Fenomeni i konvertimeve apo seleksionimi i gabuar lirive të njeriut
Çështja e konvertimeve religjioze dhe perceptimi i tyre në kontekstin
shqiptar mbetet një temë në vete, me prirje të veçanta për tensione
publike dhe si i tillë mjaft delikate, edhe pse kjo çështje hynë në
sferën e drejtave të njeriut dhe lirive personale. Të drejtat dhe
liritë e njeriut janë kuptimplote vetëm atëherë kur realizohen në
tanësinë e tyre, e jo me seleksionime, sipas apetiteve të caktuara
duke mbrojtur kategori të caktuara në dëm të tjerave. Nisur nga parimi
bazik se çdo njeri lind i lirë dhe si i tillë është drejtuesi i vetëm
jetës së tij mbi tokë, atëherë natyrshëm të drejtat dhe liritë e tij
mbeten sfera supreme, absolute me të cilat disponon vetëm ai. Në këtë
kontekst hynë natyrshëm edhe e drejta e besimit, por edhe konvertimit,
apo ndërrimit të fesë, me të cilin fenomen po ballafaqohet shoqëria
shqiptare dhe ndaj të cilit ka një qasje të gabuar, të mos themi
tendencioze, kur e kur edhe përjashtuese. Edhe përkundër peshës që ka
kjo temë në jetën shqiptare, mbetet i habitshëm fakti përse hezitohet
të diskutohet hapur, mirëpo kjo temën shërben vetëm për zhurmë e
tensione të pazakonta, larg debateve thelbësore, nëpër periferi të
jetës shoqërore. Konvertimet religjioze në gjendjen tonë kombëtare, në
disa koka, sidomos në Kosovë vazhdojnë të perceptohet me konotacione
tejet negative, duke u konsideruar një lloj tradhtie, vlerësime këto
sentimental e me tendenca të urrejtjes, ekskomunikimit, që janë për
mua parashenja tejet shqetësuese, përveç faktit se përbëjnë edhe
shkelje flagrante të drejtave të njeriut. Aty këtu nëpër botën e
internetit zhvillohen debate për çështje religjioze dhe shumica e tyre
karakterizohen me tone të ashpra, madje përjashtuese, duke munguar
sensi reflektues racional. Reflektimet dhe gjykimet lidhur me këtë
dukuri duken tejet të papjekura, madje larg standardeve demokratike e
respektimit të drejtave të njeriut. Mendoj se në këtë kontekst,
pikërisht ne do të duhej të reflektonim të kundërtën, me urtësi, me
tolerancë dhe respekt, pse jo edhe për shkak të historisë dhe përvojës
negative me këtë dukuri. Përvoja më ka rastisur të kem kontakte me të
tillë të konvertuar, veçanërisht nga Kosova dhe ata ankohen për një
trajtim aspak dinjitoz, shpeshherë përjashtues, madje me tendenca edhe
kërcënuese nga një pjesë e shoqërisë. Kam përshtypjen se në Shqipëri
ky fenomen mbetet krejtësisht brenda suazave normale e personale,
ndërsa në Kosovë dhe hapësira tjera shqiptare, çështja duket mjaft
shqetësuese, jo vetëm për perceptimin tërësisht të gabuar për ata që
konvertojnë, por në përgjithësi edhe për vet konceptin e drejtave dhe
lirive religjioze. Pikërisht avaria dhe perceptimi i gabuar i këtij
fenomeni, duhet reflektoj tek pjesa e shëndoshë e shoqërisë
konsekuenca racionale për të stimuluar një debat, pa paragjykime,
ngarkesa e parashtesa, por me shpirtin e mirëbërsisë dhe me qëllimin
më të mirë, për të larguar sterotipet, si dhe për të stopuar
paragjykimet e keqkuptimet shumta, të cilat të ardhmen mund të
rezultojnë me ndikime negative.
Unë u nxita për të shkruar lidhur me këtë temë, përveç tjerash nga dy
arsye të fuqishme: e para, ndërlidhet me faktin se akoma vazhdon të
hezitohet në dimensionet shqiptare të zhvillohet një debat i hapur e
thelbësor për të drejtat dhe liritë e njeriut në kontekstin religjioz
(prandaj edhe kemi një zhurmë periferike të pazakontë me kaq
keqkuptime e nervozizëm. Pikërisht ky element është bërë shkak të
atakohet në mënyrë më të ultë e më të paskrupullt presidenti Ibrahim
Rugova, shkrimtari i madh Ismal Kadare, etj); dhe e dyta, ndërlidhet
me lajmin se presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu do të viziton
Vatikanin dhe do ketë takime me Papën. Ky lajm, të cilin e lexova në
www.balkanweb.com. shoqërohej me disa komente anonime, të cilat janë
një barometër mjaft indikativ, për të kuptuar kontradiktat mosdurese
që po thellohen mes shqiptarëve për çështjet religjioze, konvertimin,
tolerancën fetare, etj. Në fakt, toleranca e proklamuar ndërshqiptare,
në shumë raste dëshmon të kundërtën. Qasja ndaj fesë, konvertimit
është e stër-keqkuptuar. Ngase një Ibrahimi apo Kole askush nuk mund
t'ia sanksionoj të drejtën e tij për të ndërruar besimin, apo për të
mos besuar fare. Po të shihet çfarë shkruhet kudo nëpër botën e
internetit, e rrallëherë edhe në masmedia të shkruara lidhur me këtë
temë, shihen sheshazi tendencat përjashtuese e ekstreme ndaj atyre që
bëjnë këso akte personale. Ta zëmë Ibrahim Rugova, Ismail Kadare
shpallen tradhtar, të shitur e çka jo tjetër, ata urrehen me motivet e
ulëta, kinse pse kanë ndërruar religjionin. Dhe kjo ka domethënien
tjetër më komplekse, sepse nga këtu fillon mosdurimi, urrejtja ndaj
Katedrales Katolike në Prishtinë, elementit katolik ndër shqiptar etj.
dhe vazhdon nga këndej pastaj me komentet e ashpra kundër islamit
shqiptar. E gjithë kjo ndodhë nga fakti i mosnjohjes së një të drejtë
themelore: konvertimit, si e drejtë personale. Shoqëria jonë duhet
dëshmoj pjekuri në këtë sens, sepse është shenjë e vetëdijes
demokratike. Edhe përkundër faktit se ky fenomen na ka shoqëruar nëpër
shumë shekuj, ne nuk kemi mësuar.
Për mua është krejt e pakuptimtë mënyra si gjykohet, ta zëmë
konvertimi i presidentit Ibrahim Rugova, ndërkaq në botën perëndimore
kjo çështje është krejtësisht në sferat personale. Para Krishtlindjeve
të vitit që sapo lamë pas ish kryeministri Britanisë së Madhe Toni
Bller u konvertua në katolik dhe ai as nuk u bë më i keq nga mediat,
as nuk u akuza për ndonjë tradhti, as nuk u ekskumunikua nga shoqëria,
por u vlerësua si akt personal. Pse atëherë Rugova apo Kadare na
qenkan të këqij për disa vetëm e vetëm, pse, ta zëmë kanë ndërruar
fenë? Në botën perëndimore kjo çështje mbetet në kuptimin më të plotë
brenda suazave personale. Prandaj edhe pse shoqëria suedeze është në
tërësi protestante, në Akademinë Suedeze nga 14 anëtarët, katër janë
katolik. Këndej pari është krejt normale një danez të konvertohet në
mysliman, edhe pse kjo fe nuk është daneze. Ndërkaq në botën shqiptare
konsiderohet mëkat i pafalshëm konvertimi në fe të cilat i kemi bazike
dhe ne vazhdojmë rrahagjoks të krenohemi për tolerancë.
Gjuha të cilën e hasim në internet le të kuptohet se të drejtat
religjioze në shumicën e mendjeve shqiptare janë prona të "dikujt
tjetër" e jo individit. Prandaj ka shumë të tillë që siç shkrova më
lartë konceptojnë tradhti, apo në raste ekstreme synojnë të ndalojnë
konvertimin e Ibrahimit në Pjetë. Ky aspekt kaq i ndjeshëm po bëhet
një element mjaft i fuqishëm për ndarje e përçarje mes shqiptarëve, së
këndejmi po kultivon ndjenja ekstreme në shumë plane. Prandaj është e
udhës që mendjet e shëndosha të reflektojnë lidhur me këtë dukuri,
duke mos ju bishtnuar kësaj dukurie, e cila haset në shumë forma dhe
mjaft shpesh në botën shqiptare. Ngase seleksionimi, apo në rastin më
të keq përbuzja ndaj atyre që ndërrojnë fenë dhe pikëpamjet fetare,
është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Feja është çështje
personale dhe vetëm si e këtillë duhet konceptohet, prandaj edhe
fenomeni i konvertimit duhet konceptuar si çështje krejtësisht brenda
sferave personale. Atakimi i kësaj sfere është një ndër goditjet më të
rënda ndaj shtetit të së drejtës, ndaj shtetit sekular dhe ndaj të
ardhmes prosperuese. Prandaj në qoftë se duam demokraci, shtet të së
drejtës, atëherë duhet të mësohemi me këtë fenomen të zakonshëm, i
cili asnjëherë nuk është ndal dhe as që do mund të ndalet.
e diel, shkurt 03, 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

0 commenti:
Post a Comment