Videot me te shikuara

Loading...

e diel, shkurt 15, 2009

Kalorësit e Dritës -nga Elinda Marku

Kalorësit e Dritës
(njërin prej tyre e kam parë gjallë: Rudolf Marku)
Nga Elinda Marku

USA

E vetmja fije që më lidh me këta kalorës është një fije e dritës. E asaj dritës të cilën unë vetëm e shoh , pa mundur ta ndjek. Edhe pse aq shumë dua. Dua dhe ua kam borxh atyre që vërtetë do të doja t’u tregoja për të. Të besojmë që ka ende një të tillë. Kalorësit e dritës gjithmone kështu kanë qenë , të rrallë. Nuk bien në sy. Duket, vetëm duket se ka dritë me bollëk. Ata të vetmit dhe të vetmuarit, kalorësit e dritës , e dinë se asnjëherë drita nuk mjafton, dhe e shtojnë atë. Paçka se verbërisë i shtohen të verbërit.
Të gjithë ata që u përpoqën të krijojnë mbinjeriun në shekullin 19, një herë u “çmendën” pastaj “vdiqën”. (Dostojevski, Nietche…) Në shekullin zero, kur u mblodhën Mateu, Marku, Luka, Gjoni dhe më vonë të tjerët që mbështetën njëri tjetrin, por që nuk mund të themi nëse e gjetën apo e krijuan mbinjeriun ende. Nietche u çmend kur kuptoi se nuk ishte njeriu që duhet kapërcyer , por mbinjeriu. Vjen ky shekull i 21-të, i cili nëse nuk e ka gjetur botën në gjumë, Shqipërine e shqiptarët i ka gjetur të verbër, jerm, e të mbetur në kohën e shkuar, që nuk e lënë dot të shkojë. Fle Shqipëria, ngase gjithëmonë ka patur pak e më pak kalorës të dritës. Njërin prej tyre kam pasë fatin ta njoh , dhe është i vetmi që kam parë gjallë, Rudolf Marku.

Isha në klasën e dytë të shkollës së mesme, në një shkollë që nuk e desha , as nuk e përfundova. Në Lezhë, dhe jo vetëm në Lezhë, ato kohë flitej për një djalë të talentuar. Ndonëse në Lezhë ato kohë ishte bërë si e modës të bënin si djem të talentuar shumë syresh nga të rinjtë. Talentet ndryshojnë shumë prej imituesit, dhe atyre që merreshin e merren me art, prej gjithëfarë arsyesh të jashtme. Arsye të jashtme siç ishin (janë), paraqitja, maska, shtirja, përulja. Ndërsa e kundërta e këtyrë dhe që dallojnë prej pseudopoetëve, mediokërve, vijnë nga arsye të brendshme, si geni, dhuntia, individualiteti, e shfaqen me kokëfortësi, edhe nëse nuk i lëmë, edhe nëse nuk i shikojmë.

Aso kohe im atë, një adhurues i marrë i letërsisë, që deri në fund të jetës iu përul vetëm letërsisë me një mirënjohje që nuk e kam parë tek askush. Nuk e kam parë tek im atë, për askënd. Dhe më thosh:
Letërsia disa i çon në vetvrasje, disa i shpëton prej vetvrasjes, dhe shumë pak ata të cilët i shpëton edhe nga vdekja.
Se nga i gjente e i sillte në shtëpi të gjithë numrat e gazetës “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe “Nëntori”. Mbasi i mbaronte së lexuari, kujdesesha unë për to. Madje pa dijeninë e tij. Në fillim lexoja ato që kish nënvizuar me gjithë ndonjë shënim që shtonte anëve të gazetës. Dhe vetëm pasi i lexoja fjalë për fjalë , secilën prej tyre, i merrja dhe i shtija në një kuti druri , të cilën ende nuk e di nëse gjyshi im, apo gjyshi i babit e kish punuar kaq bukur, dhe veshur nga brenda me një velvet blu të çmendur. Që atëhere e kam njohur –lexuar Rudolf Markun, në fillim duke ma sugjeruar im atë nëpermjet shënimeve që shkruante anash poezive të tij, më vonë edhe duke më besuar me zë .
Mbasi vdiq im atë, i cili desh u çmend nga lumturia kur e besoji se erdhi dita , e mund të dilte deri në Toscana , ku edhe vdiq. Vendlindjen e Dante Aligerit, Da Vincit e të tjerë. E hapa kutinë e trashëguar-dhuruar-punuar, nuk e di prej cilit gjysh, i shfeltova gazetat si “relike” tashmë që m’i kish “lënë” im atë. Dhe për herë të parë kaq vonë, guxova t’i shkruaj , pa e ditur se çfarë e si mund t’i shkruaja një autori që gati gati e kam adhuruar.

Shfrytëzova koinçidencën e pasjes të njëjtin mbiemër. Dhe në vend të atyre që do e duhet t’i kisha shkruar, i tregova, fola pothuaj në gjithë letrën, për tim atë. Ku ta di pse e si kisha pritur kaq gjatë për t’i shkruar , kur në fakt nuk më kish munguar guximi t’u shkruaja mjaft “shkrimtarëve” të tjerë , të cilët, të shumtët që kam guxuar t’iu shkruaj, nuk kanë denjuar të më shkruajnë “back”. Në letrën që i drejtoja Rudolfit, i tregova se si im atë e kish njohur e më kish folur për të si ta kish patur mik , si t’a kish patur të afërt përtej koincidencës së mbiemrit. Se si im atë më kish treguar të gjitha peripecitë e Rudolfit, dhe se si gati gati i kish jetuar bashkë me të. I tregova për afërsinë që im atë , gjyshja ime dhe tezja e tij , kishin patur miqësi me të shoqen e Agron Belishovës, Valin. Ngase ishim ashtu, të persekutuar, nipërit e reaksionarit. Se si njëhere, kaherë mësuam se sa e ndaluar ishte dashuria për to. Dhe se t’i dashuroje, ishte kaq e ndaluar sa mund të të ikte dhe koka. I tregova se si im atë më thoshte se ky djalë, Rudolf Marku, ka nje individualitet të rrezikshëm , dhe që nuk do të duan ta pranojnë. Se si Rudolfi ishte zhdukur për ca kohë, dhe gati gati dolën llafe se ishte arratisur. Dhe ishte arratisur vërtetë. Një arratisje e re kjo e Rudolfit, ashtu siç edhe poezia e tij, talenti i tij, vecantësia e tij. Ishte arrastisur , e nuk e kish parë njeri në qytet për disa muaj. Mësojmë më vonë , se ishte arratisur e mbyllur në një vetmi poetësh, vetmi poetike, prej nga u kthye (doli) me anglisht ku më vonë sjell të përkthyer Tomas Eliot, për lexuesit shqip. Në letër i tregova Rudolfit se si edhe unë , ndoshta prej babit, kisha rëne në dashuri me letërsinë. Se si kisha mundur të botoj ndonjë cikël me poezi tek “Zëri i Rinisë” , ndonjë tek “Drita”, tek “Nëntori”. Dhe se si tek të gjitha këto botime më kish ndihmuar koincidenca e të paturit të njëjtin mbiemër me atë të Rudolfit. Kryeradaktorët e gjorë kishin kujtuar se isha ndonjë e afërme e Rudolfit. Deri sa një ditë në zyrën e Zef Gurakuqit, e marr vesh këte hamendje të atyre tek “Zëri i Rinisë” dhe “Dritës”. Meqë Zef Gurakuqi e njihte familjen tonë, dinte se s’kishim si të ishim edhe të afërm me Rudolfin. Ndonësë , tha Zefi, Është kaq bukur që të mendojnë si të afërme të tij, është më i talentuari, dhe si i tillë ka qënë pothuaj gjithmonë në shënjestër… por ia ka dalë në njëfarë mënyre pa e zvetnuar, pa e kthyer në mediokër. Pas kësaj pata rastin të takoj, Bardhyl London,(kryeredaktor në “Drita” aso kohe) i cili edhe pse nuk më pyeti për mbiemrin dhe lidhjen që mund të kisha me Rudolfin , ia thashë vete: Lexoji njëherë poezitë para se të m’i botosh, sepse as nuk ngjajnë me poezitë e Rudolfit, dhe as nuk e njoh Rudolfin përvecse si lexuese, mbiemri ështe një koincidencë . I tregoja Rudolfit në letrën e vonuar, bindjen time për letërsinë shqipe, sidomos atë që mësuam në socializëm, është një letërsi mediokër. E cila ende trashëgon instiketet e forta të saj kundër talenteve, kundër poetëve të vertet, kundër artit, kulturës, dijes.
E postova letrën që i shkrova Rudolf Markut, në draft. Të cilën ende nuk ia kam postuar. Në vend të saj i dërgova një letër të shkurtër, në të cilën e urova për romanin “ALLAHLAND”.


Mbas ’90 -ës, kur u realizua ëndërra edhe e Rudolfit, endërr ende e parealizuar në fakt, ai iu dha lirisë. Gati -gati me naivitetin e të burgosurit. Gati -gati me naivitetin e ëndërrimtarit. Gati -gati me naivitetin e kalorëesit të dritëes. Edhe pse R. Marku asnjëhere, as atëhere, kur pothuaj të gjithë bashkëmoshtarët e tij “poetë” e ‘shkrimtarë” treguan naivitet e servilizëm të skajshëm , Rudolf Marku, nuk tregoj asnjeherë humbje të logjikës, shtirje apo delir. Zgjodhi të mos vinte në vitet ‘90, me njëzet e tridhjet vepra. Më vonë provoi zhgënjimin e fundit le të them, dhe u tërhoq sërish në vetminë e radhës, në “arratisje” të re. Pa e çarë kryet për famë, post, para… U vendos në Britaninë e Madhe, me dëshirën për t’u “harruar” e për të “harruar”. Krejt ashtu siç tërhiqen kalorësit e dritës prej territ. Për të shijuar deri në fund fatin e tyre. Fatin e të vërtetit. Fatin e vetmitarit.
Jo vetëm tani, por gjithmonë, që atëhere kur e lexoja fillimisht R. Markun kam mësuar dhe jam bindur se talentet e vërteta ndiqen, kanë kundër qoftë edhe në heshtje instiktet e mediokërve. Nëpermjet R. Markut mësoj se talentet nuk kërkojne as nuk e ndjejnë nevojën të bëhen të njohur (famshëm). Talentet e vertetë, e dinë ashtu krejt instiktivisht se janë të paharrueshëm. Letërsia që ofron R. Marku tregon pikërisht se, R. Marku kurrë nuk e vuajti, mungesën e talentit e të vetëdijes. Mbasi pata fatin të lexoj një autor që e kam aq për zemër, Oscar Wilde, mu bë të besoj me forcë që, Rudolf Marku, ndoshta jo për koincidence është vazhdimi i tij, dhe i vetmi autor shqiptar që pothuaj më vjen ta krahasoj me të. Ngjanë kaq shumë në vetëdije, në fuqinë e mendimit, dhe paqen që kane me vetën, në luftën që ende ia shpallin mediokritetit, injorancës , euforisë…
R. Marku kohët e fundit shfaqet shumë rrallë në shtypin letrare , i cili ky, shtypi letrar, pothuaj mungon plotësisht në Shqipëri. Dhe mbasi lexova një shkrim të R. Markut , për dy librat e fundit të Zija Celës, vihet re dashuria dhe lidhjet e R. Markut me letërsinë e vërtetë, me letërsinë që ende nuk bëhet , por që mund të. Shkrimi i R. Markut nuk mund të lexohet thjeshtë si një lëvdatë e thatë për librat e fundit të Z. Celës. Por mund të merret edhe si një sugjerim se cilën letërsi e cilat botime duhen lexuar, si duhet të shkruhet ndryshe nga sa shkruajtëm për 50 vjet. Ndërsa unë, shkrimin e R. Markut e mora si një këshillë për t’i dhënë Zija Celës edhe një herë shansin për ta lexuar. Kush e lexon letërsine e Zija Celës, mbas viteve 90?

Madje unë as letërsine e Kadaresë pothuaj nuk lexoj më. Shkrimtarët në sistemin komunist nuk shkruajtën për dhimbjen që ishte kaq prezent e kaq e thellë. Përkundrazi shkruajtën për lumturinë, e cila nuk kishte asnjë shenjë në Shqipëri. Madje as ata që e mbillnin kaq thellë këtë dhimbje, nuk ishin, e nuk kishin si të ishin të lumtur. Ishin të sëmurë!
Dhe mbasi lexova librat e fundit të Zija Celës, më pak të shtirurit prej tij, mësova atë që nuk e di pse e si e kam ditur në njefarë mënyre, se, dhimbja sjell letërsine , artin më të mirë. Si ngushëllim të vetëm ndoshta. Këtu kam parasysh edhe Ali Podrimjen. Të cilin për bindjen time, dhimbja e bëri poet. Dhe, mëkatoj kur e them, por ja që e bëj edhe këtë mëkat, dhe, po t’i heqim poezisë së Podrimjes poezitë për Lumin, mua nuk më bëhet më shumë se një poet medioker, në shumicën e poezive të tij has shtirje të skajshme. Sido që mund të mbetet tek -tuk ndonjë poezi e mirë. Por asnjeherë poezi si ato për Lumin. Podrimja ende nuk e ka kaluar , kapërcyer poezinë e dhimbjes. Podrimjes ende i mungon ajo, poezia e vetëdijes! Vdekja, dhe si duket vetëm vdekja na shkaktoka dhimbjen më të vertetë. Më të besueshmen. Dhimbjen që sjelle artin si ngushëllim të vetëm. Kjo dhimbje si duket e vetmja që shkrimtarëeve shqiptarë, u jep të drejtën legjitime të qajnë, të kenë frikë ose të trimërohen plotësisht, e të shkruajnë. Dhe këtë e bën Cela për herë të parë, në librat e tij të fundit. (duke e pasuar me një përseritje të vetes, duke kaluar mbi librat e tij të fundit , e për t’u cmallur me të shkuarën dhe veten, me shkrimin- esse për Kadarenë, çka kjo duhet të ketë zhgënjyer lexuesin e ri të Celes por edhe shkruesin e artikullit per librat e Celës, R. Markun.

… Mbas letrës që ia postova Rudolfit, atë letrën e shkurter e të ndrojtur ku i uroja për romanin, këmbyem edhe disa letra të tjera. Pastaj gati rastësisht dhe jo krejt rastësisht unë e takova me në fund Rudolf Markun në Trieste . Tek i cili unë pashë poetin , dritën e mendjes, njeriun, prindin. Zgjodhëm një kafe në breg detit dhe u harruam aty deri në mbrëmje. Nuk do ta kisha besuar modestinë e tij, po të mos e kisha takuar. Me foli për detin, për poezinë, për djemtë e tij, të cilët m’i prezantoi në një foto. Për ëndërrat e tij të parealizuara, dhe shpresën se do t’i realizonin të bijtë. Dhe sidomos me mrekulloji biseda, kujtimet dhe dashuria e tij për At’ Zef Pllumin.
Për bindjen time , Rudolf Marku është njëri prej Kalorësve të dritës, i vetmi që unë kam parëe gjallë.

0 commenti: