Lexues

sabato, giugno 01, 2013

Marshi i vdekjes -nga E.Kaceli


Në një qytet të vjetër (antik)
U çuan shpirtrat e vdekur dymijë vjet më parë.
Të gjithë u strukën në shpellat e shpirtit
Frika zaptoi qytetin
Shpirtrat e vdekur plot dy mijë vjet më parë
rifilluan luftën e lënë përgjysëm
Betejat e fituara, betejat e pafituara
gjaku, gjaku i dy mijë vjetëve më parë
riderdhej në asfaltin modern të qytetit të vjetër (antik)
Qyteti modern i strukur në shpellat e shpirtrave
Priste fundin e betejave absurde…

Papritur nëpër rrugët e përgjakura prej shpirtërave të vjetër u shfaq një vajzë njëzet vjeçare. Jo dhe aq e bukur. Gjysëm e veshur dhe po aq e zhveshur. Këmbëzbathur.
Vajza, me trupin, veshjen dhe zhveshjen e kohës moderne, me shpirtin antik të fshehur brenda dy gjinjve gjysëm të veshur e gjysëm të zhveshur, u ndal në mes të sheshit të qytetit ku lufta dukej të ishte më e ashpër, të rivdekurit dhe të riplagosurit më të shumtë.
Me një gjest të thjeshtë zhveshi dhe gjysmën e veshur të trupit.
Lufta pushoi. Shpirtrat luftarakë të dy mijë vjetëve më parë u kthyen aty nga erdhën.
Prej shpellave të shpirtit dolën banorët e kohës moderne. Tregëtoret u hapën. Jeta e qytetit duket se rimori përmasat e sajë normale.
Vajza njëzet vjeçare, e zhveshur krejtësisht, mbështolli, me krahët e gjatë, dy gjinjtë e bardhë. Prej të ftohtit, a nuk dihet për çfarë motivi, në atë pozicion ngriu. Ngriu në mes të qytetit.
U shëndrrua kështu në një statujë mbrojtëse…
E vetmja gjë që i mungonte qytetit të vjetër.
E.Kaceli

lunedì, maggio 06, 2013

Premtim... nga E.Kaceli

Kur dielli të shkrihet
Të shkrihet,
                     të shuhet,
                     të mos jetë më
Kur dielli të shuhet
të mos jetë kurrë më
Pranë teje do të vij,
                            do të ndizem
                            do të digjem
Pranë teje do të jem
Vendin e diellit  të zë...

Maj 2013