai? –nuk i dihet e unë nuk kam ndërmend të merrem me Babain e Shqipes.

Nga zhvillimet e mija gjuhësore po ju bie disa nga më domethënëset që vërtetojnë se shqipja është në të vërtetë mëma e të gjitha gjuhëve. E me shqipen zbërthehen të gjitha gjuhët e botës.
Po e filloj me Italinë ku jetoj prej shatë vitesh, e ku kam pasë ardhë edhe nja dy herë të tjera si turist, a si refugjat klandestin.
Roma: -Kryeqyteti italian. Rrëmajë. Në Shkodër ekzistojnë varrezat e Rrëmajtë. Gjatë rrugës nga varrezat e Rrëmajtë deri në mbeturinat e Koloseut, rrugës “ë” është bërë “o”, e ka mbetur gropave të rrugëve “jë”. Në Shkodrën e sotme ka dhe një lokal me emrin Koloseu, ku dehen shumë gjuhëtarë shqiptarë. E kjo vërteton afërinë e Koloseut në Shkodër me Koloseun në Romë. E gjuhën italiane si pjellë e gjuhës shqipe.
Në fakt të gjitha rrugët të çojnë në Romë.

Vatikani: -kryeqendra e katolicizmit. Themeluesi i tij Vata i Kantit. Një shqiptar me origjinë të kjartë shqipe. Nuk e fliste mirë shqipen e vjetër. Për këtë arsye iu prezantohej vendasve si : Vat Kani. E vendasit i shtuan një “i” e ndërtuan Vatikanin. Studiues të ndryshëm e spjegojnë me termin Vau i Kantit. Vajti Kanti, ose Vajti tek Këndit, në shqipen e veriut Kândit. Pra Vajti tek Kândi. Vati Kani

Milano: -mil ano, mjel në njërën anë. I ka mbetë emri se një mjelëse e dalluar u vra nga një lopë. Mjelësja, sipas historisë, u vra, sepse lopa duhej të milej vetëm në njërën anë. Mil në anë- Milano.
Këtë tezë e mbështet dhe fakti se Lombardia, ka shumë lopë. Emërtimi Lombardi (Lum bard- Lum i Bardhë) është i kjartë emërtim ilirishto –pellazgjisht.

Kështu mund të shpjegohen të gjithë emrat e vendeve të ndryshme të botës. Unë po përmendi disa. Ndërkohë po përgatis dhe nëj libër dhjetë vëllimesh, që mjerë kush ka dëshirë ta botojë apo lexojë. Për ta botuar mund të përdori dhe Internetin se në të janë të regjistruara shumë budallaki alla shqiptare!

Anadolli: -Dolli (doli) në anë. Anës Dolli. Ana dolli.
Stambolli: Stanin Mbolli. Sta mbolli

Pekini: -Kryeqyteti Kinez. I themeluar e emërtuar nga shqiptari me origjinë, Prek Kini. Kinezët i kanë hëngër vetëm një “r” e një “k”. Një tezë shtesë thotë se bëhet fjalë për një fëmijë të vogël që preku kinin me vezë që ishte i nxehtë e dogji gishtat e dorës. Kinezët janë të verdhë. Preku Kinin. Pe (prek) –Kini (n).

Berlini: Kryeqyteti i Gjermanisë. Ber Lini, Berri i Linit, ose Peri (Beri) i Linit. Gjermanët janë të shquar për bashkime të tilla. E ne shqiptarët jemi mjeshtëra në ngatërrimin e penit të linit me penin që vjen nga leshi i arapit.

Afrika: Afër –Ika.
Azia: Është (Â) Zie
Evropa, Europa: E ropa. E rrjepa. Në fakt Evropa ka rrjepur Shqipërinë.
Amerika: Kjo është përkthyer që në kohë të vjetra si HA –Merr dhe Ikë. A –Mer- Ikë

Tokio: -Kryeqyteti i Japonisë. Më Tokoi. Tokio. Ja- poni. Ja ku është Poni

Britania: Briti Ana. Një grua me emrin Ana u hodh në brigjet britanike nga tregatarët ilirë, lundrues të famshëm. Ana bërtiti dhe vendi u quajt Briti Ana, Britania.
Ose gërthiti Ana. Great Britain: Gërthet Ana. Për këtë arsye britanikët vijonë të kenë në krye një grua e jo një burrë. Familja mbretërore britanike sigurisht ka ndonëj lidhje gjaku, me origjinë shqiptare. E kryeqyteti quhet Londër. London. Lundron. Lundronin Ilirët e dikurshëm me lundrat (anijet) e tyre të famshme, që në kohën e Teutës i shtinë të dridhurën Romës.

Minesota. Shtet në SHBA. (Mineja dhe Sota- sipas legjendës etruske janë dy motra: Mine dhe Sota të cilat emigruan në të njëjtin vend në amerikë ku themeluan përpara dyqind e kusur vjetësh shtetin amerikan të Minesota-s. Këtu kuptimi dhe lidhja etrusko –shqip, ilirisht është më se i kjartë.

E vetmja gjë që vihet në dyshim për prejardhjen e gjuhëve të botës nga pellazgjishtja -etrusko –ilirishtja -shqipja, është se shumë fjalë shqip nuk iu dihet kuptimi nga vetë shqiptarët, e rrjedhimisht nuk mund të përkthehen as me shqipen e sotme:
Kotobuq, Karabush, Karapitik, Kollomoq, Kërtollë.
E disa fjalë të tjera të kësaj natyre.

Nëntor 2008
Edmond Kaceli

domenica, novembre 16, 2008

Nuk eshte kohe per dashuri





Nuk është kohë për dashuri
Dashurinë e mbyti paraja
E përdhunoi në fillim
Më pas e vrau, me një grumbull parash
të ndryshkura, ia zuri frymën.

Nuk është kohë për dashuri
Dashurinë e mbyti lufta
E përdhunoi në fillim
Më pas e vrau, me një grumbull fishekësh
të mykur, ia përgjaku puthjen

Nuk është kohë për dashuri
Dashurinë e mbyti politika
E përdhunoi në fillim
Më pas e vrau, me gjuhën plot helm
të ëmbël, ia mbyti ekstazat


Nuk është kohë për dashuri
Dashurinë e mbytëm
E përdhunuam në fillim
Më pas e vramë, duke bërë dashuri.
E vramë Dashurinë
E vramë, ne Fëmijët e Dashurisë
Fëmijët e dashurisë së vrarë
Bijtë e hidhur të Kurrkushit

Edmond Kaceli
Itali nëntor 2008

domenica, ottobre 19, 2008

Mësuesja e rusishtes, Berisha dhe koqet e deputetëve…


Satirë

Ndër kujtimet e adoleshencës më bie ndërmend gjithmonë mësuesja simpatike e rusishtes, që për privatësinë dhe respektin ndaj e sajë, nuk po ja përmend emrin. Në një nga orët e mërzisë së gjuhës ruse, mësuesja simpatike nga Tirana, po na përkthente një tekst buqësie. Ndër kafshët bujqësore që lëronin tokën mësuesja tha: Është ai qeu.., kau…, burri i lopës.
Të gjithë ja dhamë të qeshurit. Qeshi dhe mësuesja me ne, kur ia spjeguam në shqipen e stërgjyshërve, se burri i lopës thirrej taroç, apo dem. Ndërsa kau (qetë) nuk mund të ishin burra lope se për dreq i kishin koqet e shtypura…

Gjyshi im, i pastë dritë shpirti, si burrë i mënçur, e blegtor i pa shkolluar shumë, (dëftesën e fillores së Mbretërisë shqiptare e kishte me notën më të mirë njësha), më thoshte shpesh se : Në tredhjen e kafshëve momenti më i rëndësishëm është t’ia mbledhësh koqet në grusht! E kusuri është më i lehtë. Gjithçka është nën kontroll deri në fund të procesit të tredhjes.

Këtë mësim të madh popullor mbi tredhjen e burrave të lopës, e mbi tredhjen në përgjithësi, e ka përvetësuar në maksimum edhe Berisha qysh kur ishte kryetar i partisë demokratike, president, e tash së mbrami kryeministër e njëkohësisht kryetar i partisë demokratike. Dikush mund të thotë se këtu ka ndikimin e vet edhe qënia mjek, madje profesor -doktor në mjekësi.

Duke shfrytëzuar në maksimum karakterin shqiptar të spiunofilisë Berisha ka arritë të ngrejë një rrjet virtual, personalo- qeveritar, të spiunazhit të brendëshëm që i ofron kryeministrit në mënyrën më komode të gjitha informacionet e mundëshme mbi jetën politike e private të bashkëpunëtorëve brenda partisë demokratike, të kundërshtarëve politikë, të ministrave, të deputetëve, të politikanë të të gjitha rangjeve e ngjyrave partiake, mbi korrupsionin politik e moral të bashkëpunëtorëve e kundërshtarëve, mbi firmat private, mbi pronat e tyre të paligjshme, mbi dashnoret apo dashnorët e politikanvë shqiptarë të thekur për dashuri jashtë martesore, mbi preferencat seksuale (jo të gjithë deputetët a njerëzit e rrugës në politikën shqiptare janë heteroseksualë –se përndryshe Europa na akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut).

Natyrisht dosja virtuale e korrupsionit politiko –moral që Berisha nxjerr dhe tund para syve të turbulluar nga paratë, alkooli e qefet e natës së deputetëve, sa herë që qeverisja e tij bie në vështirësi, luan rolin e veterinerit që përpara se të tredhë demin, nuk e kap nga brirët, por i mbërthen mirë në grusht koqet. Kështu ai mund ta tredhë burrin e lopës (demin) në çdo kohë duke e kthyer në kà.

E demat e politikës shqiptare sapo fillojnë të luajnë bishtin, se brirët i kanë lënë me kohë, kundër Berishës e politikës së tij jo shumë politike, ndodhen të ngërthyer në grushtin virtual të veterinerit virtual, mjekut- kryeministër, që në mënyrë virtuale iua ka mbërthyer koqet në grusht (dosje) e mund t’i tredhë nga minuti në minut. Duke i kthyer nga deputetë me edukatë e kulturë euro- deputetë, në eunuko –deputetë. Kjo e fundit nuk ka asgjë europiane se fjala eunuk vjen nga turqishtja aziatike.

Politika shqiptare ka veçanësinë e sajë. Si një lopë virtuale ajo, politika, e di mirë se ç’vlerë ka një burrë politike kur është i tredhur… E burrat e politikës shqiptare kanë mësuar të heshtin për ti shpëtuar tredhjes…

domenica, settembre 28, 2008

SHKODRA U ÇLIRUA. PO LEZHA?

Shkodra, me shumicë absolute, ka vendosur të çlirohet nga monumenti i “Heronjve të Vigut”. Kjo, megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve të majtë në këshillin e qytetit. Ky është një lajm i mirë jo vetëm në aspektin urbanistik por dhe në aspektin politik.

Me gjithë respektin e madh që kam për heronjtë e vërtetë të luftës, dhe pa dashtë të fyej heronjtë e rremë, a të tejfryrë të thirrurës “Luftë antifashiste nacional –çlirimtare” monumenti i Ahmet Haxhisë, Naim Gjylbegut, Ndoc Mazit, Ndoc Dedës dhe Hydajet Lezhës në qendër të qytetit të vjetër, e djepit të kulturës shqiptare, është dhe mbetet një monstër e pakuptimtë urbanistike bronxi që i zë frymën qytetit. Këta burra në bronx me shpinë nga njëri tjetri, janë bërë shpesh objekt i barcoletave të pafund shkodrane.

Përveç përmasave të stërmëdha, të justifikueshme vetëm nga ndonjë mendje e sëmurë, monumenti në vetvete nuk ka asgjë artistike.
Në kontrast të plotë me pamjen rrethuese ngrihet si një “çiban” gjigant i ardhur kushedi nga cili planet i huaj, e i mbjellë forcërisht në zemër të qytetit. Qëllimi i kësaj mbjelljeje ka qenë i kjartë. Me hijen e bronxtë të “Heronjve të Vigut” regjimi kërkonte ti zinte frymën qytetit më antikomunist në Shqipëri. Monstra e bronxit ishte firma që lejonte ushtrimin e dhunës në qytetin që anjëherë nuk e përkuli kryet përballë shtypjes dhe dhunës së pazakontë të regjimit komunist.

Në aspektin politik, fakt është se vetëm në Shqipëri heronjtë e kombit edhe sot e kësaj dite mbeten të ndarë nëpër varreza. Madje, çuditshëm, ne kemi vetëm varreza të dëshmorëve shpesh të dyshimtë, të Luftës nacional –çlirimtare dhe nuk kemi varre për dëshmorët e rënë në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, për dëshmorët e nacionalizmës shqiptare, për dëshmorët e kulturës shqiptare, për heronjtë e luftës kundër komunizmit.

Është e kotë dhe lufta që bëhet nga krahu kundërshtar i këtij “çlirimi” të domosdoshëm të Shkodrës. Këtyre njerëzve nuk iu dhimben simbolet e dëshmorëve. Nuk u dhimbet as kujtimi i “Heronjve të Vigut”, që Mirdita dhe mirditorët i paguan me një dhunë të pashoqe në shenjë hakmarrjeje nga komunistët e veshur me teshën e çlirimtarëve.

Sa janë “heronj” “Heronjtë e vigut” historianët e mirëfilltë jokomunistë dhe jodjathtistë nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Ndonjë mirditorë që e dinte ngjarjen, apo e kishte jetuar dhe ditën e vrasjes, në një nga portat e Mirditës, ka heshtur.
Në natyrën e regjimeve totalitare është krijimi i heronjve edhe kur ata nuk janë në të vërtetë të tillë. Heronjtë e rremë regjimi i mistifikon dhe i ngre në qiell më shumë se heronjtë e vërtetë. Shqipëria komuniste dhe Shqipëria e paskomunizmit është e shquar për krijimin e heronjve të rremë dhe harrimin e heronjve të vërtetë.
Në këtë mishmash heronjsh e vërteta duket si e rremë dhe rrena shitet si e vërtetë.

Në fillim thashë “Shkodra çlirohet: Po Lezha?”
Në Lezhë, pikërisht në Lezhë ka hedhur rrënjë dhe një tjetër nga “Heronjtë e Vigut”, Hydajet Lezha. Hydajeti, me qeleshe dhe yllin partizan në ballë, është ulur këmbëkryq dhe nuk luan nga gjimnazi i qytetit të Lezhës. Janë bërë përpjekje dhe herë të tjera për të çliruar gjimnazin “Hydajet Lezha” nga Hydajeti por deri më tash pa ndonjë rezultat të veçantë. Se çfarë i ka dhënë H. Lezha, kulturës dhe qytetarisë lezhjane, as vetë historianët komunistë nuk janë në gjendje të na e thonë. Përveç faktit të stërpërsëritur që “së bashku me Ahmet Haxhinë, Naim Gjylbegun, Ndoc Mazin e Ndoc Dedën, u vranë në Vig të Mirditës nga reaksionarët dhe tradhëtarët e atdheut, ku kishin shkuar, me armë në dorë, të përçonin idenë komuniste”.

Mësuesit e gjimnazit historik të Lezhës, që ka nxjerrë qindra intelektualë të denjë për ti dhënë emrin e ndonjërit prej tyre, ndodhen në vështirësi sa herë që ndonjë nxënës guxon ti pyesë: -Cili është kontributi i Hydajet Lezhës në Historinë dhe kulturën e qytetit të poetëve?

Në mbyllje dua të theksoj se nuk jam ekstremist, por vlerësoj real dhe të drejtë vendimin e Shkodrës për tu çliruar nga “Heronjtë e Vigut”, bile e quaj të vonuar, e të njëtën gjë do të kërkoja dhe nga Lezha e lezhjanët. Simbolet e tepërta e të pavend janë të dëmshme për brezat.
Ka ardhur koha të çlirohemi nga kompleksi i simboleve të rremë!

Edmond Kaceli