Mendime te çmendura

Mendime të çmendura

Mendoj: Asgjë.

Bëj: Asgjë.

Them: Asgjë.

Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!

E. Kaceli

Lexues

Sunday, July 20, 2008

POKER SPIUNËSH- OSE LOJA SHQIPTARE E FUKSAVE

nga Edmond Kaceli

Spiunët ose në shqipen e diktaturës “fuksat” gjatë 18 viteve të postdiktaturës janë shëndrruar në një burim i vlefshëm për shmangien e politikës shqiptare nga problemet më të rëndësishme që shqetësojnë njerëzit.
Pa u mbyllë plagët e Gërdecit, politika zyrtare rihapi dhe një herë, për të disatën herë, çështjen e bashkëpunëtorëve të ish- sigurimit të shtetit. Në tregun e fjalëve filloi lufta e pseudonimeve të dikurshme. "Anteu", "Alfons Ballsha", "Shishja e Qumështit", "Këndesi", "Medicina", "Cigarja", "Çiftelia", "Inxhinieri", "Shkrimtari", "Dizenjatorja", "Raketa 5", "Serbi", "Greku", "Qukapiku", "Proletari", “Bejruti”, “Gjëmbi”, “Korabi”, “Vogli”, “Koromania”, “Stilografi”, “Çorapja”, “Bozhuri”, “Korani", “Langaraqi”, "Vllahu", "Babai", "Kaposhi", "Luftëtari",“Nemercka","Doku",“Financieri”, “Katovica”, "Profesor",“Harabeli","Skifteri”, "Lapsi", "Kotherja", "Piktori", "Karafili", "Molla", "Luleshtrydhja", "Ketri".

Sipas thashethemeve zyrtare të shtypit shqiptar këta janë disa prej dhjetëra personave, ish- bashkëpunëtorë të Sigurimit që kanë arritë të bëjnë karrierë në politikën apo nëpër zyrat e shteti shqiptar.
Më të spikaturit rreth të cilëve bëhet zhurmë më e madhe, e ndodhen në shkallët më të larta hierarkike, janë pseudonimet “Holta”, “Drita” “Plepi”, “Grepi”, “Corapja”,“Korani i Myzeqese”.
Në lojën e pokerit me spiunët partia Socialiste sulmon partinë Demokratike me kartat “Këndesi”, “Gjeli”, “Corapja”, “Sqepi”, “Masoviku”, “Ciklisti”, “Shishja e qumështit”, “Naftëtari”, “Alfons Ballsha”, “Demoni”, “I Vogli”, “Qukapiku”, “Dizenjatorja”, “Inxhinieri”, “Medicina”, “Çiftelia”, “Nemerçka”.
Nga ana tjetër e tavolinës demokratët, që kanë pasë kohë ti studiojnë gjatë dosjet, kundërpërgjigjen krerëve të PS-së me emrat “Cigarja”, “Anteu”, “Ylli”, “Serbi”, “Llulla”, “Financieri”.

Kjo rrëmujë emrash të fshehtë, që për dreq nuk është e fshehtë as për fëmijët e lagjes ku ndodhen arshivat e pafshehta të ish –sigurimit, të venë përpara mëdyshjes së madhe: Jemi në vendin e shqiponjave? A në vendin e spiunëve?
Morali është i kotë. Dikush thotë se kam (kanë) spiunuar prej hallit –është e vërtetë. Politika e rekrutimit të bashkëpunëtorëve ka qenë e tillë në kohën e regjimit të Hoxhës. Nga klasat e shtypura, detyroheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me kërcënime të hapura, të fshehura, a me favore, të bëheshin bashkëpunëtorë.

Në gjuhën zyrtare emri spiun lejohej të përdorej vetëm për armiqtë e pushtetit popullor. Termi “bashkëpunëtor”, i zgjedhur me shumë kujdes, kishte si qëllim në vetvete të fuste frymën e përçarjes dhe të vëllasipundashjes deri në nivelin e familjes, duke shkatërruar çdo normë morali.
Bashkpunëtorët e mjerë, për të mbrojtur familjen e tyre, pranonin të lëpinin këmbët e një oficeri –kriminel të sigurimit, që në përqindjen më të lartë vinin nga Jugu i vendit, shpesh duke e kuptuar se kështu nuk mbronin në të vërtetë as veten e tyre.
Faji i fundit, i këtyre bashkëpunëtorëve, është se pas viteve nëntëdhjetë, u turrën, të çliruar prej diktatit të oficerëve drejtues, të kacavirren në poste të rëndësishme.
Them të kacavirreshin, se çdo herë që prishnin rregullin e mosbindjes ndaj eprorit të partisë së tyre, apo sa herë që kërkonin të thonin diçka kundër ish- oficerëve drejtues, As –i maç, i pseudonimit, nxirrej në tavolinën e pokerit të ndyrë, e ish –bashkëpunëtori i shkretë, ndjehej sërisht i tradhëtuar në dobësinë e vet. Tkurrej apo largohej nga politika, apo pozicioni zyrtar, me bisht ndër shalë, ose rrinte aty me shalët e hapura e i ulur mbi bisht.

Askush nuk merret me anën tjetër të medaljes. Me ish-drejtuesit e sigurimit, me oficerët e rangjeve te ndryshme, në rastin më të mirë kriminelë të stër’regjur në profesionin e vet. Shumë prej këtyrë ish- oficerëve, ish-gjyqtarëve, ish prokurorëve, ish –hetuesve që ngjyen dhe duart me gjakun e të dënuarve politikë, sot janë bërë dikush në politikën e pozitës a opozitës, kanë arritë të bëhen dikush në fushën e ekonomisë, kanë bërë karrierë ne pushtetin gjyqësor a në avokati, e japin leksione morali nëpër tribunat e shtypit të paçlirë shqiptar.

Shtetin e krijojnë burrat, dhe gratë e shtetit, ndërsa e mbajnë në këmbë spiunët. Ky parim i vjetër sa çështë dhe përvoja shtetformuese e njerëzimit, në rastin shqiptar nuk mund të gjejë zbatim për dy arsye:
E para: Nuk kemi arritë ende të bëhemi një shtet i mirëfilltë me funksionet e vërteta të shtetformimit. Politikanët dhe zyrtarët shqiptarë nuk kanë grimcën më të vogël të respektit për ligjin, shtetin, karrigen e zyrtarit, për nënshtetasit dhe të drejtën e tyre për tu qeverisur ligjërisht. Ata shesin dokumentet zyrtare, edhe më sekretet, e në rastin më të keq i bëjnë publike thjeshtë për të bërë presion ndaj kundërshtarit. Në poker thirret “bllof”.
E dyta: Shqipëria nuk ka pasë spiunë të mirëfilltë asnjëherë. Pavarësisht se termi “spiun” është keqpërdorë qëllimisht duke iua veshur petkun e spiunit, bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit, që kanë peshën e tyre të fajit në mbajtjen në këmbë të diktaturës së proletariatit. Spiuni i mirëfilltë, spiunazhi dhe kundërspiunazhi, në botën moderne, është një profesion i nderuar, mjaft i vështirë për tu luajtur, e shumë i dobishëm në sfidat që kalon njerëzimi.

Nëse bëhet fjalë për t’iu prerë krenat disa “Koranëve të Myzeqesë”, “Këndesëve” apo “Gjelave” është më mirë t’iu priten krenat, më parë disa ish -drejtuesve të sigurimit, disa ish –prokurorëve, ish -gjyqtarëve, a ish funksonarëve të dikurshëm të partisë së punës.
Vetëm kështu “pokeri i spiunëve” do të pushojë së qeni një lojë pa vlerë. Vetëm kështu mund të pastrohet politika shqiptare nga balta e së kaluarës e llomi i të sotmes.

Ndryshe na mbetet vetëm të vazhdojmë të luajmë poker, të bëjmë bllof, përreth tavolinës të mbushur me prodhime të fallsifikuara e ndoca të vërteta të hidhura e të ndyra.