Lexues

martedì, novembre 04, 2014

Pamflet: Mos shkoooo, or trim!

Ditar
4 Nëntor 2014

Mos shkoooo, or trim!

-Reagim per vizitën e KM në Serbi

Në një pallat të bukur përrallor hyri një Trim. Në hyrje gjeti një virgjëreshë të bukur. Virgjëresha i tha: Gjithçka që do të gjesh në këtë pallat është e jotja. Në këtë pallat mund të realizosh çdo dëshirë tënden. Vetëm portën në katin e fundit mos e hap kurrë!
Por Trimi, kishte ndodhur shqiptar dhe kureshtar. Sytë dhe zemra i rrihnin vetëm për derën e fundit dhe pyeste vazhdimisht: Po atje çfarë ka?
Aktori i madh Koço Devole e ka përjetësuar gjithë këtë histori, para shumë vitesh, në një skeç të mrekullueshëm.
Trimi nuk duroi dhe hapi derën e fundit. Nga pas i dhanë një shkelm bythëve. Trimi kureshtar përfundoi nga kishte ardhë: Në rrugë të madhe.

Dikush mund të bëjë përngjasime me vizitën e Kryeministrit (shkurt KM) Rama në Serbi. KM nën petkun rozë të Rilindjes, hyri në pallatin e bukur kryeministror dhe i duket se ka çdo gjë të vetën. Madje krejt Shqipëria e katandisur në gjendjen që është, trajtohet si pronë e Rilindjes. Kurioziteti e shtyn të mendojë çfarë ka nga ajo dera në drejtim të një shteti tjetër, ballkanas, armik historik i Shqipërisë, dhe i çdo gjëje shqiptare.

Kështu, (marrëzisht  mund të thotë dikush) Kryetrimi Kryeministror (shkurt KK), ka vendosë të hapë derën e tij të pallatit të përrallave, derën nga ana e Serbisë.
Ndërkohë, me ndonjë përjashtim, të gjithë ia kanë thënë, dhe po ia thonë larg e larg ose drejtpërdrejt: Mos shko o Kryetrim Kryeministror! Mos e hap atë derë…!

Por Kryetrimi ka vendosë ta hapë derën…
Unë jam i sigurtë se ndryshe nga përralla, KM do të gjejë atje diçka: Në Serbi do të gjejë serbë!
Nuk jam i sigurtë nga ana tjetër se çfarë do të humbasë, dhe çfarë do të gjejë kur të kthehet në Shqipërinë e ndarë,  nga lakmia serbe, greke, malazeze, maqedonase…

Shko, shko, shkoooo, or Kryetrim Kryeminstër!


Edmond Kaçeli

domenica, ottobre 19, 2014

Shëtitje në pyllin e heshtjes


Vetmuar deri në çmendje
më i vetmuar se vetëm,
krejt i vetëm shëtis
eci mespërmes
                        në pyllin e heshtjes
në rrugën e parrugë
vizatuar prej vjeshtës.

Gjethet janë ndryshkur
Gurët janë ndryshkur
Fjalët janë ndryshkur,
                                   gjithashtu
…në grykën e pafundit
Heshtja flet me dikë larg meje…

Në pyllin e heshtjes
ranë gjethet e fundit
gjethet e harresës
krejt kot,
              shiu mundohet të lajë
ngjyrën e përgjakun të vjeshtës...

Edmond Kaceli

Tetor 2014, diku në një pyll të Italisë

lunedì, giugno 09, 2014

Botë e trishtë


Një kontenitor plehrash është lagur gjatë gjithë ditës në shi
Një shi i mbytur në trishtimin e një dite që pret të kalojë
si miliona ditë të tjera, pa thënë asgjë
Në rrugën “Bricco Broncio”, S. Langhe, Piemonte
Shiu dhe trishtimi mbysin kujtimet e djeshme
Indiferenca njerëzore mbyt të sotmen dhe të nesërmen, pa kujtime

Një qen morracak pastron morrat nën shiun dhe mjegullën që kanë mbytur rrugën
Makina luksoze turistësh dhe motorçikleta të zhurmshme thyejnë ndonjë çast
indiferencën. Dhe ikin në rrugën e zhytur në mjegull. “Udhë të mbarë”
në u foltë për mbarësi ndonjëherë! Dielli ka ikur pa lënë adresë.

Era shkund pa kuptim pemët e lagura deri në palcë që dridhen së ftohti
Dy të fejuar mundohen të ngjallin humorin e një dite të shkuar kot
Vajza tund vithet e rrumbullakta, të lagura prej shiut. Ndjenjat janë zhytur në mjegull. “Bethoven’s Fur Elise” vetëm shton trishtimin në gjakun e lagur.
Qeni morracak shkundi shiun, mori bishtin me vete dhe iku pa thënë asnjë fjalë!

Kontenitori i mbushur përgjysmë me mbeturina vazhdon të laget…

lunedì, aprile 21, 2014

Drejtësi absolute

Unë shaj ty –dhe kam të drejtë.
Ti më shan mua –dhe ke të drejtë.

Unë dhe ti…

Unë dhe ti shajmë njëri- tjetrin…


Dhe kemi plotësisht të drejtë!

e.kaceli

lunedì, febbraio 17, 2014

Akull dhe qen që lehin…



Kishin uri qentë. Ishte ftoftë. Shume ftoftë.
Mish  pat ngri prej të ftoftit. Kockat ishin tretë prej viteve.
Qentë kishin uri…
Vendosëm t'iu hedhim shpirtin. Përfundimi...

Ftoftë është
Akull është
Qentë e uritun sillen rreth meje
Qentë e uritun sillen rreth jush
Sillen rreth padronit qentë e uritun…

Më lehin dhe mua,
                              dhe ty,
dhe padronit, njëherësh
Na skërmisin dhëmbët
Jargët deri në tokë, varg.

 Qentë e uritun lehin kundër gjithkujt
pa dallim.
Padroni (për shërbimin e lehjes)
Iu hedh kocka
Dhe qentë i lëpijnë.
Unë dhe ti buzë padronit
Si buzë mortjes që vjen prej të lehunave
dhe jargëve.
Mishi na është ngri prej të ftohtit.
Kocka nuk kemi
(Kockat kanë tretë viteve)


Qentë lehin.
Qentë përjargen.
Qentë po vdesin…

-Çfarë t’iu hedhim qenve në këtë akull!

-Iu hedhim shpirtin. Shpirtin i dashur,  iu hedhim!

Unë, (më i akullt se akulli përgjigjem):
Nëse iu hedhim shpirtin ne vdesim prej të ftohtit dhe
qentë vdesin gjithashtu se
shpirtin tonë nuk e hanë as qentë…

Përfundimi?


Itali, shkurt 2014

domenica, gennaio 26, 2014

I dehur...

Mbushi gotën me ajër.

E piu me fund.
(I pat munguar prej kohësh.)

Marrakëmbësh
u nis për udhë.

E. Kaceli
nga vëllimi "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë"

domenica, dicembre 22, 2013

Shtegtari nga E. Kaceli

Nëse shihni një flamur, një flamur të shlyer
nëse shihni një flamur, një flamur të shkyer
Ngritur në një shtizë loti
                                        në cilindo udhëkryq të botës
braktisë
një flamur rreckë, një flamur pa ngjyrë
Jam unë shtegtari.
Nëse më shihni ecni.
Ikni. Largohuni indiferentë
në indiferencën tuaj të përjetshme
mos u ndaloni!
Mos mi hidhni sytë!

Jam unë shtegtari -flamur' i shkyer
                                                          i pangjyrë
i mbështetun përjetësisht në një shtizë loti...

Itali, fundviti 2013

lunedì, dicembre 02, 2013

Mes nesh... sonet


Dikush mbolli pemën e heshtjes.
Pema thau lulen e dashurisë.
-si gjethet në hapësirën e vjeshtës
të vetëm notuam larg lumturisë…

Shengjin, prag stuhije.

Na rrahën dallgët e Detit të Vetmisë.
Valët e mallit na sollën qortim.
Në brigje të shkreta, larg, larg na hodhën…
jemi penduar. Pa shpresë për dashurinë.

Në detin e lotëve kërkojmë shpëtim.
Det i thellë. I thellë. Thellohet më tepër.
Lotët e mbushin. E mbushin papushim.

Kërkojmë njëri- tjetrin. Notojmë. Notojmë.
Por deti… deti na lodh. E lodhim. Nuk ndahet.
Kërkon. Kërkon. Kërkon ngrohtësi,
                                                            ndryshe nuk thahet.

nga E. Kaceli

lunedì, novembre 11, 2013

Sipas meje

Duke ju referuar vetes
Bota është një poshtërsi
mbushur gjer ne grykë me maskarenj...

Mos ndoshta,
                        rastësisht,
unë
jam i i ndershëm?!

E. Kaceli
nga libri "Simbiozë", Lezhë 1994

domenica, ottobre 20, 2013

Pa menduar se një ditë...

nga E. Kaçeli

Shkelim mbi gjethet e rëna të pemëve
Unë,
         ti
             dhe të tjerët si ne të dy.
Vjeshta merr shkallet e ikjes. (Capriè, IT)
Shkelim pa mëshirë,
Shkelim
             pa nostalgjinëe veçantë të rënies.

Shkelim

...Nuk kujtohemi se një vjeshtë
me nervurat e fikuna,
                                 zakonshëm,
do të shkelin mbi humusin tonë
pa grimën e nostalgjisë
Gjethet.

e ripunuar nga vëllimi "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë"
EPB "Gjergj Fishta" Lezhë 1998

lunedì, settembre 23, 2013

Këpuca e vjetër nga E. Kaceli


O këpucë e vjetër sa mosha
shoje grimë prej kalldrëmit të viteve
vazhdon të ecësh nëpër udhë të panjohura

këpucë e shpirtit tim -arnuar me dhimbje...



Shqipëri, gusht 2013